E enjte, 01.05.2025, 09:03 PM (GMT+1)

Mendime

Sami Repishti: Gjenocidi, drejtësia dhe shoqëria shqiptare

E diele, 22.05.2011, 07:59 PM


Gjenocidi, drejtësia dhe shoqëria shqiptare

 

Nga Sami Repishti

 

Ç’është krimi? Kush është kriminel? A duhet dënuar krimi? Përse duhet dënuar krimineli? Këto pyetje të thjeshta janë, në të vërtetë, thelbësore për një shoqëri civile e të qytetëruar. Nga përgjigjja e plotë e tyre varet, në fakt, mbarëvajtja e shoqërisë në përgjithësi dhe, natyrisht, edhe e shoqërisë shqiptare sot dhe nesër. Javën e kaluar, shtypi amerikan i ka kushtuar mjaft kohë dhe hapësirë vendimit të Gjykatës gjermane në Munih,  që dënoi me pesë vjet burgim 91-vjeçarin John Demjanuk, me origjinë ukrainase dhe ish-roje policore në kampin nazist të përqendrimit Sobihor (Poloni). Pyetja më me rëndësi në këtë mes ka qenë ajo e profesoreshës amerikane Deborah E. Lipstadt: “Përse dënimi i një polici nazist ka rendësi për ne?”. Profesoresha Lipstadt është pedagoge për studimet hebraike dhe të Holokaustit pranë Universitetit Emory, Atlanta, Georgia dhe tash së fundi, autore e një studimi të thellë, “Gjykimi i Eichmann-it në Jerusalem” (në vitin 1961), një gjykim që ka tërhequr vëmendjen e përgjithshme për demaskimin e fuqishëm të krimeve naziste, sidomos të krimeve masive kundër hebrenjve gjatë regjimit kriminel hitlerian. (Eichmann ka qenë drejtor i seksionit për transportimin kryesisht të viktimave hebraike në kampet naziste të përqendrimit gjatë L. II B. S.R.).

Një temë e këtillë dhe trajtimi i thellë i saj ka rëndësi të dorës së parë për të gjithë ata fatmjerë që, ashtu si populli shqiptar, kaluan tmerret e tri diktaturave më të egra të shekullit 20, fashizëm, nazizëm e komunizëm, një trio që dënohet nga koshienca e çdo njeriu të ndershëm dhe që sot është hedhur, pa asnjë brerje ndërgjegjeje, në koshin e plehrave të historisë…!

Më 17 maj 2011, fletorja autoritative “The New York Times”, botoi artikullin e profesoreshës Lipstadt, me titullin “Damjanuk in Munich” dhe me pyetjen themelore: “Pse dënimi i një roje policore ka rëndësi?”. Një pyetje e tillë vihet edhe nga shumë viktima të terrorit fashist-nazist-komunist në Shqipëri dhe zbulon, për mendimin tim, një ndjenjë pasigurie vetjake dhe papërgjegjësie morale të shtetit shqiptar e të shoqërisë shqiptare, që refuzojnë të trajtojnë krimin si krim dhe kriminelin si përgjegjës para gjyqit dhe para historisë. Për këtë arsye, mendoj se artikulli që vijon – i përkthyer shqip nga origjinali anglisht – tregon vlerën e vërtetë vetëm i riprodhuar krejtësisht, si një tërësi e pacunguar. Artikulli i plotë thotë:

Atlanta, Georgia. Javën e kaluar një gjykatë gjermane në Munih, deklaroi fajtor John Demjanuk për pjesëmarrje/përkrahje në vrasjen e 28 060 viktimave, një dënim për çdo hebre që u shfaros gjatë gjashtë muajve që ai shërbeu si roje policore në kampin e vdekjes të Sobihor-it, Poloni. Gjykimi i Demjanuk-ut ka mundësi të jetë i fundit për krimet e Holokaustit gjatë luftës që tërheq vëmendjen e botës mbarë.

Për shumë persona, veçanërisht për brezninë e re, gjykimi kundër z. Demjanuk, një 91-vjeçari që punonte në ofiçinat automobilistike të Ohio-s (SHBA), tani një invalid që qarkullon me një karrige me rrota, duket sikur justifikon thënien e përsëritur se historia vjen së pari si tragjedi dhe ma vonë si farsë. Për koincidencë, këtë vit mbushen plot 50 vjet që kur u zhvillua gjykimi i Eichmann-it, një ngjarje që për rëndësinë e vet intrinseke, zvogëlon shumë përpjesëtimet e gjyqit të Demjanuk-ut.

Por, nëse Eichmann luajti një rol më të madh në holokaust se Demjanuk, ne nuk duhet të përfundojmë se njëri ka më rëndësi se tjetri. Në të vërtetë, gjykimi i Demjanuk-ut, aq sa edhe gjykimi i Eichmann-it, mbush volume të tëra që japin mësime dhe që na sqarojnë mbi marrëdhëniet komplekse të gjenocidit dhe drejtësisë.

Rasti i Demjanuk-ut ka rëndësi mbi të gjitha sepse nuk kemi pas asnjëherë dyshim që ai ka qenë një roje e mbrapshtë burgu gjatë regjimit nazist. Mbasi jetoi më shumë se 30 vjet në Shtetet e Bashkuara, ai u deportua në Izrael, më 1986, ku u gjykua dhe u dënua me vdekje. Për fat të keq, prokurorët izraelitë e kishin identifikuar gabimisht si roje policore në kampin nazist Treblinka, i njohur si  Ivani i Tmerrshëm, dhe z. Demjanuk u lirua në vitin 1993.

Ky episod u vazhdua me 16 vjet tjera përpjekjesh që z. Demjanuk nga Shtetet e Bashkuara bëri duke kundërshtuar deportimin. Më në fund, në vitin  2009, Gjermania ia doli me e tërheq prej Amerikës; kjo përforcoi bindjen se procedurat ligjore punojnë, megjithëse me vonesë.

Natyrisht, kjo zvarritje shkaktoi prirjen me pyet pse Gjermania lodhet sot duke kërkuar dhe dënuar z. Demjanuk? A duket sikur ka diçka komike në këtë mes, bile diçka të turpshme, më tërheq zvarrë një plak gjysmë të vdekur përtej Atlantikut, për të dhënë llogari para një gjykate për krime që ka bërë gjysmë shekulli me parë? A duhet të këtë një afat të caktuar (statute of limitations), mbas të cilit ligji nuk ndjek më gjatë të akuzuarit për krime të renda?

Jo! Dhe gjykimi konfirmon se shoqëria hedh poshtë një ide të këtillë. Ata që janë pjesëmarrës në gjenocid, me çfarëdo funksioni qoftë, nuk duhen lënë kurrë të qetë. As duhet të mendohet se po u vonua drejtësia për shumë kohë, atëherë akuza duhet të pushojë. Ky mësim mund të vlejë sot më shumë se kurdoherë, sepse, më në fund, për kriminelët e Holokaustit çdo gjë ka përfunduar, por ndjekja për ata që praktikuan Holokaustin në ish-Jugosllavi, në Ruanda dhe në shumë vende tjera, duhet vazhduar ndjekja pa pushim.

Gjykimi i Demjanuk-ut thekson mësimet që kemi marrë nga gjykimi i Eichmann-it. Ashtu si z. Demjanuk, edhe Eichmanni pretendonte se ka qenë vetëm një dhëmbë i thjeshtë në rrotën e makinës vrastare. Të dy të akuzuarit mbroheshin duke thënë se nuk kishin tjetër rrugëdalje, nuk mund të refuzonin urdhrat; ata duhej të vrisnin ose të vriteshin nga eprorët e tyre.

Megjithatë, ashtu si arsyeton edhe Hannah Arendt, në studimin e saj “Eichman në Jerusalem”, çdo pjesë këmbimi në një makinë ka rëndësi themelore. Me heqë një pjesë të vogël bën të njëjtin dëm sikur me heq një pjesë të madhe: makina pushon së punuari. Të dy këta të akuzuem kanë pas mundësi të thonë: Jo! Me rrjedhime të pakta. Nuk ka avokat mbrojtje ose historian që prodhon evidencë se dikush është ekzekutuar sepse ka refuzuar të marrë pjesë në Holokaust. Për këtë të akuzuarit vendosën të mos refuzojnë.

Ashtë e vërtetë se përfundimi për të dy do të jetë i ndryshëm: Eichmann është personi i vetëm në historinë e Izraelit që është ekzekutuar (në litar, S.R.); z. Demjanuk ka mundësi të vdesë në krevat meqë avokatët e tij po apelojnë vendimin gjyqësor.

Por çfarë ngjau në këto dy gjykime ka më shumë rëndësi se fati përfundimtar i fajtorëve. Tani, ashtu si më parë, viktimat kanë pasur mundësi të tregojnë historinë e tyre, jo në libër, jo në intervista dhe fjalime, por para Gjykatës ligjore. Në fund të gjyqit të Eichmann-it, më shumë se 100 dëshmitarë kanë treguar vuajtjet e tyre. Në gjyqin e Demjanuk-ut ne dëgjuam dëshmitë e fëmijëve të viktimave. Ata, së bashku me prokurorin, treguan me gisht njeriun që lehtësoi vrasjen e prindërve të tyre. Me një fjalë, gjyqi i Demjanuk-ut provoi se, ndërsa Eichmann vetë mund të jetë histori, procesi i plotë që transformoi gjyqet e Holokaustit në diçka më shumë se gjykimet e zakonshëm, është akoma efektiv.

Më në fund, rasti Demjanuk, për vetë kompleksitetin e tij, është një vazhdim i përshtatshëm i gjykimit të Eichmann-it sepse na kujton që paraqitja e gjenocidit para gjyqit – ashtu si akti vetë – është rrallëherë pa zigzage. Këto raste ngrenë pyetje të vështira mbi natyrën e dënimit të tipave të ndryshëm pjesëmarrës në gjenocid: një roje që zbaton urdhnin që merr, a meriton të njëjtin dënim, apo më pak se një burokrat që planifikon atë?

Këto gjykime nuk mbyllin kurrë pyetjet e ngritura edhe dekada mbas kryerjes së krimit. Në të vërtetë, rasti sikur ai i z. Demjanuk janë, në një farë mënyre, vetëm fillimi i një procesi, barra e të cilit tani bie jo mbi gjykatat, por mbi shpatullat e në të tjerëve.

Ka mësuar gjë nga historia e së kaluarës europiane Shqipëria jonë? Unë dyshoj!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx