Speciale
Nafi Çegrani: Pse e vrau babai im oficerin antishqiptar Pavlen
E diele, 12.06.2011, 08:02 PM
VAJI I SHQIPTARIT...
Nga Nafi Çegrani
Gjithnjë shqiptari ka qenë në rrezik jete dhe ekzistence. Kur Zoti e krijoi botën, - thotë një legjendë e lashtë, - malet e larta ia fali Shqipërisë; Shqipërinë e ndërtoi mbi kodra dhe i fali qëndresën! Si shqipe malesh! Shqiponjë si Shqipëri...Kurse plisi i bardhe mbi koke shqiptarit,i bardhe si debora ne maje te Sharrit,nder shekuj mbeti leternjohtimi i tij ! Kjo legjendë ka një logjikë dhe nga shumë aspekte i përgjigjet realitetit, temperamentit dhe psikologjisë së shqiptarit, ngase ky popull që ka shumë karakteristika interesante ka një traditë të rrallë, vese dhe doke që më së shumti i do malet, pushkën, gurin e diellin. Më së shumti i pëlqen jeta mbi bjeshkë të larta e me fytyrë të kthyer nga fushat apo nga deti. Shqipëria, zaten, dhe të gjitha tokat mbar-arbërore kanë një pozitë të jashtëzakonshme strategjike e gjeopolitike në Ballkan e Evropë, duke filluar buzë hyrjes në Adriatik, pranë portës së Otrantos që ndan tokën ballkanike dhe atë Apenine me një distancë prej vetëm shtatëdhjetë kilometrash. Kjo edhe i jep Shqipërisë dhe mbarë tokave shqiptare pozitë të posaçme strategjike, gjë e cila edhe i solli vështirësi dhe
Është e vërtetë se populli ynë ka qenë ngushtë i lidhur për Tokën dhe atë e ka lëvruar me eshtrat e veta, e ka ujitur me djersën e vet, e ka mbjellë për të siguruar bukën dhe ekzistencën. Kështu shqiptari edhe ka jetuar nga Toka, nga Die11i, nga
***
PSE E VRAU BABAI IM
OFICERIN ANTISHQIPTAR PAVLEN
Kur Brigada e VII shqiptare që kthehej nga Fronti i Sremit duke bërë spastrime të hordhive çetnike në malet e Shumadisë të anëve të Çaçakut, babait tim Tekiut, edhe dy shqiptareve te tjerë, njëri nga fshati Rakovec, emrin e kanë quajtur Xhevit, dhe tjetri nga Zhelina, u është dhënë urdhër i prerë ushtarako-luftarak që të bënin roje të ashtuquajtur “mrtva strazha” (roja e vdekjes), në një grykë malesh mbi fshatin e quajtur Zabllaçe, ku ka qënë e vetmja rrugëz ku do të kalonin një grup i armatosur çetnikësh të Drazha Mihajloviçit....
Shqiptarët si gjithnjë, që kanë qenë trima e të guximshëm, të besës dhe të pushkës, asaj nate të errët skëterre u nisën përpjetë grykës së maleve me shkëmbinj të thepisur e të zinj, pa kurrfarë frike....Urdhëri kishte ardhur nga Komanda e Shtabit të Brigadës, i nënshkruar nga dy komandantët: Nafi Sulejmani i Manastirit (komandant Brigade) dhe Hasan Tuhini, i lindur në fshatin Tuhin të Kërçovës ( komandant Batalioni). Por, Pavlja, një oficer tjetër i kësaj Brigade dhe i këtij Batalioni, ka qënë asaj nate si oficer kujdestar, i gradës major...
,,Dhe, duke iu qasur fakteve dhe reales historike për atë që ndëdhi, se si Tekiu i Çegranit, luftëtar i ri që bënte pjesë në Batalionin e Hasan Tuhinit,
majori Pavle i bëri hile, prandaj ai edhe e vrau sipas rregullave ushtarake dhe të luftës!,,-do të thotë Bajram Krifca. Kështu flasin edhe të tjerë të cilët e mbajnë mend këtë ngjarje.
,,Po këto janë kujtime rrënqethëse në një anë dhe aq krenare për shqiptarin në anën tjetër që lartësojnë besnikërinë, burrërinë dhe trimërinë e bashkëluftëtarëve të kësaj Brigade në rrethana shumë delikate dhe të rrezikshme për shqiptarin, mbete histori ende e pashkruar plotësisht dhe realisht !,,- thotë në fillim Mazar Lena nga Struga, dhe vazhdon më tej: Majori Pavle e fliste shqipen më mirë se shqiptari, ishte nga Dibra, por i njohur si antishqiptar i hatashëm dhe kryeneç, dhe që kishte dëshirë t’i nënçmonte dhe keqtrajtonte shqiptarët-luftëtarë të kësaj Brigade me qëllime të caktuara shoviniste. Ai e kishte përgatitur skenarin për tre shqiptarët e “Rojës së vdekjes”, duke e caktuar roje Tekiun e Çegranit, Zabedinin e Zhelinës dhe një nga Rakoveci, emri i të cilit nuk më kujtohet për momentin, duke e vënë Tekiun në grykën e një shulleri shkëmbor ku do të sulmonin çetnikët dhe dy shqiptarët e tjerë anash, sipas strategjisë luftarake.
Majori Pavle ia kishte dorëzuar mitralozin Tekiut, por me municion manovrash, ndërsa dy të tjetër ishin furnizuar me municionin e duhur. “Pasi u vunë në vendin e caktuar, rrëfen Mazar Lena, Tekiu u habit disi, pasi vërejti se municioni që posedonte nuk ishte i vërtetë për të luftuar, por duke menduar: mos vallë është ndonjë gabim i rastësishëm dhe ua kishte qarë hallin dy bashkëluftëtarëve të vetë, Zabedinit dhe djaloshit nga Rakoveci.... Ata pa e bërë dysh, siç e ka zakon shqiptari në frontin e luftës ndanë prej municionit të tyre dhe i dhanë Tekiut dy gjerdanë, të cilat ky i fundit i vendosi në mitralozin e tij, duke u bërë i gatshëm për luftë në atë Rroje sipas urdhrit nga Komanda e Shtabit”, -do të thoshte Ferit Elezi, major Brigade nga Çajla.
Dhe, ndërsa vazhdonte rrëfimin Mazar Lena, ky burrë fisnik dhe i zgjuar, një enciklopedi vërtet e madhe në rrëfimet e tij mbi fatet tragjike dhe zhgënjimet e shqiptarëve, atë ditë kur e vizitova në shtëpinë e tij, u gëzua kur kuptoi se isha djali i Tekiut, sepse në fillim nuk e dinte këtë. Më përqafoi dhe, duke më thënë se a i kisha ngjarë nga trimëria babait, mua me vinte ndër mend kënga tipike e Arif Sinanit, të cilën shpesh babai im e këndonte me aq mall, me aq adhurim në odat e burrave në Çegran, kur vinin miq gjatë dimrit dhe bëhej muhabet sipas traditës....dhe pleqtë i thoshin: Aferim, të lumtë or Teki! Ndoshta ata burra si Emerlla Sallaku, Sefe Peçi e shumë të tjerë e kanë ditur përse babai im e ka kënduar këtë këngë të Arif Sinanit aq të njohur ndër shqiptarët e trevave tona.
-”Aty rreth mesnate, - vazhdon rrëfimin rrëqethës Mazar Lena, -Majori Pavle i shoqëruar edhe me dy oficerë të tjerë, pasi e kishin marrë me vete shishen me Shlivovicë, me qëllime provokuese, ishin marrë vesh që të shkonin e ta gjenin në gjumë Tekiun edhe t’ia merrnin armën, (madje, i vetëdijshëm se çfarë lloji të municionit ka, e kish bërë planin për ta tradhëtuar...) Kur u nisën përroit përpjetë hëna sapo kishte dalë gjysmë e plotë, duke bërë të mundur që tri hije njerëzish të dukeshin mirë edhe në një largësi prej 200- 250 metrash. Pavlja dhe dy oficerët që e shoqëronin ecnin duke qeshur dhe kënduar këngë serbe. Kur ishin afruan 150-160 metra (këtë e dëshmojë edhe Abdurahim Sinani nga Çellopeku si edhe Çelë Xhaferi nga Çegrani), babai im edhe pse urdhri ishte që në rast kalimi të Çetnikëve, të ndaloheshin me zjarr rrafali, (siç më tregonte edhe vetë kur unë u rrita),megjithatë babai im u ka bërtit me një zë kumbues në gjuhën serbo-kroate: “Stoj pucam”, (ndal se do të qëlloj!), ata nuk ndaluan. As që dëshironin të dijnë për thirrjen e tij ,,Stoj pucam,, - por, kanë vazhduar rrugën madje edhe duke sharë në gjuhën serbe. Babai im i habitur kishte menduar me vete: “Po këta Çetnikë, si ka mundësi të shajnë nënën shqiptare, sikur e ditkan që ne rojet jemi shqiptarë. Ai i kishte futur objektivat në shënjestrën e mitralozit, gati për të hapur zjarr...Tanimë oficeri Pavle me dy togera të tjerë do të kenë qenë tejet afër ! U kishte thirrur edhe njëherë që të ndalonin dhe menjëherë qëlloi me breshëri. Përroi u mbush me flakë, malet oshtinë nga të shtënat e rrafalit të mitralozit të rëndë, dhe bashkë me oshtimën u përzien zëra dhe rënkime: “Ne pucja, mi smo, nashi ofici... ri” (Mos gjuaj, jemi ne oficerët). Mitralozi pushoi për disa çaste, por malet ende gjëmonin nga oshëtima. Ndoshta edhe Zabllaça, fshat i afërt malor i asaj ane të Shumadisë, duhet të ishte zgjuar nga ëndrrat e pambaruara prej atyre të shtënave, të cilat trishtueshëm përplaseshin nëpër shkëmbinj theporë, të cilët formonin një kurorë të madhe përtej pellgjeve, deri në horizont. Majori Pavle dhe dy oficerët që e shoqëronin mbetën të vrarë në vend. Dhe përsëri më kujtohej kënga e Arif Sinanit, të cilën e këndon edhe sot populli: (kënga përshkruan se si komandanti serb që i urrente shqiptarët shkon t’i marrë shulin e pushkës ushtarit të ri gjatë një rasti roje, pasi e gjen në gjumë, dhe duke u kthyer te Sinani pas disa çastesh, me bindje se ai nuk ka me çka të gjuaj.Por shqiptari i shkathët për luftë dhe i mprehtë në raste të këtilla, huazon një shul pushke nga shokuushtar të cilin e ka patur afër, dhe në roje i gatshëm, e vret oficerin serb i cili i ofrohet ta kap për fyty dhe t, ia merr armën ). Edhe kjo është një histori që ka ndodhur me shqiptarët që nga “koha e Serbisë së vjetër”.
,,Ndërsa ne shqiptarët e Brigadës së Shtatë shqiptare mbetëm të zhgënjyer. Vajtën në Frontin e Sremit me flamurin shqiptar,duke kënduar për idealet tona, sepse ashtu ishte fjala, dhe u kapëm fyt për fyt me nazistët gjermanë.Por mbetëm të tradhëtuar!,,-thotë xha Lazam Rauf Rexhepi. Kujtimet dhe rrëfimet e Çele Xhaferit, Mazar Lenës nga Struga, si edhe ato të xha Abdurahimit nga Çellopeku, dhe shumë të tjerëve, të cilët kanë qenë dëshmitarë të gjallë të kësaj ngjarjeje, ishin rrëfime trishtuese për babain tim dhe për shqiptarët e batalionit të Brigadës së Shtatë Shqiptare në malet e Shumadisë. Në kujtimet e tij majori nga Çajla, Ferit Elezi shprehet: “Nisi të zbardhte agimi. Ishin mbledhur edhe shume oficerë të tjerë të Brigadës, serbë e shqiptarë, ndër ta edhe komisari politik Taip Taipi, oficeri Hasan Tuhini i Kërçovës. Komandantët serbë e malazezë kërkuan që Tekiu i Çegranit të pushkatohej ashtu i lidhur me zinxhirë! Por, luftëtarët shqiptarë, e gjithë brigada, duke e njohur majorin Pavle nga Dibra si antishqiptar të përbetuar, dhe si njeri që gjithnjë kishte provokuar shqiptarët e frontit njëzëri kërkuan që Tekiu të lirohej.....”.
,,Majori Pavle ishte shoninist i keq ndaj shqiptarëve.Nuk di si u fut ai njeri në Brigadë,por e gjeti prej Tekiut atë që kërkonte.E vrau Tekiu si në këngën e Arif Sinanit, sepse sllavi përherë e ka pasur me sherr ndaj shqiptarit, dhe atë që kërkonte e gjeti në malet e Shumadisë!,,- rrëfen shkur e qartë xha Lazam Rexhepi, babai i Abdurahmanit i cili vite e vite kaloi në Gjermani. ,,Pavlja i Dibrës i cili e fliste shqipen si oficer në Batalionin e Hasan Tuhinit, i bëri dredhi Tekiut në rastin e Rrojes së vdekjes,ku sipas një urdhëri ,,sekret,, aty do të kalonin një hordhi çetnikësh të Drazha Mihajloviqit, majori Pavle i cili i urrente shqiptarët dhe u bënmte kurthe, për Tekiun e Çegranit kishte rrezervuar dhe mitralozin e tij municion ,,qorr,,!Por me Tekiun nuk i eci kungulli mbi ujë, e vrau si qenin.Tekiu ishte sypatrembur...!- vazhdon më tej Mazar Lena .
-”Kështu kërkuan të gjithë dhe në shenjë proteste kundër pushkatimit të Tekiut në anën tonë ishte edhe komandanti i Batalionit Hasan Tuhini i Kërçovës, dhe ne i hodhëm armët në tokë që të mos luftonim mëtej në ,,spastrimin,, e bandave çetnike!” -thotë me një seriozitet në fytyrë togeri i asaj kohe Elmazi i Metës nga Çegrani ( të cilin më vonë OZN-a duke e mbajtur në survejim për motive politike, e degradoi nga grada e oficerit.UDBa gjatë tërë jetës e mbajti Elmazin në ,,listë të zezë,, sepse ideali i tij dhe i mbarë familjes së Metë Elmazit, madje edhe ajo e Iljas Hasipit, Rushan haxhi Sulë Mujës, Jamin Hasipi e të tjerë në Çegran kanë qënë ,,çerdhe,, të Balit Kombëtarë dhe formimin e Shqipërisë etnike !) Ishin breza në shërbim të vatrës, kombit dhe dijes.
Ai mëngjes mbijetese ndërlidhej me zinxhirët që kishin shtrënguar shqiptarin, në këtë rast babain tim të pafajshëm. Çdo gjë është sqaruar fill e për pe në detaje. Dëshmitarët okularë dhe ata të lidhur direkt me këtë rast ruajtën dinjitetin e tyre si shqiptarë, në atë kohë delikate kur ato struktura serbo-malazeze, apo edhe sllavo-maqedonase, ishin kundër shqiptarëve edhe gjatë viteve të luftës.
E kështu mbeti gjallë babai im.Por shpejt u plagos afër Çaçakut.Xha Lazami, të cilin babai im e kishte djalë xhaxhau, ia mban shpirtin me lëng patatesh dhe lakrash të ziera. Shpejt ndodh edhe demobilizimi i luftëtarëve të Frontit, babai im kthehet vetëm për ca net në shtëpi, dhe shpej kalon malet e Sharrit, shkoi në Shqipëri.Pak kohë qëndron në fshatin Bicaj, e madje vazhdon për në Tiranë. Atje është njohur nga afër me Haxhi Lleshin dhe Mehmet Shehun.
Kjo është një tjetër histori, për të cilën rrëfente gjatë edhe haxhi Rushan Rexhepi, madje dhe xha Shukriu dhe djali i tij Tahiri.... Në Jugosllavi u kthye në vjeshtë të vitit 1948, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Titon, në kohën e informbyrosë.Tanimë, Rankoviqi e kishte mbushur Goli Otokun me shqiptarë (Ishull i zhveshur shkëmbor mes deti në Kroaci,ndryshe i njohur si Ishulli i vdekjes!). Babai im duhej të ecte i heshtur në rrugën e jetës së tij, si njeri i provokuar dhe me shumë halle e vuajtje në skamje kurbeti si të gjithë shqiptarët e kësaj ane të Pollogut të Gostivarit, atje ku flijimi i njerëzimit ka fijet e veta, shqetësimet dhe enigmën e jetës së shqiptarit në luftë dhe orvatje të vazhdueshme për tu mbrojtur dhe pas drije nga kthetrat e OZN-ës dhe UDB-së, ai qëndroi i pathyer dhe krenar mes lindjes dhe vdekjes dhe modestinë e tij njerëzore në luftën pambarim, plotë me baticat dhe zbaticat e saj, plot me acare e stuhi të çuditshme, në ecje gjithnjë dhe në kërkim të një fati dhe lumturie në shtigjet e një filli jete duke ecur sërish mes gëzimit dhe tragjikës për një mbijetesë njerëzore të bekuar prej NËNËS dhe ZOTIT...për të mbetur gjallë !