Kulturë
Thani Naqo: Fragment nga romani ''Hyjnitë nuk kanë emra''
E diele, 14.08.2011, 12:52 PM
Thani Naqo
FRAGMENT NGA ROMANI QË DEL SË SHPEJTI NË PUBLIKIM: "HYJNITË NUK KANË EMRA"
(kapitull romani)
Ndërsa hamejtë mereshin me shkarkimin e mobiljeve, Waid Hermes kishte hapur e mbyllur sirtarët në zyrën e tij. Më së fundi gjeti çelësin e dhomës dhe lajmëroi portorikanen Hoselita, pastruesen zyrave; ajo iu përvesh me zell fshirjes së mureve dhe tavanit për të mbledhur pezhishkat. Gerg e kishte ndihmuar në pastrimin e xhamave të dritareve dhe dollapët e kuzhinës së vogël. Hoselita i kishte thënë Gergut me zë misterioz, në gjuhën spanjishte, “Waid Hermes mucho pesos” 1) dhe bëri shenja me dorë që i la të kuptojë Gergut se edhe ajo pati fjetur dikur në atë dhomë përpara se të shfaqej nëna e tij. Hoselita kishte treguar me kokë për nga zyra e bosit, bashkoi gishtin e madh me atë tregues, formoi figurën e turpshme vezake dhe, me anglishten e çalë, kishte shtuar duke qeshur:
“Dollarin e tij e përlajnë femrat,” por, Waid Hermes, kishte përgjuar bisedën e tyre sepse thirri që nga zyra me zë hokatori:
-Portorikanet janë të nxehta dhe barbare. I therrin meshkujt njëlloj si Klark Xheksoni kur gushit salmonin.
Gerg e gjeti planduar në kolltuk, vetullvarur.
Ajo ditë kishte qënë e nxehtë dhe me afsh kutërbues nga përzierja e avujve të karburantit me vajrat e makinave. Megjithatë, bosi i xhankiartit nuk donte t’ia dijë as nga e nxehta dhe as nga kutërbimi i plehrishtes së tij, por pinte uiski direkt nga shishja. Pas çdo gllënjke lëshonte ndonjë frazë ku shprehte dhimbjen për vdekjen e Frosinës. Avujt e alkolit atij i kishin rënë në tru qysh atë mëngjes kur shpërndanin hirin e trupit të djegur, mirëpo, pas gjobës së policit, nuk shpërndanë më dhe mbeti gati gjysma e hirit në vazon prej kartoni. Pjesën e mbetur të hirit e shpërndau me dorën e tij Waid Hermes duke ecur këmbazi midis rreshtave të makinave ngritur në tako.
Gerg e pati ndjekur nga pas ndërsa Waid Hermes i kishte mëshuar zërit sikur të ishte varrim:
-Sa dollarë i kam ngjeshur nën breçka nënës tënde, ajo do të kishte blere apartamentin më të mirë në Bruklin.
Zoti e bekoftë, amin!
Frosina kishte gjak pirati nga Klark Xhekson.
Zoti i faltë të dy, amin!
Njëherë më shkrepi të martohesha me Frosinën, por zoti më ndroi mëndjen.
I madhërishëm qofsh, o zot, amin!
Unë e kam dashur nënën tënde si askush tjetër.
Amin, amin, amin - dhe Waid Hermes flaku grimcat e fundit të hirit brenda kabinës të një makinë kortezhi, nga ato që transportonin arkivole. Makina ishte e zezë, me xhama të thyera dhe e shtypur nga të dyja anët. Dyert e pasme hapur kanat-kanat. Nga tavani i vareshin rrypa të verdhëlleme beze dhe ato lëkundeshin nga rymat e ajrit. Ajo makinë Gergut atë ditë i ngjasoi me një tunel të gjatë nga ku përcilleshin misteret e atyre që shkonin në botën e përtejme.
-Gjithnjë kam kujtuar se ju jeni ati im - i kishte thënë kur Waid Hermes sapuniste duart, por bosi i xhankiartit i qe përvjedhur asaj pyetjeje, njëlloj edhe vështrimit të Gergut
Pastaj kishin shkuar në zyrë dhe Waid Hermes qe planduar në kolltuk, i ftohtë dhe i heshtur. Bosi qëndroi disa minuta symbyllur dhe Gerg pandehu se e kishte zënë gjumi, kur befas dëgjoi:
-Sot ndjehem si murgu në ditën e varrimit të vet.
Pas shpërndarjes së hirit e nxehta ishte kthyer papritur në shi kokërmadh dhe mbi çatinë e llamarintë dukej sikur qielli derdhte zhavorr.
-Gjithnjë kam kujtuar se ju jeni ati im - kishte përsëritur Gerg Xhekson të njëjtën pyetje, por edhe asaj here Waid Hermes nuk i qe përgjigjur. Ai kishte bërë kryqin nxitimthi mbi gjoks dhe shikonte sypicëruar përflakjen e qiellit nga shkrepëtimat, tej dritareve nga dukeshin majat e grataçielave.
Sedra xheksoniane i pati trokitur Gergut në tru, “ nuk bëhen kësi lloj pyetjesh në mot të tillë” dhe përgjigjen direkte të asaj pyetjeje Gerg Xhekson nuk e mori kurrë nga goja e Waid Hermesit.
Djaloshi Xhekson qe mjaftuar me ngjashmërinë e flokëve verdhashë, ballin e lartë, sytë e kaltër dhe krifën leshatore në gjoks. Këto shënja tregonin haptas ngjashmërinë e padiskutueshme se ata të dy ishin at e bir. Tiparet simpatike të fytyrës dhe trupi i derdhur i Gergut ishin trashëgim nga nëna, karakteristike për fisin e Xheksonëve. Heshtja e shurdhët e Waid Hermesit i shojti kërshërinë për të marë përgjigjen e asaj pyetje enigmë. Edhe më vonë ai nuk e çau
Nga goja e Waid Hermesit, ai e dëgjonte shprehjen e përditshme:
-Të gjithë jemi bij kurvash.
Gerg qe ngushëlluar më së fundi se dashnori i nënës së tij po vepronte tamam si at i mirë. Ai ishte dorëlëshuar, sikundër i kishte thënë ajo dhe bënte një sy qorr kur ndonjëri nga puntorët shkulte pjesë makinash dhe i shiste nën dorë.
Në raste të tilla Waid Hermes mërmëriste nëpër dhëmbë:
-Mbijetesa ngjyen edhe në plehërishte - por, ndaj Gerg Xheksonit, i mbyllte të dyja sytë.
2011