E hene, 29.04.2024, 01:24 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: T'i themi jo izolimit të Kosovës

E shtune, 30.10.2010, 07:47 PM


T'i themi jo izolimit të Kosovës

 

SHQIPTARËT E KOSOVËS LE TË PËRFITOJNË LIBERALIZIMIN E VIZAVE NGA DYSHTETËSIA

 

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

Pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjen, Tanja Fajon e sheh me shumë rrezik izolimin e Kosovës, që, për të qenë më të saktë, duhet thënë izolimin e shqiptarëve të Kosovës. Tanja Fajon me rastin e vizitës të saj në Prishtinë u premtoi shqiptarëve të Kosovës lajme të mira pas 10 nëntorit. Edhe Ulrike Lunacek,  raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha për radion gjermane “Deutschlandfunk” se “është shumë e dhimbshme që kosovarët tani mbesin të vetmit në Evropë pa mundësi për të udhëtuar në Evropë". "Personalisht jam duke ushtruar një trysni të paparë tek Komisioni Evropian dhe të Këshilli Evropian në mënyrë që të bëhen hapa përparues në drejtim të heqjes së vizave edhe për Kosovën”, ka thënë Lunacek.

 

Le të shpresojmë që Parlamenti Evropian do ta zgjidhë menjëherë këtë problem që i izolon dhe diskriminon vetëm shqiptarët e Kosovës, por nga ana e tyre edhe shqiptaret këtej e andej kufirit duhet të lëvizin e ta marrin në dorë fatin e tyre, aq më tepër kur është fjala për lëvizjen e lirë, një e drejtë elementare e njeriut.

 

Ndërsa për Shqipërinë e Bosnjen liberalizimi i vizave tani është punë e kryer, ku përpara Krishtlindjeve të katolikëve qytetarët e këtyre dy shteteve do të qarkullojnë të lirë në zonën Shengen, për shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë një popullsi prej më tepër se dy milionë banorësh nuk do të ndryshojë asgjë. Ata do të vazhdojnë të popullojnë rradhët e gjata përpara ambasadave të shteteve evropiane për të marrë një vizë. Kërkesa për vizë mbetet një procedurë diskriminuese, pasi qytetarët e Kosovës do të duhet të ngopin kërkesa të pafund të një burokracie të sertë që nuk lëshon pe.

 

Kësaj procedure tani i ka shpëtuar Shqipëria dhe myslimanët e Bosnjes, pasi  kroatët më herët nga liberalizimi i vizave me Kroacinë dhe serbët e Bosnjes që prej një viti kanë përfituar kur u bë liberalizimi i vizave me Serbinë për shkak të dyshtetësisë. Lëvizjen e lirë për shkak të dyshtetësisë e kanë përfituar edhe serbët e Kosovës.

 

Atëhere lind pyetja  po shqiptarët e Kosovës përse të mos e përfitojnë edhe këta prej Shqipërisë liberalizimin e vizave përmes dyshtetësisë, kur e përfitojnë serbët e kroatët ?

 

Dyshtetësia dhe multishtetësia është një e drejtë legjitime. Një qytetar mund të jetë shtetas njëkohësisht i dy ose më shumë shteteve. Për shembull një fëmijë që lind në SHBA fiton menjëherë të drejtën e shtetësisë amerikane, njëkohësisht edhe shtetësinë e prindërve. Nëse prindërit kanë shtetësi të ndryshme, atëhere fëmija është qytetar i tre shteteve sa del nga barku i nënës. E njëjta gjë duhet të  funksionojë edhe me shqiptarët në territore, që janë të ndara juridikisht, por ku shtrihet kombi shqiptar.

 

Emigracioni po ashtu ka bërë që një numër i madh i shqiptarëve të jenë të natyralizuar në vendet e Evropës, ndërkohë që gëzojnë edhe të drejtën e shtetësisë shqiptare. Pastaj Europa e Bashkuar është një shprehje e shumështetësisisë, çka në parim është kundër  izolimit që vetë Europa ia bën Kosovës.

 

Ideja e dyshtetësisë së shqiptarëve ka qenë e Sali Berishës që kur ishte president i Shqipërisë, prej së cilës kanë fituar një numër shumë i vogël i shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia. Kur sot i shërben çlirimit të shqiptarëve të Kosovës prej murit të izolimit  e përse të mos aplikohet tashmë gjërësisht, që edhe shqiptarët e Kosovës të pajisen me pasaporta biometrike si shqiptarë që janë ?

 

Përshembull gjermanët shtetësinë e bazojnë së pari në parimin e jus sanguinis, sipas latinishtes, që do të thotë e drejta e gjakut. Me fjalë të tjera, ke gjak gjerman, je shtetas gjerman. E përse të mos funksionojë kjo edhe për shqiptarët e Kosovës, ke gjak shqiptar, je shtatas i Shqipërisë.

 

Shteti dhe kombi dallohen midis tyre, pasi shteti përbën identitetin juridik, më tepër se kulturor. Kështu Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë, janë qytetarë të dy shteteve që i takojnë një kombi të vetëm, pasi kanë si  emërues të përbashkët gjuhën, kulturën, besimin, historinë dhe kontuinitetin tokësor, atëherë do të jetë shumë normale që shqiptarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë, për të thyer barrierën e izolimit dhe për të lëvizur të lirë në Evropë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora