E merkure, 28.05.2025, 05:47 PM (GMT+1)

Kerko: a

Selim Hasanaj: A do mbetet mërgata shqiptare e përjashtueme përgjithmonë nga atdheu i vet?!

E merkure, 19.01.2011, 08:59 PM


A DO MBETET MËRGATA SHQIPTARE E PËRJASHTUEME PËRGJITHMONË NGA ATDHEU I VET?!

 

Nga Selim Mustafë Hasanaj

 

Këto ditë TV-të e Dardanisë lajmruen se një staf  ekspertësh me në krye Prof. Rifat Blaku kanë ba gjithçka gati për regjistrimin e popullsisë dhe pronave në Dardani. 

Të bahet kjo, asht ma se e nevojshme; joqë asht dashtë të bahej shumë, shumë ma heret, sepse për herë të fundit një veprim i tillë i domosdoshëm për çdo shtet dhe për çdo popull ka ndodhë në vitin 1981, në kohen kur Dardania e okupueme ishte njësi autonome e ishperandorisë komuniste jugosllave.

Në realitet ka pasë edhe një regjistrim tjetër të organizuem në fillim të viteve 1990-ta nga LDK-ja e liderit legjendar Dr. Ibrahim Rugova, por atë regjistrim nuk e kanë pranue jo vetem minoritetet që jetojnë në Dardani, por ka pasë edhe organizma shqiptarësh që e kanë hedhë poshtë atë ndermarrje të LDK-së dhe kurrë nuk e kanë pranue. Ata direkt me këte kanë dalë në anen e okupuesit dhe pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, sepse as ai nuk pranonte asnjë hap të ndërrmarrë nga shqiptarët si popull shumicë i Dardanisë dhe asnjë institucion të saj, që formohej nga vota e popullit nën organizimin e LDK-së së Ibrahim Rugoves.

Pra atë regjistrim të popullsisë, sado të organizuem dhe të mbajtun para tytave të tankseve dhe autoblindave ushtarake e policore serbe në Dardaninë e atëherëshme,  LDK e pat ba për mrekulli, sepse edhe në mërgatën tonë, apo sikur na thërrasin, në diasporën tonë, gjithandej botës, na i patën dërgue formularët, kështuqë regjistrimi edhe i mërgates u ba falë punës së palodhshme të degëve dhe nëndegëve të LDK-së, që ishin krijue gjithandej nëpër botë.

Mas luftës dhe çlirimit të Dardanisë, ka pasë kërkesa nga e djathta shqiptare që sa ma parë të mbahej regjistrimi i popullsisë, por kjo asht neglizhue dhe nuk asht përkrahë nga e majta, apo ma mirë të them, nga partitë e dala nga lufta, me pretekstin se ka punë të tjera ma të mëdha dhe ma me randësi që duheshin ba. 

Ma vonë u vërtetue se ata në realitet nuk e kanë dëshirue regjistrimin e pronave dhe popullsisë, sepse ashtu, në atë mjegull dhe anarki, kanë muejtë ma lehtë me uzurpue, me ba allishverishet e veta për t’u pasunue dhe për t’i ba të vetat edhe ato prona që kurrë nuk i kanë pasë.

Dihet sheshit se me mijra hektarë të pronave tokësore të ishpronave shtetnore, pra të ish shtetit të Jugosllavisë, sot janë pronarë të tyne ishkomandantë dhe isheprorë të të ashtuquejtunit SHTAB i UÇK-së kryesisht, por edhe të përkrahësve dhe familjarëve të tyne.

Dihet gjithashtu se shumë shtepi, shumë banesa, janë uzurpue, dhe mbrenda këtyne 10 vjetëve liri u ka ndrrue pronari dhe janë shitë e stërshitë me nga disa herë; ashtu si dihet se ka pasë raste kur i futuni mbrendë me dhunë në shtepinë apo banesën e huej, ka kërkue me disa mija marka gjermane e ma vonë euro për ta lirue banesën apo shtepinë kur pronari serb, malazez apo minoritar tjetër e ka shitë përmes matrapazëve të ashtuquejtun agjentë për shitblemje të pronave.

Mirëpo, kur pronari i ri ka ardhë për t’u vendosë në pronën e bleme, atë e ka pritë para dere tyta e armës dhe i janë kërkue pare për t’ia lirue banesën apo shtepinë e bleme me disa dhjetra mija marka apo euro.

Kjo, pra, ka qenë arsyeja e vetme pse nuk asht përkrahë të bahej sa ma shpejt regjistrimi i pronave dhe i popullsisë në Dardani. Nuk i ka hangër maraku ish "luftëtarët", sepse zvarritja për t’u ba regjistrimi do u mundësonte të baheshin banorë të Dardanisë dhe qytetarë të saj edhe atyne që deri para një dekade kanë vra e masakrue civilë shqiptarë nëpër Dardani. Të bahen banorë dhe pronarë tokash e pronash edhe serbtë refugjatë nga Knini e Sllavonija në Kroaci, apo malazezët e Vrakës, që patën ikë nga Shqipnia mbas ramjes së sistemit monist atje. Nga ana tjetër, se zvarritja e regjistrimit do t’i pamundësojë me dhjetra, mos me qindra mija shqiptarëve të ikun për të shpëtue kryet në fillim të viteve ’80, ’90, sidhe të ashtuqujtunve puntorëve sezonalë, që patën shkue në Europë, kryesisht në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, Belgjikë etj., qysh në filllimin e viteve ‘60. Këta të fundit me nga katër dekada kanë ba punët me të vështira fizike dhe kanë kursye lekun me të cilin kanë ndërtue shtëpi e prona, kanë shkollue femijtë dhe kanë përmirësue infrastrukturën e familjeve dhe vendbanimeve të veta.

Zhagitje pas zhagitje, dhe ma në fund erdhi dita që do të bahet edhe ky hap i nevojshëm dhe shumë me randësi për Dardaninë dhe qytetarët e saj, e në veçanti për popullin shqiptar. 

Mirëpo, unë si mërgimtar, si shqiptar dhe si qytetar i thjeshtë, baj një pyetje. Pyes, sepse më shqetson, në vend që të më gëzojë lajmi që e dëgjova edhe nga vet Prof. Rifat Blaku, se regjistrimi i popullsisë dhe pronave do të bahet në fillim të prillit dhe do zgjasë deri kah mesi i prillit të këtij viti.

Pushtetarët shqiptarë në Dardani e dijnë se mërgata e saj vjen kryesisht verës, gjatë muejve korrik-gusht, për t’i ba pushimet në vendlindje. 

Prandaj, mendoj se në këte kohë edhe ishte dashtë të bahet regjistrimi, për faktin se do regjistroheshin edhe mërgimtarët tanë të shkapërderdhun gjithandej nëper botë. 

Janë të paktë ata mërgimtarë që mund të vijnë për t’u regjistrue dhe per t’i regjistrue pronat e tyne (shumë nga to të bleme në vitet e mbasluftës) në prill, për faktin se ata i kanë të lajmrueme pushimet në korrik e gusht, dhe shumë nga ata, për të ardhë për regjistrim, kanë dy mundësi, ose të mos vijnë fare, ose të rrezikojnë të humbin vendin e punës.

Këto fakte asht dashtë t’i kishin parasysh pushtetarët e Dardanisë dhe nuk ishte dashtë fare të mbahet regjistrimi në kohen kur mërgata nuk mundet me ardhë.

Çuditem se si as Prof. Rifat Blaku, e askush tjetvr, nuk e tha një fjalë për mërgaten shqiptare, ndërsa ka zana që interesohen per të ashtuquejtun serbë e malazëz të shpërngulun nga Dardania për shkak të luftës dhe që jetojnë si refugjatë në Serbi e gjetiu. 

Sikur të ishte fjala për disa dhjetra qytetarë, nuk do të çuditesha, po fjala asht për përafeërsisht njëmilion shqiptarë të ikun nga Dardania në tri-katër dekadat e fundit, të cilët kanë prona dhe trashegim brez mbas brezi, që nga koha pellazge, në vendbanimet dardane, e që tash do mbeten pa i regjistrue ato prona, pa u ba banorë të Dardanisë së lirë e të mvetësishme.

Nëse pushteti i Dardanisë nuk mund t’i përshtatet kohës kur mërgata vjen atje me të madhe për pushime, pse nuk po insiston ky pushtet ta bajë sikur pat ba Dr. Ibrahim Rugova, t’i dërgojë formularët në shtete ku ka qytetarë të saj dhe të regjistrohemi të gjithë?

Shpresoj se ky shkrim i imi do përkrahet dhe nuk do të bjerë në vesh të shurdhët, ashtu sikur due të besoj se pushtetarët tanë nuk e kanë vendosë që njëherë e përgjithmonë të na largojnë, të na perjashtojnë nga Atdheu dhe vendi ku kemi le, e të cilin e kemi ndihmue me lekun, me djersën dhe me jetën tonë për të fitue lirinë dhe pavarsinë.

Na edhe sot, pandërpre, ndihmojmë familjarët dhe nevojtarët në vendlindje, prandaj pyes: kush janë ata që po duen të na ndalojnë të jemi qytetarë të Dardanisë?!

Pse nuk na përshtatën kurrë, që edhe na të jemi ashtu si jemi, defakto edhe dejure, pjesë e Atdheut, që në mërgim e shohim andërr, dhe me mallin për të gëzojmë jetën dhe hidhnimet e mërgimit.

 

Sarpsborg: 18.01.2011

Norway



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx