E shtune, 31.07.2021, 04:25 AM (GMT+1)

Lajme

Ekzekutohen në pritë dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve të policisë së Shkodrës

E diele, 20.03.2011, 08:24 PM


2 VELLEZERIT E VRARE NIK PJETRUSHI DHE GJOVALIN PJETRUSHI
2 VELLEZERIT E VRARE NIK PJETRUSHI DHE GJOVALIN PJETRUSHI

Vret dy vëllezër, kapet Tafili

Ekzekutohen në pritë dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve të policisë së Shkodrës.Vrasja e dyfishtë ndodhi dje rreth orës 08:00 në fshatin Grudë e Re, të komunës Rrethina. Dy vëllezërit Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, 43 dhe 25 vjeç, u qëlluan me breshëri armësh dhe mbetën të vdekur në një pritë të organizuar në rrugën kryesore të fshatit. Dyshohet se shkak i kësaj ngjarjeje që tronditi Shkodrën ka qenë hakmarrja. Dy viktimat e pritës së armatosur, janë vëllezërit e ish-shefit të krimeve të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, në vitet 1998-2001, Prel Pjetrushi. Ai i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij më parë, siç dyshohet nga të afërm të Bahri Tafilit, i vrarë në një aksion policie nga Prel Pjetrushi. Policia arrestoi mbrëmë në Tiranë Admir Tafilin, person i arratisur vitin që shkoi nga burgu i Lezhës, si të dyshuar për krimin e dyfishtë.

Dy të vrarë në Shkodër

Pak çaste pas vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër ditën e djeshme, forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes. Krahas forcave të drejtorisë së policisë, në operacion morën pjesë edhe forca të FNSH-së së Shkodrës dhe të RENEA-s. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e personave që kryen vrasjet, në operacion janë vënë në dispozicion edhe mjetet e blinduara të policisë. Operacioni i kërkimit u përqendrua kryesisht në zonën malore të Komunës së Postrribës, pasi mendohej se autorët ishin larguar që andej për t’i shpëtuar arrestimit. Policia e Shkodrës nuk ka dalë me një variant zyrtar në lidhje me autorët e ngjarjes si dhe motivet e saj. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se pista kryesore dyshohet të jetë konflikti mes ish-shefit të krimeve Prel Pjetrushi dhe asaj të ndjerit Bahri Tafili. Policia tha se dy vëllezërit Pjetrushi, kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip “Audi” nga banesa e tyre drejt qytetit të Shkodrës. Rreth 200 metra larg shtëpisë së tyre, ata janë gjendur nën një breshëri të pamëshirshme plumbash. Duke përfituar edhe nga moti i keq e me shi, autori ka qëlluar drejt vëllezërve, duke i lënë të vdekur në vend. Viktimat e kanë pasur të pamundur të manovrojnë, pasi janë gjendur në befasi. Autorët kanë shfrytëzuar një kthesë të fortë të rrugës, e cila do ta detyronte drejtuesin e mjetit që të ulte në maksimum shpejtësinë. Autori i vrasjes ka shkrehur një karikator të plotë Kallashnikovi. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 25 gëzhoja. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje banorët e zonës për ngjarjen e rëndë. Disa prej tyre kanë deklaruar se pak ditë më parë ato kanë parë një person të pa njohur, i cili lëvizte në këtë zonë, por nuk kanë mundur të përcaktojnë dot nëse ai ka qenë autori i ngjarjes, pasi ai ishte i panjohur për ta.
Kapet i dyshuari
Pa kaluar ende 12 orë nga vrasja e dyfishtë në Shkodër, forcat speciale të repartit RENEA kanë vënë në pranga në Tiranë të shumëkërkuarin, Admir Tafili. Ai ra në pranga atje ku nuk pritej, në një lokal që ndodhet rreth 500 metra larg repartit RENEA në Tiranë. Një e çarë në faqe, koka që mbante vazhdimisht ulur dhe mbajtja e dorës vazhdimisht tek streha e kapelës që mbante për maskim, e kanë “tradhtuar” Admir Tafilin, teksa po pinte kafe në një lokal pranë “Freskut” në Tiranë. Dyshimet e para i kanë lindur një efektivi të policisë që ka qenë i pranishëm në lokal. Ai ka thënë se aty ndodhej një person që ngjante me foton e të kërkuarit Admir Tafili. Pak çaste më pas grupi i RENEA-s ka mbërritur aty. Në të njëjtën kohë, një informacion i ardhur nga Shkodra, tregonte se Admir Tafili kishte udhëtuar drejt Tiranës dhe do priste një makinë për t’u arratisur sërish. RENEA ka hyrë në veprim. Personi, i shumëkërkuar prej pesë muajsh, ndodhej i vetëm ulur duke pirë kafe në lokalin “Dar…”, tek stacioni i fundit i “Porcelanit” në Tiranë. Arrestimi është kryer në orën 18:15 të mbrëmjes së djeshme. Tetë oficerë të maskuar dhe me antiplumb kanë rrethuar tavolinën ku ndodhej i vetëm super i kërkuari dhe, pa i lënë asnjë mundësi për të kundërshtuar, i kanë kthyer duart mbrapa shpinës. I vetmi kundërshtim i Tafilit ka qenë pretendimi se gjithçka ishte një ngatërrese, pasi ai nuk kishte punë me drejtësinë. Oficerët e policisë i kanë komunikuar akuzat që rëndojnë mbi të, duke i përmendur emrin Admir Tafili, që për disa minuta ai e ka kundërshtuar, duke u thënë se arrestimi ishte një ngatërresë. Gjithçka është sqaruar në policinë e Tiranës, ku nga verifikimi i gjurmëve të gishtave ka dalë se i ndaluari ishte pikërisht, Admir Tafili. Nga kontrolli fizik atij iu gjet një pistoletë “TT” e mbushur dhe me 4 karikatorë, dhe pesë telefona celularë, dy me numra malazezë dhe tre me numra shqiptarë.

ADMIR TAFILI I AKUZUAR PER VRASJEN E VELLEZERVE PJETRUSHI
ADMIR TAFILI I AKUZUAR PER VRASJEN E VELLEZERVE PJETRUSHI

Admir Tafili u arratis pas lejes nga burgu i Shën Kollit

TIRANË – Admir Tafili i konsideruar si një nga personazhet më të frikshëm të krimit në 10-vjeçarin e fundit në Shkodër, u arratis nga burgu më 2 tetor 2010. Ndërkohë që vuante dënimin e dhënë ndaj tij me 24 vjet burg, në datën 2 tetor 2010, Admir Tafili dhe i vëllai që mbaheshin në qelitë e Shën Kollit në Lezhë, përfituan leje nga burgu. Preteksti ishte një raport mjekësor që tregonte se nëna e tyre ishte e sëmurë rëndë në shtëpi. Të shoqëruar nga një togë prej 11 policësh, dy vëllezërit Admir dhe Genci Tafili, u dërguan nga burgu në drejtim të banesës së tyre në lagjen “Usha Kryq” në Shkodër. Leja ishte e vlefshme nga ora 09:00 deri në ora 18:00, të datës 2 tetor. Lirinë e përkohshme Admir Tafili e ktheu në arratisje në një skenar të pabesueshëm. Pasi mbërritën në shtëpi, ndërsa la vëllanë e tij Genci Tafilin me policët në kuzhinë, ai kërkoi pak kohë për të qëndruar privatisht në njërën nga dhomat e banesës. Pikërisht nga dritarja e kësaj dhome, Admir Tafili largohet ndërsa policët prisnin që ai të përfundonte “qëndrimin në intimitet”. Ka qenë ora 15:10 kur policët janë kujtuar të thërrasin Admir Tafilin, por pasi nuk kanë marrë përgjigje, ata kanë thyer derën dhe kanë gjetur dhomën bosh. Admir Tafili ishte arratisur. Policët kthyen menjëherë në burg vëllain e ti Genci Tafili, i cili nuk kishte bërë asnjë tentativë për arratisje. Ngjarja shkaktoi një skandal të vërtetë. SHKB-ja e burgjeve dërgoi për ndjekje penale gjithë grupin e policëve që shoqëruan të dënuarit, ndërkohë që filloi një hetim i plotë deri tek mjeku i burgut që kishte dhënë lejen e daljes së përkohshme.

Arratisja e Tafilit, prangosi 10 zyrtarë

TIRANË – Ditët që pasuan arratisjen e Admir Tafilit nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, kanë shkaktuar një furtunë të vërtetë në këtë institucion. I gjithë grupi i shoqërimit që çoi dy vëllezërit me leje në banesën e tyre në Shkodër, u arrestua. Gjykata e Shkodrës, shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj dhjetë personave të arrestuar, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjykata e Shkodrës vendosi më pas masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për shoferin e grupit të gatshëm që shoqëroi në banesë të arratisurin, ndërsa për gjithë të pandehurit e tjerë u lanë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të arrestuarit ishin, Nazmi Demirxhiu, me detyrë shef i sigurisë pranë burgut Shën Koll, Lezhë, Sabah Selmani, punonjës i togës së shoqërimit, Gjon Lleshgega, përgjegjës i togës së shoqërimit në burg, Arben Lazri, punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, Alban Martinaj, punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, Gjok Marku, punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën Kollit, Viktor Jaku, punonjës i togës së shoqërimit, Gazmir Çoku, punonjës i togës së shoqërimit, Geg Gjeçi, punonjës i togës së shoqërimit, Fatos Frangu, mjek në burgun  e Shën Kollit. Pas ngjarjes u shkarkua edhe drejtori i burgut Lezhë.

 

RIDVAN DIBRA/ELTEVA DELIA



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora