Editorial
Arben Llalla: Armët e heshtura për të pranuar atë që nuk e dëshirojmë
E hene, 19.09.2011, 07:02 PM
ARMËT E HESHTURA PËR TË PRANUAR ATË QË NUK E DËSHIROJMË
Nga Arben LlALlA
Prej shumë vitesh shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët me kapacitete të kufizuara për interesa të tyre personale. Kaluan kaq vite dhe shqiptarët ende janë qytetarë të kategorisë së dorës së dytë ku i mohohet shkollimi në gjuhën amtare si në shek.19, flamuri kombëtar tashmë me ligj është zvogëluar duke e humbur krenarinë shqiptare, shkatërrimi ekonomik i ndërmarrjeve të mëdha, degradimi i fesë etj. Për të larguar vëmendjen nga këto probleme shoqërore që ndeshen shqiptarët në Maqedoni prej shumë vitesh sistemi shtetëror i ndihmuar nga grupe të ndryshme intelektualë shqiptar të vënë në shërbim të interesave sllave shpikin probleme të reja të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metodë hynë në luftërat e qeta të cilat zhvillohen me ,,Armët e heshtura,,. Armët e heshtura janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saja për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre. Kuptohen se të gjitha këto bëhen që shqiptarët të mbeten të prapambetur dhe mos të kenë informacionet e duhura se çfarë po ndodh me botën përreth.
Si janë përdorur armët e heshtura në Maqedoni tek shqiptarët
a)- Degradimi i arsimi në injorancë
Jemi dëshmitarë që arsimi shqip sot po degradon duke e ulur cilësinë e sajë dhe na ushqyer me injorancë dhe mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha. Dikur ekzistonin studentët heronj, ndërsa sot kemi studentë të cilët janë militantë të partive politike. Ishte nder të diplomoje në Universitetin e Tetovës, tashmë ndihemi në trup kur shikojmë se si diplomohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës individë që nuk kanë mundur të marrin me meritë diplomën e shkollës së mesme. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militant partiak të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund ti ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.
b)- Krijimi i një problemi që nuk ekziston dhe oferta e zgjidhjes
Krijimi i problemeve që nuk ekzistojnë në luftën e heshtur njihet si arma ,,problem-reagim-zgjidhje,,. Ne do sjellim vetëm shembullin e rasteve të Hagës, problem i cili që nga vitit 2002-2008 nuk ekzistonte sepse Gjykata e Hagës i kishte kthyer mbrapsht. Njëkohësisht ishte shpallur edhe Amnistia për ish-ushtarët e UÇK. Por qeveria 2008-2011 e planifikojë që të kishte një reagim të caktuar dhe më tej të ndërhynte duke bërë që masa e gjerë e qytetarëve të pranojë të keqen më të vogël pa asnjë kusht.
c)- Nxitja e turbullirave për të pranuar atë që nuk dëshirojmë
Mënyra për të pranuar me dhimbje një vendim të papëlqyer është që atë ta paraqesim në kohën e nevojshme për të ardhmen duke siguruar pajtimin e popullin. Kështu, kemi rastin e luftës së 2001, si rrjedhojë për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë u nënshkruajtë Marrëveshja e Ohrit e cila u pranua me dhimbje nga shqiptarët dhe pushteti maqedonas. Kjo ka qenë e lehtë të arrihet nga sistemi shtetëror sepse masa e madhe e shqiptarëve që përkrahu luftën e 2001 e pranuan Marrëveshjen e Ohrit me naivitet me shpresë se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Marrëveshja në fjalë i dha kohë pushtetit për tu forcuar dhe për të përdorur MO kundër ideve të reja për ndryshime të mëdha. Sot çdo iniciativë e shqiptarëve për parti politike apo lëvizje kombëtare është e destinuar të dështojë sepse gjithnjë ,,albitri shtetëror,, do të nxjerri kartonin e MO për pozicion jashtëloje. Prandaj masa e gjerë mbështetëse është e detyruar të pranojë dorëheqjen dhe nënshtrimin përballë pushtetit.
d)- Ushqimi kulturor i publikut sikur të ishte në moshën e adoleshencës
Në fillim të viteve 2000 kanalet televizive transmetonin shumë telenovelat latine sa që njerëzit u sëmurën pas tyre, ka patur raste edhe të rrahjeve midis bashkëshortëve se cilën telenovele do të ndiqnin. Pushteti vërejti se këto telenovela latine shumë pak po i tërhiqnin shikuesin shqiptar atëherë filloj që në çdo kanal televizivë shqiptar të jepeshin telenovelat turke. Fal kulturës së afërt fetare të shqiptarëve me turqit ka bërë që një pjesë e mirë e shqiptarëve të dashurohen si fëmijë me këto telenovela klasike. Tashmë ne të gjithë jemi kthyer në adoleshentë përpara ekraneve televizive kur shfaqen telenovelat turke me dashuri tragjike. Jemi dashuruar me aktorët, zërin dhe lëvizjet e tyre në këto serialë. Kthimi i publikut të gjerë në moshën e adoleshencës u vërtetua kur disa aktorë turq vizituan Maqedoninë dhe Kosovën. Gjatë vizitës ata u respektuan dhe u pritën nga mijëra fansa të cilët i përkisnin më shumë moshës së pjekurisë se sa adoleshentëve.
l) Kontrollimi i zhvillimeve shoqërore
Për të kontrolluar sistemi zhvillimin e klasës së pavarur shoqërore pushteti e ushqen atë me informata hidhëruese siç janë vetëvrasjet, përdhunimet, vjedhjet, katastrofat natyrore etj. Pra, me tema të cilat sjellin plogështi, mosbesim në vetvete, frik për të ardhmen. Kështu, klasa jonë shoqërore në vend që të protestojë për varfërinë ekonomike, racizmin shoqëror, injorimin e kulturave kombëtare, ne ndihemi fajtorë duke krijuar një gjendje depresioni. Kjo gjendje depresioni frenon zhvillimin e veprimtarive shoqërore. Gjithashtu krijimi i një gjendje të tillë çmendurie-shoqërore i intereson pushtetit për të mos tërhequr vëmendjen e qytetarëve rreth qeverisjes së vendin, zhvillimeve të ndryshimeve ekonomike globale.