E enjte, 29.07.2021, 03:45 PM (GMT+1)

Lajme

Jo regjistrimit të popullsisë mbi bazën e fesë dhe të kombësisë!

E marte, 05.04.2011, 07:28 PM


Vakëfet dhe i gjithë Qarku i Korçës janë Shqipëri dhe banohen tërësisht nga shqiptarë, autoktonë në tokën e tyre të lashtë!

 

Deklaratë

 

Shoqata Atdhetare Kulturore e Trevës së Vakëfeve, Korçë

 

Kohët e fundit, ne anëtarët e Shoqatës Atdhetare e Kulturore të Krahinës së Vakëfeve u indinjuam pa masë kur dëgjuam konsullin grek në Korçë, Ikonomus, të shprehet me fjalë të pavërteta se, sipas tij, Korça dhe Qarku i saj janë vorioepiriotë grekë. Këto qëndrime të papërgjegjshme të një zyrtari përfaqësues të shtetit fqinj nuk i shërbejnë aspak marrëdhënieve të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, e sidomos dy popujve tanë vëllezër, grekë e shqiptarë. Të dalësh me deklarata të tilla sot në shekullin e XXI, kur integrimi europian është bërë një realitet i pakthyeshëm dhe kufijtë midis vendeve janë kthyer gati formalë e simbolikë, do të thotë të jesh anakronik e primitiv.

 

Megjithatë, punë për konsullin që bie aq poshtë duke u bërë zëdhënës i qarqeve të shkëputura e të dështuara ekstremiste greke që ende shohin ëndrra në diell, për të ashtuquajturin Vorioepir.

 

Në emër të anëtarëve të Shoqatës, me punë e banim brenda e jashtë Shqipërisë si dhe gjithë banorëve të krahinës së Vakëfeve, komuna Vithkuq, kërkojmë nga qeveria greke që të distancohet nga deklarata të tilla antishqiptare dhe të mbajë qëndrimin e nevojshëm ndaj zyrtarit të saj, për të mos cënuar aspak fqinjësinë e mirë që ekziston midis nesh.

 

Donim t’i kujtonim me këtë rast konsullit Ikonomus dhe të gjithëve atyre që e pasojnë, se popullsia e Vakëfeve dhe e gjithë Qarkut të Korçës ruan ende në kujtesën e saj ngjarjet e hidhura të vitit 1914, kur andartët e pashpirt grekë therën e masakruan dhjetra e qindra shqiptarë të pafajshëm. Veçanrisht e rëndë ka qenë kjo masakër në fshatin Panarit, ku u shkuan nën satër mbi 370 burra gra e fëmijë, vetëm e vetëm pse s’pranonin të quheshin grekë. Vetvetiu lind pyetja se, a do të ishte e nevojshme atëhere një sjellje e tillë shtazarake nëse ata gjenin në këto troje grekë, siç pretendon zotria në fjalë sot!? Sigurisht që jo! Po më mirë të mos i trazojmë këto plagë të thella të së shkuarës, që fatmirësisht kanë vënë kore pas kaq e kaq dekadash.

 

Është tepër i paskrupullt e djallëzor identifikimi i të krishterëve shqiptarë të kësaj treve me grekët; një provokim ky që s’meriton përgjigje, megjithatë, ne po marrim mundimin të themi diçka. Veç shumë e shumë argumentesh, thënë edhe nga të tjerë, se në Korçë, Kolonjë e Vakëfe nuk ka patur e nuk ka familje greke e greqishtfolës, as toponime me origjinë greke, përsëri po u sjellim në kujtesë një ngjarje të hershme ku tregohet se ashtu sikurse myslimanët edhe të krishterët shqiptarë nuk pranonin të quheshin grekë:

 

Nuçi Nikolla ka qenë një ndër patriotët më të shquar të lëvizjes sonë Kombëtare dhe për disa vjet edhe mësues i gjuhës shqipe në shkollën që ai kishte ngritur vetë në fshatin Trebickë.

 

Revista “Ylli i Mëngjezit” nr. 6, datë 20 mars 1917, që botohej në Boston, shkruar nga Dhosi Treska, duke treguar për fundin tragjik të Nuçit thekson:

 

“Një komision prej 5 shpirtësh, nën kryesinë e një oficeri grek, u nisën për në Ersekë dhe shkuan e qëndruan në Treskë...”. Të nesërmen hoqën për në Trebickë. Këtu sapo mbërritën, zunë atdhetarin Nuçi Nikolla Trebickën, e lidhën, e shanë, i hoqën kapelen dhe për ta quajtur si turk i vunë një festë të kuqe në krye.

 

Naumi nuk u dëshpërua, as dhe nuk u tremb, ndonëse e pa se orët e fundit iu afruan. Në gjyqin që i bënë, bashkë me tre myslimanë panaritas dhe Toli Dhosi Treskën, midis të tjerash e pyetën:

 

“ Ç’je ti?

 

- Njeri  jam, si po e shihni!

 

- Duam     dimë   se   çfarë   ndjenje ke? - iu zgurdullua Konopullos.

 

- Ndjenjat e mia i dini shumë mirë, qëkurse më keni marrë,  më kini lidhur dhe më kini vënë këtë festë të kuqe mbi kokë, të cilën e kam luftuar me çdo mënyrë, kur kam mundur.

 

-  A e dini se këto bindje që kini janë kundra dëshirave tona dhe kundër interesave të Greqisë?

 

-  Po,  e di,  por  unë  nuk kam asnjë faj. Në qoftë se perëndia  që na ka krijuar shqiptarë dhe që na dha këto ndjenja, duke na dhuruar një gjuhë të  ëmbël  dhe  zakone  fisnike  ka faj, atëherë gjykoni e dënoni  perëndinë! Ne kemi për detyrë të përpiqemi dhe të  luftojmë  për  të drejtat  dhe lirinë  tonë...” E pra z. Konsull, për këtë qëndrim patriotik e burrëror ata u vranë e u dogjën vetëm pse ishin shqiptarë.

 

Edhe arsyetimi se të qenit grekë të popullsisë në këto troje e vërtetojnë mbishkrimet në gurët e varrezave të vjetra, nuk vërteton aspak tezën e mbrapsht tuajën. Nëse ka raste të tilla, tek tuk, kjo ndodhte për shkak se deri në mesin e shek. XIX-të, ende nuk ishin hapur shkollat masive në gjuhën shqipe, ku njerëzit të mësonin të shkruanin në gjuhën e nënës, pa harruar gjithashtu ndikimin dhe presionin e kishës greke në këtë drejtim. Por ne dimë nga historia jonë e shkruar se ndodhte edhe kështu:

 

Në fshatin Trebickë të Vakëfeve, që banohej tërësisht nga popullsi e krishtere, shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1854, pikërisht në Manastirin e dëgjuar të Trebickës. Por duke parë etjen e madhe me të cilën banorët vendas mësonin gjuhën shqipe si dhe pjesmarrjen e gjerë të tyre, autoritetet e larta pas disa vjetëve e mbyllën atë dhe lejuan të mësohej vetëm gjuha greke. Në reagim të këtij veprimi, trebickallinjtë nuk i dërgonin më fëmijët në shkollë dhe si rezultat i kësaj, në periudha të ndryshme, shkolla greke e Manastirit mbyllej.

 

Në vitin 1903, trebickallinjtë si fshat, i dërguan një letër Dhespotit të Korçës, ku i kërkonin lejë për të hapur në fshat shkollë shqipe. Ata ndër të tjera i theksonin Dhespotit se u vinin letra nga të afërmit e tyre, që i kishin në kurbet, dhe nuk mund t’i lexonin e t’u përgjigjeshin letrave, se nuk dinin shkrim e këndim. Për të lexuar ose shkrojtur një letër shkonin deri në Korçë. Në kërkesën e trebickallinjve, ndër të tjera thuhej: - në qoftë se nuk lejohet të hapet një shkollë e mirëfilltë shqip, mundësisht në shkollën e Manastirit ku mësohej gjuha greke, krahas saj të mësohej dhe gjuha shqipe. Pas një viti të kërkesës, dhespoti dërgoi në fshatin Trebickë një mësues të gjuhës frënge. Në letrën që ai u dërgonte trebickallinjve, në përgjigje të kërkesës së tyre, ndër të tjera thuhej: “Mësoni gërmat latinishte nëpërmjet gjuhës frënge për të lexuar e shkruar letrat tuaja, shkollë shqipe në Trebickë nuk ka për t’u hapur kurrë!”. Kundërshtimi i trebickallinjve për të mos mësuar greqisht ishte aq i vendosur sa, edhe kryqet e varreve në Kishën e Madhe i lanë të pashkrojtura fare, sepse kisha nuk lejonte që mbi kryq të shkruheshin shqip. Kështu, për të mos i shkruar emrat e të afërmve të tyre greqisht, preferonin që ato të ishin më mirë pa emra.

 

Së fundi, mbështesim propozimin e bërë nga 76 shoqatat tona si motra në mbarë vendin, dhe posaçërisht atë të shoqatës “Labëria”, për të mos e bërë regjistrimin e popullsisë mbi bazën e fesë dhe të kombësisë, për arsye se përveçse nuk e kërkon kushtetuta jonë një gjë të tillë, në kushtet e presionit të gjithanshëm të qarqeve të caktuara mbi njerëzit e rënë në kurth për shkaqe ekonomike, manipulimeve e makinacioneve të stërholluara, interesat tona kombëtare do të cënoheshin rëndë. Vakëfet dhe i gjithë Qarku i Korçës janë Shqipëri dhe banohen tërësisht nga shqiptarë, autoktonë në tokën e tyre të lashtë. Shkëmbimet e ndërsjellta ekonomike e kulturore mes nesh, si dy fqinjë shekullorë, si dhe gjurmët e lëna tek njëri tjetri, siç ndodh kudo në botë, kurrësesi s’mund të merren si provë për të shprehur rivendikime tokësore ndaj njeri-tjetrit.

 

Sa për pakicat greke (minoritarët) që ekzitojnë në Shqipërinë e Jugut dhe që dihet mirë historikisht se ku ndodhen ato, jemi plotësisht dakord që të respektohen deri më një të drejtat e tyre, që para së gjithash i kanë të garantuara me kushtetutë. Miqësia vllazërore që ekziston prej shekujsh midis dy popujve tanë fqinjë, do mbetet përjetë e pacënuar dhe do të shkrijë si kripa në ujë çdo qëndrim tjetër dashakeqës!

 

Në emër të gjithë anëtarësisë:

 

Kryesia e Përgjithshme e Shoqatës me qendër në Tiranë.

 

Kryesia e Shoqatës, dega Korçë, dhe e degëve të tjera në rrethe.

 

 __________

 

Doli në qarkullim revista e vetme  - plotësisht për të qënë e tillë - humoristike  shqiptare  “HUMORI SHKODRAN”

 

Të nderuar lexues kudo që jini,

 

Profesor doktor Zef Gjeta, autor i  mbi 17 librave shkencore të fushave të ndryshme, si dhe enciklopedike e humoristike, del tani para jush si  botues i   revistës “Humori Shkodran”  ku  përfshihet ajka e humorit  jo thjesht të qarkut të Shkodrës por i mbarë trevave shqiptare.

 

Revista  në dyzetë faqet e saj, prej të cilave dy me ngjyra ,  përcjell te blersit dhe dashamirësit  e saj shqiplexues  barceleta e anekdota, rrëfenja , skica e tregime humoristike, poezi e fabula, karikatura e  lojra zbavitëse, të reja shkencore nga fusha të veçanta  dhe   disa  rubrika të padëgjuara ,por ama  shumë larg banalitetit që po na  mbush ekranet televizive.

 

Kjo revistë ka qëndrueshmeri dhe “standarte evropiane”; nisur nga  këndi objektiv i shikimit që humori nuk është pronë e të djathtës, qëndrës  apo e të majtës, revista  ruan neutralitetin, nuk bie asnjëherë në vulgaritet dhe thumbon  me art e humor ato anë negative të shoqërisë, të kujtdo qofshin ato,  që bëhen pengesë për zhvillimin e saj progresiv.

 

Revista shitet me një çmim shumë të ulët në raport me koston e saj, dhe lexuesi  që ka nevojë të çlodhet  më mirë ble e kënaqet  me një revistë”Humori Shkodran “ se  sa të helmohet me një  dopjo raki.

 

Shitet të çdo pikë ku shiten gazetat  e në çdo qytet të Shqipërisë.

 

Redaksia e revistës i ka dyertë e hapura për çdokënd që ka dëshirë të shkruajë  humor në çdo gjini që i vjen ndoresh, nga çdo krahinë e vendit.

 

Blini revistën “HUMORI SHKODRAN” dhe bëhuni pjesëmarrës në  brëndinë dhe konkurset e saj interesantë.

 

Ilmi S.Qazimi e Gjon Bruçi antarë të redaksisë së revistës “HUMORI SHKODRAN”

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora