E hene, 05.05.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Speciale

Ryzhdi Baloku: Nga arkivi i UDB-së (II)

E shtune, 11.06.2011, 08:03 PM


Ryzhdi BALOKU:

 

NGA ARKIVI I UDB-së ( II.)

 

Pjesë të shkëputura nga libri: Kujtime, Si u themelua ilegalja

 

ORGANIZATA PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

 

botuar në vitin 2004 nga autorët:

Remzi Baloku & Ryzhdi Baloku

 

(Pos kujtimeve nga Remzi Baloku, libri përshkohet me dokumente arkivore të: UDB-së, Gjyqtarit hetues, Prokurorisë publike dhe Gjykatës së qarkut )

 

RRETHANAT QË NDIKUAN  NË THEMELIMIN  E ORGANIZATËS ILEGALE PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE

Rrethanat në vitet e pesëdhjeta ishin shumë të rënda. Pushteti jugosllav kishte vënë në kontroll çdo pore të jetës. Kontrollonin çdo veprim të popullatës shqiptare, mirëpo synim kryesor i tyre ishte vënia e kufijve jo vetëm fizikë por edhe shpirtërorë, në mes të pjesëve të ndara të një populli.

Sundimi nën regjimin komunist serb të Jugosllavisë ishte i tillë, ku nuk guxohej as të përmendej emri Shqipëri, nuk guxohej të dëgjohej radio Tirana, ishte privuar  e drejta e përdorimit të flamurit shqiptar, shumica e gjeneratave të reja nuk dinin as  si dukej flamuri, e si tingëllon himni kombëtar.

Në ato shkolla ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, pjesa dërmuese e lëndëve mësimore, mësohej në gjuhën serbo-kroate.

Në shkolla nuk lejohej të mësohej historia e popullit shqiptar, nuk lejohej të lexoheshin libra të shkrimtarëve nga  Shqipëria, madje nuk lejohej të dëgjohet as muzika e kompozitorëve të Shqipërisë.

Me qëllim të realizimit të planeve serbomëdha, ishte detyrim i dhunshëm që shqiptarët të regjistrohen si turq.

Përveç këtyre torturave shpirtërore dhe burgosjeve të nxënësve, studentëve etj. U zhvilluan aktivitete në varfërimin permanent nëpërmjet mospunësimit, e sidomos mospunësimit në institucione shtetërore.

Sa më shumë që shtohej tortura aq më shumë ngritej vetëdija e gjeneratës së  re, siç thotë një fjalë e urtë popullore “zullumi këputet prej së trashi“ dhe shtohej guximi dhe vetëbesimi për organizimin e qëndresës gjithë popullore.

Rezultat i kësaj rezistence ishte formimi i organizatave ilegale, të cilat vepronin me platforma të qarta, pa marrë parasysh sakrificat dhe viktimat që mund të ngjanin në këtë aktivitet.

Pas goditjes së rëndë që kishte përjetuar lëvizja e NDSH, me burgosje të  shumë anëtarëve të saj, me ristrukturim të qëndresës së patriotëve shqiptarë të Kosovës, lindën përsëri lëvizjet e reja rezistuese. Pra në këto rrethana lindi ilegalja: Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare, me shkurtesën organizata  BTSH.

 

PROCESVERBAL MBI MARRJE NË PYETJE TË PANDEHURIN

AVDYL  SHALA

NGA ORGANI PËR PUNË TË BRENDSHME

 

I përpiluar nga Organi i autorizuar për punë të brendshme në Pejë, me dt. 10 qershor 1964 në ora 18, në bazë të veprës penale të bashkimit kundër sipas nenit të pranishëm: i pandehuri  Avdyl Shala, procesmbajtës Jashoviç Maksim, organi i autorizuar  Oroviç Milivoje.

Avdyl Shala, nga babai Asllan Shala, nëna Cyme (Thaqi) i lindur në fshatin Loxhë KK Pejë me 1933, me kombësi shqiptar, nënshtetas RSFJ, i martuar babë i një fëmije, i moshës madhore, gjendet në paraburgim nga dt. 10. 06.1964.

Sipas këtij procesverbali Avdyl Shala deklaron:  një ditë në verë të vitit 1963 e kam takuar Zeqë Shalën i cili më ka pyetur se a dëshiroj t’i bashkangjitëm organizatës ilegale e cila është formuar në fshatin Loxhë, e cila do të luftojë kundër Jugosllavisë e kemi ndërprerë bisedën dhe unë atëherë kam shkuar në mulli.

Të njëjtën ditë në mbrëmje kanë ardhur te shtëpia ime: Zeqë Shala, Rexhep Shala dhe Vesel Rexhepaj, që gjatë bisedës më kanë bindur të inkuadrohem me ta në organizatë dhe unë kam pranuar të inkuadrohem në organizatën ilegale.

në mbledhjen e parë nuk kam shkuar.

Zeqë Shala më ka shpjeguar lidhur më këtë mbledhje dhe më ka thënë se aty ka qenë prezent Remzi Baloku, të cilin atëherë nuk e kam njohur. Atëherë Zeqa më ka thënë se organizatën tonë e ka formuar Remzi Baloku ma ka lavdëruar Remziun dhe më ka thënë se Remziu është i mirë, i mençur dhe i ndershëm.

Nuk më kujtohet data, diku kah mesi i verës së vitit 1963, një ditë më ka ftuar Vesel Rexhepaj që të shkoj në mbledhje të organizatës ilegale Atje kam shkuar para se të errësohej dhe i kam takuar: Xhemajl Shalën, Rexhep Shalën dhe Vesel Rexhepajn. Me mua në këtë mbledhje ka ardhur edhe Fetë Shala

mbledhjen e ka hapur Vesel Rexhepaj ose Rexhep Shala, por tani nuk po më kujtohet se cili nga ata të dy e ka propozuar rendin e ditës:

tani saktësisht nuk po më kujtohet se cili nga ata të dy e ka udhëhequr mbledhjen

Kah fundi i verës së vitit të kaluar, përsëri kemi mbajtur mbledhje kanë qenë prezent: Remzi Baloku, Vesel Rexhepaj, Rexhep Shala, Xhemajl Shala, Fetë Shala dhe unë (Avdyl Shala, vr. e jonë). Mbledhja është mbajtur para dite saktësisht nuk me kujtohet kush e ka propozuar rendin e ditës dhe kush e ka hapur

Menjëherë fjalën e ka marrë Remzi Baloku dhe për të gjitha këto pika ka folur.

Remziu na ka thënë se edhe më tutje duhet të punojmë në zbulimin e agjentëve, në mënyrë që të ruhemi nga ata, kështu që në momentin e caktuar që kemi mundësi me i likuidue.

lidhur me përcaktimin e funksioneve, Remziu ka thënë që duhet zgjedhur udhëheqësin dhe duhet përcaktuar obligimet. Pasi që Zeqa nuk ishte aty, Remziu ka thënë që atë, njeri prej nesh duhet ta zëvendësojë derisa të kthehet nga APJ. Vetë ka propozuar

  pastaj për mua ka thënë se duhet të përgjigjem për çështje ushtarake, pasi që si ushtar kam qenë nënoficer. Atëherë për të parën herë e kam pa Remziun dhe nuk di se nga e ka ditur për mua se çka kam qenë në APJ.

  ka thënë se do ta marrë gradën e oficerit. Unë e kam pranuar këtë detyrë.

Remziu ka thënë se secili nga anëtarët e organizatës duhet të përkujdeset edhe për vete për furnizim me armatim Me tej ka thënë që ata, duke aluduar ne vete dhe të tjerët, që janë në kryesi do ta furnizojnë organizatën me armatim, por për këtë çështje nuk duhet ta dinë të gjithë anëtarët e organizatës.

Mëtutje, Remziu ka thënë se secili nga ne që ka qenë prezent në këtë mbledhje duhet ta formojë grupin e vet e me te të punojë. Lidhur me këtë Remziu ka thënë se grupet duhet organizuar ashtu që anëtarët e saj të dinë vetëm për udhëheqësin e vet e asgjë me tepër. Ata nuk duhet ditur se kush janë anëtarët dhe udhëheqësit e grupeve tjera. Për arsye se në rast se zbulohet një grup, të mos dihet për grupe tjera dhe për anëtarët.

Me këtë rast Remziu na ka folur lidhur me atë se shqiptarët në Kosovë nuk i kanë të drejtat e veta, që vazhdimisht përndjeken dhe burgosen, për ketë duhet formuar sa më shumë organizata në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të përgatitemi që një ditë të çohemi në kryengritje dhe Kosovën (në kopjen e origjinalit në serbisht, shkruan Kosmet, vr. e jonë)  t’ia bashkangjisim Shqipërisë.

Më tej ka thënë se këso organizatash ekzistojnë nëpër tërë Kosovën, mirëpo ne për këtë nuk duhet ta dimë. Me diskutimin e tij të gjithë jemi pajtuar dhe i kemi premtuar se çdo detyrë që do ta parashtrojë para nesh do ta kryejmë. Procesverbalin nga kjo mbledhje sa më kujtohet e ka mbajtur Xhemajl Shala.

Mbledhje tjetër është mbajtur

me kanë thënë se anëtar  i organizatë sonë  është  edhe Jashar  Shala 

në mbledhjen e mbajture kam njoftuar Remziun që e kam vëllain në Shqipëri, që ky në vitin 1961 ka ardhur dy herë nga Shqipëria dhe me rastin e ardhjes për të dytën herë ma ka dhënë një pistoletë. Remziun e kam njoftuar lidhur me këtë në prezencë të anëtarëve tjerë të organizatës.

Gjatë vitit të kaluar dhe në këtë vit shpesh jam kthyer te Remzi Baloku në punëtori. Në një bisedë Remziu me ka pyetur se a ka ardhur vëllai im Ramadani nga Shqipëria Remziu më ka thënë nëse vëllai im përsëri do të vijë, ta njoftoj në mënyrë që të takohet me të. Ka shtuar se për ardhjen eventuale të vëllait tim, mos t’i tregoj askujt, e as anëtarëve të organizatës në Loxhë. Më tej ka thënë se nëse vëllai im Ramadani do të takohet me Remziun si organizator kryesor, do të jetë i lumtur në Shqipëri për arsye se për vëllain tim do të jetë një fitore e madhe që në Shqipëri të tregojë se si këtu është lidhur me një organizatë ilegale.

Gjatë dimrit të kaluar një ditë jam kthyer të Remziu dhe ai me atë rast ma ka treguar një pistoletë gjermane.

Kah fillimi i këtij viti ka ardhur tek unë Rexhep Shala më ka lutur që t’ia jap pistoletën që e kam pasur qysh herët, që t’ia dërgojë Remziut me arsyetim se duhet të shkojë diku. Unë ia kam dhënë pistoletën dhe të njëjtën ma ka kthyer pas dy ditësh.

lëndën e programit fare nuk e kam lexuar dhe se as nuk di se çka shkruan në të.

Statutin e organizatës ilegale gjithashtu nuk e kam lexuar dhe nuk di çka shkruan në të.

Vëllai im Ramadan Shala, i lindur në vitin 1938, ka ikur në Shqipëri në vitin 1956. Ai në atë kohë ka qenë nxënës i klasës së VII të gjimnazit. Për ikjen e tij fare nuk kam ditur, derisa nga atje nuk është lajmëruar.

Në verë të vitit 1961, një natë duke u kthyer në shtëpi rreth orës 21, jam takuar me vëllain tim Ramadanin, i cili si diversant kishte ardhur nga Shqipëria, së bashku me Dervish Shaqen, më herët nga Lluka e Epërme (këtu fjala është që më herët ka jetuar në këtë vend rapsodi i njohur Dervish Shaqa., vr. e jonë).

Pasi që jemi përshëndetur, unë e Ramadani kemi dalë nga shtëpia në pemishte dhe atje i kemi bërë bisedat. Së pari më ka kërkuar të pijë ujë, me ç’rast e ka potencuar se ka qenë i detyruar që të ndalet në një livadh pa ujë. Pastaj është interesuar se si jetojmë, a po na shqetëson dikush nga ana e pushtetarëve, se apo po vie dikush nga policia te ne dhe a po vijnë shpesh patrullat në fshat. Më tej më ka pyetur se a ka shumë njerëz që po punojnë për organet e UDB-së. Iu  kam përgjigjur se askush nuk po na shqetëson, se po e kalojmë disi, se patrullat rrallë po vijnë në fshat, se ka mjaft agjentë të UDB-së.

Ramadani më tej më ka pyetur me fjalët: “ Çka po bën kjo rini? Pse po flejnë? Pse nuk po organizohen kundër Jugosllavisë?“  

Më ka thënë që të nesërmen të shkoj në Pejë për t’i blerë dy llamba baterike, si dhe një qind copë cigare. Ka shtuar se do të më presë në fushë te Ramadani nuk ka dashur të kthehet për të bujtur në shtëpi edhe pse unë e kamë ftuar që kështu të veprojë. Derisa kam biseduar me Ramadanin, shoku i tij Dervish Shaqa, ka qëndruar në fushë, në afërsi të shtëpisë sime.

Pasi që e kam përfunduar bisedën me Ramadanin, së bashku kemi shkuar te Dervishi dhe unë jam përshëndetur me të. Atë menjëherë e kam njohur, sepse e kam njohur para arratisjes për Shqipëri.  Që të dy kanë qenë të armatosur me shmajsera ruse dhe pistoleta. Gjithashtu që të dy kanë qenë në uniforma ushtarake.

Të nesërmen kam shkuar në Pejë dhe i kam blerë dy llamba baterike, njëqind copë cigare Morava dhe dy kg. bukë.  Të gjitha këto i kam sjellë në vendin ku jemi marrë vesh dhe ia kam dorëzuar Ramadanit, e pastaj jemi ndarë.

Me këtë rast kam kërkuar nga ai të ma lërë pistoletën “Parabellum“ mirëpo ai ka refuzuar duke më thënë se i nevojitet atij.

Për herë të dytë Ramadani ka ardhur nga Shqipëria, sa më kujtohet në muajin nëntor të vitit 1961. Një natë rreth orës 23, Ramadani më ka zgjuar dhe pasi që jemi përshëndetur përmes dritares unë nga brenda e ai nga jashtë, ma ka treguar pistoletën dhe më ka thënë: “Qe pistoleta të cilën nga unë e ke kërkuar“. Edhe kësaj here ka pasur të veshur uniformë ushtarake. Ka qenë i armatosur me shmajser dhe pistoletë, ndërsa në shpinë e ka bartur rancin. Unë menjëherë kam dalë me Ramadanin dhe kam shkuar në livadh larg shtëpisë rreth 300 metra dhe atje me të kam biseduar rreth 20 minuta.

Të nesërmen kam shkuar në vendin për të cilin jemi marrë vesh dhe jam takuar me Ramadanin, ku ia kam dorëzuar bukën dhe të tjerat. Me te kishin qenë edhe dy persona të armatosur, gjithashtu në rroba ushtarake, nga të cilët njeri ka qenë Adem Dushku nga Drenoci, të cilin më herët nuk e kam njohur. Kam konkluduar që është ai pasi që detajisht është interesuar për familjen Dushku, për të cilën ka thënë se është shpërndarë dhe se më askush (nga familja Dushku, vr. e jonë) nuk jeton në Drenoc.

Pasi që iu kam përgjigjur se nuk di asgjë për këtë familje, Ademi mu ka lutur që të interesohem për ta

Me këtë rast Ramadani ma ka dhënë pistoletën “Parabellum“ me 21 fishekë. Pistoletën dhe fishekët i ka nxjerrë nga ranci.

Në fund Ramadani ka thënë , nëse e hetoj se Jugosllavia bën përgatitje për sulm ndaj Shqipërisë dhe me këtë qellim e shpall mobilizimin e përgjithshëm, që mos t’i përgjigjem mobilizimit, por të iki menjëherë për Shqipëri. Ma ka sqaruar që me rastin e arratisjes, si dhe me rastin e parë të kontaktit me organet e shqiptare, të iu them parullën: “Bistrica e Pejës dëshiron të takohet me Bistricën e Deçanit“.

Më tepër asgjë nuk kam folur me Ramadanin.

Më tepër nuk kam se çka të shtoj Procesverbali më është lexuar dhe në të gjitha e pranoj për timin.

I PANDEHURI

Avdyl  Shala

 

PROCESMBAJTËSI        I AUTORIZUARI I ORGANIT HETUES

Jashoviç  Maksim                             Milivoje Oroviç



(Vota: 46 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx