E premte, 12.07.2024, 04:36 PM (GMT+1)

Editorial

Adnan Abrashi: Aty ku ka tym, ka edhe zjarr!

E hene, 05.09.2011, 07:00 PM


ATY KU KA TYM, KA EDHE ZJARR!

 

(Njerëzit ndahen në dy farë: disa, së pari mendojnë, pastaj flasin e punojnë, të tjerët së pari flasin e punojnë e pastaj mendojnë - Tolostoi)

 

Nga Adnan Abrashi

 

Kohën e fundit, sa më shumë po mundohemi që ta e promovojmë shtetësinë edhe ashtu të brishtë të Kosovës, jo rastësisht, nga disa kuluare të dukshme dhe të padukshme, miqësore dhe armiqësore, shkencore, fetare dhe politike...me të madhe po tentohet qëllimisht të luhet me vlerat më të shenjta të integritetit tonë material dhe shpirtëror si popull. Mu me ato vlera, të cilat, ne, gjatë kohërave të shkuara ndër shekuj, kemi arritur t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë si të shenjta dhe të pashlyeshme në kujtesën tonë

Fatlumsisht, mbijetuam disi, andaj, sot jemi mu aty ku kemi qenë gjithnjë. Në Ilirinë tonë, Shqipërinë Etnike që dikush më vonë e kryqëzoj si Ballkan.

Nëpër thellësirat e kohës, quaja HISTORI, patëm shumë emra. Na quanin: pellazg, ilir, albanez, arbëresh, arbër, arnaut, dhe së fundi shqiptar. Mbi të gjitha, ne mbetëm të njëjtët: gjenetikisht gjakpastër dhe popull autokton në këto vise.

Ehhh...sa ishte i vështirë ky shtegtim i yni nëpër këto mijëvjeçare të kohërave përplot katrahura, gjak, lot, hekur dhe zjarr; shpërngule të shpeshta shfarosëse kolektive nga trojet tona etnike? U ndeshëm me romakët, me karpatoidët dhe aziatikët, dhe nga ta pranuam disa FE me mjaftë doke dhe zakone të kulturave të tyre, por, një gjë si pushtues që kurrë nuk arritën të bëjnë me ne, është asimilimi – zhdukja kolektive si popull.

Pse? Si të pushtuar, me qejf apo dhunë, vërtet ne kemi qenë të detyruar të sillemi ndryshe, por jo edhe të mendojmë dhe të bëhemi ndryshe. Andaj, të gjitha këto fakte si realitete, sot nuk duhet të merren vetëm në kontestin historik, por edhe nga një prizëm tjetër më specifik metafizik: diçka si “FAT”që është koduar nga Zoti në gjenet tona, si stereotip i damkosura thellë në nënvetëdijen tonë kolektive, veprimit të së cilës nuk mund t’i iki askush. Askush, sado që aktualisht mund të jetë mik apo armik me ne.

Dikur, për realizimin e qëllimeve të tyre të errëta, armiqtë tanë vepronin ashpër, duke përdorur metoda dhe forma më drakoniane. Tashti më jo! Më në fund u bëmë kinse shtet. Vërtet, tashti më nga askush nuk ka dhunë klasike mbi ne, ama, nga ana tjetër, në prapavijë, ka një trysni edhe më perfide konspirative të natyrës propagandistike-psikologjike, e cila, e orkestruar mirë nga dikush, me çdo kusht po tenton të godas mu aty ku ne jemi më të ndjeshëm: në multi-religjiozitetin dhe tolerancën tonë shekullore ndërfetare, në gjuhën, historinë dhe traditat tona të përbashkëta mijëvjeçare.

 

Aty ku ka tym, ka edhe zjarr

 

Të udhëhequr nga drejta e pacenueshme kushtetuese mbi predikimin e lirë të besimit fetar në Republikën e Kosovës, disa rryma sektare-religjioze si dhe të natyrave tjera, pa u penguar fare nga askush, me të madhe janë duke propaganduar: kinse Skenderbeu na paska qene “agjent” i Vatikanit dhe, sa ka qenë në pushtet, me te madhe ka mbyte dhe konvertuar mysliman shqiptar ne krishtere; kinse Ismail Qemali na paske qene “mason” dhe homoseksual; kinse Samiu, Abdyli dhe Naim Frashëri, na paskëshin qenë “BEKTASHI”, sekte kjo e devijuar nga feja e vërtetë e Zotit; Gjergj Fishta dhe shumë e shumë figura tjera të historisë tonë të lavdishme kombëtare të besimit jo mysliman, kinse na paskan qenë njerëz të dirigjuar nga Vatikani dhe Greqia...

Haj medet hajë?! A thua, kah po na shpie kjo mendësi e mbrapsht e këtyre mercenarëve të huaj politik të veshur nën petkun fetar? A thua, a e njohin mirë ata dhe mësuesit e tyre, të kaluarën tonë? Psikologjinë dhe filozofinë e mentalitetit kolektiv të këtij populli? Me sa po duket, JO! Ata kanë gjetur disa bashkëpunëtor lehtë të indoktrinuar vendor, dhe kështu mendojnë se me këtë punë veç e trasuan rrugën për pushtimin definitiv të kalasë. Të asaj kalaje e cila është bastion i papushtueshëm për ta dhe çdokënd tjetër.

Vërtet, populli shqiptar njihet si një “milet” kolektivitet i durueshëm, por jo gjithnjë edhe pasiv deri ne fund. Sepse, ajo diçka si trysni që nuk do të na lë përherë të heshtur, është veprimi i mu atij kodi kaherë të gravuar në gjenet tona, e mospranimit të të huajës dhe të paftuarës si imponim.

Edhe pse ky popull sot duket i heshtur, në fakt, është vrojtues vigjilent ndaj këtyre provokimeve, andaj një ditë do të reagoj ashpër...shumë ashpër dhe pa mëshirë.

 

“Misitët” e revidimit të historisë

 

Kërkesa, kohen e fundit, e ministrit të Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer, drejtuar ministrit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, në lidhje me bërjen e disa ndryshimeve në tekstet shkollore të historisë në Kosovë, nga qarqet e ndryshme akademike profesionale si dhe shumë individ tjerë të zakonshëm, me plotë të drejtë ngjalli një indinjatë të arsyeshme. Në përgjithësi, përmbajtja e gati të gjitha këtyre reagimeve, ka qenë e orientuar në porosinë parimore se Historia, kurrë nuk mund të ndryshohet me diktate politike por vetëm me parashtrimin e kontra argumenteve empirike që fuqishëm do ta mohonin atë realitet derë më tash të pranuar në këtë fushë.

Sido që të jetë, ministri ynë i arsimit, z, Ram Buja, në vend se të kundërshtoj këtë formë të imponimit politik ndaj një fushe kryekëput të natyrës akademike, profesionale dhe shkencore, ai, përkundrazi, bëri kompromise duke na njoftuar se veç “është formuar një komision i veçantë për këtë çështje, i cili ka shkuar edhe në Turqi, për të verifikuar faktet historike dhe për të bërë ndryshime të caktuara në librat e historisë dhe se librat e reja të historisë (të reviduara, kuptohet) në Kosovë do të jenë të gatshme për vitin e ardhshëm shkollor”.

Në fund, çfarë të themi për këtë veprim jodiplomatik të një përfaqësuesi diplomatik të një shteti tonë mik të dëshmuar? Asgjë! Vetëm se, fuqia është fuqi dhe mund të ngjaj edhe ky ndryshim apo revidim i historisë! Sot, çdo gjë mund të ngjaj në Kosovën tonë të dashur dhe njëkohësisht të mjerë, pavarësia dhe shtetësia e së cilës ndërtohet mbi fantom pakot dhe “sandëket” e Ahtisarit. Por, si këta misit diplomatik të ndryshimit apo revidimit të historisë sonë, nga njëra anë, ashtu edhe ata mediokër politik vendor, nga ana tjetër, duhet ta dinë mirë se, një realitet që nuk është arritur të imponohet 500 vite si bindje në kokat e këtyre njerëzve, vështirë se tash e tutje mund të realizohet vetëm me nderimin e disa fjalive në tekstet e historisë...?!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora