E enjte, 01.05.2025, 10:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: Epilog nga romani ''Murmashët''

E marte, 08.02.2011, 08:38 PM


Thani Naqo

 

EPILOG NGA ROMANI "MURMASHËT" (demonët bëjnë sikur flenë)

 

EPILOG

 

Videot e kamerave në aeroportet e Tiranës, Romës e të Meksikos, kishin fiksuar lëvizjet e Anita Traboninit. Syri elektronik, fshehur në një nga pikat e gërmës “i”, në tendën e reklamës Cecilia, kishte filmuar të fundmin çast të saj, kur furgoni dymbëdhjetë vendësh qe parkuar para motelit në periferi të Meksikos. Anita Trabonini, para se të hipte në furgon, ishte shfaqur me pamje mëdyshese; vështronte diku me sy të picëruar. Pastaj ajo kishte vënë këmbën në shkallëzën e makinës, fustani i qe shpalosur dhe i zbuloi pjesën e shalës, një pëllëmbë mbi gju dhe krejt pulpën bardhoshe.

 

         Atë ditë ajo kishte veshur fustan dhe pulovër ngjyrë gri dhe, në bel, rrip të gjërë femrash. Këpucë të bardha atleteje, pa qafë. Flokët i pati mbledhur nga pas me fjongo të zezë dhe, fytyra e saj, çuditërisht, qe shfaqur më gjëroshe nga ç’qe në të vërtetë.

 

         Lajmi i hidhur për zhdukjen e mistershme të Anita Traboninit u dha së pari në gazetën “Konspiracia”, gazetë që dilte dy herë në javë, të hënave dhe të premteve, në qytetin provincial. Në cep, përmbi listën emërore të personave të humbur nga qyteti dhe rrethinat e tij, vendosej çdo herë fotoja bust e Anita Traboninit, foto e kupjuar nëpërmjet internetit, marë nga një prej gazetave të Meksikos.

 

         Gjer para disa muajve, gazetës “Konspiracia” mezi i shiteshin një mijë kopje, por tirazhi i saj u dhjetëfishua kur, një shkrimtar anonim, filloi të botonte fragmente serialë nga romani i titulluar “Enigma e Bukurisë Shqiptare”. Ndërsa në turmën shëtitëse në xhiron e mbrëmjes, nëpër klube dhe, gjithandej, përflitej paralelizmi midis heroinës së romanit me emrin e Anita Traboninit.

 

         Në javën e parë të Majit, kur blirët përgjatë trotuareve u mbushën me lule dhe gjithë qyteti erëmonte pranverë, në verandën e restorantit luksoz Bota e Re, Bosi i Pyjeve të Shëmturit, kishte organizuar ceremoninë madhështore me rastin e përurimit të Fabrikës së Mobilerisë. Ai kishte ftuar orkestrën e vjetër të Korrit të Pleqve, i parapagoi ata dy javë para ceremonisë për të bërë prova dhe, atë natë, grupi la nam me këngë serenatash. Qyteti mbeti i pagjumë deri sa zbardhi dita, për shkak të akustikës elektronike të amplifikatorëve dhe altoparlantëve të fuqishëm.

 

         Gazeta “Konspiracia” shkroi një artikull të zjarrtë, që zuri gati dy faqet të saj, të shoqëruar edhe me fotografi.  Përveç kësaj, tre stacionet televizive private dhe ai shtetëror, për gjithë javën jepnin pasazhe nga ajo mbrëmje madhështore, që siç u përfol, qenë ftuar të paktën treqind veta. Bosit të Pyjeve të Shëmturit ajo darkë i kushtoi pesëmbëdhjetë milion lek të vjetra, të cilat ai i pagoi trëk-fëk, me një të shkrepur fime në bllokun e çekëve. Asaj nate, përkrah tij, qëndronte një femër flokëzezë, kaçurelëse, mjaft simpatike, me të cilën ai qe fejuar dy muaj të shkuara. Ajo, gjatë gjithë kohës, vështronte të shoqin në sy dhe, la përshtypjen se asaj nuk i intersonte aq shumë pjesmarja dhe hovacionet e të pranishmëve, se sa qenia e saj përkrah burrit të saj. Mbas mesnate, Bosi i Pyjeve doli në podium me kitarën në dorë. Atëherë të ftuarit ishin çuar në këmbë dhe, e shoqëruan për gati një orë, duke kënduar së bashku me të.

 

         Pronari i restorantit, në intervistën që dha të nesërmen, midis të tjerave qe shprehur:

 

         -M’u mbushën sytë me lot disa herë: së pari, ato këngë dashurie nuk ishin harruar në qytetin tonë, në këto njëzet vjet katrahurash politike dhe, së dyti, nuk di pse m’u tipos: e fejuara e  Bosit të Pyjeve, ishte Anita Trabonini dhe, gazetarët dhe ai shkrimtari i romanit “Enigma e Bukurisë Shqiptare”, për koti ngatërruan botën e tërë me pandehmat e tyre.

 

         Mirëpo, fotoreporterëve të televizionit, nuk u kishte shpëtuar edhe fiksimi i një burri trupgjatë, me flokët e rëna, i zeshkët dhe tejet i heshtur, asaj nate të zhurmshme. Ai kishte pamje fisnike, i veshur me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe gravatë blu, e cila kombinonte me sytë e tij të kaltër. Gjatë gjithë kohës, ai qëndroi në të majtë të Bosit të Pyjeve. Të nesërmen u pëshpërit se ai ishte kthyer nga Amerika vjeshtën e kaluar dhe qe dora e tij ajo që mbushte memorien e makinerive moderne me dizenjime fantastike, për zbukurimet me gdhendje në dru në Fabrikën Mobilare.

 

         Madhështia e asaj nate fillim Maji u tret me erëmimin e luleblirëve mirëpo, gazetat që mbanin anën e partisë në pushtet, rrëmuan në dosjet e të kaluarës komuniste, gjersa thelbi i tyre doli në xhiron e mbrëmjes:

 

         -Mos e diskuto: ku ka rrjedhur, do të pikojë.

 

         Aludimet smirëzeza kishin të bënin me Bosin e Pyjeve, të cilin e quajtën bir polici, ndërsa për Zamir Pashën, pronarin e Kodrinës Kallashi, i cili qe i ftuar atë natë, por që erdhi pa gruan, u lëshuan pandehma për abuzim me armatimin në rrëmujat e 97-ës. Pëshpëritje kafenesh tregonin për disenjatorin e Fabrikës Mobilare, i cili kishte qenë i martuar me vajzën e Traboninit, njeriut më të urryer në atë qytetet, në kohën e komunizmit.

 

         -E shoqja ka arritur në majat e Ullstrit - kishte thënë dikush - Ajo është martuar me një bankier zezak.

 

         Ishte gazeta “Konspiracia”, ajo që tërhoqi vëmendjen e nga ajo natë e Ceremonisë Madhështore, la në heshtje thashethemet, duke thëthirë kërshërinë e njerëzve me ngjarjet e romanit Enigma e Bukurisë Shqiptare. Në fragmentin e së premtes, aludohej hapur për Anita Traboninin. Pastaj u hapën fjalë se një detektiv privat, i cili kishte qenë sigurims në kohën e komunizmit, kishte marë përsipër të zbulonte misterin e zhdukjes të Anita Traboninit në malet e Meksikës, diku në afërsi me kufirin e Teksasit. Sigurimsi i përkiste atij brezi diplomuar në pesë vjeçarin e fundit dhe, kur opozita mori pushtetin, atë e hoqën nga detyra dhe ai deklaroi veten detektiv privat.

 

         U përfol se detektivi qe takuar në fshehtësi me disa nga bosët e atyre anëve, të cilët kishin vënë një shumë të madhe parash, me qëllim që, enigma e Anita Traboninit të mos mbetej enigmë dhe banorët e qytetit të mësonin për fatin e saj.

 

         Ndërkohë, autori i romanit, në çdo numër gazete botonte nga një fragment dhe paralajmëronte se ngjarjet që zhvilloheshin në libër ishin fantazi e trurit të tij; por askush nuk e hëngri atë gënjeshtër. Mbrapa Bukurisë Shqiptare, padyshim fshihej emri i dëgjuar i Anita Traboninit, vizioni i së cilës, i mbeti në bebëz të syrit, jo vetëm brezit gjysmë shekullor, thinjur në dy dekadat e pasdiktaturës, por silueta e saj, me atë hijeshinë e ecjes drenushe dhe bukurinë e femrës dyzet vjeçare, mbeti peng në zemrën e të rinjve të qytetit, të cilët ishin mësuar ta shihnin me admirim kur ajo shëtiste çdo mbrëmje në bulevardin kryesor.

 

         Gazeta “Konspiracia”, botoi me gërma të mëdha, thënien e një të riu njëzet vjeçar, student i gjuhëve të huaja, fjala  e të cilit u pranua nga të gjithë:

 

         -Xhirroja e mbrëmjes s’ka kuptim pa Anita Traboninin.

 

         Në fragmentin e dytë të romanit lexuesit dalluan se Bukuria Shqiptare ngjasonte jo vetëm në pamje me Anita Traboninin, por atë e përshkonin detaje dhe imtësia, krejt të njëllojta me jetën e saj intime. Aq më tepër, që ngjarja në roman, përputhej edhe në kohë, me ditën e braktisjes të qytetit prej saj, në javën e parë të shtatorit.   

 

         Sidoqoftë, detektivi që u muar personalisht me rastin e zhdukjes të Anita Traboninit, ditën që u kthye nga Meksikoja, dha intervistë para gazetarëve në televizionin shtetëror të qytetit. Së pari ai deklaroi se nuk kishte lexuar asnjë fragment nga romani Enigma e Bukurisë Shqiptare, i cili botohej në gazetën “Konspiracia”, por shfaqi mendimin enigmatik se, fati i keq i Anita Traboninit, ishte i ngjashëm me ato të miliona femrave, në Tregun e Mishiti të Bardhë Botëror, siç e quajti ai Skllavërinë e Seksit.

 

         -Për të shuar kureshtjen e bashkëqytetarëve të mi, me aq sa ma lejon etika e zanatit tim, unë do të hedh dritë se çfarë  ka ndodhur përtej oqeanit, duke e shoqëruar ngjarjen me fotografitë e bëra me dorën time si dhe disa sekuenca filmimesh të kamerave përgjuese  - tha ai.

 

         Detektivi vlerësoi disa nga pandehmat e botuara nëpër gazeta, po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për ata pesona të padukshëm, të cilët sponsorizuan ndërmarjen e udhëtimit të tij në atë vend të largët për investigim. Ai nuk la në harresë të falenderonte edhe dëshmitarët që i parashtruan paraprakisht pandehmat e tyre.

 

         -Anita Traboninin unë e kam njohur që në bangot e shkollës tetëvjeçare, më pas në shkollën e mesme dhe, ajo njohje e hershme, m’u kthye në dhimbje - tha detektivi. 

 

         Ai e filloi ngjarjen me ditën kur Anita Trabonini bleu valixhen dhe, shprehu habinë personale, për shijen e saj përzgjedhëse ndaj ngjyrës së murme, pasi në dyqankën prej llamarine të Gojacit, kishte patur valixhe nga markat dhe ngjyra nga më të ndryshmet. Atë valixhe të murme, ai e kishte gjetur në një fshat meksikan, thellë maleve, diku afër në kufi  me Teksasin.

 

         -E gjeta të shqyer dhe flakur përfund një rrëpire, mes ca ferrave, të ngjashme me xinxifilet e anëve tona. Valixhja ishte grabitur nga kalimtarë të rasti, por në njërin xhep, fshehur në palat e astarit, unë gjeta letërkëmbimin e dikurshëm të Anita Traboninit me moshatarët shkollarë dhe, një tjetër, dërguar nga Amerika, prej kushërirës, shoqëruar me foto me ngjyra. Për shkak të shiut, një pjesë e letrave dhe fotove, nuk dalloheshin mirë  - tha ai - Shitësi i asaj valixheje të murme,  i nofkuari Gojaci, kur unë e mora në pyetje për të ditur karakteristikat e saj, nga hutimi, u kthye në memec dhe unë mezi munda të deshifroj zërin e tij.

 

         Gojaci kishte qenë adhurues i Anita Traboninit që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, qysh kur ai punonte në grykëderdhjen e lëngut të melasës, në fabrikën e sheqerit. Rrobat i spërkateshin me lëng panxhari dhe xinglat e sheqerit bëheshin të qelqta dhe tingëllonin porsi zilkat e Plakut të Vitit të Ri. Për më shumë se çerek shekulli, Gojaci qëndroi larg syrit të Anita Traboninit, jo vetëm për shkak të xilkave prej sheqeri, por edhe të gjyshit, nga ana e të atit, i cili qe dënuar me pushkatim nga rregjimi komunist. Por, mbi të gjitha, Gojacin e pati munduar memecëria e tij.

 

         -Jejetova në tteterror  tttë dydyfishtë -  më tha.

 

        Gojaci e kishte parë për herë të fundit Anita Traboninin kur ajo doli nga dyqani i tij dhe pastaj ajo qe përballur me Peshkun e Tymuar.

 

         -Uuun nnngjetha i tttëri - sepse atij i qe dukur e vërtetë shkrehja e automatikut kallash dhe zëri kumbues i ish- aktorit të teatrit:

 

         -Je e vrarë Anita Trabonini. Tani shko ku të duash.

 

         Detektivi tha me keqardhje, se i kunati i Anita Traboninit, pronari i Kodrinës Kallashi, njeri i nderuar në sferën e borgjezisë së re qytetare, nuk kishte pranuar t’i jepte hollësira për kunatën e tij, por e priti me thënien zemërake:

 

         -Gjeti atë që kërkoi. Më ler të qetë.

 

         Vali, e shoqja e administratorit, motra e Anita Traboninit, veshur në të zeza, mbrapa shpinës së të shoqit, e ngashëryer, arriti të thotë:

 

         -E mjera unë, mbeta fillikat.

 

         -Përpara se unë të nisesha për në Meksiko - vazhdoi detektivi – dikush, në qytetin tonë, kishte shumuar një foto të hershme të Anita Traboninit. Veshur me përparësen e zezë dhe jakën e bardhë me fruda. Ajo kishte pozuar dikur në oborrin e gjimnazit dhe, në sfond, mbi fasadën e godinës, dallohej parrulla komuniste TA DUAM ATDHEUN MË SHUMË SE VETEN. Një tjetër parrullë gjysmake, BREZI I RI ME IDEALE KOMUN... dhe, ai dikush i panjohur për ju, por jo për mua, kishte shfrytëzuar natën me shi për të mbërthyer nga një foto, në çdo shtyllë, përgjatë bulevardit kryesor. Ai kishte ngjitur një foto në xhamllëkun e Postës Shtetërore, aty, në krye të këndit, ku afishoheshin njerëzit e humbur rrugëve të botës. Dy foto të tjera, nga një për çdo kanatë, ai i kishte ngjitur në portonin prej hekuri të dyqanit, ku Anita Trabonini bleu valixhen, në mëngjesin e javës së parë të shtatorit të vitit të kaluar.

 

         Kamera, në hyrje të aeroportit Nënë Tereza, shfaqi një filmim tejet të errët, për shkak se kishte qenë akoma natë, ora tre e mëngjesit dhe shiu rridhte me gjyma. Megjithatë, qe fiksuar makina Benx, prodhim i vitit 2005, në ngjyrë të zezë, nga e cila zbriti Anita Trabonini, me valixhen e murme në dorë. Nën një ombrellë të madhe, dikush e pati përcjellë atë deri tek hyrja e aeroportit. Detektivi sqaroi se makina e mafiozëve të klandestinëve qe me targë fallso dhe mbajtësi i ombrellës nuk kishte qenë mashkull, por femër e veshur me pantallona bluxhins. Filmimet brenda ndërtesave gjigante të aeroporteve tregonin se Anita Trabonini shfaqej e qetë, por detektivit nuk i dilte nga mendja fytyra e saj tejet e trishtuar.

 

         -Ankthi ndjell parandjenjën e keqe - tha ai.

 

         Në aeroportin e Tiranës, njëri nga doganierët, menjëherë sa pa foton e saj, pranoi se i kujtohej ajo fytyrë e bukur dhe ai e  kishte uruar shqip:

 

         -Rrugë të mbarë zonjushe.

 

         Anita Trabonini i qe përgjigjur në gjuhën angleze:

 

         -Thank You.

 

         Në një nga kanapetë e aeroportit të Romës ajo qe ulur përkrah një gruaje, veshur me kostumin tradicional peruan. Filmimi e tregoi dy herë peruanen: njëherë në gjumë, me kokën mbështetur në supin e Anita Traboninit dhe, të dytën herë, duke biseduar të dyja, më shumë me shenja, sa sa me gojë. Siç duket ato qenë miqësuar njëra me tjetrën, mbase për shkak se ishin të një moshe, mbase për shkak të flokëve të zeza korb. Filmimet në aeroportin e Meksikos e shfaqën Anita Traboninin tri herë. Gjersa ajo kishte mbrritur në vendin e marjes së bagazheve, pyeste punonjësit e aeroportit për t’u orientuar, biletën e udhëtimit e mbante në dorën e majtë, ndërsa me dorën tjetër, tërhiqte valixhen e murme.

 

         -Sikur tërhiqte një rasë varri të murrëtyer nga lagështia - tha detektivi.

 

         Për të tretën herë Anita Trabonini qe shfaqur në sallën ku mereshin bagazhet. Përballë saj u shfaq një djalosh i cili mbante në dorë kartonin ku e shkruara dukej sikur të qe në gjuhën shqipe, me një  “S” më tepër: PRESS ANITA TRABONININ.

 

         -Asaj i dukej vetja sikur qe heroinë filmi - më tha ish-shoqëruesi i saj, Xhepi, nga përtej rrjetës së burgut në dhomën e takimeve - Më ndihmo të më trasferojnë në Spanjë - m’u lut fillimisht ai.

 

         -Nese do të jesh i sinqertë dhe i hapur me mua - iu përgjigja.

 

         -Përsa i përket Anita Traboninit, unë do të tregoj hollësira, por mos më kërko emra. Mjafton të hap gojën dhe dy motrat e mia do të ekzekutohen - më tha Xhepi dhe unë dallova tmerin në sytë e tij - Besoj, ju më kuptoni: Anita Trabonini ishte e zgjuar, por edhe naive. Kompleksitet i femrave të bukura. Kur makina troshitej përmes stepës ajo m’u ankua se i përvëlonte gryka nga lëngje të thartuara. I thashë se gjellët meksikane janë pikante, por ndërkohë dhe dyshemeja e furgonit pluskonte nga të vjellat e klandestinëve. Kutërbimi qe bërë i padurueshëm. Megjithatë, ja ku po ta them: ditën e fundit Anita Trabonini m’u dhimbs. Ajo më bëri për vete dhe unë isha gati të jepja jetën për të. Unë e prita në aeroport dhe, qysh në çastin kur ajo u ul në sediljen e makinës time, m’u shkrep t’ia prek gjunjët. Kishte këmbë të bukura, por rrudhat e holla në fytyrë, gjoks dhe krahët e saj, tregonin se ajo ishte dyfishi i moshës time. Edhe në atë ngucje njerëzish në errësirë, mes furgonit të qelbur, prekja e gjunëve të mia me të sajat, asaj i qe dukur i pa qëllimtë, për shkak të troshitjes së makinës. Më tha se veshët i buçisnin, i vinte alivani dhe ajo u përkul para meje. Mbështeti ballin mbi supin tim. Fryma e saj më flladoi në qafë. Unë nuk u mjaftova me aq, por kur ajo ndjeu pëllëmbët e mia që i depërtuan përmes shalëve, m’i largoi duart dhe u ngjesh sërish pas sediljes.

 

-Nga biseda me Xhepin - vazhdoi detektivi -kuptova se Anita Traboninit i qe dashur të përballej me mënyrat e stërholluara femërore ndaj tekave të shoqëruesit shqiptar. Natën e parë Xhepi kishte këmbëngulur qëllimisht të flinte në dhomën e saj pasi qenë kthyer nga restoranti ku qenë darkuar së bashku.

 

-M’u tipos në kokë të bëja seks me të - pranoi sinqerisht Xhepi.

 

Njëra nga kamerieret e restorantit, përballë motelit Cicilia, qëlloi që fliste anglisht dhe më tha se ajo e njihte shumë mirë Xhepin, qysh prej katër vitesh të shkuara, kur ai ende nuk pati vënë brisk në faqe. Xhepi ishte ulur në rradhën e tavolinave që shërbente ajo.

 

-Ishte i shoqëruar nga një sinjore e pashme flokëzezë - tha kamerierja – por, Xhepi atë natë e teproi me Tokila dhe dy shishe birrë Korona. Është tip sa i ëmbël aq dhe i rrezikshëm. Mua më vinte gjithnjë për të qeshur, megjithëse kishte trup të rregullt : penisi i tij me ngjasonte me një banane të vogël. Më paguante aq sa i thosha. Nuk di pse krijova përshtypjen se sinjora qe e ëma e tij. Disa herë Xhepi i mori asaj dorën mes pëllëmbëve dhe ia puthi. Kjo gjë më çuditi jo vetëm mua, por edhe kamerieret  e tjera.

 

-Kjo ndodh vetëm me nënat - m’u shpreh një kameriere tjetër - Sinjorës i qe dashur ta mbante për krahu kur dolën nga restoranti. I pashë nga xhamllëku kur ngjiteshin shkallëve të motelit dhe më bëri përshtypje përkujdesja e saj prej nëne. Unë nuk u bëra xheloze aspak, megjithëse kisha fjetur me Xhepin dy a tri herë.

 

-Pas mbylljes së derës të dhomës së motelit, Xhepi ia  shkrepi të qarit dhe, Anita Traboninit, i ardhi keq për të dhe e lejoi që ai të mbështeste kokën në prehrin e saj. Këtë fakt e deponoi pronarja e motelit, Cecilia, e cila kishte përgjuar fillimisht nga brima e çelësit të derës dhe pastaj ajo ishte kthyer në zyrën e saj, tejet kureshtare, për të parë në dhomën e tyre, nëpërmjet kamerës së fshehtë, në syrin e këndesit të orës së murit.

 

-Desha të di si bëjnë seks shqiptarët - më tha Cecilia.

 

Një nga policët meksikanë më sqaroi se atë kamer sekrete, e kishin vendosur tre vite të shkuara. Cecilia, pronarja e motelit, duhej të lajmëronte menjëherë, nëse bujtësit e saj ishin njerëz të dyshimtë.

 

-Ju e kuptoni - kishte thënë polici meksikan - Bota ka ndryshuar pas ngjarjeve të Njëmbëdhjetë Shtatorit.   

 

Nga deshifrimi i zërave doli se Xhepi, megjithëse i dehur, kishte lëshuar njëmijë fjalë fyese për nënën e tij. Ajo i kishte braktisur rrugëve të Spanjës, atë dhe dy motrat e vogla. E ëma ishte zhdukur me një maroken në rrethinat e Katalonjës. Xhepi, fytyrëngjeshur në prehrin e Anita Traboninit, e kishte quajtur nënën e tij me fjalë rrugaçi:

 

-Kurva e Madhe e Shqipërisë!

 

Pas kësaj thirrme, atë e kishte hipur e vjella. Anitës i qe dashur ta mbante për krahu kur shkoi në banjë dhe ai nxorri ushqimin në lavaman. Pas të vjellave ishte qetuar disi dhe telefonoi t’i sillnin kafe në dhomë, ndërsa ajo kishte këmbëngulur disa herë që ai të shkonte në dhomën e tij.

 

-Jo sonte. Të lutem. Kam frikë të fle vetëm - qe përgjigjur djaloshi zëdredhur dhe qe shtrirë i veshur në shtratin e saj. Megjithëse kishte kaluar mesnata, pronarja e motelit, veshur në këmishën e gjumit, solli kafen. Por, Xhepin ndërkohë, e pati mbërrthyer gjumi. Filmi tregonte si Anita qe habitur me gjoksin gjigant të pronares së motelit, e cila e përshëndeti në spanjisht dhe e pati vështruar me kureshtje për disa sekonda. Para se pronarja të dilte nga dhoma, kishte tundur kokën në mënyrë misterioze dhe tregoi me gisht Xhepin. Gjimadhja meksikane ishte tërhequr praptazi deri tek pragu i derës dhe, në ecje e sipër, kishte bërë kryqin mbi gjoks duke thënë tri herë:

 

-Santa Maria! Santa Maria! Santa Maria!

 

Anitës i qe dashur të mbyllte nxitimthi derën nga brënda dhe qe planduar në kolltukun pranë dritares.

 

-Kolltukët e shtretërit në motelin tim - më tha Cecilia - janë të ngopur me djersat botërore. Nëse publikoj filmimet e mia, asnjë femër nuk do të shkelë këtyre anëve, por unë nuk e bëj këtë gjë, mbasi kam hallin e biznesit tim.

 

Ndërkohë që Cecilia dërdëlliste në anglisht, detektivi kishte dalluar ankth në fytyrën e Anita Traboninit.

 

-Pamja e saj më la përshtypjen sikur ajo ndodhej akoma në Shqipëri dhe përjetonte ngjarjet e rrëmujshme të 1997-ës. Edhe mua m’u duk e njëjta gjë, pasi kalova një natë në atë dhomë ku kishte fjetur Anita Trabonini - tha detektivi -Nga rrugët e Meksikos vinin të shkrehura armësh dhe burritë e makinave të policisë e kishin lënë pa gjumë të katra netët e qëndrimi në motel. Xhepi, natën e parë, dalldisur nga alkooli, qe zhytur në gjumë të thellë, kurse Anita Trabonini e përgjonte atë dhe mbeti me ankthin se ai mund të zgjohej nga çasti në çast dhe, sepse kush e di ç’kurthe bluante ajo kokë e krisur aventurieri për fatin e saj.

 

-Lëviste buzët sikur fliste me dikë - tha detektivi për Anita Traboninin - Xhepi pranoi me sinqeritet se ajo qe treguar naive me të, duke i treguar atij krejt jetën intime dhe atë të familjes.

 

-Sinqeriteti i saj më shtyu edhe mua të zbrazem, gjë që nuk duhej ta kisha bërë. I tregova për familjen time mërguar në Spanjë - tha Xhepi.

 

-M’u duk tip mburraveci kur ai foli për bëmat e tij rrugëve nëpër botë - tha detektivi për Xhepin - Evropës i kishte rënë kryq e tërthor. Ai kishte qenë edhe në Nju Jork dhe këtë e vërtetoi fotoja që ishte në kuletë: pozuar në qëndrën Manhatan përkrah një vajze flokëzezë.

 

-Ishte kurde. E egër si panterë - më tha - Kurdja kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga kufiri me Maqedoninë dhe, pastaj e patën përcjellë në Itali dhe, nga Italia në Meksikë. Anita Trabonini nuk tregoi interes për kurden panterë, por vështrimin e mbërrtheu në sfondin e qytetit të madh,  ngjeshur me grataciela.

 

-Nju Jorku është ëndrra ime - më tha ajo - Në majën e atyre gratacielave, jeton kushërira ime. Nga pastruese zyrash, u bë sekretare dhe nga sekretare, ajo sot është në kubenë e Uollstrit. Këtë lajm ma dha kushërira një ditë para se unë të hipja aeroplanin në Tiranë. Pastaj ajo më tregoi fill e për pe, jetën e saj, kur ishte gjimnaziste. U mburr se djemuria e qytetit ishin gati të flijonin për të dhe, ajo nuk guxonte të dilte e vetme, sepse gjithmonë i priste rrugën ndonjë adhurues. Njëri nga regjizorët e kinostudios i kishte thënë se ajo do të bëhej artiste e madhe filmash, mirpo e ardhmja e saj u përmbys me dënimin e të atit, për agjitacion e propagandë. Të them të drejtën, unë këtë lloj dënimi, akoma nuk e kuptoj. Familjen e saj e kishin izoluar në një fshat mes maleve. Kam kapur bajga me dorë, më tha. Kam punuar me kazëm e lopatë. Jetë skllaveje. Njëlloj e nëna edhe motra ime Vali. Im’atë hiqej zvarrë në minierat e burgut të Spacit. Çuditem me këto që po dëgjoj - i thashë sypërlotur - dhe, pa i marë lejë, i tërhoqa dorën nga vetja. I këqyra pëllëmbën. Dallova gjurmë të kallove të verdhëllema. Ia preka ato me mollëzat e gishtave.

 

-Më ngjasojnë me guackat e lajthive në pyjet e Baskëve të Spanjës - i kishte thënë Xhepi.

 

Sepse Xhepi kishte kaluar këmbazi edhe përmes Apenineve. Pastaj, siç tha, ai qe përkulur mbi tavolinë, ia puthi asaj të dyja pëllëmbët dhe Anita qe mallëngjyer nga ky veprim dashamirës i shoqëruesit të saj. 

 

-Ajo piu pa ndrojtje birrë nga gota ime dhe, që nga ai çast unë, fillova të mendoj vetëm për të. Asaj rradhe më rastisi femra më fatmjerë që kisha njohur në jetën time. Ajo përmëndi emra banorësh nga ai fshati i humbur mes maleve të Shqipërisë dhe më tregoi si ata i patën ndihmuar fshehurazi me perime dhe bulmet në kohën më të vështirë të jetës së tyre. Një familje, nga ai fshat, kishte emigruar në Amerikë. Ajo ishte mikja e tyre, por nuk do të shkonte tek ta, në Florida.

 

-Më pret kushërira në Nju Jork - tha ajo.

 

- Kushërira e saj e kishte braktisi burrin, për shkak se, edhe në Amerikë, i shoqi kishte mbetur fshatar i rëndomtë. Kushërira e saj do të martohej me një nga bosët bankierë. Anita Trabonini më kërkoi të përdorë celularin tim, për të folur me kushërirën, por unë i thashë se ajo gjë ishte e pamundur. E çova në qendër të Meksikos dhe ajo i telefonoi nga një telefon rruge. Ndërkohë që fliste më kërkoi stilolapsin dhe shkroi një numër të ri telefoni. Dukej tejet e lumturuar! U lumtërova edhe unë.

 

 -Unë do të jetoj në Nju Jork edhe sikur ta di se do të pastroj rrugët e atij qyteti - më tha porsa doli nga kabina e telefonit.

 

-Nju Jorku i prish mendjen gjithë botës - i thashë - Gjysma e atij qyteti nuk ka dallim me pazaret e Ballkanit. Është qyteti më kot në botë - dhe ajo mblodhi buzët me mosbesim, por pa e shuar lumturinë, që mua m’u duk se i kishte pushtuar të gjithë trupin.  M’u duk tejet e mrekullueshme!

 

         -Xhepi pranoi se kishte porositur gotën e tretë me tokila dhe atë e piu me dy gllënjka. Atij i qe zgjidhur gjuha dhe i tregoi sekretin Anita Traboninit se ai kishte detyrën të priste e përcillte në destinacion jo vetëm refugjatë shqiptarë, por klandestinë nga e gjithë bota. Për këtë punë shpërblehej. Nga të pesëmbëdhjetë mijë dollarët e saj, një përqindje do të shkonte në xhepin e tij dhe...Dhe gjatë udhëtimit përmbi kodrinat ranore të stepës meksikane, Xhepi kishte qëndruar gjatë gjithë kohës mbrapa Anita Traboninit.

 

         -Më dukej sikur do t’ma rrëmbente stepa - tha. 

 

         Zbritën të gjithë nga furgoni. Do të udhëtonin disa orë në këmbë përmes shkretëtirës ranore, për t’i bërë bisht kontrollit të policisë meksikane.

 

         -Unë - tha Xhepi - pa i mare lejë dhe pa i përfillur këmbënguljen, hodha në shpinë çantëvalixhen e saj ku ajo mbante rrobet e nevojshme të udhëtimit. Ngjyra e valixhes ishte gati e njëjtë me atë të rërës ku shkelnim. Gjatë atij udhëtimi më shqetësonte mendimi se ajo ishte zemëruar dhe dyshonte për mua: admirimi im do të fikej menjëherë pas shuarjes së epshit. Në kalimin këmbadoras, të rrëpirëspërgjatë një breglumi, e mbërrtheva për sqetullash. E ngrita në ajër. Ajo nuk kundërshtoi edhe kur, padashje, i mbërrtheva pëllëmbët mbi gjinjtë e saj. Nuk i lëshoi klithmën femërore errësirës së natës. Poshtë humnerës zhurmëronte lumi i turbullt.

 

         -Kanë derdhur selino - tha ajo.

 

         -Nuk kam idenë se ç’është selinoja.

 

         -Helm - m’u përgjigj - E ndjej nga era.

 

         Dolëm sipër një ledhi ranor. Pëllëmba e saj e brishtë humbi në pëllëmbën time të madhe. Ajo më tha se dalloi thartësirën e djersës time, por unë nuk i thashë se edhe kurmi i saj kutërbonte djersë nga ecja e gjatë dhe e nxituar. Isha i bindur se sytjenat dhe mbathjet i ishin qullur krejt. Ishte natë e nxehtë stepe dhe valët përcëlluese ngriheshin dhe mua më dukej sikur ecnim përmbi hi. Para se të zbardhte mëngjesi, vargu i klandestinëve kaloi njëshkolonë përmbi ca kodrina ranore, gjersa këmbët tona prekën në rrugë të ashpër, shtruar me zhavorr. Hipëm në të njëjtin furgon. Pas dy orësh, nëpër rrugë të përdredhura malore, mbrritëm në një fshat meksikan, mes rrafshnaltave shkëmbore. Ishte hera e parë që unë ndodhesha në ato anë. Tej, në sfondin e largët, shfaqeshin të tjera maja malesh të larta, të bardha.

 

         Anita më pyeti:

 

         -Është dëbore, mjegull apo aluvione vullkanike?

 

        -Xhepi nuk i qe përgjigjur kureshtjes së saj - spiegoi detektivi - sepse atij nuk po i pëlqente pëshpëritja e shoqëruesve meksikanë, mbledhur kokë në kokë në fund të sheshit. Xhepi kishte dalluar nervozizmin e tyre nga mënyra se si thëthinin tymin e maurjanës dhe pluhurin e bardhë të drogës.

 

         -Fillimisht dukeshin të ngurtë. U qenë ngurtësuar edhe muskujt në fytyrat gjëra esmere. Mua kjo gjë nuk më pëlqeu. Anita priste me durim rradhën tek çesma me një sylinjar kallami, ku varej curila e hollë e ujit të vakur. Gjashtë tajlandezet, sikur të qenë motra, ndihmonin njëra-tjetrën në larjen e pjesëve trupore dhe krehjen e flokëve. Shoqëruesi, i racës së tyre, i vëzhgonte me syrin e stërvitur dhe nënqeshte vazhdimisht. Ishte hera e parë që unë e shihja atë tip aziatiku dhe mendova se ai atë ditë do të zinte një dorë të mirë me klandestinet e tija. Anita u mjaftua aq sa për të larë fytyrën dhe pulpët. M’u ankua nga përcëllima djegëse mbi gërvishtjet e shkaktuara nga gjembaçët e stepës, por unë nuk iu përgjigja. Parandjeja rrezikun. Telefonatat e shumta të shoqëruesve meksikanë nuk më pëlqenin. Unë e kuptoja gjuhën e tyre. Gjithashtu, vajzat tajlandeze, ishin nën mbikëqyrjen e syve të tyre të paturpshëm. Anita Trabonini ndërkohë kishte mbaruar me larjen e pulpave dhe pastronte nga pluhuri këpucët atlete. Para nisjes, ajo kishte dashur të dinte hollësira për këtë udhëtim nate, por unë iu  përgjigja shkurt:

 

-Duhen këpucë atlete. Hollësirat e tjera pengojnë nisjen.

 

-Jeta e njeriut, në vend të huaj, është mister - më tha zëdredhur para se të hipte në furgon. Të njëjtën shprehje e dëgjova që e tha edhe kur ajo u ul në cepin e postafit të çesmës. Unë rija kokulur dhe tymosja cigare pas cigareje, por pa ua ndarë sytë shoqëruesve meksikanë.

 

-Flokët të janë rralluar - më tha Anita Trabonini me keqardhje - Gjynah, kaq i ri dhe nuk tregon kujdes për to.

 

-Isha një pëllëmbë më i gjatë se Anita Trabonini. Ajo m’i pëlqeu tiparet dhe mjekrën në fytyrën time të hequr. Natën e fundit ajo u zhvesh dhe ra për të fjetur, pasi u sigurua se unë u mbylla në dhomën time. Prita gjersa ra mesnata dhe këndesi mbi kokën e shtratit tim këndoi dymbëdhjetë herë. Ashtu, i veshur në mbathje, trokita në derën e sportelit. Cecilia nxorri kokën dhe qeshi. Më dha kopjen e çelësit dhe tha:

 

         -Kujdes. Femra, kur nuk ka qejf, mban me vete thikë.

 

         Detektivi qe bindur nga ato që dëgjoi nga goja e Xhepit, sepse çdo fjalë e tij, vërtetohej nga fimimi: Anita Trabonini kishte rënë për të fjetur me dritën ndezur. Qe e veshur me një këmishë të hollë nate. Këmbët e zbuluara nga mesi i pulpave e poshtë. E kthyer brinjazi, nga ana e murit. Ishte hapur dera shumë ngadalë, pastaj qe shfaqur fillimisht çaçka pa flokë e Xhepit dhe ecja e tij në majë të gishtave. Qëndroi një çast para shtratit dhe duart i fërkonte njëra me tjetrën. Pastaj mori guximin dhe uli mbathjet. U çlirua prej tyre dhe ishte shtrirë përkrah saj, buzëkafshuar, sikur donte të zbuste lëvizjet e tij. Kishte patur penisin si banane e vogël, me harkun lart, ashtu siç e përshkroi kamerierja por, kur qe shtrirë në shtrat, i qe mbledhur befas, sa gishti i mesit të pëllëmbës.

 

         -Anita Trabonini bëri gjoja sikur flinte - tha Xhepi - Të nesërmen e mora vesh se ajo kishte qenë zgjuar, mirëpo ajo dëshirë e madhe për të bërë seks me të, m’u fik menjëherë. Zverku i zbuluar, flokët e zinj dhe laprat e lëkurës në llërë, më kujtuan nënën. Pas një minuti u çova nga shtrati, mora mbathjet në dorë dhe shkova në dhomën time, e cila ishte ngjitur me të sajën. U vonova qëllimisht gjysmë ore, që Cecilia të mos pandehte të kundërtën. Druhesha nga ngacmimet e saj. I trokita në sportel dhe, asaj here, m’u duk e nervozuar, nuk ma shkeli syrin, por mori çelësin, mbylli sportelin dhe s’tha as “natën e mirë.” Të nesërmen gjumi më doli aty nga dreka. Shkuam e u drekosëm të dy me Anita Traboninin. Ishte dreka e fundit që unë hëngra me të. Më vështroi me ca sy gati pa jetë. Para se të dilnim nga restoranti ajo hapi çantën e dorës. Unë pandeha se ajo donte të paguante të ngrënat dhe i mbajta dorën, por ajo vuri buzën në gaz dhe nxorri nga çanta një thikë, nga ato që serviren në tavolinat e restoranteve.

 

         -Ka hyrë gabimisht në çantën time - tha dhe e bashkoi atë me të tjerat. Ja kështu...Pastaj u shpalos dita dhe ngritja e diellit mbi male bëri që majat e tyre të zbardhnin me shkëlqim verbues.

 

         -Këtë lloj shkëlqimi e lëshon dëbora - tha Anita Trabonini dhe u rehatua më mirë në cepin e postafit të çesmës, gati ngjitur me mua. Ajo shpleksi flokët me gishta. Të njëjtën gjë bënin edhe vajzat tajlandeze, rregullonin balluket e zeza, prerë shkurt dhe atëherë më shkoi mendja se sa simpatike kishin qenë ato, të përzgjedhura midis më të bukurave, për këtë udhëtim të largët dhe unë nuk e kisha vënë re. Dy vajzat bullgare, motra, prej gjysmë ore më parë kishin shkuar mbrapa një shtëpie, për t’u shurrdhjerë dhe unë nuk i pashë më të ktheheshin që andej.                   

 

         -Kam trupin e zjarruar - dëgjova të thotë së fundi Anita Trabonini - Në gjoks më përdridhet një gjarpër i ftohtë akull.   

 

         Befas, truri m’u errësua nga një goditje e fortë mbrapa zverkut. Ndjeva trupin tim që u palos përpara dhe fytyra m’u ngjesh në baltë. M’u bë se dëgjova klithma të largëta femrash dhe fishkëllima ngjethëse frenash. Kaq.   

 

2010



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx