Kulturë
Fragmente nga libri i Petraq Palit "Shpirti i zjarrte ne oret e hijeve"
E diele, 14.08.2011, 12:34 PM
Fragmente nga libri i Petraq Palit "Shpirti i zjarrte ne oret e hijeve" Kushtuar Bregasit te pa epur Dino Martiko
DY FJALË PËR VENDLINDJEN E DINOS
Në gjithë historinë e pushtimit otoman në Shqipëri nuk gjen histori heroike, më të bukura dhe më rrëmbyese se sa ajo e Gjergj Kastriotit në fillim, dhe më pas, ajo e Krahinës së Himarës. Në aktivitetin gjenial të Napoleon Bonapartit përmenden fitore të jashtëzakonshme, fjala vjen ajo e Marengos apo Austerlicit... Por kur ushtria e gjeneralisimit të famshëm u coptua keqas, nuk mund të lesh pasdore ato betejat e tij të vogla, të jashtëzakonëshme, ndofta pa emër të veçantë në histori, që i pararendën humbjes së tij përfundimtare në Waterloo. Këto beteja të vogla ftimtare, mund të krahasohen me ato të bregdetit të Himarës. Dihet, burrat e asaj krahine kurrë nuk u nënështruan. Mbrojtën deri në kufirin skajor të jetës besën e tyre. E shkruan atë me gjak të pastër shqiptari. Natyrisht, secili prej nesh e kupton për bukuri, se çdo të thotë të japësh jetën në emër të ca idealeve të larta. Kujtoni Bajronin, këtë lord e njëkohësisht poet të jashtëzakonshëm, i cili braktisi sallonet engleze, për të gjetur kuptimin e ekzistencës së tij, tek njerëz me të vërtetë të rrallë, si Tamburxhiu bregdetas - himariot aq i etur për liri dhe dinjitet. Qenë me të vërtetë të çuditëshme, këto fara njerëzish: trima të tërbuar me shpirt të paepur. Disa thonë se qe përzier në to edhe fara e jashtëzakonëshme, trime, e mirditorëve, që për të gjetur idealin e tyre të shënjtë, të Besës, zbrisnin më në Jugë, në përpjekje për të gjetur një qëndër graviteti sa më të qëndrueshme, sa më të palëvizëshme...
Nuk qenë trima vetëm himarjotët, por edhe vuniotësit, kudhësjotët, pilurjotët, qeparotasit, piqerasjotët, lukovjotët, shëvasjotët e nivicjotët. Këto dy fshatrat e fundit përbënin Portat e Bregdetit. Për t’u futur në thellësi të tij ushtritë turke duhej të kalonin më parë sandejmi. Natë e ditë karakollët e tyre ruanin në Fushë, duke përgjuar për ndonjë lëvizje të dyshimtë trupash në një distancë të caktuar nga Delvina: rezidencë e përherëshme, zyrtare, pashallarësh turq. Ali Pashë Tepelena nuk mund t’i nënështronte dot lehtë këto fshatra. Provoi për vite të tëra me radhë. Ishte njësoj sikur të përballonte ushtarakisht një lloj rrace të paepur suljotësh. Bregdetasit heroikë nuk qëndronin aspak më poshtë… Vetëm kur kërkoi dhe arriti të sigurojë anije nga konsulli francez i Korfuzit, mundi t’i djegë e shkatërrojë ato, duke i goditur pabesisht nga deti. Në vijim ndodhi kasapana e tmerrshme e pranverës së përgjakur të vitit 1798. Atëhere fshati Shën Vasil, prej nga ku është origjina ime, ishte një fshat që numuronte 500 shtëpi, dhe qe ndërtuar i tëri në mal. Në një bejte popullore, të arshivuar në “Bletën Shqiptare” të Thimi Mitkos quhet Qytet.
Eshtë patjetër, një histori e madhërishme ajo e Bregdetit, apo ndryshe, një hymn i jashtëzakonshëm rreth karakterit dhe burrërisë njerëzore të shfaqur në një formë e nivel të jashtëzakonshëm, i cili i ka kapërcyer kufijtë e një kombi. Përveç Bajronit, nuk mund të lëmë pa kujtuar gjithashtu Pukëvilin dhe shkrimet e tij aq dritëhedhëse në këtë pikë. Kujtoni Revolucionin Grek, arvanitasit e tij trima, të bashkuar me heronj po aq të jashtëzakonshëm, të cilët i dhanë dërmën pushtimit turk, duke shkruar faqe të jashtëzakonshme lavdie dhe heroizmi në Panteonin Botëror të imortalizuar prej veprave artistike të mjaft piktorëve të famshëm europjanë si Delakrua, Dupre, Shefer etj…
Kjo qe Krahina Legjendare prej të cilit bregdetasi zemëzjarrtë, Dino Martiko, u frymëzua shpirtërisht gjithë jetën. Në kohën e Diktaturës së Kuqe apo epokës faqezezë të Poshtërimit të Përgjithshëm të një populli të tërë të vuajtur e stërmunduar, ky hero i rrallë i hetuesive shqiptare, si një skorje e vërtetë burrash të moçëm, mohikanë të fundit, arriti t’ja dalë në krye të mbrojë me fanatizëm shënjtërinë e besës ndaj mikut, të afërmit dhe vetë shqiptarit, në përgjithësi. Nuk denoncoi asnjë, megjithë vuajtjet çnjerëzore dhe humbjen e vetë jetës së tij, të tretur e fikur si qiriri në burgjet komuniste!
Pikërisht, prej jehonës së largët të paraardhësve të tij mundi të siguronte atë forcë të domosdoshme shpirtërore, duke nxjerrë në sipërfaqe gjithë arin e kurajos së rrallë, karakterin e pamposhtur, të Bregdetasve të Dikurshëm - hije të një epoke të madhërishme, për fat të keq, në ditët e sotshme, aq shumë të transformuar nga erozioni i Sistemeve dhe Kohës...
ROBERT MARTIKO
Shkrimtar