E hene, 05.05.2025, 09:25 PM (GMT+1)

Speciale

Gjekë Gjonaj: Trieshi, djepi që përkundi njerëz të mëdhenj

E marte, 05.07.2011, 08:05 PM


Trieshi[1], djepi që përkundi  njerëz të mëdhenj

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

Sipas burimeve  të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485. Sipas gojëdhënës  shumica e trieshjanëve e ka origjinën  nga Ban Keqi. Por   origjina e vërtetë e  këtyre banorëve të ritit të krishterë, të cilët  sipas disa studiuesve  janë të fisit ilir labeat,  të ngulitur nga lashtësia  në këtë vend pasiv shkëmbor,  pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara,  mbetet e diksutueshme.

Trieshi është një nga zonat më të thella malore në të gjithë trevat shqiptare në Malin e Zi dhe gjithashtu nga më të izoluarat e tij për sa u përket rrugëve të komunikimit me zonat e krahinat e tjera me të cilat ajo kufizohet. Shtrihet në shpatet e tri maleve:  Suka  e  Grudës, Gjytetëza dhe Kazheniku. Përbëhet nga këto fshtara ( katunde) malore: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk,  Budzë, Stjepoh, Delaj, Bëkaj, Poprat, Cemi i Trieshit  dhe Llopar. Trieshi gjithashtu është i kufizuar nga ana juglindore me malësinë e Vermoshit por, për shkak të mospasjes lidhje me rrugë automobilistike me këtë zonë të Shqipërisë, pengohet komunikimi me vëllezërit në anën tjetër të kufirit. Deri në këtë vendbanim  pasiv  shkëmbor, pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara,  mund të arrish rrugës së ngushtë gjarpërore të asfaltuar që shpie nga  qyteti i Podgoricës në drejtim të Kuçit. Largësia nga Podgorica ( kryeqytet i Malit të Zi), është vetëm 20 km. Trieshjanët, sipas disa  historianëve e studiuesve   janë të fisit ilir labeat, të  ritit të krishterë. Ata përmenden qysh herët, në analet e historisë së popullit shqiptar. “ Trieshi shtrihet në nji luginë malore ku për tokë buke janë punue ato gropa, ndër të cilat, kullon mali. Vendi përgjithësisht asht i thatë, as ska ujë qi e njomë, as ska landë as blerim ta hijeshojë, vetëm buzë shpijavet aty-këtu shihet ndoi mand a bimë tjetër, mjellë e rritë përdhuni. Kollomoqi bahet, por me  të veshtir veç fortë të mira bahen kërtollat e laknat e bardha. Ma fortë  se me tjetër, Trieshi rrnon me gja të gjallë. Sa e vrazhdë natyra aq ma i shëndosh asht vendi, aq të bukura i shtrohen para pamje e panoramë qi syni  me kënaqë shkon tue përcjellë larg e larg”- shkruan Atë Anton Harapi.

 

Origjina dhe fiset

 

Rreth prejardhjes  së trieshjnaëve ka mendime të ndryshme. Disa  historianë  dhe hulumtues pohojnë se  një pjesë e trieshjanëve janë autoktonë, kurse  pjesa tjetër janë të ardhur. Sipas burimeve  të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485. Sipas gojëdhënës  shumica e trieshjanëve e ka origjinën  nga Ban Keqi. Por   zanafilla e vërtetë e  këtyre banorëve të ngulitur në këtë vend pasiv shkëmbor mbetet e diksutueshme. Në Triesh jetojnë në harmoni të plotë  këto  fise: Cacaj, Gjurashaj, Gjonaj, Gjokaj, Gjeloshaj, Margilaj, Arapaj, Nikollaj, Ujkaj, Lekoçaj, Nikprelaj, Gashaj, Palushaj,  Gegaj, Prenkoçaj, Dukaj, Gjuravçaj, Gjonlekaj, Lucaj, Dedivanaj, Micakaj dhe  Memçaj.

 

Krenaria e kombit

 

E, si për të plotësuar më bukur këtë zonë, Zoti e populloi me banorë fisnikë e trima, të mençur e të urtë, saqë u bënë të njohur  dhe  fama e tyre i kaloi kufijtë e Malësisë; e zëri i tyre u bë legjendë. Trieshi nxori më shumë intelektualë se çdo bajrak  tjetër i Malësisë në raport me popullsinë. Kush nuk ka dëgjuar për vëllezërit Mirash dhe Nikollë Ivanaj, djemtë e Dodë Ivanit dhe nipat e Lekë Ivanit.  Mirashi  punoi në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ai zë një vend të rëndësishëm në panteonin e personaliteteve më të shquara atdhetare shqiptare, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Intelektual erudit, reformatori Mirash Ivanaj, njeri i guximshëm i arsimit kombëtar shqiptar, jurist, pedagog, organizator dhe drejtues i talentuar i shkollës shqiptare, publicist, kronikan, filozof e poet.

Ndërkaq, Nikolla  ishte ndër gazetarët më të njohur në tërë bregdetin shqiptar dhe dalmat. Ishte një ndër penat e spikatura, duke bashkëpunuar pa u lodhur me njerëzit e shquar të kombit shqiptar, si liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, Hil Mosin, Risto Siliqin, Pashko Vasën, At Gjergj Fishtën.

Kujtojmë këtu edhe intelektualin Atë Athanas (Lucë) Prëlokë Gega, doktor i shkencave historike pranë Universitetit Lavain të Belgjikës, autor i dy veprave “Invazioni turk në shekullin XV” dhe “ Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu”  dhe i një fjalori.

Përveç këtyre,  do thosha kolosëve të kombit, nuk mund të mos e përmendim  Karl Gegën, i cili mendohet ( supuzohet) të ketë qenë me origjinë nga Trieshi. Ai ishte  ministër i telekomunikacionit në Austri, njëri nga arkitektët më të mëdhenj të njerëzimit, i cili renditet në grupin e 100 austriakëve më të famshëm, pranë Mozartit, Maria Terezës, Jozefit, Kafkës etj. Studiuesit e  veprës së tij thonë se ai projektoi  dhe ndërtoi hekurudha malore në Austri, në lartësi rreth 1000 metra mbi nivelin e detit.

Lista e intelektualëve trieshjanë,  madje me tituj shkencorë të profileve të ndryshme,  është e gjatë dhe për ta mund të shkruhet një libër i veçantë, andaj edhe nuk po i përmend  të tjerët, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme  në zhdukjen e analfabetizmit  jo vetën në Triesh, por edhe në trevat e tjera të Malësisë dhe kanë dhënë ndihmesa të mëdha në  edukimin e brezit të ri shqiptar dhe në kulturën dhe shkencën shqiptare në përgjithësi.

 

Shkollimi i trieshjanëve

 

               Trieshjanët mësimet e para në vendlindje i morën në gjuhën joamtare-sllave. Kjo ndodhi jo me vullnetin e tyre, por për shkak të imponimit të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, e cila në vitin shkollor 1887/1888  hapi shkollën e parë në Triesh  në gjuhën sllave, e cila vazhdon të punojë deri në vitin shkollor 1916, kur mësimi zhvillohet për herë të parë në gjuhën amtare-shqipe. Drejtori aktual i shkollës fillore nëntëvjeçare të Trieshit, Zef Gjuravçaj, poet e publicist, me të cilin mbajë kujtime të pashlyera ndër të tjera edhe si  mësimdhënës i kësaj shkolle, e cila  që nga viti 1968   merr emrin  e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, na njofton  për historikun e pasur të kësaj vatre të vërtetë të  arsimit e kulturës,  që laujti rol të madh në shkollimin e trieshjanëve.

Gjuravçaj shprehet se  nga viti 1879 deri në vitin 1887 fëmijët trieshjanë e kanë ndjekur mësimin në shkollën e Ublave të Kuçit dhe shton se  për shkak të largësisë dhe pozitës së pavolitshme gjeografike në inisiativën e trieshjanëve, por me përkrahjen e krerëve të

Kuçit , Ministria e Arsimt e Malit të Zi lejon hapjen e shkollës shtetërore - fillore në Triesh.

              - Shkolla në Triesh u themelua në vitin shkollor 1887/1888 me seli në fshatin

Bëkaj.Mësimi zhvillohet në gjuhën joamtare – sllave.Mësuesi i parë është Mitar Ivanoviq nga Bajica e Cetinës.

               Sipas të dhënave që i kemi në dispozicion pothuajse,gati çdo vit shkollor, mësuesit ndërrohen.Gjatë kësaj periudhë (1887-1916) mësues më të dashur e më të suksesshëm janë Nikollë Radovanoviq nga Kuçi ( Nikollë Duça) siç e quanin vendasit, njohës i mirë i gjuhës shqipe  dhe Tomë Smajl Gjeloshaj nga fshati Nikmarash i Trieshit.

                 Gjatë viteve shkollore 1916/1917 dhe 1917/1918 në shkollën e Trieshit mësimi zhvillohet për herë të parë në gjuhën amtare – shqipe.Përmendën mësuesit: Mirash Kërstiq, Josip- Zef Rela dhe Patër Leonard Shajaku.( emri civil: Zefi i Lucit Shajaku) Këta  dy të parët  arbreshë nga Zara, kurse i treti nga Ljara e Krajës.

                   Me krijimin e Mbretërisë së SKS-së në vitin 1918 sërish mësimi zhvillohet  në gjuhën sllave – serbe dhe deri me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore shkolla funksionon, por  me ndërprerje të vogëla dhe vepron  në  kushte tejet të vështira.

                    Në vitin shkollor 1945-1946 rifillon zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe.

                    Në vitin 1959/60 hapet klasa e pestë  me perspektivë të rritet në shkollë tetëvejeçare,kurse në vitin 1962/63 rritet në shkollë të plotë  tetëvjeçare.              Themelohet shkolla Amë me seli në Stjepoh  me paralele të shperndara në Poprat,Triesh i Poshtëm dhe Cem i Trieshit.

                     Me  plot respekt ndaj  gjithë atyre mësuesve që punuan  nga themelimi e deri me rritjen e shkollës në tetëvjeçare: - periudhë  e artë e arsimit  të shkollimit të brezit të ri trieshjan  fillon me  mësuesit e   parë të diplomuar:Lucë Lucaj, Prelocë Margilaj, Gjergj Hasanaj, Gjon Gjonaj, Vasil Margilaj, Pjetër Gjuravçaj,Ndue Lekoçaj, Prelë Gegaj, Gjergj Gjokaj ...të gjithë nga Trieshi të cilët pas shërbimit nëpër zonat e Malësisë kthehen në shkollën e vendlindjes.Më pas duhet përmendur edhe kontributin e mësuesve Nushë e Viktor  Perkaj dhe të Pjetër Micakaj dhe shumë emëra të tjerë të mësuesve e arsimtarëve të gjeneratave më të reja që më pas punojnë në këtë institucion edukativo - arsimor .

                      Në propozim të kolegjiumit arsimor të shkollës,  Kuvendi i  Komunës së Titogradit  me Vendimin numër 01/1535,datë 11.03.1968  Shkolla e Trieshit të Epërm siç quhej deri atëherë merr emrin  e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

  Mësuesja e parë e vendlindjes është Katarinë Gjuravçaj,aktualisht edhe tani ligjëron në ciklin e lartë - gjuhën e huaj.Shembulli i saj pati jehonë tejet të madh tek të rejat shqiptare dhe më pas hapin e saj intelektual e ndjekën masovikisht nga atëherë e sot

shumë vajza malësore.

                      Në vitin shkollor 2008-2009 shkolla tetëvjeçare rritet në nëntëvjeçare kur edhe fillon implementimi i reformës së re shkollore në shkollën Amë dhe në tri paralelet e shpërndara Triesh i Poshtëm (Rudinë),Poprat dhe Cem i Trieshit.

 

                      Drejtorët që drejtuan këtë institucion nga themelimi e deri më sot janë: Gjergj Hasanaj (1962/1972) , Prof.dr Pjetër Gjuravçaj (1970-1974), (1978- 2004) ,Gjon Margilaj ( 1974-1978) ,Zef Gjuravçaj (2004 – 2008) (2008 –  ...

                      Shkolla me rastin e 100 vjetorit është laureate e Urdhërit Bashkim Vëllazërim me Kurorë të Argjendtë,kurse punëtorët e arsimit – drejtori - dr Pjetër Gjuravçaj dekorohet me Urdhërin për Merita të Popullit me Yll të Artë, Lucë Lucaj me Urëdhërin e Punës me Krahë të Artë, kurse mësuesit Gjon Gjonaj dhe Prelë Gegaj  u shpërblyen me Urdhërin e Punës me Krahë të Argjendtë

                      Me rastin e 121- vjetorit të themelimit dhe të ekzistimit të shkollës - Drejtoria e këtij institucioni shpërbleu këta punëtorë me Mirënjohjen për Avanacimin e Arsimit të  Trieshit ish drejtorët: Prof.dr Pjetër Gjuravçaj,Gjon Margilaj dhe posthum Gjergj Hasanaj , pastaj mësuesit Vasil Margilaj, Prelë Gegaj, Pjetër Micakaj,Tomë Dedivanaj dhe posthum Gjon Gjonaj , Nusha Perkaj dhe Gjergj Gjokaj..

                      Drejtori i shkollës  dr. Pjetër  Gjuravçaj  është bartës i shpërblimit komunal

për lëmin e arsimit ''Iskra ‘’(Shkendija) dhe laureat i Shpërblimit më të lartë për lëmin e arsimit në nivelin republikan ''Oktoih’’.

                      Shkolla e Trieshit  mbi një shekull ekzistimi dhe veprimtarie  u bë vatër e vërtetë e arsimit e kulturës.U bë tempull i denjë i dritës dhe i diturisë.Gjatë ekzistimit radhitën semimaturantët e brezit të ri.Në analet e shkollës shenohen rezultate të lakmueshme  në mësim,jo vetëm në procesin mësimor,por edhe në aktivitete e veprimtari shkollore e jashtëshkollore.Bilanci i sukseseve është tejet i madh .Nga kjo shkollë dalin mësuesit e parë që rrezatojnë me dijen e vet  jo vetëm Trieshin,por edhe mbarë Malësinë.    .Nga kjo vatër e diturisë nuk dolën thjesht  mësues,por arsimtarë,profesorë,inxhinierë,   gazetarë,publicistë,shkrimtarë,por edhe mjekë,magjistër,doktora shkencash,piktor madje dha edhe ministra të arsimit të kombit...

                      Sot trieshjani kudo rrezaton me dijën e vet,që njohurit e para i mori nga kjo shkollë.Rrezaton kudo.Edhe këtu edhe në diasporë.Edhe në ish republikat jugosllave,edhe në Evropë.Edhe në Amerikën e Kanadanë tejoqanike.Edhe në Australinë e largët.

                      Si radhë simotra tjera shkolla e Trieshit është fituese e shumë mirënjohjeve të larta.Andaj ,me krenari duhet ta kujtojmë e rikujtojmë rrugën e saj të gjatë  e të lashtë,por të begatshme  në edukimin e arsimimin e brezit të ri të Trieshit mbi një shekull të punës dhe veprimtarisë së saj. ( shënim i Zef Gjuravçaj)

 

Luftëtarët trima të lirisë

 

Trieshi, përveç intelektualëve,  ka nxjerrë edhe shumë burra e trima patriotë me famë e me zë, të mirënjohur në tërë Malësinë e Madhe  e përtej saj, duke u përmendur gjithnjë si shembull i mirë e burim frymëzimi, në luftërat historike që ka zhvilluar Malësia.  Nga kjo krahinë malore tipike dinarike  dolën burra trima, që kanë hyrë në historinë e krahinës, duke luftuar me armë në dorë krah për krah me njëri tjetrin në luftërat e njëpasnjëshme për mbrojtjen e trevave të tyre nga turqit dhe sllavët si dhe për të ruajtur etnosin ilir e besimin katolik,  siç janë: Marash Mark Gjeloshaj, kapidan i vendit, Dedë Lokja Gjeloshaj,  kapidan Nikë Zekë Gjeloshaj, Gil Doshi Margilaj, n/toger Dedë Nishku Lucaj,  major Gala Smajli, kapidan Mark Gali Lekoçaj, kapidan Gjelosh Toma Ujkaj,  kapidan Sokol Luca Ujkaj, bajraktar Pepë Prela, Nikë Luca Ujkaj, oficeri Vatë Ujkaj, bajraktar Gilë Maçku Lucaj, pastaj Gjeto Gjeka Arapaj, Lucë Gjon Mati Gjonaj, Mal Vuksani Gjurashaj, Mal Vata Gjurashaj, Ujk Gali Dedivanaj,  Gjon Nikë Gjeloshi, Dedë Husi Nikprelaj, Dedë Prëli Nikollaj, Marash Ujka Cacaj, Baca Nikë Gjokaj e shumë  trima të tjerë të pushkës.  Trieshjanët ndër shekuj, u kanë dalë zot me besë gjithmonë këtyre maleve, që ishin çerdhe e ngrohtë e jetës së tyre. Ata kanë  luftuar kundër taborreve të ushtrisë turke, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë e krahinës. Bajraktarët e vojvodët trima e djemtë sokola trieshjanë rrëmbyen armët dhe luftuan për ruajtjen e tokave shqiptare, duke filluar që nga viti 1717 e deri në Luftën e Dytë Botërore.  Lufta më e gjatë  e trieshjanëve, sipas historianëve, është  në Urën e Lemajës, në Cem të Trieshit,  në vitin 1907, ku luftuan  kundër garnizoneve turke gjashtë  ditë dhe netë derisa ushtria turke  mori ikjen dhe u kthye andej nga kishte ardhur:

Krisi pushka ushtoj Cemi,

Malot Gjeka fort gajreti,

Fort gajreti e trim si zana

Filloj luftën me nizama

Me nizama filloj luftën,

Me Mal Vuksanin e Luc Gjon Matin

,Me Cub Smajlin e Maluk Vatën

Prelok Gjeloshi burr'daji,

Qet kushtrimin me buri.

Te tan Trieshi a kushtrimuo,

Dy sokola ën kab' i'n çuo;

Ën kab' i'n çuo kta dy sokola:

Mark Gjeloshi e Zef Toma.

Kta dy djelm si dy dajllar,

Ën Ur' t' Lemajës përrin ma t'par'.

Maluk Vata u ka than:

Hallali u kjoft ju tabli nan's,

Çpejt ën dim na kini arll.

Tan Trieshi a bashkuo,

Me nizama tye luftuo,

E fishekt u kan mëguo

Mal Kaculi ën kab' çuo,

/Te kapidani kjeka shku

Xhebehanet i ka marr',

E tan Trieshit ja ka da,

Jaj Tosh Leka trim mejdanit,

E Marka Gjeka i Gjek Ivanit,

Ja kan pre kta kryet nizamit.

Zef Lek Staka si dajllar,

Po viket aj porsi zan':

S'ta lshoj tokën për t'gjall!

Jaj Ded Preçi djal daji,

Djelve Kojës u ka pri,

Ën Luk t'Cemit paskan hi,

I paska shkuo Trieshit ën dim

Stojan Nikolla komadir,

Komadir e komandar,

Me Nik Zekën kjeka arll

Jaj Nik Zeka trim drakuo,

/Merr i letër për me shkruo,

Gjelosh Tomës me ja çuo

Thot Mark Milli; Ama muo

Se u'nizamin nuk e druo.

Gjelosh Toma djal i ri,

Djelve s'Bekajve u ka pri

 Me Stak Çakun tyej ra buris'

Ën Qye t'Grabomit kjeka shkuo

Karaullën e kan rrethuo

Elle pushkën jav kam filluo.

Jaj Luk Toma trim si zan'

Merr do shok, e del ën at an

Ball për ball aj me nizam'

Mirash Preka burr dajllar,

Me Luc Dedën i flet dy fjal.

Jaj Luc Deda po viket,

Fran Bacit po naj thrret

Bini burra t'bajm'gajret,

Se prej zotit ni kojft' kismet;

Ni kjoft' kismet e ni kjoft'gjykuo

Sot nizamin duom me çuo.

Ik nizami e ka lshuo.

Djelt e Trieshit po bajn gajret,

/Nuk dvesin kral as mret,

Por luftojn gjasht dit e net.

Gjasht dit e net kan luftuo

As s'jan pet' as s'jan varruo

E nizamin e kan çuo,

Tok'n e bab's e kan liruo

Ka tije krali e ka tije mreti

Ën Urë t'Lemajës u ba gezepi

Se ën Luk t'Cemit po knote zana,

Si trieshjan nuk ban ma nana.

 

Shembuj burrërie e trimërie

 

 1.Gil Doshi Margilaj

 

Nga brezi në brez  është përcjellë shembulli burrëror i trimit Gil Doshi Margilaj, nga fshati Rudinë - Nikmarash, mik i ngushtë me Mahmut Pashë Bushatlinë. Ai, i shoqëruar nga  bashkëvendasi i tij Pjetër Vukocaci, me një guxim të madh dhe vendosmëri arrin tia presë litarin  e venë në fyt  vëllathit (probatinit) të tij, nga Sokolajt e Mbishkodrës, të cilin Mahmut Pasha e kishte dënuar me vdekje, gjoja se kishte vrarë të birin. Veçmas janë inkurajuese fjalët e Gilës,  drejtuar vezirit të Shkodrës: "Vezir! Për malësorin e për këto male të Malësisë, nuk ekziston litari i vdekjes. Për malësorin vëllai është gjëja më ë shtrenjtë, sidomos probatini…"

 

2.Milica e Gjon Markut

 

Kjo malësore ( grua) e bukur, sojnike dhe  trimëreshë arriti  tia marrë gjakun burrit të vet Gjon Markut, nga fshati Bëkaj,  të cilin e kishin vrarë ushtarët turq.  Ajo një natë  e preu pashën me brisk, të cilin e kishte fshehur në çorapë, dhe u kthye shëndosh  në shtëpi. Milica këtë akt moral e të ndershëm  e bëri me qëllim që të mos e turpërojë burrin e  vet. Dhe, për ti mbetur burrit besnik gjatë gjithë jetës ajo, edhe pse  mbeti vejë në  moshë të re, vendosi të mos dalë kurrë nga shtëpia ku ishte martuar.

 

3. Marash Marku Gjeloshaj

 

Kapedani i Trieshit, Marash  Marku Gjeloshaj, u shqua për  disa vepra të mëdha në shërbim të kombit. Po përmendim vetëm një. Ngjarja  ka ndodhur në Urën e Zharnicës, mbi lumin Cem, jo larg Tuzit. Marashi, në çastin kur  veziri i madh i Turqisë  i lexonte fermanin krajl Nikollës për copëtimin e trojeve shqiptare në mes të Malit të Zi dhe Turqisë, ia merr nga dora me forcë  fermanin vezirit turk dhe e gris copa - copa.    

 

4.Dodë Smajli Gjeloshaj

 

Vepra patriotike  e Dodë Smajlit Gjeloshaj nga fshati Nikmarash ka hyrë në histori jo vetëm të popullit shqiptar. Ky atdhetar malësor, i quajtur edhe Oso Kuka i Malësisë, mëngjesin e  11 shkurtit 1951, në shtëpinë e tij  të lindjes, i rrethuar nga forcat serbomalazeze dha jetën  për të mos e dorëzuar  mikun e tij malazez të panjour, Radomir Mirasheviqin, oficer ushtarak nga Dojani, të cilit i dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri. Doda nuk e dorëzoi mikun e kombësisë tjetër, nuk e koriti veten, shtëpinë  dhe fisin, por mbajti besën e dhënë shqiptare-vdiq ashtu siç u ka hije burrave të mëdhenj. Eshtrat e Dodës dhe Radomirit, qëndruan të groposur, në oborrin e shtëpisë, plot 40 vjet. Ata u zhvendosën në varrezat familjare, më  19 tetor 1991 në ceremoninë e zbulimit    pllakës përkujtimore, punuar nga Shoqata “ Goli Otok”, në prani të personaliteteve më të larta politke të Malit të Zi. Për këtë vepër të madhe u kënduan shumë këngë me lahutë e çifteli:

 “ ... Krisi pushka nëpër Triesh

 Mali Zi e muer vesh

 E muer vesh tan Mal i Zi

 Lufton Doda me nji ushtri

 Top iu baftë pushka Dodë Smajlit

 Se qe burr i biri burrit

 Asht shqiptar, shtizë flamurit..”

 

Lekë  dhe Dodë Ivani

 

Për shembëlltyrën e  këtyre dy vëllezërve  trieshjanë  kanë shkruar studiues vendas e të huaj. Leka ka shpëtuar nga përndjekja turke, Kërcin e Llazarit, kuças nga Bioçi. Ky i fundit kishte gjetur strehë të sigurt në shtëpinë e Lekës, të cilin e ndiqte ushtria turke. Të pasuksesshme ishin tentimet e turqve dhe të pashës që ta bindin Lekë Ivanin që tia  dorëzojë sulltanit mysafirin e kërkuar.  I zoti i shtëpisë, bashkë me të vëllanë Dodën dhe të birin, arriti të largojë mikun prej shtëpije, duke e përcjellë atë shëndosh e mirë deri në shtëpi të vet.

 

Lucë Gjon Mati e Mal Vuksani

 

Trimi guximtar Lucë Gjon Mati Gjonaj, nga fshati Rudinë, dhe Mal Vuksani Gjurashaj, nga fshati Nikmarash,  do të përmenden gjithmonë  për veprën e tyre fisnike në ruajtjen e nderit dhe traditave shekullore të Trieshit. Edhe pse në moshë të re, i pari 18 vjeç, ndërsa i dyti 20 vjeç, arritën të paguajnë  Tole Smajlen Cacaj,  vajzën bukuroshe të  Vuksan Dedës Gjurashaj, të  cilën  e kishin rrëmbyer cubat e Rekës  në Guci.  Kësaj ngjarjeje tragjike, në qytetin e Pejës, e cila për pasojë pati dy të vdekur, populli i këndoi këtë këngë:

T’lumit Zot i kjoshim fal

Jetë e keqe paska ardhë

Kjëkan çua trijeshjantë ën ballë

Burra trima dhe dajllarë

N’rrapshim t’ Pejës duen me dalë

Duen me dalë, duen me u dimnua

Për i rrezik ç’i u ka qillua

Prej njaj njeri  së tërbua

Bajram Beka  kish qillua

Nji çetë cuba i k’i bashkua

Nji çetë cuba të Dukagjinit

Me grabitë vajzën buz trimit

Buz njaj trimit e njaj djalit

Qillua kish Mali i Vuksanit

Mal Vuksani ç’ki punua

Te Lucë Gjoni kishte shkua

M’i ka qitë e bisedua

M’ kanë  marrë Lucë  e m’ kanë barrua

A don Lucë me ardhë me mua

Lucë Gjon  Mati flet nji fjalë

Sa për ner e faqe t’bardhë

Na t’dy bashkë duem me dalë/

Duem me dalë, duem mu dimnua

Tole Smajlen me pagua

Lucë  Gjon Mati shkruan nji letër

Banë  përpjekjen me Bajram Bekën

Ja  m‘dredhë çikën,  ja m’ke çartë besën

Mal Vuksani fjalë i paska çua

Bajram .Beka   ke gabua

Se ka nodhë çika me mua

Dhenë le zi ti ke me g’zua

Lucë Gjon Mati e Mal Vuksani

Po dvetë Trijeshi ka po pani

Ka po pani,  ku ini nisë me shkua

N’shehër t’Pejës nji kjoftë  gjukua

Tole Smajlen me pagua

Tole Smajlja fletë rrax gardhit

Jam e motra e Lucës   dhe  Malit

Ç‘i u shprazën  pushka n’votër t’gjarmit

Plot me gjak jau mushin votrën

Luca e Mali paguejnë motrën

Paguejnë motrën për gjithmonë

Se trieshjantë s’e panë zakon

Se trieshjanët s/janë  kënë vaditë

Për t’gjallë çikat me va grabitë

Vranë Bajram Bekën me gjithë nip

Njarin për barre e  tjetrin për çikë

Kjo ngjarje tregon se  hakmarrja ka qenë mënyra e vetme për të mbrojtur nderin  familjar të malësorëve, në rastin konkret të trieshjanëve, në  situata  të vështira historike të kohës. Për këtë histori kanë shkruar edhe mediat sllave. Ndërkaq, ky variant i këngës që e tregova më lart   është kënduar  me lahutë e çifteli  në valët e Radio Titogradit – Emisionit në gjuhën shqipe,  nga  rapsodi më i njohur trieshjan Nikollë Nikprelaj, dhe rapsodë të tjerë të Malësisë në raste të ndryshme. 

 

Besnikëria e dëshmuar me vepër

 

Në Triesh  gjetën strehim shumë luftëtarë të lirisë, shumë burra, vullnetarë e  trima shqiptarë. Dyert e shtëpive trieshjane ishin të hapura ditë e natë për mikun dhe dashamirin. Në këto kulla, përveç bujarisë dhe mikpritjes tradicionale shqiptare,  ruhej edhe  urtia, burrëria dhe besnikëria, virtyte këto  me të cilat janë brumosur me shekuj trieshjanët, dhe jo vetëm ata.  Besnikëria që treguan trieshjanët  ndaj Vuksan Gelës Ivezaj, kryekreu i Grudës , për të mos ia dorëzuar të gjallë ushtrisë turke është shembull se si duhet shpëtuar miku në shtëpi.  Vuksan Gela, në kohën kur kishte ikur nga ushtria turke, ishte strehuar në familjen Gjolaj, në fshatin Muzheçk. Ushtria turke kërkonte nga tireshjanët që ta dorëzojnë  Vuksan Gelën të gjallë ose  do ta djegin Trieshin. Por trieshjanët nuk u frikësuan para këtyre kërcënimeve turke. Ata, në vend se ta dorëzojnë mikun e kërkuar nga truqit  morën armët dhe luftan kundër tyre derisa  nuk mbeti i gjallë asnjë ushtar turk. Thuhet se Vuksan Gela, para se të vdiste, porositi me gojë djemtë e vet duke u thënë:"Keni me më varrosun në Majë të Sukës së Grudës ku këmba e kalit të  turkut nuk ka me mujtë me ma shkelun vorrin!". "Edhe sot ky varr është aty ku porositi Vuksan Gela e për çdo vit i kujtohet emri dhe i bëhen ritet fetare".

Edhe sot përmendet shprehja e  këtij trimi, i cili luftoi tërë jetën kundër turqve dhe sllavëve: "Eh, i shkreti unë, më ka lanë kama e dora se i kisha dalë në bejleg ( dyluftim) hasmit (armikut)  të Vezirit". Thuhet, poashtu, se  njëri nga djemtë e Vuksanit e garanton të jatin që të rrijë pa merak se do ta kryente vetë këtë dyluftim, dhe, fitoi ndaj rivalit të Vezirit të Shkodrës. Vuksani kërkoi Dinoshën në fushë për vërri dhe Vërmoshin për Bjeshkë, Dheun e Zi si dhe Pyllin e Madh deri tek liqeni i Shkodrës!…

 

Dora e pajtimit

 

Në mendësinë e malësorëve, pra edhe të trieshjanëve, me shekuj ka qenë i rrënjosur zakoni i gjakmarrjes. Ky fenomen ua ka marrë (ose ua ka bërë të padurueshme) jetën shumë njerëzve të pafajshëm: të afërmve të ndonjë vrasësi. Trieshi, edhe në ato kohëra kur  zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit, ka nxjerrë njerëz  me zemër të madhe, të cilët e kanë shtrirë dorën e pajtimit dhe kanë falur gjakun e djalit ose gjakun e vëllait. Andaj, meritojnë të përmenden disa trieshjanë    lanë anash urrejtjen dhe përqafuan njëri-tjetrin me fjalët: “Falë të kjoftë gjaku”.  Gjakun e djalit e falën  Smajl Dedi Dukaj,  Tomë Kolë Peri, Mal Kaculi Cacaj, Tomë Kola dhe Prenç Lukë Curanaj, nga Vishnjeva e Gucisë.  Dorën e pajtimit e shtrinë edhe Gjokë Marash Smaku, të cilit i kishin vrarë vëllain, Kolën; Dodë Lulashi Gjeloshaj, të cilit po ashtu i kishin vrarë vëllain, dhe Gjon Lulash Gila, i cili  fali gjakun e babës. Ndër  malet tona thuhej: “Me falë gjakun asht burrni”...”Burrat nuk maten me pëllabmë, por me zemër”. Dhe vërtet këta burra trima, me  zemër të fortë si  shkëmbi,  dhanë një mesazh të fuqishëm  që në mes trieshjanëve të mos ketë vëllavrasje. 

 

Famullia e Trieshit

 

Trieshjanët siç thamë janë të besimit katolik. Ata kanë famullinë e tyre   françeskane e cila  gjendet 870 metra mbi nivelin e detit në një sipërfaqe prej  110 metrash katrorë. Kjo famulli , sipas  Relacioneve të  vitit 1864, formohet nga fshatarët e ndryshëm dhe ka vetëm një kishë e 4 varreza. Përfshin 185 familje  me 1080 frymë (banorë). Famullia e Trieshit rrjedh nga ajo e Grudës. Që në lashtësi misionari i Grudës vizitonte katolikët e Trieshit dhe pastaj kthehej sërish në qendrën e Misionit. Edhe Trieshi kaloi nën Dioqezën e Antivarit pas vitit 1878.Famullinë françeskane të Trieshit e ngritën  këta priftërinj:

Patër  Joannes Pellegrino nga Bolonja, 1763

Patër Giuseppe Umbo, 1766

Padër Leonardo Di Bavaria, 1775

Padër Michelangelo di Nola,  1776

Patër Gedeo di Trenta, 1778

Patër Girolamo di Mandello, 1781

Patër Giuseppe Urbaggnia, 1785

Patër Benigno di Appignano, 1785

Patër  Prisco di Selsa, 1787

Patër Lodovico Comini, ( ? )

Patër  Mariano  di Onano , prefekt dy herë  1792

Patër Kasimiro NN , 1792,

Patër Severino da  Ponteza, perfekt , 1794

Patër Bernardo di Torino,   1776

Patër Severino Thais ,  1775

Patër Padër  Emiliano  Zagorano,  1780

Patër Vicenzo  M.Di Roma  1791 – mësoi gjuhën shqipe në Romë

Patër  Severino da  Bavaria,  1775

Patër Pier Crisologo da Bologna,  1783

Patër  Andrea Francesco Anocluto , 1789

Patër Francesco di Casola ,  1782

Patër Vincenco di Filaziano , 1795

Patër  P. Pietro ( ?) Frano , 1803

Patër Raimondo da Roma , 1805

Patër Angelo ?  , 1805

Patër  Antonio Jemino , 1806

Patër Mariano di Colomaro ,  1807

Patër  Pietropaolo di Campitelli, prefekt, 1808

Patër Matia di Varesci , 1813

Patër Matia Vaznes , 1813

Patër Girolamo di Lesi, 1819

Patër Pietro di Ancona , 1809

Patër Teodosio di Parma , 1850

Patër Secondiano ab Ancona , 1860

Patër D Mhilli Glosonovic , 1895

Patër Josef Lochman , 1898

Patër Giulio Pindo da Napoli , 1901

Patër Leonardo Gojani , 1904-1931

Përveç këtyre famullitarëve në Triesh kanë shërbyer edhe:

Dom Ivo,

Dom Marku,

Dom Zefi Demiroviq,

 Patër Gjergji  Markstepaj,

Dom Simon Filipaj,

Patër Zefi Jankaj, i cili personifikohet meshtari i parë që celebroi meshën e shenjtë në gjuhën shqipe në mbarë botën e krishterë shqiptare;

Patër Frani Dushaj dhe

Patër Mirashi Marinaj.

Besimtarët  trieshjanë ritet fetare i kryejnë në Kishën  “ Zoja Rruxare” e cila ndodhet në qendër të fshatit Stjepoh.

Regjistrat e famullisë së Trieshit datojnë në vitin 1763 kur edhe mendohet  fillimi i kësaj famulli.

 

Mënyra e jetesës

 

Jetesa në Triesh gjithmonë ka qenë e vështirë, në radhë të parë për shkak të relievit malor  dhe veçorive klimatike të kësaj trevë. Banorët e Trieshit konsiderohen si njerëz punëtorë të zellshëm  dhe mjeshtër të mirë në ndërtimtari. Ata, për dallim nga e kaluara e hershme kur    kanë jetuar në banesa përdhese - kasolla dhe  në shtëpi  të ndërtuara prej guri të mbuluara me kashtë thekre e pllakëza ahu, sot shumica e tyre jetojnë  në shtëpi të riparuara, të reja  të pajisura me orendi shtëpiake bashkëkohore.  Pisha në pishtar, bishtuku dhe  llampat me vajguri ose naftë janë zëvendësuar me  poçat elektrike. Po ashtu edhe rruga kryesore që lidh Trieshin me kryeqytetin e Malit të Zi tashmë është e asfaltuar, por e ngushtë dhe e rrezikshme për komunikacion. Rrugët lokale janë lënë në mëshirën e kohës. Në këtë zonë nuk ka  linjë të rregulltë të autobusit, e cila ka kohë që është  ndërprerë për shkak të jorentabilitetit.  Bujqësia dhe blegtoria kanë qenë dhe mbeten degët kryesore ekonomike të familjeve të këtushme. Arat e pakta ende punohen  me  vegla të vjetra bujqësore - larë, siç e quajnë trieshjanët parmendën dhe më rrallë  me pluer. Prej kulturave bujqësore kultivojnë  pataten  e cilësisë së lartë  (kërtollën), pastaj  misrin  (kollomoqin) , fasulen (pasulin) , qepën,  hudhrat etj. Numri i bagëtive të trasha, në mungesë të banorëve, veçmas të rinjve, që kanë lënë vendlindjen, është simbolik. Për shkak të klimës së ashpër  nuk kultivohen perimekulturat dhe pemët, përveç  thanave, kumbullave dhe hardhisë së rrushit  amerikan. Me ujë furnizohen  nga saranxhat, kurse për ngrohje  përdorin  dru qarri, frashri, shkoze dhe ahu. Jeta e vështirë ekonomike, mes maleve me dëborë në dimër dhe thatësirës në verë, ka bërë që në fillim të shekullit XX, shumë trieshjanë   të marrin rrugën e emigracionit në drejtim të shteteve të ndryshme të Evropës dhe në SHBA, ku është i përqëndruar edhe numri më i madh i tyre.

 

Lugina e Cemit poshtë Trieshit, “Kolorado shqiptare”

 

Gjatë udhëtimit  nëpër fshatrat e Trieshit, sapo të dalësh në katundin e   quajtur Delaj  përballesh me një panoramë mahnitëse, e cila të fton që të shijosh bukuritë  magjepse  të Luginës dhe rrjedhat e lumit të famshëm të   Cemit me  ujë të ftohtë dhe të pastër,që buron nga Bjeshkët e Nëmuna ( Alpet Shqiptare) nga ku është i pasur me peshkun troftë me pika të kuqe. Njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë  kanionin  e Cemit, e kanë përcaktuar ata ndër  më të bukurin dhe më të veçantin në Evropë. Disa  kanë guxuar ta quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe e papërsëritshme e natyrës”. Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanioni i  Cemit është me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës.Natyra  kësaj luginë  nuk i ka kursyer dhuratat e saj të mrrekullueshme, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë, por të mbeten në kujtesë  si një parajsë e krijuar nga Zoti. Luginës së Cemit rrallë  i gjendet shoqja për bukurinë dhe vlerat piktoreske turistike të pashfrytëzuara. Kur udhëton në brendësi të këtij kanioni  mahnitesh nga bukuria e tij. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, disa si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej.Por këto ndjesi nuk janë e vetmja mrekulli e këtij kanioni, në disa sektorë të cilit gjatë vjeshtës dhe dimrit  formohen ujëvara  që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kjo është përshtypja ime gjatë  vizitave në    këtë përmendore  të mrrekullueshme të natyrës. Kanioni i  Cemit ka larmi formash dhe pamjesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë. Megjithatë   pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.



[1]  Disa e shkruajnë edhe Triepshi, por populli e shqipton ashtu si po e shkruajmë ne.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx