E marte, 06.05.2025, 01:05 AM (GMT+1)

Speciale

Ryzhdi Baloku: Nga arkivi i UDB-së

E enjte, 19.05.2011, 08:01 PM


 

NGA ARKIVI I UDB-së

 

E përgatiti: Ryzhdi Baloku

 

Pjesë të shkëputura nga Libri:

 

Kujtime

Si u themelua ilegalja

ORGANIZATA PËR BASHKIMIN

E TROJEVE SHQIPTARE

 

botuar në vitin 2004 nga autorët:

Remzi Baloku dhe Ryzhdi Baloku

 

( Pos kujtimeve nga Remzi Baloku, libri përshkohet

me dokumente arkivore të: UDB-së, Gjyqtarit hetues,

Prokurorisë publike dhe Gjykatës së qarkut )

 

VEPRIMI I ILEGALES NË KOSOVË

DERI NË PERIUDHËN  E PLENUMIT TË BRIONEVE

 

Lidhur me organizimin e ilegales gjatë periudhës titiste, konsideroj se ilegalja e parë që nuk është pajtuar me copëtimin e tokave shqiptare e që ka vepruar në formë të organizuar për çlirim kombëtar është Lëvizja Nacional Demokrate Shqiptare - NDSH.  Mirëpo, pas goditjes së rëndë që kishte përjetuar kjo lëvizje me burgosje të shumta, në Kosovë linden përsëri lëvizje të reja ilegale, sepse aspiratat për çlirim të një populli, i cili e do lirinë nuk mund të shuhen kurrë.

Në periudhë kohore 1958-1964 kanë ekzistuar katër organizata ilegale, të cilat kanë qenë të përgatitura me akte pune për veprimtari ilegale e të cilat kanë pasur qëllime të njëjta por me qasje të ndryshme drejt realizimit të këtyre programeve për çlirim kombëtar, si dhe individë apo ndonjë grup në themelim që pa u konsoliduar si duhet janë zbuluar dhe burgosur, nga sigurimi shtetëror jugosllav.

Sipas mendimit dhe të dhënave që kemi, në periudhën kohore 1958-1964 janë themeluar dhe kanë vepruar organizatat ilegale si vijon:

1. Në anën e Anamoravës në vitin 1958, Metush Krasniqi e themelon ilegalen me emërtimin: “Partia revolucionare për bashkimin e trojeve etnike me Shqipërinë“ me shkurtesën  PRBTESH.

2. Në Rrafshin e Dukagjinit, gjegjësisht në Pejë në vitin 1959, Remzi Baloku themelon organizatën ilegale me emërtimin:“Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare“ me shkurtesën, Organizata BTSH.

3. Në anën e Anamoravës në vitin 1960, Kadri Halimi me Ali Aliun  e Hyrije Hanën themelojnë ilegalen me emërtimin: “Komiteti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“  me shkurtesën  KBKSH.

4. Në Rrafshin e Kosovës, gjegjësisht në Prishtinë në vitin 1963, Adem Demaçi themelon ilegalen me emërtim: “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”  me shkurtesën  LRBSH.

Të gjithë veprimtarët e këtyre organizatave, bashkërisht i kemi vuajtur dënimet nëpër burgjet ndëshkuese sllavo-komuniste, si dhe gjatë kësaj kohe jemi shoqëruar nëpër burgje si bashkësi vëllazërore gjatë tërë kohës së mbajtjes së dënimit, sepse ideali kombëtar ishte i njëjtë për të gjithë.

 

(sqarim për lexuesit: me personat e cituar më lartë,

Remzi Baloku  e ka vuajtur dënimin nëpër burgjet e ish RSFJ-së)

 

NGA ORGANI PËR PUNË TË BRENDSHME

DREJTUAR

PROKURORISË PUBLIKE TË QARKUT NË PEJË

 

Me aktvendim 02. Nr. 425 / 1. të sekretariatit krahinor (oblasni sekretarijat) për punë të brendshme, seksioni (ispostava)  në Pejë të dt. 13.04.1964, hapet procedura hetuese ndaj: Kryesit të panjohur, për vepër penale nga neni 137 dhe 139 të LP.

Natën në mes 12. dhe 13. prillit të vitit 1964 në shumë vende, të rrethit të Pejës dhe Deçanit, kryesi i panjohur ka vënë flamuj shqiptarë të ngjyrës kuq e zi ... Në Pejë në , në Novosellë (Fierzë, vr. e jonë),  në Carrabreg, në Junik. Madhësia e flamujve është 55 x 30 cm. Flamujt kanë qenë në shtiza të gjatësisë 60 cm., të cilat kanë  qenë të ngulitura të gjithat, me gozhda të    njëjtës madhësi   me  vënien e flamujve, kryesi i panjohur ka pasur për qëllim thirrjen dhe ngashënjimin e qytetarëve për ndërrim të rendit shtetëror dhe shoqëror të vendit , të krijojë pasiguri të qytetarët dhe me qëllim të keq të paraqesë gjendjen shoqëroro-politike në RSFJ, e posaçërisht ndaj jetës së shqiptarëve (në serbisht,šiptarski ?ivalj vr. e jonë)  në territor të KAKM. Me veprime të tilla të kryesit N.N ka për këtë i drejtohemi titullit për hapje të hetimeve

 

ORGANI I AUTORIZUAR

PËR PUNË TË BRENDSHME

Oroviç Milivoje

Novak  Tajiç

 

 

PROCESVERBAL MBI DËGJIM TË DËSHMITARIT

KAMBER  ARIF UKAJ

NGA ORGANI PËR PUNË TË BRENDSHME

 

I përpiluar nga organi i autorizuar  për punë të brendshme      Pejë,  me dt. 08. 06. të vitit 1964  në orën 12, sipas denoncimit ndaj dhe të tjerëve, për vepër penale të bashkimit kundër sipas nenit të pranishëm:  dëshmitari Kamber Arif Ukaj, procesmbajtës Stanisllav Todoroviç, organi i autorizuar Vllado Vignjeviç.

Kamber Arif Ukaj, nga babai Arifi, jeton në Pejë i lindur në fshatin Zallq, KK Istog, i lindur në vitin 1929, me të pandehurit i njohur, pa marrëdhënie farefisnore.

Sipas këtij procesverbali Kamber Arif Ukaj deklaron: Unë Remzi Balokun e njoh që prej tri vitesh.

(Remziu, vr, e jonë) Ka folur se si punësimi po bëhet me proteksion dhe njoftësi. Se më lehtë punësohen njerëzit prej anash se sa nga këtu   (vendorët, vr. e jonë). Më ka folur se banesa komfore marrin njerëzit me paga të larta, ndërsa punëtorët vështirë mund të marrin banesa.

...

Organizata e jonë nuk është as balliste e as fashiste, por organizata e jonë është ajo që punon për çlirimin e popullit shqiptar nga Jugosllavia dhe punon për atë që të bashkohet me Shqipërinë.

Remziu ka ardhur te shtëpia e ime dhe më këtë rast më ka thënë: “Ne e kemi për qellim ta zgjerojmë organizatën dhe sipas mundësisë ta organizosh një grup ... Grupet nuk guxojnë të dinë njeri për tjetrin, por (grupi duhet të përbëhet, vr e jonë) prej tre deri në katër anëtarë, sepse me qenë më shumë mund bëhet zbulimi i organizatës”.

 

Ia kam bërë pyetjen Remziut se a bën kështu vetëm Peja? Mu ka përgjigjur: Jo kështu punohet në tërë Kosovën (në kopjen e origjinalit në serbisht, shkruan Kosmet, vr. e jonë), bile edhe në vende tjera ku ka shqiptarë siç është Mali i Zi, Maqedonia, bile i kemi njerëzit tanë në Turqi dhe vende tjera kapitaliste, të cilët i kanë idetë të njëjta sikur se ne këtu. Nuk e kam pyetur kush janë ata njerëz në Turqi dhe vende  tjera

pas kësaj e kam njoftuar Remziun se kam biseduar me Seferin dhe se është pranuar në organizatë.

jam takuar me Remziun dhe i kam thënë: Remzi, a po e sheh që e mbajtëm mbledhjen në shtëpinë time, po e shoh se është organizatë serioze, por po më vie keq që nuk po ke besim në mua të më tregosh se kush janë të gjithë në udhëheqësi të organizatës.

Ai (Remziu, vr, e jonë) më ka thënë:  Pasi që po insiston aq shumë  (që të keshë njohuri, vr. e jonë) për udhëheqësi, atëherë do të njoftoj me një nga ... më të mirët e organizatës, i cili më herët ka punuar në një organizatë, e cila organizatë ka qenë NDSH, derisa kjo e jona është ndryshe nga ajo që ka qenë ai anëtar.  Kjo organizatë (NDSH, vr, e jonë) ka qenë kundër PKSH (partisë komuniste të Shqipërisë, vr. e jonë), ndërsa kjo e tanishmja është ndryshe, se ne kemi për qellim shkëputjen territoriale dhe çlirimin përfundimtar të popullit shqiptar dhe pas shkëputjes bashkangjitjen Shqipërisë, e që do të vendoset me votë të lirë se çfarë regjimi do të jetë.

Pastaj më ka thënë:  Eja nesër pas dite  aty nuk do të jetë askush pos atij me të cilin do të njoftoj, për të cilin tani të kam folur.

aty e kam pa, për mua njeriun e panjohur, për të cilin Remziu më ka thënë se është Sylë Shala, për të cilin të kam folur se është një ndër më të mirët ndërsa atij- Sylë Shalës i ka thënë për mua, ky është Kamber Ukaj për të cilin të kam treguar.

të nesërmen kanë ardhur te unë Remziu, Sylë Shala, dhe udhëheqësi i organizatës së fshatit Loxhë

Atë njeri nuk e njoh, është dukur kështu: I vjetër rreth 30 vjeçar, i gjatë, i zhvilluar mirë, as gështenjë e as zeshkan, mustaqet i ruan, sikur ta shoh  kisha me e njohur, pas kësaj mbledhjeje, me te jemi pa dy tri here në qytet, por nuk jemi takuar vetëm se i jemi lajmëruar njeri tjetrit.

 me këtë rast Remziu më ka thënë: Duhet ta paguash anëtarësinë për organizatë. Paraja nga anëtarësimi i grumbulluar është i nevojshëm për shpenzime të udhëtimit dhe furnizim me material 

Remziu përsëri e ka caktuar një mbledhje të cilën është dashur ta mbajmë në shtëpi të Seferit Me propozim të Remziut që unë jam pajtuar, mbledhjen e kemi mbajtur në shtëpinë time. Në këtë mbledhje kemi qenë prezent: Unë, Remziu, Sylë Shala dhe Seferi.

Me këtë mbledhje ka udhëhequr i përmenduri Remziu, kështu që me këtë rast e kemi lexuar Programin e organizatës në tërësi, si dhe Statutin e organizatës, për këtë kemi qenë të detyruar ta lexojmë sepse në mbledhjet e mëhershme e kemi ndërprerë leximin. Në këtë mbledhje ka folur Remziu dhe Syla

Remziu ka thënë se e ka pasur për detyrë që të takohet në Prishtinë me personin nga Turqia se çka ka folur me të nuk na ka treguar, por besoj se Sylë Shala rreth kësaj është i njoftuar detajisht. Remziu e ka potencuar edhe atë se me këtë turist nga Turqia është takuar edhe dikush nga Prishtina dhe se kanë biseduar për punën e organizatës, por nuk e ka përmendur asnjë emër që ka prezantuar në këtë mbledhje.

Seferi ka ardhur në të njëjtin moment pas ndarjes prej Remziut dhe unë ia kam dhënë materialin  të cilin Remziu ma ka lënë.

Në kohën prej 7 deri 10 maj, në mbrëmje ka ardhur te shtëpia e ime Remziu dhe më ka thënë: Unë dua ta sjellë te shtëpia e jote një pushkë I kam thënë se lirisht mund ta sjellë Remziu ka ardhur dhe e ka sjellë një pushkë të shkurtër italiane e vetëm e ka potencuar se të njëjtën duhet ta fsheh dhe se shpresojmë se do të marrin pushkë të gjithë anëtarët e organizatës që të armatosen.

një ditë Seferi ka ardhur tek unë dhe më ka thënë se Remziu përsëri po kërkon ta mbajmë mbledhjen, gjegjësisht që Seferi të shkojë në Mitrovicë të Kosovës që sipas mundësisë atje të organizojë një  grup

në këtë mbledhje unë (Kamber Ukaj, vr. e jonë) i pari iu kam drejtuar Sylë Shalës dhe i kam thënë se unë nuk e kam lënë Seferin me shkua në Mitrovicë të Kosovës derisa nuk e marrim vesh se më kënd ka lidhje organizata e jonë në Kosovë dhe në Shqipëri. Syla më ka thënë për disa udhëheqës  të cilët gjenden në Gjakovë dhe Prishtinë që Remziu i ka lidhjet, sikurse që para disa ditësh, që ka qenë në mbledhje në Gjakovë, mirëpo të gjithë ne nuk duhet ditur secilin që është në organizatë.

Kur kam pyetur pse Seferi duhet të shkojë në Mitrovicë të Kosovës dhe atje t’i organizojë njerëzit, kur atje në organizatë ka njerëz më të aftë se ky (Seferi, vr. e jonë), Remziu e ka marrë fjalën nga Syla dhe mu ka drejtuar: “Detyra është e tillë që ne nga këtu t’i organizojmë njerëzit atje, ndërsa ata nga atje këtu te ne, në mënyrë që mos të vije deri te zbulimi i organizatës, qoftë te ne e qoftë atje, në mënyrë që mos të zbulohet e gjithë anëtarësia, që kjo është taktika e jonë e quajtur cik cak“. Në këtë mbledhje kam kërkuar nga Syla të ma sqarojë se ku është selia e të gjitha organizatave, udhëheqësia dhe se çfarë lidhjesh kemi me Shqipërinë. Në këtë Syla mu ka përgjigjur  këtë nuk mund ta dijë secili në pyetjen time se ku ka qenë, më ka thënë nuk është me rëndësi, por se ka qenë jashtë Peje dhe atë në Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren dhe se këto i ka vizituar për tri ditë. Pastaj Remziu ka thënë: pasi që ke ngulur këmbë që t’i tregojmë te gjitha, atëherë duhet ta dish se kemi njerëz të rrethit të ngushtë në Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prishtinë dhe vende tjera. Si Syla ashtu edhe Remziu kanë qenë për atë që mos me tregu se kush janë kryesorët nëpër qytet e cekura. Syla më ka thënë që anëtarësinë ta armatosim dhe kur të vië urdhri ne të parët me pushkë në dorë duhet të çohemi në kryengritje.

Syla më ka thënë se puna e jote do të tregojë se sa duhesh të kesh njohuri më vonë për atë që je duke pyetur, apo jo.  Remziu deshi diçka të thotë, por  Syla e ndërpreu dhe na u drejtua mua dhe Seferit unë (Sylë Shala, vr. e jonë) kam qenë i dënuar me 15 vite (10 vite, vr. e jonë)  burg, sepse kam punuar për çlirimin e trojeve tona edhe përkundër tërë atyre mundimeve që i kam përjetuar në burgun hetues dhe mbajtjen e dënimit në SHNP (në origjinalin serbisht KPD, vr. e jonë) në Nish, kam qenë 6 muaj në vetmi dhe përsëri tani po punoj dhe jam i bindur në organizatën tonë Sikur mos ta kisha bindjen në organizatën tonë që do vijmë deri te qëllimi dhe çlirimi, nuk kisha me iu përveshur kësaj pune, unë edhe pse jam i vjetër punoj jo vetëm për vete, por për ju dhe fëmijët e mi.

E potencoi se pushkën për të cilën e kam cekur më lart gjendet në tavan të shtëpisë sime, që e kam lënë atë ditë kur Remziu ma ka sjellë.

...

Procesverbali më është lexuar dhe e pranoj si deklaratë time, sepse në të, janë përfshirë të gjitha fjalët e mia që saktësisht janë regjistruar.

 

DËSHMITARI

Kamber Arif Ukaj

 

PROCESMBAJTËS          I AUTORIZUARI I ORGANIT HETUES

Stanisllav Todoroviç                        Vllado  Vignjeviç

 

 

PROCESVERBAL MBI MARRJE NË PYETJE TË PANDEHURIN

SYLË SHALA

NGA ORGANI PËR PUNË TË BRENDSHME

 

I përpiluar nga organi i autorizuar  për punë të brendshme    Pejë, me dt. 08 qershor 1964  në ora 15, në bazë të veprës penale të bashkimit kundër sipas neni të pranishëm: i pandehuri Sylë Shala, procesmbajtës Bozhidar Tajiç, ndërsa në vazhdimin e procesit procesmbajtës Jashoviç Maksim, Organi i autorizuar  Oroviç Milivoje.

Sylë Shala, nga babai Pajazit Shala, nëna Raze (Loxha) i lindur në Pejë me 1911, me kombësi shqiptar, nënshtetas RSFJ, i martuar babë i tre fëmijëve, i moshës madhore, në vitin 1950 i dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Qarkut në Pejë,  gjegjësisht në Prishtinë për shkak të organizimit në NDSH. Gjendet në paraburgim nga dt.  8  qershor 1964.

Sipas këtij procesverbali Sylë Shala deklaron: në vitin 1958 jam lëshuar nga burgu Kur e kemi përfunduar mbajtjen e dënimit, nga Nishi kemi ardhur së bashku me Osmon Balokun, axhën e Remzi Balokut, i cili ka qenë me mua në vuajte të dënimit, ku Remziu në stacion hekurudhor kishte dalë për ta pritur Osmonin

Pas kësaj, sa here që kam kaluar aty pari jam kthyer në punëtori te Remzi Baloku.

Nuk më kujtohet data Remzi Baloku më ka thënë se dëshiron me bisedue në besë për formimin e një organizate ilegale e cila kishte me veprue kundër Jugosllavisë e në favor të Shqipërisë. Lidhur me këtë më ka folur se shqiptarët (e shkruar në serbisht šiptari, vr. e jonë) nuk kanë kurrfarë të drejta, shqiptarëve iu bëhen shumë padrejtësi, iu  caktohen tatime të larta, shqiptarët nuk i punësojnë por i punësojnë vetëm serbët e malazezët, se stipendionet për shkollim nuk iu japin shqiptarëve, por vetëm serbëve e malazezëve e në realitet ishte dashtë me qenë 10:1 në favor të shqiptarëve sepse janë shumicë në Kosovë (në kopjen origjinale në serbisht është e shënuar Kosmet, vr. e jonë)   se duhet sa më shumë shqiptarë të përfshihen në organizatë në mënyrë që të kenë mundësi të luftojnë për të drejtat e veta dhe një ditë Kosovën ta bashkojmë me Shqipërinë

më ka thënë se i nevojitet përvoja ime nga veprimtaria ilegale dhe se nuk do të më ngarkojë shumë me detyra dhe duke ia njohur familjen e kam ditur se nuk do të më tradhtojë kam pranuar që ta vazhdojmë punën e të veprojmë në organizimin e ilegales do të quhet: Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare, e të udhëhiqet  sipas principeve nga vendimet e Lidhjes së Prizrenit, të kohës së perandorisë turke

procesverbali më është lexuar dhe nuk kam çka të shtoj dhe në tërësi e pranoj për timin.

 

I PANDEHURI

Sylë Shala

PROCESMBAJTËSI        I AUTORIZUARI I ORGANIT HETUES

Jashoviç  Maksim                                Milivoje Oroviç

 

 

PROCESVERBAL MBI MARRJE NË PYETJE TË PANDEHURIN

RAMADAN SHALA

NGA ORGANI PËR PUNË TË BRENDSHME

 

I përpiluar nga Organi i autorizuar  për punë të brendshme      Pejë, me dt. 8 qershor  1964  në ora 16 , në bazë të veprës penale të bashkimit kundër sipas neni të pranishëm: i pandehuri Ramadan Shala,  procesmbajtës  Jashoviç Maksim, organi i autorizuar Oroviç Milivoje.

Ramadan Shala, nga  babai  Abdurahman  Shala,  nëna  Habibe (Gashi) i lindur në Pejë me 1935, me kombësi shqiptar, nënshtetas RSFJ,  i  pamartuar,  i  moshës  madhore,  gjendet   paraburgim nga  dt. 7 qershor 1964.

Sipas këtij procesverbali Ramadan Shala deklaron: Nuk me kujtohet saktësisht data, ka qenë diku kah fundi i muajit tetor të vitit 1963, kur një ditë derisa e kaloja rrugën, me ftoi në punëtorinë e vet Remzi Baloku nga Peja dhe me këtë rast gjatë bisedës më ka treguar se e ka organizatën ilegale e cila po punon kundër rendit ekzistues në Jugosllavi. Atëherë ma sqaroi se këso organizatash ekzistojnë çdo kund në Kosovë ( në kopjen origjinale në serbisht është e shënuar Kosmet, vr. e jonë ) në Gjakovë, Prishtinë, Prizren dhe vende tjera. Me këtë rast Remziu me ofroi që bashkërisht të bashkëpunojmë në këtë veprimtari ilegale. Unë menjëherë nuk kam pranuar të bashkangjitem në këtë punë me Remziun, megjithëse ia kam bërë me dije se jam i pakënaqur me padrejtësitë që po iu bëjnë shqiptarëve.

Një ditë, pas disa ditësh, jam gjetur me Shefqet Deçanin, referent juridik në NGB ”Rilindja“, përndryshe nga Peja, me të cilin njihemi nga fëmijëria, e më të cilin kam qëndruar në marrëdhënie të ngushta shoqërore dhe më këtë rast i kam treguar se kam vënë kontakt me një zejtar nga Peja, i cili më ka treguar se e  ka organizatën ilegale për çka më ka ofruar të bashkëpunoj me te në veprimtarinë ilegale.

Shefqetit nuk ia tregova emrin e Remziut, veç i kam thënë se është në pyetje një zejtar serioz. Me këtë rast i kam thënë Shefqetit, që ky zejtari më ka ofruar që t’i bashkangjitem organizatës së tij dhe njëherit më ka pyetur mos kam ndonjë shok pas veti që do t’i bashkangjitet organizatës së tij. Më tutje i kam thënë Shefqetit se e ke të ditur gjendjen time lidhur me punësim, që vazhdimisht më përndjekin dhe se e kam humbur të drejtën për punësim dhe se për këto arsye kam vendosur t’i bashkangjitem atij zejtarit në organizatë, pa makar të nesërmen të burgosem.

Më tej i kam thënë: “Ti si të duash, sepse konsideroj se nuk duhet ta sugjeroj se a të bashkangjitesh në këtë organizatë apo jo, sepse ti e di situatën më mirë se unë, sepse ndoshta jeta e jote nuk është e rëndë si e imja, sepse jo gjatë do të kesh funksion dhe pagë, do të martohesh dhe do të kesh familje“.  Lidhur me këtë prononcim timin Shefqeti më ka thënë se duhet të jem i kujdesshëm në këtë iu kam përgjigjur se ky njeri nuk tradhton dhe se bukur mirë po i njeh gjërat.  Shefqeti atëherë më ka thënë: “Mirë Ramadan, ti përsëri fol me atë njeri, pyete për ndonjë gjë, vëzhgoje punën e tij dhe konstato se a është stabil. Mos i premto që do t’i bashkangjitesh organizatës së tij, ndërsa për mua mos i fol asgjë. Për të gjitha këto me ndonjë rast tjetër mundemi gjerësisht për të biseduar dhe me u marrë vesh“.

Më një bisedë që kam pasur me Remziun, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit të vitit 1963, Remziu më ka pyetur se a kam grup timin dhe rastësisht mos i takoj grupit të Esat Myftarit, student nga Peja, i cili më parë ka ikur në Shqipëri. Iu kam përgjigjur se me Esatin nuk kam qenë në lidhje dhe se për grupin e tij nuk di asgjë, atëherë  Remziu me ka treguar për Esatin se si ka ardhur në kontakt, që Esati është shumë i zgjuar, i mençur dhe se nga ai ka kërkuar të jenë në lidhje e të bashkëpunojnë në veprimtarinë ilegale.

Ato ditë kam rënë në kontakt me Ahmet Zekën student nga Peja, me të cilin shpesh kamë qenë në shoqëri, e për të cilin e kam ditur se është i pakënaqur, kështu që i kam treguar për kontaktin  me  zejtarin   ( fjala është për Remzi Balokun me emërtim konspirativ - Zejtari, vr. e jonë ) nga Peja, i cili ka kërkuar të inkuadrohem në organizatën e tij ilegale

 

 

Hysen Dacin, orëndreqës nga Mitrovica e njoh nga fëmijëria, kemi qenë shokë shkolle

Hyseni më ka treguar për ekzistimin e organizatës ilegale në Mitrovicë, Prishtinë ka kërkuar të lidhem e të njihem me Adem Demaçin nga Prishtina, i kam treguar për lidhjen që e kam me njeriun në Pejë dhe nëse me autorizon organizata gjegjësisht ai njeri (Remziu, vr. e jonë) do të vijë në bisedime

Pas largimit të Hysen Dacit e kam njoftuar Remzi Balokun për arsyen e ardhjes së Hysenit në Pejë, kështu që Remziu më ka thënë se në emër të organizatës duhet të shkoj në bisedime me Demaçin. Remziu më ka thënë se çka duhet t’ia transmetoj Demaçit, duke ma përmendur se organizata në Pejë e posedon programin e vet

...

Lidhur me program i kam thënë Shefqetit se zejtari për të cilin është fjala e posedon programin , për grupet ilegale në Mitrovicë  të Kosovës  dhe Prishtinë i kam thënë se nuk kanë program, prandaj me kanë thirrë në bisedime me Adem Demaçin.  Në këtë Shefqeti tha se ka dëgjuar për Ademin, e rastin e mëhershëm të tij dhe shtoi se nuk e beson se ai njeri përsëri do të përzihet në punë të tilla. As me këtë rast Shefqeti nuk më ka thënë konkretisht që po pranon për tu bashkangjitur në veprimtarinë ilegale, e as që më ka sugjeruar që mos ta pranoj atë punë, vetëm se me këtë rast  e ka përsëritur për atë që më herët më ka folur që të jem i kujdesshëm dhe që mirë ta shqyrtoj situatën te zejtari në Pejë për Ademin me ka thënë se është i zgjuar dhe i mençur.

  në Mitrovicë në shtëpi të Hysen Dacit është mbajtur mbledhja ku kanë qenë prezent: Adem Demaçi, Venhar Mustafa, Hysen Daci dhe unë (Ramadan Shala vr. e jonë). Demaçi ia ka filluar bisedës duke thënë që ata në Prishtinë dhe Mitrovicë i kanë organizatat ilegale që luftojnë për bashkimin e shqiptarëve dhe se është i njoftuar që edhe në Pejë ekziston organizata ilegale, prandaj me ka ftuar që ta informoj se për çfarë organizate bëhet fjalë emrin e Remzi Balokut nuk ia kam përmendur, megjithatë Demaçi me pyeti, Remziu a është njeriu i ynë.  Për të më tha se ka qenë në Prishtinë e Mitrovicë që të takohen për një bisedë, meqë nuk kanë mundur të takohen, ia ka lënë porosinë që të shihen në Pejë me parullën “ Shpëtimi “.

Demaçi përmes meje është interesuar për program të organizatës sonë në Pejë    I njoftova se organizata ekziston në Pejë dhe vende tjera të Kosovës dhe se organizatën e përbëjnë njerëzit e besueshëm, që më herët janë zbuluar dhe burgosur si anëtarë të organizatës NDSH.

Nga biseda e ime, të pranishmit kanë ardhur në konkludim se qëllimet i kemi të njëjta dhe se nuk ka pengesa për bashkim të organizatave. Unë atyre iu kam thënë se jam i autorizuar që t’iu propozoj që organizata e tyre t’i bashkangjitet organizatës së Pejës,  meqë ajo në shumë vende të Kosovës veç vepron në bazë të programit

ata ishin të pajtimit me dëshirë që ta shqyrtojnë, plotësojnë dhe ndryshojnë programin Diskutimi i im i befasoi në kuptim, që organizata në Pejë është e fuqishme, masovike me funksionim të bukur

të nesërmen kam shkuar për Prishtinë. Atje së pari jam takuar me Selahudin Dacin të cilin e kam njoftuar me përmbajtjen e mbledhjes Të njëjtën ditë jam takuar me Shefqet Deçanin edhe këtë e kam njoftuar detajisht për bisedimet me Adem Demaçin në fund Shefqeti më ka këshilluar që të jem shumë i kujdesshëm për të gjithë këta me të cilët kam pasur bisedime

Me të arritur në Pejë e kam njoftuar në detale Remziun për përmbajtjen e bisedave me Adem Demaçin

Një ditë e kam takuar Ahmet Zekën edhe atij i kam shpjeguar se jam lidhur me përfaqësuesit e organizatave ilegale në Prishtinë dhe Mitrovicë I thash koha është të bashkangjitesh, me tha se do të konsultohet me një shok të vetin. Pasi që e kam ditur se Ahmeti vazhdimisht shoqërohet me Ejyp Kastratin, e kuptova se për këtë do të merrët vesh me Ejypin.

në nëntor të vitit 1963 kam shkuar në Prishtinë dhe përmes Selahudin Dacit jam takuar me Adem Demaçin në banesën e tij. Aty ishte prezent edhe Selahudini, ku diskutuam për organizata dhe për nevojën e një mbledhjeje të përbashkët të të gjithë përfaqësuesve në të cilën mbledhje do të zgjedhet kryesia e përbashkët  

lidhur me këto propozime Remziu nuk është pajtuar

në nëntor të vitit 1963 jam takuar për herë të tretë me Adem Demaçin. Në këtë takim Adem Demaçi me ka ftuar përmes Selahudin Dacit, i cili në biseda ka qenë prezent edhe me këtë rast nuk kemi mundur ta definojmë formimin e një kryesie të përbashkëtnë këtë takim kemi biseduar shtruar për qëllimet e organizatave tona

Selahudin Daci me tha se vitin e ri do ta presim bashkarisht me një shoqëri  në Prishtinë me 31 dhjetor të vitit 1963   kemi shkuar të kushëriri i Ademit i quajtur Ahmet me profesion zejtar. Ademi me tha me personat qe do t’i takoj do të më prezanton me emrin (konspirativ, vr. e jonë) Sahiti nga Gjilani, me qëllim që mos ta dinë emrin tim të vërtetë, sepse kështu ka qenë principi i veprimtarisë sonë.

Këtu ishin prezent rreth 10-15 persona e kemi dëgjuar radio Tiranën

Kah fillimi i muajit janar të vitit 1964, jam kthye në punëtori të Remzi Balokut dhe nga ai kam kërkuar të ma japë programin i cili ka qenë i shkruar me laps kimik. Në këtë program ka qëndruar që organizata e tyre do të luftojë për krijimin e republikave etnike shqiptare ... që ( territori shtetëror, vr. e jonë ) do të quhet “ ILIRIA “. Pasi e kam lexuar këtë program i kam thënë Remziut se ky program asgjë nuk vlen, sepse në të flitet edhe mbi lidhjen e komiteteve më reaksionare në emigracion, me ç’rast i kam thënë që organizata e jonë nuk duhet të ketë simbole të organizatave ilegale të mëhershme siç ka qenë NDSH për çka më herët e kemi arritur pajtueshmërinë.

Kah fundi i janarit të vitit 1964 një ditë kam shkuar në Prishtinë, ku paraprakisht jam takuar me Selahudin Dacin dhe bashkërisht kemi shkuar te Adem Demaçi në shtëpi i kam treguar se programi që e posedon Remzi Baloku asgjë nuk vlen me çka Ademi ka thënë se do ta përpilojmë një program pastaj i ka nxjerrë disa teza të cilat i kishte përgatitur për përpilim të programit në bazë të diskutimeve tona të mëhershme dhe konform me këtë, këto teza na i lexoi.  Këtu jemi marrë vesh që Ademi të vije në Pejë dhe bashkërisht ta përpilojmë programin.

Për këtë qellim Ademi ka ardhur në shtëpinë time me 27 janar të atij viti, të cilin e kam pritur në stacion hekurudhor në Pejë. Në shtëpinë time ka mbetur deri me 30 ose 31 janar të atij viti,  për të cilën kohë e kemi përpiluar programin tërësisht. Programin e ka shkruar Adem Demaçi personalisht në bazë të tezave që i kishte sjellë me veti dhe në bazë të diskutimeve tona të mëhershme.

Unë i kam ndihmuar vetëm me rastin e llogaritjeve të përqindjeve të cilat bazoheshin në ekonominë tonë, punësim dhe çështje tjera në Kosovë (në origjinal shkruan Kosmet, vr. e jonë), të cilat janë inkorporuar në program. Kam qenë prezent gjatë gjithë kohës së përpilimit të programit kështu që derisa ai e përpilonte programin unë e bëja përshkrimin

në janar të vitit 1964 kam bërë biseda me Ejyp Kastratin për me u bashkangjitur në organizatë , Ahmet Zekën , Selahudini me ka thënë se Mehmet Krasniqi është i mirë dhe i sigurt për çka Mehmeti  është deklaruar se është për qëllime të njëjta dhe ka pranuar të punojë me mua e Selahudinin.

në muajin shkurt të vitit 1964 e kam njoftuar Remziun për përpilimin e programit që e kemi shkruar në shtëpinë time ai ka kërkuar të ia jap këtë program, por unë nuk kam pranuar, por e kam ftuar në park të madh me ç’rast  ia kam lexuar.

në muajin shkurt të vitit 1964 Remziu më ka thënë që duhet të ndërmerret ndonjë aksion për ngritjen e flamujve dhe shkruarjen e parullave. Po gjatë  këtij muaji kamë shkuar te Adem Demaçi, kemi diskutuar rreth këtyre aksioneve dhe kemi ardhur në përfundim që ende është herët për këto aksione që këtë ta lëmë për më vonë.

në muajin mars të vitit 1964 ka ardhur deri të një takim në mes meje Remziut dhe Sylë Shalës te baseni i ri ( i madh vr. e jonë ) në Karagaq. Deri atëherë Sylë Shalën e kam njohur vetëm nga të pamurit. Atë ma ka prezantuar Remziu me fjalët: “Qe ky është ai që i takon organizatës sime. Ky është i mirë dhe njeri i sigurt dhe ky ka përvojë të madhe në veprimtarinë ilegale, sepse më herët ka qenë i dënuar me 10 vite burg të rëndë për pjesëmarrje në veprimtarinë ilegale të NDSH. Unë këtij i kam treguar për të gjitha bisedat prandaj me atë për të gjitha mund të bisedosh”.

Në këtë takim i cili ka zgjatur rreth një orë më së shumti kemi diskutuar lidhur me programin e ri të cilin e kemi përpiluar Adem Demaçi dhe unë. Unë iu kam thënë se veprimtaria e jonë nuk duhet të jetë sikurse ka qenë më herët veprimtaria e organizatës NDSH, por veprimtaria e jonë duhet të mbështetet në principet socialiste. Syla dhe Remziu e kanë kërkuar nga unë programin që ta përpunojnë me anëtarë të vet. Kanë kërkuar të dinë se kush i takon grupit tim, për çka iu kam përgjigjur se nuk mund t’iu tregoj. Atëherë më kanë thënë se e dinë se organizatës sime i takon Ahmet Zeka me grupin e vet. Iu kam përgjigjur me fjalën “ ndoshta “. Pas këtij takimi unë ia kam dorëzuar programin Remziut i cili ka qëndruar te ai rreth 20 ditë siç e kam shpjeguar më herët.

në muajin mars të vitit 1964 përsëri ka ardhur deri te takimi në Prishtinë mes meje dhe Adem Demaçit ku ka qenë prezent Selahudini. Në këtë takim kemi vendosur mbi përgatitjet për ndërmarrje të aksionit të vënies së flamujve për këtë takim e kam njoftuar Shefqet Deçanin

...

me 1 prill të vitit 1964 në punëtori  ( të Rrobaqepësisë vr. e jonë ) e  kam takuar   Remziun me Sylë Shalën, ku më kanë thënë se flamujt nuk do t’i qepin sepse ky aksion nuk është ndërmarrë kur ata kanë propozuar më herët, sepse veten e njohin si organizatë më të vjetër

siç iu kam shpjeguar edhe më herët paratë për blerje të geshtetnerit  Remzi Baloku mi ka dhënë 15.000 dinar, ndërsa unë i kam shtuar nga paratë e mia 1.200  dinarë.

ato ditë kam biseduar lidhur me flamuj me Remzi Balokun e Sylë Shalën dhe më kanë thënë se ka pasur jehonë të madhe në popullatë.

me 24 maj të vitit 1964, pas dite e kemi mbajtur një takim te baseni i ri ( i madh vr. e jonë ) në Karagaq ku ishin prezent: Selahudin Daci, Mehmet Krasniqi, Ejyp Kastrati dhe unë (Ramadan Shala, vr. e jonë). Ky takim ka pasur për qellim formimin e komitetit vendor (të LRBSH, vr. e jonë)  për Pejë atë ditë nuk e kemi formuar komitetin vetëm kemi bërë propozime

...

Para këtij takimi kam bërë biseda me Remzi Balokun dhe Sylë Shalën në punëtorinë e Remziut e kam pyetur Remziun se a është i gatshëm me e delegue një nga anëtarët e vet në komitetin vendor që do të themelohet. Mu ka përgjigjur me kusht është i gatshëm që personalisht të inkuadrohet në kryesinë e përbashkët në Prishtinë. Në këtë iu kam përgjigjur se kjo kryesi ende nuk është formuar.

Me këtë e kam shpjeguar në tërësi veprimtarinë time

Më tepër nuk kam çka të them

 

Procesverbali është diktuar me zë në praninë time dhe në të kanë hyrë të gjitha fjalët e mia, e që tërësisht e pranoj për timin.

 

I PANDEHURI

Ramadan Shala

 

PROCESMBAJTËSI      I AUTORIZUARI I ORGANIT HETUES

Jashoviç  Maksim                           Milivoje Oroviç

 

 



(Vota: 47 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Indrit Vokshi: Periudha e sundimit osman dhe islamizimi i shqiptareve Brahim Avdyli: Bazat e mërgatës shqiptare në Zvicër Ryzhdi Baloku: Fragment nga libri ''Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare'' Xhemaledin Salihu: Presheva në lëvizjen kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Brahim Avdyli: Gjurmët e para shqiptare Ryzhdi Baloku: Lëshoje të jetojë me vuajtje Robert Goro: Enver Hoxha, e shiti apo nuk e shiti Kosovën Idriz Lamaj: Rinia Shqiptare në Mërgim Mehmetali Rexhepi: Në përvjetorin e 30-të të Demostratave të Vitit 1981 Avzi Mustafa: Shkollat fetare private në Gostivar e rrethinë ndërmjet dy luftrave botërore Ryzhdi Baloku: ''Dora e zezë'' vriste përditë Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Agron Shabani: Pushteti, kapitali, kariera, profesioni dhe "lehtësia e padurushme" e shtetit ligjor dhe demokratik (II) Brahim Avdyli: Lidhja e kombeve dhe çështja shqiptare Ibrahim D. Hoxha: Himara në rrjedhën e historisë dhe gurgulêja bollanoíste Fotaq Andrea: Dora d’Istria - Princeshë e kulturës evropiane Nafi Çegrani: UDB-ja dhe emigracioni shqiptar Gjekë Gjonaj: Kontributi i trieshjanëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe Agron Shabani: Pushteti, kapitali, kariera, profesioni dhe "lehtësia e padurushme" e shtetit ligjor dhe demokratik. . .

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx