Mendime
Dibran Demaku: Politika
E merkure, 19.01.2011, 08:58 PM
POLITIKA
„Politika s`është asgjë tjetër , pos mjeshtri e rrenës në çastin e duhur“
Volter
Nga Dibran Demaku
Nuk e di nëse është bërë ndonjëherë ndonjë anketë për kombin më politik në botë.Apo nëse do të bëhet ndonjë anketë e tillë në një të ardhme të afërt. Por,në një gjë jam më se i sigurtë:Nëse do të bëhej një anketë e tillë,kombi shqiptar do të zinte një nga vendet e para,e mbase edhe të parin!
Përse dhe nga rrjedh një konkludim i tillë?!
Kombi shqiptar,ndër kombet më të vjetra të kontinentit, e mbase edhe më i vjetri,nëpër histori ka kaluar nëpër sfida të mëdha.Gjatë tërë historisë së tij mijëvjeçare ka qenë i detyruar të mbrohet nga sulmet grabitçare nga më të ndryshmet.Dhe në përpjekje me kombet grabitçare shumë herë ka rënë edhe nën sundim të huaj.Dhe pastaj për t`u liruar nga ato sundime i është dashur që të bëjë luftëra titanike për liri dhe pavarësi.Gjysëm -Shqipëria e fitoi lirinë dhe pavarësinë para një shekulli,ndërkaq Gjysëm –Shqipëria tjetër,Kosova vetëm para një dekade e pavarësinë vetëm para tri vitesh.
Dhe mbase është krejt e natyrshme që kombet që kanë bërë luftëra të gjata çlirimtare të ju interesojë më shumë politika se kombeve tjera të lira.Një fenomen i tillë po ndodhë edhe me kombin shqiptar në përgjithësi.Thuajse që të gjithë njerëzit e këtij kombi merren apo interesohen për politkë!Dhe atë që nga fëmija e klasës së parë e gjer tek më të moshuarti!
Lind pyetja se përse tek kombi ynë po ndodhë një fenomen i tillë?! Apo merremi të gjithë me politikë sepse nuk kemi me se të merremi?! A mos i kemi zgjidhur të gjitha problemet tjera ekonomike dhe sociale dhe na ka mbetur vetëm politika?!
Të gjitha problemet tjera i kemi lënë anash dhe merremi me politikë,apo thjeshtë ineresohemi për politikë! Sikur politika na qenka shkop magjik që i zgjidhka të gjitha problemet! Ndërkaq nëse i referohemi Volterit se:”Politika s`është asgjë tjetër,pos mjeshtri e rrenës në momentin e duhur”.
Duke u marrë apo duke u interesuar për politikë ne mendojmë se jemi të gjithëdijshëm.Se dijm ëgjithçka?! Dhe vërtet ne dijmë shumë për ato gjëra të parëndësishme dhe që nuk na duhen, e shumë pak dijmë për gjërat që na duhen në jetën e përditshme!Ne dijmë se kush është kryetar i Amerikës dhe i Xhibutit; ne dijmë se sa kilometra katror i ka Australia dhe Zelanda e re,ne dijmë se çfarë ëndërron Emiri i Kuvajtit dhe Hugo Çavezi i Venezuelës?!... Ndërkaq ne nuk dijmë se sa kilometra katror i ka Kosova; ne nuk dijmë sa është gjatësia e Drinit të bardhë; ne nuk dijmë sa shekuj është i vjetër Berati?!
Nxënësve në shkollë u themi se vendi ynë është i pasur me pasuri mbitokësore e nëntoksore; se ne jemi me fat që jetojmë në vendin tone të pasur,por kur ndonjëri nga nxënësit bën pyetje se përse atëherë tek ne mungojnë dritat elektrike; se përse nuk kemi ujë të mjaftueshëm për çdo ditë; se përse të rinjët e shkolluar ikin nga vendi ynë dhe marrin rrugën e kurbetit… ne njëzëri si në kor përgjigjemi:-Fajin e ka politika! Se ne bëjmë politikë të gabuar ekonomike; se ne bëjmë politikë të gabuar sociale; se ne bëjmë politikë të gabuar zhvillimore; se ne bëjmë politikë të gabuar industriale… e kështu me radhë!... Se në politikën tone lulëzon korrupsioni;se në politikën tonë sundon kërcënimi e shantazhi; se në politikën tone dominon rendi mafioz!...
Ndërkaq nocioni Punë nuk përmendet askund!Sikur këtë nocion e kemi larguar nga fjalori i gjuhës tonë! Kur bëhet fjalë për këtë nocion që të gjithë si në kor përgjigjen:-Në vendin tone nuk ka punë!Është papunësi e madhe! E këtej arat tona djerrë si askund tjetër; në fushat tona bari i tharë i pakositur; mallet e shkretëruara nga dora grabitçare…E të rinjët tanë edhe me shkolla të kryera ikin në vende të ndryshme perendimore! Dhe atje bëjnë punë krahu; bëjnë po ato punë që nuk i bëjnë nëKosovë; edhe punojnë arat e shteteve tjera,edhe kositin barin e fushave të tyre, edhe kujdesen per malet e tyre?!...
Ndërkaq sot në Kosovë punëdhënësi më i madh është politika! Mjafton që të jesh i anëtarësuar në një parti politike dhe punën do ta sigurojë partia! Për të qenë ironia edhe më e madhe që të gjitha partitë politike në Kosovë ,si ato në pushtet ashtu edhe në opozitë ,sidomos kur është fushatë elektorale, premtojnë se do të hapin shumë vende të reja pune; se me ardhjen e tyre në pushtet do të lulëzojë vendi; se për të rinjët do të hapen shumë perspektiva jetësore, se!...
Dhe sërish politikë dhe vetëm politikë?! Pa menduar fare se „Politika s`është asgjë tjetër,pos mjeshtri e rrenës në çastin e duhur“…