E premte, 19.04.2024, 12:32 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ndërroi Jetë ish-Senatori Çarls Përsi - Përkrahës i të Drejtave të Shqiptarëve

E shtune, 24.09.2011, 07:02 PM


NDËRROI  JETË  ISH SENATORI AMERIKAN ÇARLS PËRSI - PËRKRAHËS I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE

 

Nga Frank Shkreli

 

Ish- Senatori amerikan Çarls Përsi  (Charles Percy) u varros dje pasi ndërroi jetë në moshën  91 vjeçare fundin e javës që kaloi në Uashington.  Senatori Përsi, i cili shërbeu  në Senatin Amerikan prej vitit 1966 e deri më 1984, ishte republikan dhe një zë i moderuar i Partisë Republikane gjatë luftës së Vjetnamit dhe skandalit Uotërgejtë.  Për një kohë të gjatë, ai shërbeu si kryetar i Komisionit të fuqishëm të Senatit Amerikan për Punë të Jashtme.   Ai kundërshtonte luftën e Vjetnamit dhe megjithëse republikan, ai pat bërë thirrje për një prokuror të posaçëm që të bënte hetime në lidhje me çështjen Uotergejtë gjatë administratës së ish-Presidentit Nikson, i cili i përkiste  gjithashtu  Partisë Republikane.  Si politikan ai ishte në favor të biznesit dhe preferonte qendrime liberale përsa u përket programeve shoqërore.   Ai e krahasonte veten me  ish-Presidentin Ajzenhauer, si ‘’konservator në çështje monetare, por liberal në lidhje me çështjet shoqërore.’’   Ai kishte aspirata të bëhej president, megjithëse pa sukses,  dhe preferonte që përpilimi i politikës së jashtme amerikane të bëhej  me konsensus nga të dy partitë kryesore politike të vendit, veçanarisht  gjatë periudhës që ai kryesonte Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme.

Senatori i tanishëm amerikan nga shteti Illinojsë, Mark Kirk – në të njëjtën kohë edhe njëri prej ligjvënësve amerikanë që bën pjesë në grupin e anëtarëve të Kongresit të Shtetve të Bashkuara që kujdesen për çështjet dhe interesat shqiptare – tha se, ‘’Senatori Përci ishte njëri ndër senatorët më të mëdhej e më të suksesshëm të Amerikës...por mbi të gjitha ai do të mbahet mend për punën e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtëme, në një periudhe historike – gjatë luftës së ftohët.’’   Senatori Kirk shtoi se Senatori Përci do të mbahet mend gjithashtu,  ‘’si një burr i fortë, i ndershëm dhe me parime, integriteti personal i të cilit mbetet i pa komprometuar gjatë një periudhe pothuaj 20 vjeçare që shërbeu në Senatin amerikan.’’

Megjithëse brezi i ri mund të mos ketë dëgjuar për Senatorin Përci,  edhe shqiptarët kudo duhet të mbajnë mend këtë burr shteti amerikan, i cili gjatë fundit të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të të shekullit të kaluar, Senatori Përci bënte pjesë në grupin e ligjvenësve amerikanë, të cilët ishin jashtzakonisht të shqetësuar për shtypjen e shqiptarëve në Kosovë dhe për shkeljen e të drejtave të tyre kudo në trojet  shqiptare në Ballkan.   Ai do të mbahet mend si mik i shqiptarëve dhe si përkrahës e mbrojtës i të drejtave të tyre, i cili nuk hesitonte që në kapacitetin e tij si Senator dhe si Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, të vinte në dukje situatën e tmerrshme dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë – në një kohë kur marrëdhënjet e Amerikës me ish-Jugosllavinë ishin miqësore.   Senatori Përci, së bashku me ligjvenës të tjerë amerikanë, si Bob Dole, Denis DiConcini, Kjejborn Pell, Uilliam Brumfild, Eliot Engël e shumë e shumë të tjerë, gjatë disa dekadave të fundit, lëshonin deklarata për shtyp, mbanin fjalime, paraqitnin rezoluta në Kongres dhe flisnin në forume ndërkombëtare, duke venë në dukje në mënyrë të qartë dhe të vendosur përkrahjen e tyre për të drejtat e shqiptarëve kudo, e sidomos në Kosovë, dhe duke shprehur indinjatën e tyre për abuzimet e vazhdueshme ndaj shqiptarëve dhe kundër agresionit serb.  Qëllimi i Senatorit Përci dhe i kolegëve të tij ishte që jo vetëm  Kongresi i Shteteve të Bashkuara, por edhe i gjithë populli amerikan dhe mbarë bota të përqendronin vëmendjen mbi mizoritë që po ndodhnin kundër shqiptarëve në Ballkan.

Senatori Çarls Përsi ishte shumë afër dhe bashkpunonte ngusht me komunitetin shqiptaro-amerikan në shtetin Illinojsë, sidomos me shqiptarët në qytetin Çikago.  Ai rregullisht konsultohej me ta dhe shpesh merrte  pjesë  në darka dhe evenimente që organizonte komuniteti shqiptar në Çikago, përfshirë edhe Festën e Flamurit, 28 Nëntorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që unë si korrespondent i Zërit të Amerikës në atë kohë mbuloja për emisionet drejtuar dëgjuesve shqiptarë.   Në raste të tilla, Senatori Përci, në kapacitetin e tij si udhëheqës dhe zëdhënës i politikës së jashtëme të Senatit, u premtonte shqiptaro-amerikanëve në atë kohë, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdonin përpjekjet për çlirimin nga komunizmi  i vendeve përtej perdesë së hekurt, përfshirë Shqipërinë,  se ato do të punonin për zbatimin e të drejtave të  njeriut në çdo vend dhe se do të përkrahin  demokracinë anë e mbanë botës.

Përveç se ishte përkrahës i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, Senatori Përci ishte një kampion dhe përkrahës i fortë i transmetimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, të cilin ai e konsideronte si një mjet të fuqishëm në luftën për liri e demokraci anë e mbanë botës.   Por ai besonte se për të qenë efektiv,  Zëri i Amerikës duhej të ishte burim i besueshëm lajmesh.  Kështuqë ai luajti rolin kryesor për miratimin, nga ana e Kongresit, të Kartës së Zërit të Amerikës – një ligj unik ky në botë për një ent lajmesh – e i cili detyron Zërin e Amerikës që të ’’Shërbejë si një burim i besueshëm autoritativ informacioni.  Lajmet e saj duhet të jenë të sakta, objektive dhe të shumanëshme .... dhe duhet të pasqyrojë në mënyrë të balancuar dhe të gjithanëshme  idetë dhe institucionet amerikane ... dhe se politikat amerikane duhen pasqyruar në mënyrë të qartë dhe të efektshme, po kështu edhe debatet apo opinionet rreth këtyre politikave.’’

Falë rolit dhe fushatës intensive të Senatorit Përci për miratimin e saj nga Kongresi,  Karta e Zërit të Amerikës, e cila u këthye në ligj në vitin 1976, vazhdon të japë orientimet themelore për gazetarinë e Zërit të Amerikës dhe të ruaj integritetin e këtij institucioni, që është çelsi për kredibilitetin e këtij enti lajmesh e informacioni, me të cilin njihen mirë shumica e shqiptarëve kudo, trashëgimi këjo e Senatorit Përci nga shteti Illinojsë.

Edhe Senatori Përci duhet të mbahet mend pra dhe të vlerësohet puna e tij si përkrahës i shqiptarëve në listën e gjatë të ligjvensëve amerikanë, por edhe si njeri bujar, i ndershëm dhe vullnet mirë, mbrojtës i vendosur i lirisë e demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Për ne shqiptarët, ai do të mbahet mend si një politikan amerikan i cili së bashku me shumë kolegë të tij, demonstroi haptas dhe vazhdimisht përkrahjen e tij për popullin tonë në përpjekjet  shekullore të tij për të pasur një jetë të denjë,  në liri si individë dhe si komb. Pushoftë në Paqë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora