Kulturë
Luan Çipi: Homazh vëllezërve Kruta
E hene, 11.04.2011, 06:57 PM
Luan Çipi
HOMAZH VËLLEZËRVE KRUTA
Ishin katër vëllezër, po tanimë, nuk janë
Radhë e paradhë, një nga një na lanë
Njeri më i ndier, tjetri, më i vyer.
Vëllai madh Jorgua, iku i pari
Mendje e duararti, talent shkencëtari.
E qau gjithë Vlora, mijëra miq e shokë
Gazi dhe hareja, me të, ikën tok.
Beniamin kolosin, yllin e pashuar
Nur për bukuri, për pamje e shtat,
Nuk e tret as dheu, ujin e kulluar
Arbëresh e Toskë, qajnë dit’ e natë.
Sos për kompozim, sos për shoqëri
Për aheng e valle, nuk e kishe shokun
Me këngët arbëreshe, bëre histori
Pa e deshe jetën, siç e deshe folkun.
O, Leandro Kruta, ti boksier i parë,
Mësues pasionant dhe shok i pandarë,
Drejtues, sportist, krye në çdo garë,
Nuk e ndjeve dot, sa shumë të kam qarë.
Ja, iku dhe Leka, artisti i shquar
Që dhe rruga qeshte, vetëm nga mimika
Gaztori i lindur dhe gjithnjë gëzuar
Qeshjen e shpërndante, që të ikte frika.
Largoheshin hallet, lodhja edhe brenga
Uria, mërzitja, zija, dëshpërimi
Mjerimi dhe vuajtjet, që ishin me dënga.
Kur në mes është Leka, mbretëron gëzimi!
Tani, më nuk janë, ikën zunë amshimin
Ikën vëllezërit Kruta, lart, fluturim
Për Vlorën dhe ne, nuk do kenë harrim.
Çikago, Mars. 30. 2011