Speciale
Ryzhdi Baloku: Si u dëbua familja Bakalli nga Peja në tokat e Anadollit
E premte, 29.07.2011, 08:05 PM
SI U DEBUA FAMILJA BAKALLI NGA PEJA
NË TOKAT E ANADOLLIT
(Fragment nga libri: Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare)
Nga Ryzhdi BALOKU
Pasi që gjashtë fëmijë nga Dacajt në vitin 1911 mbesin pa të dy prindërit, dy vajza do të mbesin të jetojnë aty, derisa familja Bakalli nga Peja si e afërm i tyre i merr nën përkujdesje tre nga ata. Njërin prej atyre fëmijëve do ta marrë në përkujdesje familja Qehaja po nga ky qytet.
Rukmonen, Rexhepin dhe Istrefin do t’i marrë nën përkujdesje halla e tyre e martuar te familja Bakalli, derisa Xhemilen do ta marrë halla tjetër që ishte e martuar në familjen Qehaja, po ashtu në Pejë.
Rukmonja në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare martohet në familjen Rusta të Pejës, ndërsa Xhemilja po ashtu në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare martohet në familjen Morina të këtij qyteti.
Kur ushtria malazeze hyri në Pejë në vitin 1912, Istrefi ishte nëntëvjeçar, Rexhepi dymbëdhjetëvjeçar, ndërsa Xhemilja shtatëmbëdhjetëvjeçare e Rukmonja njëzetvjeçare.
Plaku i shtëpisë nga familja Bakalli jetonte me të shoqen dhe tre djemtë me të rejat, të cilat i kishin fëmijët e vegjël, me të cilët në këtë familje kishin ngelur për të jetuar edhe dy fëmijë bonjakë Rexhepi dhe Istrefi nga Dacajt.
Ishte kohë e pas luftës së vitit 1912, zaptuesit malazezë menjëherë i kishin krijuar organet e pushtetit në Pejë e rrethinë si mekanizma të domosdoshëm të administrimit shtetëror.
Ushtria e xhandarmëria nuk mund ta mbulonin çdo skutë të zaptuar të këtyre lagjeve e fshatrave për rreth. Ata ende nuk e kishin konsoliduar si duhet kontrollin mbi popullatën vendase, prandaj krijojnë mekanizma përcjellës duke krijuar disa këshilla të lagjeve e fshatrave të udhëhequra nga ky zaptues.
Në çdo fshat e lagje të qytetit, kishte caktuar nga një përgjegjës shqiptar që do të përgjigjej edhe me jetë për qetësinë e qytetarëve, që mos të organizohen kundër pushtetit malazez.
Derisa afati i ultimatumit për dorëzimin e armëve kishte kaluar nën kërcënim të pushkatimit ndaj atyre që do t’iu gjinden ato, njëra nga vajzat e familjes Bakalli që ishte fëmijë e moshës rreth pesë apo gjashtëvjeçare ishte duke lozur e biseduar me shoqet e veta para shtëpisë, në rrugë ë lagjes Jarinë të këtij qyteti. Aty pari në ato momente, asaj rruge në kalim po ecte myftari i lagjes dhe i bie në vesh biseda e fëmijëve. Ndalet e po i dëgjon. Njëri nga fëmijët po thotë: ”baba im e ka gjuajtur pushkën në lum”, tjetra po thotë: ”ne nuk kemi pasur asnjëherë pushkë në shtëpi”, ndërsa vajza e Bakallëve po iu thotë: ”unë e kam parë gjyshin tim se si po e fsheh pushkën nën dërrasat e dyshemesë”.
Pas kësaj bisede myftari i lagjes i afrohet vajzës së vogël duke ia ledhatuar flokët me dorë. I drejtohet me zë të butë e me fjalët: sa qenke vajzë e mirë dhe e mençur, po e kujt je ? Ajo i përgjigjët, ja këtu e kam shtëpinë, e Bakallëve jam. Ai vazhdon me pyetje: ”A e di se si duket pushka” ? Ajo i përgjigjet: ”Po, e ka gypin e hekurt të ngjitur për dru”. Gjatë kësaj bisede ajo, po ashtu, i tregon edhe në cilën dhomë gjyshi i saj e ka fshehur pushkën.
Nuk vonon shumë atë ditë, rrethohet lagjja pranë shtëpisë së Bakallëve nga një togë xhandarësh malazezë.
Në atë kohë e tërë familja e Bakallëve kishte qëlluar në shtëpi duke përfshirë edhe të dy bonjakët, Rexhepin dhe Istrefin e Dacajve që bashkëjetonin aty.
Disa nga xhandarët malazezë hynë brenda në oborr të shtëpisë së Bakallëve, derisa të tjerët e mbanin të rrethuar lagjen. Me këtë rast nga dhoma përmes dritareve i vërejtën grumbullin e xhandarëve që kishin hyrë me zhurmë në oborr të kësaj shtëpie dhe fëmijët brenda në dhomë nga frika filluan të qajnë, të dridhen. Edhe të rriturit u brengosen për paraqitjen e papritur të tyre në shtëpi.
Me të hyrë të tyre në oborr, plaku i shtëpisë me nxitim iu del para dhe iu drejtohet me fjalët: Çka po kërkoni ? Njëri nga xhandarët i drejtohet plakut me fjalët: ”Ku e ke fshehur pushkën” ? Plaku iu përgjigjet se ata fare nuk kanë pushkë. Me të përfunduar të këtyre fjalëve tjetri xhandar papritmas i bie kondak plakut në fytyrë dhe e përgjak të tërin. Plaku në atë moment rrëzohet për tokë dhe më njërën dorë tenton për t’u ngritur, por tjetri xhandar e shkelmon në fytyrë dhe plaku përsëri bie për tokë.
Xhandari që e udhëhiqte togun e që vërehej se ishte kryesori ndër ta, iu jep urdhër të tjerëve që me bajoneta pushkësh t’i çojnë e lëvizin nga vendi dërrasat e dyshemesë së dhomës së caktuar.
Nuk vonojnë dhe e gjejnë pushkën nën dërrasa të dyshemesë së dhomës, të cilën xhandarët ia tregojnë eprorit të tyre. Me të dalë të xhandarëve nga dhoma në oborr, eprori iu jap shenj me gjeste dhe të tjerët fillojnë ta therin plakun me bajoneta pushkësh.
Fillimisht xhandarët e therin plakun vetëm me maje bajonetash në thellësi të vogla dhe gjëma e tij me ”oh” dëgjohet sa herë që therej dhe e lëviz trupin nga pakëz, duke u tërhequr dhe duke u tkurrë. I tërë trupi i plakut mbulohet nga gjaku dhe ai gjëmon pa pra.
Të tre bijtë e plakut të zemëruar dalin në oborr, me fjalët: ”Kini pakëz rahmet, pse po veproni kështu !” Atëherë xhandarët ia fusin bajonetat thellë e më thellë në trup plakut, derisa ai rënkon me tërë fuqinë që i kishte mbetur. Në një moment njeri nga xhandarët ia shqyen plakut barkun me bajonetë. Atij zorrët i dalin jashtë dhe i shkapërderdhën nëpër tokë. Pas pak jep shpirt duke mbetur në mes të oborrit. Tre bijve të tij xhandarët tjerë iu lidhin duart me litarë nën urdhrin e arrestit dhe i mbajnë nën tytat e pushkëve me bajoneta të ngjitura për to.
Duke i parë këto skena gratë e familjes dalin në oborr, por atëherë eprori u jep urdhër xhandarëve për tërheqje, duke arrestuar tre djemtë të cilët në ndërkohë i dërgojnë në burg të Pejës, ku të tre përjetojnë maltretime fizike e psikike nga xhandarët malazezë.
Ishte e ditur se atij që i zihej arma do të pushkatohej pas një procedure të shkurtër gjykimi, sepse ngjashëm iu kishte ndodhur edhe të tjerëve. Vendimi i dënimit për ekzekutimin me vdekje për të tre bijtë e plakut dihej. Meqë të arrestuarve iu kishin masakruar babain pa gjyq, me këtë rast duhej që këta bile nga ana formale të dilnin para gjyqit, që në një farë mënyre ta arsyetonin masakrimin e plakut, por vetëm pritej shqiptimi i tij.
Praktikohej që para ekzekutimeve t’iu bëhej pyetja për dëshirën e fundit. Derisa vëllezërit më të vjetër nuk shprehën asnjë dëshirë, më i riu Muharemi që i kishte rreth të njëzetepestave, e shprehi dëshirën që për herë të fundit ta shohë familjen edhe njëherë në mënyrë që të kërkojë ”hallall” nga e ëma.
Xhandarët, morën Muharemin duar lidhur dhe ashtu këmbë duke ecur e dërguan në drejtim të shtëpisë për t’ia plotësuar dëshirën e fundit, apo ndoshta për qëllim kishin tjetër arsye. Me të arritur në shtëpi e gjithë familja i del para në oborr, ndërsa Muharemi duke e vërejtur tollovinë që u krijua, e shfrytëzon këtë rast dhe mësyn kah ”kapixhiku” ku arrin ta kalojë këtë derë të vogël oborri që e ndante me fqinjin. Xhandarët nxorën pushkët dhe gjuajtën disa herë pas tij, por plumbat nuk arritën ta godasin.
Muharemi iku duke i kaluar oborret e shtëpive të lagjes nga kapixhiku në kapixhik dhe derë pas dere, e rrugë pas rruge derisa largohet edhe nga lagjja.
Derisa Muharemi arrin të ikë dhe shpëton, vëllezërit më të vjetër që ishin në burg ia pushkatojnë.
Familja Bakalli pas dy tri ditësh dëbohet me dhunë nga shtëpia përmes xhandarëve, duke i përzënë nën kërcënimin e jetës edhe të familjarëve të tjerë që kishin mbetur gjallë, nën pretekstin e vendimit ushtarak të miratuar më herët që familjet e kaçakëve duhet dëbuar, meqë Muharemi kishte ikur dhe e konsideronin kaçak.
Drejtimi i shpërnguljes së shqiptarëve të dëbuar për Turqi në atë kohë bëhej përgjatë vijës rrugore që çonte në Selanik.
Të dëbuarit nga familja Bakalli udhëtimin në drejtim të këtij qyteti e bëjnë këmbë, sepse kushtet e shpërnguljes iu kishin diktuar një udhëtim të tillë, meqë sipas ultimatumit të dhënë nuk kishin zgjedhje të mundësive tjera për këtë rrugëtim të dhunshëm.
Ata kishin arritur ta sigurojnë e marrin me veti një thes me bukë dhe asgjë tjetër. Udhëtimi për të arritur në Selanik zgjat me javë të tëra, aq sa edhe e humbin orientimin në kohë, duke mos ditur saktësisht se çfarë dite ishte dhe sa iu kishte zgjatur ai udhëtim, për shkak të vuajtjeve dhe peripecive që iu kishin imponuar. Gjatë tërë udhëtimit kishin menduar vetëm si të arrijnë në Selanik, si cak i këtij rrugëtimi.
Nga kjo familje kishin mbetur plaka me gra e fëmijë të vegjël së bashku me dy jetimët, Rexhepin dhe Istrefin, derisa Muharemi në ndërkohë ilegalisht pas shumë mundimeve, arrin t’i bashkëngjitet familjes së dëbuar.
Pas çdo arritjeje të vaporit, tentimi për hipje në të përfundonte pa sukses
Rexhepi tregon se pos bukës dhe ujit që e bartnin me veti, tjetër gjë nuk kishin pasur, prandaj edhe kursimi i bukës kishte qenë i domosdoshëm sa për ta mbajtur veten në jetë.
Pas shumë peripecive e maltretimeve, me shumë vuajtje arritëm në Portin e Selanikut, tregon ai.
Vapori që lundronte përgjatë vijës së udhëtimit Selanik - Izmir, kishte arritur në port, prandaj edhe u afruam që të hipnim në të, mirëpo personeli që qëndronte në hyrje nuk na lejoi, meqë nuk posedonim dokumentacion të nevojshëm të cilin na kërkonin.
Me të arritur të vaporit në këtë port edhe herën e dytë tentuam të hipnim në të por pa sukses, sepse përsëri na kërkonin dokumentacionin e nevojshëm për këtë udhëtim.
Pas çdo arritjeje të vaporit, tentimi për hipje në të përfundonte pa sukses. Dikur patëm humbur durimin dhe aq ishim zhgënjyer prej dështimeve rresht dhe refuzimeve për hipje në vapor për të lundruar deri në Izmir, sa jeta dhe vdekja u baraspeshuan. Dështimi për këtë lundrim nga ky port zgjati gjashtë herë radhazi, mirëpo kur na kishte mbetur vetëm edhe një kilogram bukë, për të shtatën here të tentimit arritëm të hipnim në vapor dhe më në fund arritëm në portin e Izmirit
Në atë kohë në territoret kufitare në mes të Greqisë dhe Turqisë zhvillohej luftë, që pasonte edhe me dëbimin e popullatës së palës së kundërt prej shtëpive të veta nga të dyja anët.
Përfundimin e këtij rrëfimi të dhimbshëm do ta marrim vesh pas 73 vitesh nga koha e shpërnguljes, kur Rexhepi në moshë të shtyrë të pleqërisë lajmërohet nga Turqia përmes një video incizimi të dërguar familjes Morina në Pejë nga nipërit e tij.
Përmes këtij regjistrimi vizual të video shiritit, Rexhepi e përkujton të kaluarën me një zë mallëngjyes, e herë pas herë me heshtje, duke u kujtuar si duket lidhur me shpërnguljen e tij për në Turqi që si fëmijë e kishte përjetuar së bashku me familjen Bakalli të Pejës.
Rexhepi tregimin e dhimbshëm të shpërnguljes së tij me këtë familje, e fillon me shpjegime nga kujtesa për Pejën dhe bukuritë natyrore të saja.
E përshkruan duke e përkujtuar se si dukej lagjja në atë kohë që si fëmijë kishte lozur atëherë. I përkujtonte pamjet e grykës së e Rugovës, pastaj dy motrat Rukmonen dhe Xhemilen që tani jetonin në Pejë, nga të cilat ishte ndarë me forcën e dhunës. I përshkruante edhe peripecitë dhe mundimet e rrugëtimit të shpërnguljes nga ky vend i të parëve dhe si ishin pranuar nga ky shtet, pas arritjes në territor të Turqisë, me të cilin rast sqaron.
Pushteti i atëhershëm si të dëbuar nga Kosova shumë familje shqiptare i dërgoi në një vendbanim bregdetar afër kufirit me Greqi të quajtur Sharky, derisa familjen tonë, na sistemuan në një zonë kufitare në një shtëpi të braktisur.
Si zonë kufitare ky vend ende ishte në gjendje lufte dhe kishte pasiguri për të jetuar aty, meqë fryma e luftës vërehej kudo.
Shtëpia ku ishim vendosur ishte jashtëzakonisht e bukur dhe e pajisur me të gjitha elementet e nevojat për jetesë komode. Vërehej se aty kishte jetuar një familje e pasur zotërinjsh, sepse mbizotëronte luksi si të kishte qenë ndonjë shtëpi e familjes mbretërore.
Aty filluam të stabilizohemi dhe të punojmë për të mbijetuar, ku edhe unë si fëmijë e jepja kontributin tim duke punuar atë që më angazhonte kjo familje, shpjegon Rexhepi.
E punonim edhe tokën bujqësore që na kishte lënë në dispozicion pushteti i kohës dhe kështu filluam të mëkëmbemi ekonomikisht.
Pasi që situata u stabilizua u bë përkufizimi i kufijve, gjendja e vendit u ndryshua me fillimin e mbretërimit të paqes.
Pas këtij stabilizimi, neve na erdhi një urdhëresë me shkrim që ta lëshojmë këtë pasuri dhe të largohemi.
Tani aty u vendos për të jetuar një qeveritar turk dhe neve me të shpejtë na larguan duke i lënë të gjitha. Ashtu siç thuhet ”me duar në xhepa” na dërguan në tokat e Anadollit.
Me të arritur në Anadoll na përcaktuan një tokë në një vend të pa banuar, ku nuk kishim as kokën ku ta venim për të jetuar. Në mënyrë që mund ta venim kokën nën strehë, filluam për ta ndërtuar një kasolle të vogël nga qerpiçët prej balte që i punonim vetë. Punonim ditë e natë pa ndërprerë. Lodheshim aq shumë sa që nganjëherë mendoja, që të nesërmen nuk do mund të ngritëm për t’ia filluar punës serish.
Punuam derisa e përfunduam ndërtimin dhe ia vumë çatinë kasolles.
Pas kësaj iu rrekem punës për ta punuar tokën, që në mungesë të pajisjeve të nevojshme, ishim të detyruar ta punonim me vegla dore primitive.
Tërë ditën e kalonim duke punuar me shati dhe parmendë, mirëpo me punë arritëm ta krijojmë tokën bujqësore, një arë për lakmi dhe kështu filluam të stabilizohemi, duke e siguruar ushqimin dhe veshmbathjen për familje.
Duke heshtur për nga një çast, si duket duke u kujtuar, Rexhepi vazhdon me rrëfim dhe shpjegon ...
Zhvendosja zgjati hiç më pak se dymbëdhjetë herë
Pas një periudhe të shkurtër të jetesës në atë vend, derisa ishim në arë duke e prashitur misrin i cili e kishte tejkaluar lartësinë e gjatësisë së njeriut, ku fasulja ishte zhvilluar mirë dhe mund të përdorej për zierje të gjellës, po ashtu edhe kungujt ishin zhvilluar e rritur mirë nëpër misër sa që mund të përdoreshin për ushqim, përsëri na erdhi një urdhëresë nga qeveria që urgjentisht ta lëshojmë edhe kësaj here këtë vend, me ç’rast i lamë të gjitha që i kishim krijuar me mund e duar tona dhe na dërguan në një trevë në drejtim të Rusisë, jo larg kufirit.
Në atë vend përsëri duhej nisur nga fillimi dhe kështu vend pas vendi, me vuajtje e mundime, zhvendosja zgjati hiç më pak se dymbëdhjetë herë, sa që mund të them se jeta e tillë na u bë më e vështirë se vuajtjet e peripecitë e dëbimit nga Kosova, shpjegonte Rexhepi.
Më tej ai vazhdon me fjalët: “Në fund u stabilizuam duke u vendosur në fshatin Dikili që gjendet në rrethinë të Izmirit. Tani jam te vajza e ime në Malltepe jo larg nga ai fshat.
Këtu po e kalojmë një jetesë modeste, ndërsa unë po i kaloi çastet e fundit të jetës në këtë pleqëri. Do të vdes me mall për vendin e të parëve të mi dhe të fëmijërisë sime, për motra e të afërmit e mi”. Kështu Rexhepi e përfundoi rrëfimin e vet.