Speciale
Ryzhdi Baloku: Nga arkivi i UDB-së (IV)
E shtune, 16.07.2011, 08:00 PM
NGA ARKIVI I UDB-së ( IV.)
Pjesë të shkëputura nga libri: Kujtime, Si u themelua ilegalja:
ORGANIZATA PËR BASHKIMINE TROJEVE SHQIPTARE,
botuar në vitin 2004 nga autorët: Remzi Baloku & Ryzhdi Baloku
(Pos shpjegimit përmes kujtimeve, libri përshkohet edhe me dokumente arkivore)
Nga Ryzhdi BALOKU
POZITA E TROJEVE DHE E POPULLATËS SHQIPTARE
GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Në vitin 1939 Shqipëria sulmohet nga forcat fashiste italiane dhe pushtohet.
Në vitin 1941 pas kapitullimit të Jugosllavisë nga forcat gjermane, Kosova administrohet nga Italia si aleate e Gjermanisë.
Nën administrimin italian krijohet Shqipëria etnike ku bëhet bashkimi i pjesës dërmuese të trojeve shqiptare me Shqipërinë, mirëpo nën sovranitetin e Italisë fashiste. Nën këtë sovranitet të kësaj periudhe kohore për të parën herë pas një kohe të gjatë okupimi shqiptarët përjetojnë një frymim më të lirë, i cili hetohet me hapjen e shkollave të para shqipe, me administrimin shtetëror në shqip, me lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar. Bëhet kthimi i pronave pronarëve shqiptarë, të cilat prona ishin uzurpuar nga kolonistët serbë e malazezë. Elektrifikohen shtëpitë si dhe hetohet një zhvillim ekonomik.
Këtë periudhë kohore, kosovarët e njohin si: “Koha e Shqipnisë“.
Dijetari kroat Branko Horvat në librin “Çështja e Kosovës“ (Kosovsko pitanje), duke e shpjeguar pozitën e shqiptarëve nën Mbretërinë Jugosllave dhe duke e përshkruar kohën e okupimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, thotë si vijon: “ … Kur të merret e gjithë kjo … shqiptarët në Kosovë okupimin gjatë Luftës së Dytë Botërore e kanë përjetuar si çlirim. Pjesa dërmuese e Kosovës, pjesa perëndimore e Maqedonisë si dhe pjesa veriore e Greqisë ( lexo: Çamërisë, krahinë jug perëndimore e Epirit, vr. e jonë ) iu bashkangjiten Shqipërisë, të cilat vise italianët i kishin okupuar në vitin
Në Ballkan për çlirimin e vendeve të tyre nga okupimi nazifashist vepronin dy rryma:
- Komuniste dhe
- Antikomuniste.
Në Kosovë, partia komuniste për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit kishte shumë kolonistë serbë e malazezë në udhëheqje të kësaj partie.
Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk iu besonte dhe dyshonte në sinqeritetin dhe internacionalizmin e tyre komunist.
Vetë emërtimi PKJ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, nënkupton Kosovën nën Jugosllavi, derisa shqiptarët nën këtë shtet e kishin një përvojë shumë të hidhur.
Serbë e malazezë kishte edhe në kreun e PKSH, si: Milladin Popoviçi e Dushan Mugosha.
Në këtë kohë propaganda serbe trumbetonte se nëse Shqipëria do të jetë shtet socialist, do t’i lejohet që Kosova t’i bashkangjitet shtetit shqiptar sipas principit marksist me vetëvendosje, nëse Shqipëria do të jetë shtet kapitalist, atëherë Kosova do t’i bashkangjitet Jugosllavisë.
Nga përvoja, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Kosovës nuk i besonte kësaj propagande serbo-malazeze.
Me 31.12.1943 e deri me 01.01.1944, Këshilli Nacional Çlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në Bujanë (Bunjaj) të Malësisë së Gjakovës, në afërsi të Bajram Currit, jo larg Tropojës, thërret konferencën në të cilën marrin pjesë 49 pjesëmarrës, nga të cilët, 41 shqiptarë ( prej tyre 31veta kosovarë ), 1 boshnjak dhe 7 serbë e malazezë.
Në këtë konferencë kërkohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, miratohet vendimi se ky bashkim do të bëhet në bazë të principit marksist mbi vetëvendosje e deri në shkëputje, për të cilin vendim garanton ushtria çlirimtare popullore e Shqipërisë dhe ushtria çlirimtare popullore e Jugosllavisë.
Me përfundim të luftës shihet se ky vullnet i luftëtarëve komunistë të shqiptarëve të Kosovës, nuk u jetësua.
Në regjionin e Pejës gjatë periudhës 1941-1944, vepronte formacioni i armatosur i vullnetarëve nacionalistë-antikomunistë në mbrojtje të Kosovës, në të cilin vepronte Osmon (Bajram) Baloku, e në përbërje të të cilit formacion ishin gjithashtu vullnetarët: Aziz Bekçeli, Qazim Turjaka, Ramiz (Bajram Dauti) Berisha, Selim (Adem) Blaka, Malush (Daut) Hoxha etj. nga lagjja Kapeshnicë e Pejës, të cilët njihen për trimëri edhe në luftën e Jeni Pazarit (Pazarit të Ri - Novi Pazarit) në mbrojtje të vendasve, kundër çetnikëve, që kishin bërë masakra të papara në gra, fëmijë e pleq, me këputjen e gjymtyrëve, nxjerrjen e syve, prerjen e veshëve, prerjen e gjinjve te femrat etj.
Më vonë pas shumë kohësh lidhur me veprimin e këtij formacioni, Osmon Baloku shokëve të vet, iu shpjegonte taktikën luftarake që e kishte përdorur më një rast kur ky formacion luftarak kishte qenë i rrethuar prej forcave partizane, e që kishin arritur ta shpërthejnë njërin pas tjetrit, rrethimin e dyfishtë që iu kishin kurdisur.
Në këtë periudhë kohore në regjionin e Pejës vepronin nëpër formacione të ndryshme të çetave edhe atdhetarët: Fetë Ukella, Ali Macula, Metë Komarica, Selim (Canë) Kelmendi etj.
Kontribut të rëndësishëm në këtë periudhë kishin dhënë edhe Salih Ukella e Sejdi Maza nga Peja.
Një veprim i tillë në formacione të çetave praktikohej edhe në territore tjera të Kosovës.
Në vitin 1944, gjermanët formojnë “SS” divizionin e hekurt, të quajtur “Skënder Beg” të përbërë nga shqiptarët. Inkuadrimi i këtyre shqiptarëve në këtë divizion, tregon një papjekuri të tyre politike duke u strukturuar në anën e koalicionit, i cili në këtë kohë shihej se ishte duke e humbur luftën …
Me fitoren e koalicionit antifashist, forcat komuniste e marrin pushtetin edhe në Kosovë.
Të përmendurit (nacionalistë dhe antikomunistë) gjatë vitit 1945 dalin kaçak dhe veprojnë në formacione komitësh, të cilat në ndërkohë shpartallohen.
POZITA E TROJEVE DHE POPULLATËS SHQIPTARE TË KOSOVËS,
PAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Konferencën e Paqes në
Për zhdukjen e Shqipërisë propozon edhe Stalini në një bisedë rasti me zyrtarët jugosllavë, ku thotë se Jugosllavia duhet ta gëlltitë Shqipërinë.
Me instalimin e pushtetit komunist jugosllav, në Kosovë gjatë vitit 1945 dhe pas këtij viti, disa prej komitëve vriten në prita, disa arrijnë ta kalojnë kufirin e të dalin në Shqipëri, ku burgosen nga vetë shteti komunist shqiptar, disa zihen dhe pushkatohen nga UDB-ja (sigurimi i brendshëm shtetëror) jugosllav, disa të tjerë arrijnë të fshihen një kohë më të gjatë, ndërsa komitët e Pejës dhe rrethit të saj strehohen nëpër shpellat e bjeshkëve të Rugovës, Radacit etj., epilogu i të cilëve pas qetësimit sado pak të situatës në vend përfundon me burgosje dhe mbajtje të dënimeve nëpër kazamatet jugosllave, ndërsa disave nuk iu dihet mënyra e zhdukjes, e që ka mbetur shprehja në popullatën e Pejës: “I ka hongër nata“.
Për këtë periudhë të daljes kaçak të veprimit në formacione komitësh të vullnetarëve nacionalistë-antikomunistë të Pejës, Osmon Baloku me një rast pat thënë: në atë vit kishte mbretëruar një dimër i fortë, me të reshura të mëdha dhe acar, për t’u ngjitur bjeshkës iu është dashur që ta presin borën me sëpatë në formë të shkallëve për të ecur.
Osmon Baloku gjatë veprimtarisë luftarake, kishte arritur të shpëtonte shumë shqiptarë komunistë të cilëve iu kishte kanosur rreziku për jetë, në mes tyre edhe të luftëtarit komunist Alush Gashit nga Peja, sepse qëllimi i formacionit luftarak në të cilin ka vepruar nuk ishte likuidimi i shqiptarëve.
Me instalimin e pushtetit komunist në Pejë, Alush Gashi caktohet përgjegjës i OZN-së për regjion të Pejës, kështu që me këtë rast arrin t’ia kthejë borxhin Osmon Balokut i cili me shokët e vet kishte dalë kaçak, duke iu krijuar mundësinë që pas vitit 1945 të kthehen nëpër shtëpi të veta.
Më vonë, në vitin 1953 Osmon Baloku zbulohet nga UDB-ja dhe dënohet me 8 vite burg të rëndë, për fshehje e strehim në shtëpi dhe për organizimin e dërgimit përtej kufirit në Shqipëri, të intelektualit dhe luftëtarit të Spanjës - Shaban Basha, i cili kishte arritur pas thyerjes së burgut famëkeq të kullës së Sheremetit në vitin 1946, të kërkojë shpëtim të jetës në besë, te Osmon Baloku.