Editorial
Lis Bukuroca: Shtëpia e kurvave
E premte, 23.09.2011, 07:04 PM
Shtëpia e kurvave
Nga Lis Bukuroca
Gjyqtari lëshoi dosjen mbi tryezë dhe të pranishmit u ulën pas kërkesës së tij. Në sallë gjendeshin Vlora, avokati dhe pas tyre publiku: një grup gjimnazistësh me një profesor.
Ai përshëndeti nxënësit dhe u përkulë drejt mikrofonit për të bërë thirrjen formale. Zëri i tij u dëgjua edhe në korridor dhe pastaj hynë edhe një çift pleq duke ecur ngadalë. Ata, ashtu të kapur dorë për dore, u akomoduan në rreshtin e tretë, ku ishin disa karrige të zbrazëta. Plaku u ngrit përsëri, vari xhaketën e shoqes dhe u kthye me hapa të vegjël pranë saj.
Gjyqtari i vuri syzat dhe ngriti një flet para vete. Një herë e aviti, pastaj e largoi përsëri dhe nisi leximin dhe incizimin në një shirit të një magnetofoni të vogël. Mirëmëngjesi. Si gjyqtar i vetëm, gjyqtari Freitagsmüller. Ju lutem shkruani: Datën, numri i dosjes: 12 48 A/ 11. Për “Zyrën Federale për Migracion dhe Refugjatë”, nuk është i pranishëm askush. Për palën ankuese e pranishme zonja K. me avokatin Dr.Wollschläger, tha ai dhe lëshoi mikrofonin mbi tryezë.
Dosja është e gjatë, por do t’ i lexoj shënimet kryesore që kam nxjerrë. Ju zonja K. keni lindur në vitin 1987 në Prishtinë, Republika e Kosovës. Keni katër motra, një vëlla dhe nënën atje. Për t’ atin nuk dini gjë që nga lufta, nga viti 99. Shkollimin për infermiere keni ndërprerë për shkaqe shëndetësore, post traumatizmi, depresioni, shtoi ai duke parë Vlorën. Me 15 janar jeni nisur nga Kosova me djalin dhe partnerin Tuaj. Ai ka blerë tre pasaporta serbe për tre mijë Euro. Me 16 janar keni mbërri në Munih. Aty keni bërë kërkesën për strehim. Si dokument identifikimi keni dorëzuar certifikatën e lindjes dhe letërnjoftimin, lëshuar nga Republika e Kosovës. Pasaportat serbe i keni humbur gjatë rrugës...
Nxënësit të përqendruar dëgjonin, kurse avokati herë pas here shfletonte dosjen, nënvizonte diçka dhe përsëri kthente shikimin drejt gjyqtarit duke rrotulluar lapsin në dorë.
Lutja Juaj është refuzuar me 20 mars, vazhdoi ai. “Zyra Federale...” nënvizon se kërkesa është e paarsyeshme. Sëmundja Juaj, mund të mjekohet edhe në Kosovë dhe për t’ i dhënë fuqi bindëse këtij argumentimi,” Zyra... “ ka bashkangjitur edhe informata nga “Amnesty Internacional”, si edhe të dhënat, që posedon nga Ministria e Jashtme. Kundër këtij vendimi, Ju keni bërë ankesë brenda afatit. Kjo ishte shkurtimisht, tha ai dhe mbylli dosjen. Nëse keni diçka të shtoni, atëherë mund ta bëni këtë tani Ju lutem, iu drejtua avokatit.
Mohimi është i padrejtë, tha avokati duke nxjerrë një fletë nga dosja e tij. Zonja K. nuk mund të shërohet në Kosovë. As nuk mund t’i mbulojë harxhimet mjekësore. Atje ende nuk kemi një sistem shëndetësor, siç e njohim ne në Gjermani. Atje, zoti gjyqtar, mjekët janë të korruptuar dhe kush nuk ka para, ose vdesë nga ndonjë sëmundje kronike, ose çmendet nga ndonjë sëmundje psikike. Medikamentet janë të shtrenjta si në Gjermani. Zonja K. nuk punon dhe nuk mund të punojë, jo vetëm për shkak të sëmundjes, por edhe për shkak të djalit të vogël. Ajo ka nevojë për ndihmë nga shteti gjerman. Me kthimin e saj, nuk vihet në rrezik vetëm zonja K., por edhe djali i pafajshëm(...)
Gjyqtari dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here tundte kokën apo merrte shënime.
Faleminderit, tha ai. Do të incizoj këtë pikë së pari, e pastaj dua ta dëgjoj edhe zonjën K. dhe mori mikrofonin në dorë. Pasi përfundoi, iu drejtua Vlorës. Zonja K. më tregoni Ju lutem për shkaqet që Ju detyruan ta braktisni Kosovën.
Ajo ngriti kokën, shikoi gjyqtarin, avokatin e vet, pastaj u kthye prapa duke u hedhur një vështrim edhe nxënësve. Mori frymë thellë, shtrëngoi nofullat, pastaj shtrëngoi edhe duart para vete dhe foli: Zoti gjyqtar, ju falënderoj që më jepni mundësinë të flas mbi jetën time. Arsyet për braktisjen e vendit janë dy: Keqtrajtimet nga burri dhe sëmundja...
Nga burri? Ju, mirëpo keni thënë se nuk jeni e kurorëzuar, e ndërpreu gjyqtari dhe shënoi diçka në fletën, që mbante para vete.
Avokati ndërhyri duke shpjeguar se tek shqiptarët, në fillim martohen vetëm sipas të drejtës zakonore. Martesa tek ta bëhet në fillim si një provë, tha ai. Kam pasur disa raste të tilla. Kurorëzimin e bëjnë disa muaj apo disa vite pas martesës. Nuk është sikur tek ne. Sipas mendësisë kosovare, ai është burrë i zonjës K., sipas sonës, partner me të cilin bashkëjeton. Gjyqtari hoqi syzat, i lëshoi mbi tryezë dhe nuk tha gjë.
Në vitin 2000, vazhdoi Vlora, për shkak të traumave kam shkuar për herë të parë te mjeku i familjes. Katër apo pesë vite jam trajtuar prej tij, jo rregullisht...
Çfarë medikamente ju ka dhënë, pyeti gjyqtari.
Në fillim vetëm barëra për qetësim. Më vonë, meqë natën zgjohesha befasisht e trishtuar, qaja apo strukesha e tmerruar në qoshe të dhomës, edhe medikamente për gjumë.
A ju ka ndihmuar partneri, burri, siç e quani Ju? Vlora bëri një buzëqeshje ironike.
Jo, jo, më shante se e trazoja nga gjumi. Bërtiste dhe më thoshte se “je trenu dhe je ba psiko, budallicë!” pastaj më përzinte nga dhoma e fjetjes dhe natën e kaloja në një kolltuk në korridor.
Gjyqtari vështroi avokatin dhe nxënësit. Nxënësit u shikuan në mes vete. Dy pleqtë ngelën si të ngrirë, por në fytyrat e tyre nuk pati fare grimasa nga të cilat mund të lexohej përshtypja. Pse nuk keni sjellë me vete edhe vërtetimet mjekësore?
Kam sjellë të fundit, tha Vlora dhe shikoi avokatin e vet.
Këtë që kishte përkthyer një përkthyes zyrtar, një profesor i anglishtes në gjermanisht?
Ah, zonjë e dashur, është dashur të ripërkthehet. Nuk merrej vesh gjë, shtoi gjyqtari duke sjellë kokën në shenjë habie. Mirë, po pse nuk keni sjellë edhe të tjerët, ju tek “Zyra Federale...” keni pohuar se viteve të fundit shkonit te psikiatri çdo muaj.
Pse, pyeti ai i hutuar.
Nëse nuk gabohemi ishte festa e Vitit të Ri 2006 apo 2007. Tani nuk më kujtohet. Tek ne patën ardhur shumë mysafirë. Ndoshta njëzet apo më shumë. Nuk di saktësisht. Burri im qe hidhëruar me mua pse mishorizi kishte shumë kripë. Derisa po më qortonte, në sergjenin e kuzhinës, pa raportin e psikiatrit. Pastaj e mori në dorë, shkoi në dhomën e ndejës dhe u tha mysafirëve: “ Kshyrni kit dokument pi psikiatrit, me dokument e me vulë kallxon se gruja jeme asht e trenume, hani kryp si dele sonte! “ Nga kjo ditë, nuk kam kërkuar raport mjekësor. Nëse mjeku më jepte ndonjë vërtetim, atëherë e shqyeja rrugës për në shtëpi.
Më falni ju lutem. Ju pohuat më parë se keni qenë e keqtrajtuar prej partnerit, tha ai duke shikuar në fletën e vet. Tek “Zyra Federale...” nuk keni folur për këtë.
Nuk kam guxuar të flasë, nxitoi Vlora. Mund ta merrte vesh burri...
Meqenëse raportet nuk ishin aq të mira, atëherë pse keni lejuar të mbeteni shtatzënë dhe të dëmtoni edhe ardhmërinë e fëmijës, e ndërpreu gjyqtari.
Pse nuk keni refuzuar fjetjen me të?, ndërhyri avokati pasi mori lejen prej gjyqtarit.
Si ta refuzojë unë në shtëpinë e tij? Ai më telefononte para se të kthehej nga puna, më thoshte çfarë fustani të vishja...
A domethënë kjo se ju ka dhunuar?, u ngut avokati me pyetjen tjetër.
Vitet e para, jo, më vonë nuk kam dashur të flejë me burrin...po, po, ai më ka dhunuar, shumë herë, tha Vlora dhe uli shikimin mbi tryezë. Nxënësit në sallë u shikuan dhe dy nga dy pëshpëritnin në mes vete, ndërkaq, profesori i tyre dëgjonte i qetë dhe i pa shqetësuar.
Atëherë pse nuk jeni ndarë?, pyeti gjyqtari.
Nuk guxoja! Është kërcënuar se do të më vriste. Ai ka gjashtë vëllezër...
Zonjë, Ju mirëpo po tregoni këtu shumë gjëra, që nuk i keni cekur fare tek “Zyra Federale...” pse?, pyeti ai duke marrë përsëri shënime.
Po, nuk kam guxuar, e thash edhe më parë. Tani burrin e kanë kthyer në Austri. Meqenëse nuk ishim të kurorëzuar, atëherë kërkesa e tij duhej të shqyrtohet atje, ku ai pat kërkuar strehim para një viti. Kështu vendosi “Zyra Federale...”
A ju ka shoqëruar partneri tek mjeku?
Jo, kurrë! Aq sa përkeqësohej gjendja ime, aq më keq dhe më ashpër sillej...
A ju ka rrahur?
Po! Rregullisht! Disa herë në muaj. Nxënësit u shikuan në mes vete. Plaka tundi kokën.
A keni kërkuar ndihmë nga shteti?
Po! Nja tre muaj para se ta braktisim vendin, po. Vetëm një herë. Kisha frikë.
Dhe?
Pasi më rrahu, iku jashtë i nevrikosur. Pas pak, unë vrapova në stacionin e policisë. Kisha shenja në fytyrë: buzën e çarë, hematome në nofull dhe një dhëmb të thyer. ..
Nëse dikush nuk mund t’ i dëgjojë këto rrëfime, atëherë mund të dalë tani jashtë, iu drejtua gjyqtari nxënësve. Ndërkohë do të incizojë atë që u tha deri më tani. Tri vajza dhe një djalë u ngritën dhe mbyllën derën ngadalë pas vete.
Po, tha gjyqtari një copë herë më vonë dhe lëshoi mikrofonin mbi tryezë. Vazhdoni ju lutem.
Ah, po, kur hyra brenda, në zyrë qenë tre policë. Më pritën mirë, por kur u thash se më ka rrahur burri, ata refuzuan ta shkruajnë protokollin. Polici më pyeti se a kisha ndërmend ta arrestoja burrin dhe se a dija, se në çfarë bote po jetoja. Ai u ngrit nga tryeza e punës. Shkrimin e refuzuan edhe dy kolegët e tij. Njëri më shikonte me një vështrim përbuzës dhe sillte kokën. I treti propozoi të thërrasë një aktiviste, që merret me të drejtat e grave. Kur dëgjova këtë, u lehtësova pak. Mendoja të strehohem me djalin në “Shtëpinë e Grave” dhe i plasi vajit.
Avokati i afroi brokën me ujë dhe gotën, që gjendeshin mbi tavolinë. Vlora heshti disa çaste, piu pakëz ujë dhe fshiu lotët. Drejtoi shikimin drejt tavanit, hodhi flokët pas, nguli vështrimin në qoshen e sallës, sikur fiksonte diçka dhe tha: ah, po, po, pas gjysmë ore erdhën dy aktiviste dhe mori përsëri gotën në dorë. Unë kërkova të vendosem në “Shtëpinë e Grave”, në Prishtinë, vazhdoi ajo duke e lëshuar gotën në tavolinë. Ato thanë se nuk ka shtëpi të tillë, por edhe nëse ka, atëherë aty shkojnë vetëm kurvat. “Na po folmi me burrin, ai nuk t’rreh mâ dhe ti kthehu n’shpi!”, më thanë ato. I telefonuan dhe pas gjysmë ore, erdhi burri në polici dhe më mori...
Erdhi burri në polici?!, përsëriti gjyqtari i tronditur duke sjellë kokën dhe vuri përsëri syzat për të marrë shënime. Në sallë të gjithë u shikuan në mes vete.
Këto janë prova të mëdha, ndërhyri përsëri avokati. Gratë nuk kanë mbrojtje as nga shteti, as nga organizatat joqeveritare, thjesht nga askush!
Më falni që do të largohem pak nga çështja. Para dy javëve kam marrë nga një strehimkërkues një vërtetim të lëshuar nga një gjykatë e Kosovës. Po e cek vetëm për kuriozitet. Aty shkruan se filani ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë dhe prandaj kërcënohet me vrasje nga vëllezërit e saj. Dokumenti ishte vulosur dhe nënshkruar nga një gjykatës kosovar! A mund ta merrni me mend këtë ju lutem? Gjykata ka për detyrë të arrestojë dhe dënojë kërcënuesit (...) Në sallë gati të gjithë u lëvizën nga karriget duke tundur kokën dhe u mbështetën përsëri. Pastaj kemi edhe probleme me dokumente. Mbiemri i zonjës K. brenda ka dy shkronja të ndryshme: në certifikatën e lindjes ka një “ç”, në letërnjoftim një “q”. Në rrethanat tona nuk mund të merret me mend një nëpunës shtetëror, që nuk zotëron drejtshkrimin. Vende dhe zakone. Tmerr..Mirë, të vazhdojmë, shtoi ai.
Në ngjarjet që kanë ndikuar në post traumatizmin Tuaj, nuk do të ndalemi. Kjo këshillohet shprehimisht nga psikiatri zyrtar, që pata angazhuar unë. Këtë raport ia kam dërguar edhe “Zyrës Federale...” dhe avokatit Tuaj. Është e trishtueshëm të lexohet çfarë keni përjetuar gjatë luftës, në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Nuk dua të Ju mundoj me rikujtimin e atyre ngjarjeve. Kjo më mjafton. E ju zoti avokat? Keni diçka të shtoni, pyeti ai .
Edhe një fakt nuk duhet të harrojmë i nderuar gjyqtar. Zonja K. qe shtrirë për dy javë në spitalin e psikiatrisë, tha ai. Gjendja saj psiko-patologjike ishte shumë e rëndë. Dhe, nuk shkoi ajo atje vullnetarisht, por me vendimin e gjykatës. Zonja K. pat provuar të bëjë vetëvrasje këtu. Partneri e kishte kërcënuar me telefon...
Po, e di edhe këtë, shkruan në raportin e psikiatrit. Mirë, ta përfundojmë. “Zyra Federale për Refugjat dhe Migracion” ka kërkuar lutja të hidhet poshtë si e paarsyeshme. Cila është kërkesa Juaj?
Zoti gjykatës, unë kërkoj ankesa të pranohet dhe të konstatohet se përmbushen të gjitha parashikimet sipas nenit 60 pikë një dhe 60 pikë dy deri në shtatë të Ligjit për Strehim. Të konstatohet se gjendja e saj shëndetësore, në rast kthimi, do të dëmtohej në mënyrë tronditëse. Edhe psikiatri pohon se traumatizmi i saj përkeqësohet në rast kthimi. Nuk duhet harruar edhe rrezikun permanent nga vetëvrasja. Unë përveç kësaj, në rast pranimi, do të bëj kërkesën për t’ ia ndërruar emrin dhe mbiemrin. Ka rrezik se kthehet partneri. Duhet të kemi parasysh edhe mendësinë që ekziston në Kosovë. Atje, rrahja e gruas, konsiderohet burrëri, zoti gjykatës.
E tha këtë me aq lehtësi, thua se po fliste për një sport popullor në Kosovë, që dinë ta luajnë të gjithë...
Kaq kisha, shtoi ai dhe futi dosjen e vet në çantë.
Zonja K. a keni diçka të thoni në fund?
Jo, tha Vlora, pasi shikoi avokatin e vet.
Këtu përfundon. Kam edhe tri seanca tjera. Do të merrni vendimin me shkrim, ose mund të prisni deri në orën 14:00.
Me shkrim, tha avokati. Nuk mund të pres...
Gjyqtari u ngrit, pas tij të gjithë të pranishmit. Ai falënderoi përkthyesin, pjesëmarrësit dhe u nisë drejt derës, që gjendej pas tryezës së tij.
Mund të na thoni së paku tendencën?
E mirë, duhet ta peshojë, tha gjyqtari dhe braktisi sallën.
Mund t’i them dy fjalë zoti avokat, pyeti plaku me zë të shterur nga fundi. Avokati u ndalë.
Unë nuk dija për këtë rast, por jam gjyqtar i pensionuar, detyrën e ushtroja në Berlin deri para pesë viteve. Jam shpërngulur përsëri në qytetin e lindjes dhe herë pas here kthehem edhe në këtë gjykatë, ku pata filluar punën...
Po, tha avokati.
Kur zonja po fliste për keqtrajtimin nga partneri, më vajti mendja tek revolucionari francez Antoine de Saint-Just, bashkëpunëtor i Robespierr. Ai thoshte: “Popujt vërtetë të lirë, e duan gruan dhe e adhurojnë.” Kosova është çliruar fizikisht, por jo shpirtërisht. Ky është proces dhe duhet mësuar lirinë. Kjo mund të krahasohet me gjendjen e një njeriu, që pas dhjetëra viteve lirohet nga burgu dhe nëse nuk ka mbështetje të sinqertë nga jashtë, atëherë nuk dinë ta përdorë lirinë e vet dhe vetburgoset, dëmton veten apo hidhet përsëri në rrugë të gabueshme. Këtë mendim desha tua jap me vete dhe ju falënderoj që më dëgjuat. Avokati e falënderoi duke bërë shenjë me kokë dhe u nisë me Vlorën. Gjatë daljes, dëgjohej debati i nxënësve me profesorin e tyre. Plaku ndihmoi shoqen për të veshur xhaketën dhe dolën dorë për dore duke ecur ngadalë dhe duke biseduar me zë të ulët...
Epilog: Tek disa popuj, me sedër të dëmtuar, qoftë nga diktaturat vetjake, qoftë nga e huaja, pas çlirimit, sillen me gratë, gati si sillej diktatori apo pushtuesi me ta. Edhe motivi, edhe rezultati është i njëjtë: Nënshtrimi!