E marte, 16.04.2024, 04:35 PM (GMT+1)

Editorial

Arben Llalla: Raport mbi gjendjen e minoritetit grek në Shqipëri nga viti 1912-2003

E diele, 25.09.2011, 08:04 PM


RAPORT MBI GJENDJEN E MINORITETI GREK NË SHQIPËRI NGA VITI 1912-2003 PËRPILUAR NGA ORGANIZATAT E KAUZËS VORIOEPIRITE

 

Nga Arben LLALLA

 

Prej shumë vitesh organizatat qeveritare dhe joqeveritare greke luftojnë me të gjitha mjetet për aneksimin e jugut të Shqipërisë ose siç e njohin ata Vori Epirit. Në vitin 2003 organizatat greke përpiluan një raport për historinë e Vorio Epirit dhe gjendjen e minoritetit, të drejtat e tyre etj. Raporti në fjalë është rreth 86 faqesh dhe fillon me historinë e themelimit të shtetit shqiptar, protokollin e Korfuzit.

            Në raport janë përfshirë edhe dy letra drejtuar Institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, shtetit grek dhe diplomatëve të huaj. Letrat bëjnë fjalë për tokat e Komunës së Livadhisë, pasuritë dhe shumë probleme të tjera që sipas 15 mijë nënshkruesve nuk zbatohen nga shteti shqiptar edhe pse është nënshkrues i Konventave Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave.

Në fund raporti mbyllet me emrat e të gjithë minoritarëve grek që kanë probleme me të drejtën e pronave në qytetin e Sarandës. Për çdo informatë rreth këtij raporti janë lënë emrat dhe telefonat e disa intelektualëve minoritar që njihen si drejtues të disa shoqatave që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë si Panajoti Lezos, ish sekretar i shoqatës Vorio Epirit , Panajot Barka, profesor në Universitetin E.Çabej në Gjirokastër, Harrallambos Karathanos, anëtar i partisë LAOS, A. Soku, K. Saferatis

 

Luftë për “Autonominë e Vorioepirit“

 

Shteti grek nga frika e vërtetë për problemin e pasurive të çamëve, rikthimin me të drejtë në tokat dhe pronat e baballarëve të tyre, nxit njerëz të ndryshëm për tu grupuar në shoqata me ide për autonomi në jug të Shqipërisë ose siç u pëlqen Autonomi të Vorioepirit. Shoqatat për autonomi të vorioepirit mbështeten fuqishëm zyrtarisht nga shteti grek. Që nga viti 1918 në Selanik funksionon zyra e shoqatës Vorioepiriote. Mbas viteve 1990 u themeluan shoqatat e “Vorioepiriotëve të Gjirokastrës-Sarandës-Delvinës”, shoqata e “Çobenjëve grek vorioepiriot nga Shqipëri”, e cila u themelua dhe u drejtua nga vëllezërit e ish-deputetit Kristo Goxhit. Kryetar ishte Mihal Goxhi në vitet 2000. Këto shoqata ishin shumë aktive në drejtim të propagandës për autonomi të Vorioepirit. Shoqata e Mihal Goxhit zhvillonte aktivitete kulturore nëpër malet e Korçës për autonomi të “VORIOEPIRIT”, për ta flitet se kanë ngritur në vitin 1997-1998 flamurin grek në Korçë. Ata shpeshherë kanë dhënë intervista nëpër kanalet TV greke për autonomi të vorioepirit. Drejtuesit e këtyre shoqatave të grekofonëve të Shqipërisë dolën hapur kundër shqiptarëve të Shqipërisë në periudhën e vështirë të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Kur populli shqiptar i Kosovës vritej dhe digjej i gjallë dhe opinioni gjithëbotëror përkrahte dhe ndihmonte popullin e shkelur të Kosovës, shoqatat e grekofonëve protestonin duke gjuajtur me gurë dhe vezë mbi Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik, duke kërkuar autonominë e të ashtuquajturit “Vorioepir”. Grekofonët dhe grekofilët dolën nëpër ekranet televizive greke duke akuzuar UÇK-në si organizatë terroriste. Ata dolën hapur në përkrahje të ushtrisë barbare serbe të Millosheviçit.

Revista e grekofonëve të Gjirokastrës “OAZI” e dhjetorit 1998 - janar 1999 që botohej në dy gjuhë greqisht-shqip botonte një shkrim keqinformues, një shkrim keqdashës që i shërben urrejtjes dhe injorimit të kulturës shqiptare. Shkrimi kishte titull “Pozicioni i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan” i autorit minoritar Pavllo Vllahos i cili na sjellte opinionin e tij për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ku theksonte: “Shqiptarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë guxuan të vënë dorë në djepin e kulturës serbe, në vendlindjen e heronjve popullorë të princave”. Ky minoritar na dilte atë periudhë mbrojtës i çështjes shoviniste të serbëve të Millosheviçit. Deklarime kundër shqiptarëve të Kosovës atë kohë kishte edhe nga organizate e grekofonëve të “OMONIA-s” të cilët deklaronin se refugjatët e luftës të Kosovës nuk duhet të strehohen në qytetet e Jugut të Shqipërisë si: në Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë Ersekë, Pogradec, Tepelenë. Pra, grekët, grekofonët u tregonin në vitin 1999 se deri ku guxojnë të vendosen shqiptarët e Shqipërisë së vërtetë, se ku duhet të strehoheshin njerëzit e ardhur nga lufta, të tmerruar nga krimet çnjerëzore të kryera nga ushtarët serbë të Millosheviçit.

Një enigmë ka mbetur ende në gusht të vitit 1999 bomba që u vu në shtëpinë e Konsullit të Përgjithshëm shqiptar në Selanik, ku si pasojë u dogj e tëra makina diplomatike shqiptare.

Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritar grek që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre.

            Deklaratat e shpeshta të ish-Kryetarit të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano dhe të përkrahur edhe nga ambasadori grek në Tiranë z. Koskosi për autonomi të “Vorioepirit” nuk janë të rastësishme. Këto veprime dhe deklarata e kanë fillimin në politikën zyrtare të Athinës që kërkon aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Fatkeqësia është se Shqipëria udhëhiqet ende nga politikanë të dobët përballë politikës dinake të Greqisë dhe grekëve. Sot populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës tregoi se grekët janë besnik, avokat të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar. Teoria sipas të cilës “mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve” bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike të hekurta” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës ës gojës që nuk merren me politikë. Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi dhe ngritjen në Forumet dhe Asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të çështjes Çame, atëherë Greqia me satelitët e saj minoritar do të kërkojnë autonomi të “Vorioepirit” dhe ndihmën e NATO-s për ndërhyrje ushtarake në Jug të Shqipërisë për shpëtimin e minoritetit grek.

 

Dosja e grekëve në PDF, klikoni këtu

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora