Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E diele, 14.08.2011, 11:37 AM
Vullnet Mato
KUÇEDRA E PASURISË
Të gjitha kuçedrat
e prehistorisë,
u tretën në gojëdhëna
e në përralla.
Mbeti vetëm
kuçedra e pasurisë,
me tre kokë,
llahtarisht të gjalla.
Lakmia, Cmira
dhe Urrejtja e treta,
shpërthejnë nga nofullat
flakë zjarri,
mbi familjarët
që për pronat e veta,
shkrumbohen kush shkon
i pari te varri.
Prindi, fëmijët
dhe familja e gjerë,
janë pasuritë e vërteta
të kësaj jete.
për ca sende me vlerë,
që nuk i marrin dot
në varr me vete?...
Njeriu lind pasurinë,
apo pasuria njerinë?,
pyesin veten njerëzit
mendërisht të saktë,
para se të bëhen
kuçedra me lakminë,
të djegin njëri-tjetrin
me zjarr e flakë...
JANË CA VEJUSHA NË SHISHTUFINË
Te Shishtufina,
qytet me të vdekur,
shamizezat vajtojnë
me zëra të mekur.
Mes tyre ka gra,
me shami vajtimi,
me buzë të fshira,
me shenja kuqëlimi.
Janë ca vejusha
pa lot pranë varrit,
shtyjnë me freskore
vapën e beharit.
Në anë të kangjellave
me smalto të rrjepur,
presin ca burra
me cigaret ndezur.
Burrat mbrehin
plugjet në parmëndë,
vejushat presin
të shkelnin retë me këmbë.
Takimin me të vdekurit
mezi e durojnë,
ekstazën me të gjallët
pas ferrave të fillojnë...
Më pas nëpër ferra
lënë gazetat dyshek,
copa plastmasi,
prezervativa dhe brekë.
Ndërkohë shtëpitë
dhe farefisi familjar,
presin nuse të ënjtura,
me sy të përqarë...
S’besoj se ka
më të shëmtuar oreks,
të shkosh te varri,
për të bërë seks.
T’i lutesh zotit,
duke përdhosur të ndjerin,
kur as qielli as toka
s’ta çmojnë nderin.
FOLA ME VDEKJEN
Në ëndrrat e çuditshme të netëve me pak gjumë,
befas m’u shfaq mortja zyrtare me kosë në dorë.
“Shërbimet funerale” në qytet ishin shtuar shumë,
dhe ajo kishte hapur zyrë në afërsi të lagjes sonë.
Bënte pritje kur qiellin e pluhurosur mbulonte nata.
Njerëzit e merakosur për fundin e pashmangshëm,
kishin zënë radhë para derës së zezë me dy
ku ruanin dy varrmihës me skelete të llahtarshëm.
Një mëkatar që doli nga dera e saj tejet i zemëruar
tha se kryekriminelja njerëzore e përzënë prej zotit,
sipas listës së ferrit, ku e kishte pasur të regjistruar,
do ta merrte së shpejti me kosën e rrallimit të globit.
Unë hyra dhe fola me vdekjen si me një mikeshë,
kur do më merrte e ku do më çonte përfundimisht.
Ajo më vështroi me gropat e syve dhe zuri të qesh,
pastaj tha, duke zbardhur çatajtë e gjatë sa një gisht:
“Arkivolin ta kam porositur te një pyll pishe në Suedi.
Llogarit sa kohë duhet të pritet trungu në pishnajë,
të staxhionohet dërrasa, të transportohet në Shqipëri,
pastaj vjen radha të gatitesh për të shkuar në parajsë...”
O, faleminderit, zonja vdekje, që më çon në qiell,
ku njerëzit ëndërrojnë gjithë jetën të shkojnë aty...
“Prit!- tha- do shkruash për mua një libër poezie
dhe do vish çdo javë të më bësh seks, pa dashuri! “
Të caktova ty për seks javor me eshtrat e mia,
se i këndon me pasion dashurisë që të fal mikja,
nderon femrën si krijesë të zgjedhur nga Perëndia
dhe nuk i ndahesh asaj derisa të të vijë ikja...
Booo, bo, mendova, edhe kjo torturë më duhej mua,
që u ruajta në jetë nga abuzimet me gra të radhës!
Si do bëhem burrë me një skelet pa tulin e lëmuar?
Më mirë të vdes tani, se të puth kockat e gërdallës!...
KOMETA NË ORBITËN TIME
Në orbitën time të përdishme,
teksa po vërtitesha rregullisht,
një kometë, floknajë e ndritshme
erdhi përqark, më goditi me bisht.
Më bëri të rrotullohem keqas,
të rrezikoj përplasje me planetë.
Hëna ime më shikon pjerrtas,
se shpesh e mbuloj me hije krejt.
Kometa me bukuri të frikshme,
që s’po më ndahet në trajektor,
më jep anomali të çuditshme,
herë me vapë, herë me dëborë.
Dhe jam bërë aq qorrollisës
sa devijoj në boshte pjerrësie.
Natën e sjell në mes të ditës,
ditën e mbuloj me re errësire.
Kometa e hajthme flokëlëshuar,
çmendi stinët e mia të hershme,
me sinjale të reja më ka verbuar,
kërkon pranverë të përjetshme.
E di që më sjell gravitet të freskuar,
nëse në gjoks ma mbështet kokën.
Dhe ma do bërthama e përvëluar,
por kam shumë frikë katastrofën...