E premte, 29.03.2024, 10:36 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Autorët e monumentit “ Kënga Himarjote”, Llambi Turtulli

E merkure, 09.11.2011, 08:02 PM


Autorët e monumentit “ Kënga Himarjote”,  Llambi Turtulli.

 

Nga Timo Mërkuri

 

Emrin e Llambi Turtullit e kam dëgjuar për herë të parë, në rininë time, nga im atë.

Familja e tim eti, duke qënë  një familje blegtorësh,  shtegëtonin shpesh në zonën e Korçës dhe im atë, atëherë djalë gjashtëmbëdhjetvjeçar, kishte patur rastin ta dëgjonte koncertin e dhënë nga Llambi Turtulli, dhe Jorgjia Truja në vitin 1932, në kinema Majestic. Për hir të së vërtetës duhet të thëm se , interesimi i tim eti dhe pjestarëve të tjerë të familjes së tij për këtë koncert, lidhej vetëm me emrin e Llambi Turtullit. Dhe ky emër, ( si dhe emri i Tefta Tashkos) ishte i dashur për  familjen e tim eti, jo aqë për artin që ai përfaqsonte si tenor modern, (sepse  duhet të pranoj se të kënduarit e Llambi Turtullit ishte pak larg shijeve tradicionale të tim eti) , se sa për faktin se ishte një nga shokët  e Neço Muko Himarjotit dhe të Andrea Balës. Veç faktit të  një miqësie tradicionale me familjen e Andrea Balës, gruaja e të cilit, Fllorina,  u bë vite më von, nuna ime, emri dhe zëri i Llambi Turtullit kishte hyrë në familjet bregdetase nëpërmjet pllakave të inçizuara nga Grupi i Neço Mukos  në Firmën PATHE  në Paris. Nga ato pllaka, dilte një zë ëngjëlli…që e dëgjonin pa marë frymë, në shtëpitë e bregdetit.

Duhet të theksoj se ato inçizime  ishin si një tërmet në  botën e thjeshtë të barinjve  dhe detarëve bregdetas  dhe emrat e  këngëtarëve, si dhe këngët e tyrë i dinin përmëndësh  në të gjitha  familjet bregdetase.

Kjo qe arsyeja që dhe im atë, një djalë i ri, i mori 1 lek të jatit, (aqë kushtonte bileta) dhe zbriti në Korçë, të shikonte këtë zëëngjëll, që aqë shumë herë e kishte dëgjuar në ato pllaka të bekuara, ardhur nga Parisi  dritëshumë..

Dhe na fliste e na fliste pa pushim, mua, si dhe gruas së Andrea Balës e vajzave të tij, nëpër vizitat e shpeshta që  i bënim, për atë  çfaqje dhe për atë  ëngjëll, por interesimi im për  këto dëshmi, fatkeqësisht, atëherë  ishte shumë i vogël. Ishte koha kur në fantazinë time ndrinin më shumë sytë e gjimnazisteve sesa kujtimet,qofshin ato të brilanta, të tim eti.

Interesimi im lindi vetëm kur u njoha me përbërjen e grupit të Neço Mukos, në kuadrin e studimeve të mia iso-polifonike. Por ishte von. Im atë nuk ishte më, që të më jipte edhe njëherë dëshmitë e tij .Gruaja e Andrea Balës  kishte ikur shumë më shpejt, duke marë me vetë brengën e një jete plot përndjekje e peripeci, me gjyqe e burgje e sekuestrime.

Dhe ja, befas, në një gazetë në 15.09.2010, nën titullin  kuptimplotë “Shpërthyesit e ‘32” lexova për atë çfaqje, që aqë shumë ma kishte përmëndur im atë. Lexova për duartrokitjet e pambarim që publiku u dhuroi artistëve, bij të Korçës  kulturëshumë.

 

Dhe nisa të kërkoj për Llambi Turtullin, zërin e të cilit pata rastin ta dëgjoj edhe unë në një nga disqet e inçizuara në ato vite të largëta, në Paris.

Kështu, duke kërkuar, u njoha me nipin e tij, Kristaq Turtulli, me banim në Kanada, nëpërmjet faqes së gazetës “Fjala e Lirë”, bashkëpunëtorë të së cilës jemi të dy.

Kërkesës sime për të dhëna dhe foto të Llambi Turtullit, ju përgjigj me një dashamirësi, që mua më tronditi me përmbajtjen e saj, sepse më dëshmoi që  pothuaj të gjithë autorët e këtij monumenti famoz të artit shqiptar, patën gati të njëtin fat. Vuajtje, persekutime, injorime nga një regjim injorant.

Ja se ç’më shkruan në emailin e parë Kristaq Turtulli për xhaxhanë, tenorin e madh, pinjolli i një fisi atdhetarësh:

 

- Përshëndetje Timo Mërkuri.

Të falënderoj për përshtypjet, mirësinë dhe interesimin për xhaxhaë tim, Llambi Turtulli.
Ai ka qënë një tenor i mrekullueshëm,  ka kënduar këngë dhe ka dhënë koncerte me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën dhe me të talentuarin Neço Muko, i cili vdiq i ri.
Llambi ka dhënë koncerte … në Evropë edhe në Amerikë, në Boston e gjetkë,.
Ne i kishim të gjitha pllakat e gramafonit të inçizuara me këngët e Llambit, por nga bastisjet dhe kontrollet e herëpas herëshme të sigurimit të shtetit, për ironi të fatit, u thyen u shpërdoruan dhe u flakën në kosh. (ato pllaka që qenë historia dhe lavdia e artit shqiptar.Shen imi T.M.)
Kur unë doja të bëja diçka, nuk gjeta asnjë gjurmë dhe më vjen shumë keq se kanë humbur vlera, jo vetëm për xhaxhanë tim Llambi, por për vlerat e kulturës Shqiptare, sepse artistat nuk i përkasin vetëm familjes, por kulturës së një kombi.
Me respekt
Kristaq Turtulli

 

Ndërsa emaili i dytë ishte plot me të dhëna konkrete të cilat po ja vë në dispozicion edhe lexuesit të kësaj gazete:

 

I nderuar miku im Timo.
Të përshëndes dhe të uroj gjithë të mirat.
Të falënderoj edhe njëherë për interesimin, Juve në veçanti dhe të gjithë antarët e nderuar të grupit….
U  përpoqa të gjeja disa nga materialet që më kërkove për xhaxhanë  tim Llambi Turtulli dhe të cilat menjëherë po ti dërgoj.
Në fotografinë e parë është familja ime, gjyshja dhe roli akriviteti i saj në shërbim të çështjes kombëtare.
Pa futur këtu Mihal Turtullin, firmonjësin e ( Aktit) pamvarësisë dhe Thoma Turtullin, Filantropim më të madh shqiptar, i cili i fali Korçës Tre pika kyçe, e bëri Korçën qytet me mendim perëndimor, Liceun, Spitalin, Bibliotekën, Shtëpinë e jetimoren, si dhe ndihma të mëdha për shkolla dhe kisha etj.
Ne Foton e dytë është Llambi i pari lart nga e majta. Fotoja e tretë është Llambi, dalë në Francë, në Paris. Fotoja e pestë ka dalë në Boston në prag të koncertit etj.
Lindi në Korçë më 1907…

Fill mbas ikjes në Amerikë e pas një aktiviteti dhe suksesi të bujshëm, në fillim të pranverës të vitit 1939 , vendosi të vinte në Shqipëri, preu dhe biletën,  por ndërkohë, Italia fashiste pushtoi atdheun dhe u bë e pamundur ardhja.
 Ai kish mall për prindërit dhe familjen, por lufta e preu në mes ( mundësinë e takimit).
 Kur u çlirua Shqipëria, i dërgoi një letër babait dhe i tha se do bëjë përpjekje të vij unë në atdhe ose tju marr dhe  juve këtej në Amerikë.
Për fat të keq marrëdheniet e shtetit të ri shqiptar me Amerikën po acaroheshin dhe ne ishim ne tehun e luftës së klasave.
Babai i shkruan letër Llambit: mos mendo asnjë nga këto. Ti qëndro atje ku je dhe fati jonë është të qëndrojmë këtu, sepse nuk është ashtu siç kujton ti.
Na kishin shpronësuar dhe na morrën të gjithë ato që kishim dhe na hodhën në kullat e hirit me rrobat e trupit...
Rrodhën vitet, ne kaluam nën kalvarin e persekucionit dhe na i shkatërruan të gjitha ato që ruante me zjarr im atë për të vëllanë.
Llambi kërkoi disa herë me radhë të vinte për vizitë në Shqipëri por nuk i jepej e drejta dhe nuk i kthehej asnjë përgjigje.
Im atë vdiq më gusht të vitit 1976 dhe nuk e pa të vëllanë.
Llambi Turtulli vdiq me10 qershor të vitit 1979, tre vjet mbas vdekjes se babait. I zhuritur për mallin e familjes dhe të atdheut, që ai i këndoi me aq zjarr dhe dashuri.
Kjo është me pak fjalë fati i njeriut të artit dhe i xhaxhait tim, këngëtarit të shquar
LLAMBI TURTULLI
Nuk e di sa munda të bëj në kujtim të xhaxhait tim, artistit të madh, që nuk u përmënd kurrë nga sistemi komunist.
Me respekt
Kristaq Turtulli

 

I botova të dy këto emaile, të cilat japin të plotë palcën biografike  dhe fatin e artistit Llambi Turtulli. Nuk e di se ç’të shtoj tjetër mbi këto radhë.  Tu them që nëna , Dhoksi dhe babai i tij, Nisi, shtëpinë e tyre e kishin kthyer në një bazë të çetës së Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit,  Spiro Bellkamenit e Sali Butkës.  Apo të shënoj faktin që vëllai I Llambit,Petraqi qysh në moshën 17 vjeç imkuadrohet në çetën komite të  Themistokli Gërmenjit. Të them që mësimet e para në muzikë i mori në Konservatorin e Bukureshtit apo të shtoj që mësimet e para në të kënduar i mori nga mjeshtri me famë botërore,Toskanini. Mos doni të dini  që më 1928 hyri në Konservatorin e Milanos, (prej nga edhe u thir nga Neço Muko Himarjoti për inçizime në Paris, ku edhe shkoi) dhe që u dipllomua në 1936. Çfaqjen e parë e dha në teatrin Puçini, në Milano ku këndoi në operan e famëshme “Kavaleria Rostiacana”, në 1930 në Budapeëst këndoi për tre muaj resht në operat “Luçia dë Lamermour”, “Toska” dhe “La Bohema”,në Lugano të Zvicrës, më 1935 këndoi në 12 koncerte resht, ku ishin mbledhur  figurat më të shquara të kulturës botërore, në Boston në 1937 dha çfaqje të  pareshtura në skenat më prestigjioze etj etj. Edhë unë shumë pak di për këtë artist, bile bile, nga këto emaile mësova se Llambi nuk u rikthye dot në Atdhe, duke u endur si refugjat nëpër botë, por duke ngritur lart emrin dhe lavdinë e Atdheut të tij,për të cilin aqë shumë ka bërë fisi i tij dhe ai vetë dhe që disa pushtetarë ja ndaluan kthimin në të.

Më mirë po shtoj disa paragrafë të artikullit “shpërthyesit e ‘32” botuar në Gazetën e Korçës më  12 tetor 1932 dhe ribotuar në një gazetë tjetër më 15.09.2010. ku shkruhet:

-E merkura e 14 shtatorit 1932 ka hyre ne historine e muzikes shqiptare. Ne kinemane Mezhestik te Korces mbahet koncerti i pare artistik prej shqiptareve nga nje grup artistesh profesioniste qe do te pushtonin shtypin e kohes
Mos harroni
Te merkuren me 14 shtator ne cine Mezhestik jepet Koncerti i Artisteve Shqiptare i organizuar prej shoqates sportive Krahinore per shoqerine spor. Skenderbeu.

Ky ishte koncerti i pare klasik qe behej ne Korce por edhe ne Shqiperi prej artisteve shqiptare. Dhe kjo u shenua me shkronja te zeza ne afishe njoftuese. Kater artiste profesioniste qe vinin nga studimet jashte vendit formuar per muzike sopranoja Gjeorgjie Filce qe e njohim me emrin Jorgjie Truja pianistja Lola Aleks Lola Gjoka tenori dramatik Llambi Turtulli dhe violinisti Thoma Bezhani hyjne ne histori ndash pasi njihet si fillimi i artit profesional shqiptar me grupin e artisteve lirike qe dhane koncertin e se merkures se 14 shtatorit i pari me artiste profesioniste me tendencat per te treguar per here te pare muziken e kultivuar permes nje romance shqiptare.

 

…dhe romanca “Per se nuk me do me” nga akti i trete i vepres Turandot te Pucinit u interpretua nga studenti tenori dramatik Llambi Turtulli.

 

. ..Romanca e tij(Kristo Konos,kënduar prej Llambi Turtullit) O i mjeri Bilbil pothuaj u perfshi ne komentet e gjithe shtypit te kohes pasi per here te pare muzika shqiptare po shfaqej e kultivuar permes kesaj romance.

Ne gazeten Shqiperia e re qe dilte ne Kostance me 18 nentor te vitit 1932 lajmi i i koncertit artistik percillet nen patronazhin e kryeministrit te asaj kohe ne Shqiperi Pandeli Evangjeli

… Z. Llambi Turtuli tenor u cqua me zerin e tij te forte e sidomos u pelqye ne kengen popullore bilbil o i mjere bilbil. Kete kenge dukej qe z. Turtulli e ndjente prandaj e kendoj me zemer aq bukur sa gjendja e enthuziasmuare duartrokiti nxehtesisht dyke therritur bis-bis deri sa e kendoj edhe njehere

 

…dhe po i them Kristaq Turtullit që ta dije mirë se emrin  xhaxhait të tij,tenorit të shquar Llambi Turtulli, të cilin kurrë nuk e ka përmëndur regjimi komunist, gjithë Himara dhe Labëria e kanë përmëndur me respect, si për faktin se ishte një artist i madh, ashtu dhe për faktin se ishte një mik i Neço Muko Himarjotit, dhe bashkë me të  ngritën monumentin e madh të Këngës Himarjote. Dhe se edhe kërkesa ime mpër të dhëna për të, është një nga mijra rastet e këtij respekti himarjot.

Por unë po ju shtoj disa të dhëna të tjera për kontributin e Llambi Turtullit te ky grup:

 

Llambi Turtulli ka të inçizuara ne disqet e Grupit të Neço Muko Himarjotit kënëgt e mëposhtëme:

1-Disku në  44016, kënga “Daveli” këndon Neço Muko,Llambi Turtulli, Andrea Bala,

Tula Paleologu dhe Koço Çakalli

2-Disku nr  44017, kënga “Mban mënd” këndon Llambi Turtulli

3-Disku nr 44018, kënga “Ëndërat”  këndon Llambi Turtulli

4- Disku nr 44020,kënga  “Shkodra” këndon Llambi Turtulli

 

Realisht, për disa disqe  nuk figurojnë të cituar emrat e këngëtarëve si dhe disa disqe mungojnë fare nga koleksioni i inçizimeve,kështu që nuk mund të konkludojmë saktë për kontributin e Llambi Turtullit në këtë grup.

Po japim këtu më poshtë tekstin e një kënge  të inçizuara nga Llambi Turtulli në përbërje të këtij grupi.

 

Mban mënd.

 

Këndon Llambi Turtulli

Disku 44017

 

Mban mënd një natë në kinema

Në errësirë krah për krah

E  jashtë kur duallëm si më the

Për dashurin më bëre be

Kurdo që ndodhem në atë vënd

Më vijnë një nga një në mënd

E qaj me lotë.Në këtë botë.

Ku është?Ku vate ajo kohë!

 

Ta dije dhimbjen që kam brenda në zemër   (Refr)

Pikon gjithë gjak e katran, në vetën time sajm

Fjalën se mbajte që the,dole e pabesë

Të reme ato që the dhe beja e rreme qe.

 

E çdomethënë pra që të rroj

Kur jetën me lotë e shkoj

Kur një i neveritur jam

E ndonjë shpresë nuk kam

Kur zemra ska qetësi

Po helme plot hidhësi

Ah!Kjo gjëndje, me këtë dhimbje

As nuk shkon as nuk ndryshon.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora