E marte, 22.06.2021, 12:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Liri Xhoza: Vepër me shkrime me rastin e 1 vjetorit të vdekjes së poetit Din Mehmeti

E merkure, 09.11.2011, 08:59 PM


 

VEPËR ME SHKRIME ME RASTIN E 1 VJETORIT TË VDEKJES SË POETIT DIN MEHMETI

 

Nga Liri Xhoza

 

Pikërisht më datën 12 Nëntor bëhet 1 viti nga vdekja e poetit tonë të mirënjohur Din Mehmeti. Për këtë 1 vit pa të nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë manifestim për ndër të veprës së tij poetike të këtij poeti, i cili shënon një kulm të poezisë sonë bashkëkohore. Në Mitingun e Poezisë, që u mbajt në Gjakovë, kryesia e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” emërtoi çmimin që ndahet për veprën më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve me emrin Din Mehmeti, të cilin çmim e mori poeti Jeton Kelmendi. Ky çmim është tradicional dhe da ta bartë emrin e poetit dhe themeluesit të Mitingut të Poezisë, Din Mehmetit.

Edhe në Junik sivjet është themeluar Biblioteka komunale me emrin e poetit Din Mehmeti, i cili ka vendlindje fshatin Gjocaj të Junikut. Poashtu, kjo bibliotekë u hap në lokalet e shkollës së Junikut,derisa të sigurohet, apo ndërtohet ndonjë objekt adekuat dhe i dedikuar për këtë Bibliotekë.

Andaj, përveç këtyre asgjë tjetër nuk u bë për ta përkujtuar, respektuar, dhe rikujtuat figurën, poetikën stilin dhe diskursin e poetikës së Din Mehmetit. Por, në përvjetorin e vdekjes Kryesia e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë vendosi që të bëhet një përkujtim më 12 nëntor, mu në ditën e 1 vjetorit të vdekjes së tij. Me këtë rast poeti, shkrimtari, kritiku letrar Halil Haxhosaj, nxori nga shtypi veprën “Pavdekësia e poetit”, me poezi, shkrime dhe kritika për veprën letrare të Din Mehmetit me rastin e vdekjes së tij.

Libri “Pavdekësia e poetit” e Halil Haxhosaj, ka 145 faqe dhe përbehet prej tre kapitujsh që janë: I. Poezi, II. Shkrime në prozë dhe III. Shkrime për veprën “Vajet e shiut”.  Në këtë vepër janë përfshirë krijimet e më se 30 poetëve në vargje poetike, ku disa prej tyre janë përfaqësuar edhe me nga dy poezi, të tetë krijuesve me shkrime në prozë dhe të katër të tjerëve me shkrime për veprën “Vajet e shiut. Pra, në vepër janë përfshirë krijimet përkushtuese me rastin e vdekjes të më se 50 krijuesve. Ndër ta ka edhe krijues të njohur si Agim Vinca, Skënder Buçpapaj, Hasan Hasani, Besim Muhadri, Dibran Demaku, Neki Lulaj, Nexhat Rexha e disa të tjerë.

Ky është libri i dytë i Halil Haxhosajt me këtë strukturë përkushtues për poetin Din Mehmeti. Ai në 80 vjetorin e lindjes së këtij poeti e pati botuar edhe veprën “Përkushtime” në të cilën janë përfshirë kryesisht poezi përkushtuese të poetëve tanë  për Din Mehmetin. Bile, ky është libri i parë i kësaj natyre  që i kushtohet një poeti për të gjallë të tij. Andaj, rëndësia e tij ishte e pamohueshme, mu ashtu siç është edhe vlera e veprës “Pavdekësia e poetit” për 1 vjetorin e vdekjes së Din Mehmetit. Rëndësia e librit poashtu ka qëllim tjetër, sepse është një pasqyrim real dhe artistik i poetikës dhe figurës së poetit Din Mehmeti. Andaj shpresojmë se libri, përveç të tjerash, do të jetë edhe një literaturë adekuate për nxënësit, studentët dhe krijuesit e tjerë që interesohen për veprën e këtij poeti.

Autori, Halil Haxhosaj, ka zgjedhur një qasje paksa interesante dhe tejet me interes me këtë përvjetor të vdekjes. Kjo qasje duket se do ta shënojë dhe përkujtojë edhe këtë herë figurën e poetit të shquar Din Mehmeti. Në një mënyrë, pak i dilet borxhi punës, mundit, interesimit dhe krijimit të Klubit letra të Gjakovës, Mitingut tradicional të Poezisë me moshë më se pesëdhjetë vjeçare e tjerë.

Dhe me këto që ka bërë ky krijues dhe mik i tij pak e shumë shënohet diçka për figurën emblematike poetike të këtij krijuesi tonë, që vdekja e tij dashur e pa dashur e ka varfëruar poezinë bashkëkohore shqiptare kudo.

Por këtë nuk e kanë bërë që një vit as Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i së cilës ishte. Bile kjo Lidhje nuk e ka mbajtur asnjë manifestim përkujtues për të, e bile as nuk ka mbajtur Mbledhje komemorative për vdekjes e tij. Po kështu ka vepruar edhe Fakulteti i Edukimit në Gjakovë, që është pasardhës i ish SHLP “Bajram Curri”, ku Din Mehmeti ishte profesor, ligjërues, e besa edhe njëri ndër themeluesit e këtij institucioni të lartë në Gjakovë që në vitin e largët 1967. Sipas disa shënimeve të Monografisë së SHLP së Gjakovës, poeti Din Mehmeti ishte edhe drejtor i saj.

Ka edhe ente, drejtori të kulturës e institucione të tjera që nuk kanë bërë asgjë për këtë poet të njohur. Por Halil Haxhosaj, e përkujtoi me këtë vepër që do të përurohet më 12 nëntor në ditën e shënimit të 1 vjetorit të vdekjes së Din Mehmetit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora