Kulturë
Skënder R. Hoxha: Nëpër Atdheun tim
E merkure, 17.08.2011, 07:00 PM
SKËNDER R. HOXHA
NËPËR ATDHEUN TIM…
KUFIRI NË ZEMËR
Sa herë që shkel në bjeshkë
Zemra më bëhet mal…
Sa herë që shkel në kurriz alpesh
Zemra më bëhet akull…
Më thonin –
Këtu është kufiri
Që ndan Gjakun Tim…
Këtu është kufiri
Që zemrën time –
Ndan në dysh!…
Shumë kufij këputën
Kurrizin e Atdheut Tim!
Në mos vdeksha
Me ëndrrën e kufijve!...
/ Bajram Curri, Maj 2011 /
ËNDËRR SHQIPTARE
A do të ringjallet
Kryetrimi
A do të ribëhet
Kuvendi i Mesjetës
I Lezhës 1444?
Atë ditë korriku 2011
Kalaja e Lezhës
Sikur më thoshte
Në heshtje:
Nga Unë
Do të ribëhet
BASHKIMI
Rilidhja Shqiptare…
/Lezhë, 23 korrik 2011/
ATDHEU THËRRET
Dje mbarova
Lojën me guaca
Në bregdet
Vizatova harta
Në zall
Sot u ngrita
Shkëmbinjve
Në Kala të Krujës
Aty në Mekën Time
Në pelegrinazh
Më shoqëruan
Dy miq nga Kosova…
Atje, në majë
Më tingëllonin
Vargjet e Naimit:
“Prite, prite
Skënderbenë!”
Mos të harrojmë –
Duhet të shpëtohet
Atdheu!
/Krujë, 25 korrik 2011 /