E enjte, 08.05.2025, 01:14 PM (GMT+1)

Mendime

Man Poga: Kosova në politikën integruese të BE

E premte, 29.10.2010, 09:58 PM


Kosova në politikën integruese të BE

 

Nga Man POGA, M.A*

 

Zhvillimet politike europiane gjatë shekullit XX e sidomos në fillim të shekullit XXI, kanë treguar se kufijtë e jashtëm të bashkimit europian nuk janë të pa ndryshueshëm, përkundrazi. Në themelet e ekzistencës politike të Europës, qëndrojnë një grup zgjedhjesh politike të panjohura, në të cilat bëjnë pjesë ndryshimet e kufijve të cilat kanë tronditur të tashmën e të ardhmen e kësaj zone, duke vendosur kështu një paqe jetëgjatë, (Soin Robert, “Europa Politike”, fq. 24). Zgjerimi është njëra nga instrumentat më të fuqishme të politikave të bashkimit europian. Përkrahja e BE-së u ka ndihmuar vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore të transformohen në demokraci moderne e funksionale. Së voni ajo ka frymëzuar reformat me ndikim të gjerë në vendet kandidate dhe vendet e mundshme kandidate (potenciale), ku përfshihet dhe Kosova.

 

I. Integrimi Rajonal i Kosovës si domosdoshmëri për Integrimin e mëpasëm në BE.

 

Bashkimi Europian ka qenë pjesë integrale e përpjekjeve për të ndimuar në ndërtimin e një të ardhme të re për Kosovën që nga 10 qershori i vitit 1999, kur Kosova qeverisej nën administrimin e Kombeve të Bashkuara me krijimin e Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Pakti i Stabilitetit, ështe përpjekja e pare serioze nga Komuniteti Ndërkombëtar për zgjidhjen e krizave me një strategji bashkohore dhe afatgjate, për parandalimin e konflikteve etj,. Në këtë frymë me 10 qershor të vitit 1999 në Këln të Gjermanise, u iniciua Pakti i Stabilitetit për Europen Juglindore. Si mundësi reale për ndriçimin e zhvillime të reja dhe hapjen e një prespektivë reale për të integruar rajonin problematik.

Në Samitin e Sarajeves ne korrik 1999, Pakti i Stabilitetit u konfirmua dhe u prezantua si iniciative, ideja e të cilit lindi në vitin 1998 dhe lidhet me luftën në Kosove. Ku pakt njihet si bashkëudhëtare me proçesin e integrimit rajonal që në fillim të apelit që iu be vendeve rajonale që e konsideronin këtë integrim si pjesë e pandashme e një procesi më të gjerë, atë të integrimit në Bashkimin Europian. Sepse nuk mund të ketë stabilizim dhe asociim me Europën e Bashkuar pa stabilizim të vetë rajonit.

Republika e Kosovës i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale, si bazë për integrimin e mëpasëm në BE. Kjo duket në hapjen e menjëhershm të Zyrave përkatëse për bashkëpunim në Prishtinë. Zyra e Paktit te Stabilitetit (themeluar në Qershor të 2002), me vendim të Kryeministrit Hashim Thaçi (Nëntor, 2008), është transformuar në “Zyrën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal” në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, konformë transformimit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.

Bashkëpunimi Rajon doli si domosdoshmëri dhe në Samitin e Zagrebit në nëntor 2000,  ku vuri vulën mbi Procesin e Stabilizim Asociimit duke fituar pajtimin e rajonit në themelimin e një kornize objektivash dhe kushtesh. Procesi i Stabilizim Asociimit bazohet kryesisht në tri shtylla, ku pika e 3-të thekson qartë objektiv konkret për vendet aspirante, konkretisht: 1) Ofertën e stimujve atraktivë, ekonomik dhe politik, duke përfshirë marrëdhënie më të afërt me BE-në, dhe në periudhë afatgjate, integrim në BE; 2) Obligimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ndërmarrë reforma gjithëpërfshirëse;  3) Theksimin e nevojës për bashkëpunim intensiv rajonal. Në këtë këndvështrim obligues duhet parë dhe nevoja e pashmangëshme në ndërtimin e marëdhenieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Si dëshmi e pjekurisë shtetëformuese e garanci për integrimin europian.

 

II. Prania e Bashkimit Europian në Kosovë.

 

Realisht, Kosova ka marrë më shumë se 2 bilionë € ndihmë nga KE që nga viti 1999. Fillimisht kjo ndihmë u fokusua në veprime për ndihmë emergjente dhe rindërtim, tani fokusohet në inkurajimin e zhvillimit të institucioneve, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe sigurimin e një të ardhme evropiane për Kosovën.

Për praninë fizike të  Bashkimit Evropian në Kosovë flet një numër i madh i organizatave joqeveritare nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe përfaqësi zyrtare aktive. Përkthyer ndryshe në  institucioneve si: 1) Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë; 2)Përfaqësuesi special i BE-së/ Zyra ndërkombëtare civile; 3)Presidenca e Bashkimit Evropian; 4) Shtetet anëtare të BE-së; 5) EU-LEX .

EU-LEX është misioni me i ri i vendosur në Kosovë, shefi i parë i misionit Z. Yves de Kermabon,  ka vënë në dukje faktin se ishte emëruar në këtë post nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. (megjithë problematiken e mosnjohjes nga disa shtete) Z. Yves de Kermabon, ju drejtua qeverisë së Kosovës se “Ju tash jeni përgjegjës, jeni të pavarur, duhet të punoni dhe ta formësoni të ardhmen e shtetit tuaj”. Ne jemi këtu për t'ju sjellur disa vlera europiane, disa ekspertiza kështu që me mbështetjen tonë, me këshillat tona por duke punuar bashkë, ne mund të arrijmë në një fazë për t'iu bashkuar Bashkimit Europian”.

Kosova zë vend në politikën e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asocimit. Ky mekanizëm është themeluar në nëntor të vitit 2002 me qëllim që t’u mundësojë institucioneve kosovare që të përfitojnë tërësisht nga elementet kryesore të Procesit të Stabilizim Asocimit (PSA), si mbështetja financiare, këshillimi mbi politikat, preferencat tregtare dhe monitorimi i standardeve të BE-së. Kosovës i është mundësuar që të mos mbetet pas vendeve të tjera të rajonit në procesin e integrimit evropian.

Nëpërmjet Mekanizmit Përcjellës, Kosova ndihmohet në realizimin e reformave strukturore të nevojshme për përafrim me BE-në si dhe në zhvillimin e institucioneve dhe aftesimin e administratës mbi qëllimet dhe parimet mbi të cilat ndërtohen politikat dhe praktikat evropiane. PSA-ja si vizion është korniza e marrëdhënieve të BE-së me rajonin, ndërkaq objektivi i këtij procesi është stabilizimi i tij nëpërmjet reformave politike dhe  ekonomike, në mënyrë që me këtë të përforcohet përparimi drejt Bashkimit Evropian. Duhet theksuar se në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asocimit, të krijuar enkas për Ballkanin Perëndimor, BE-ja përkrah vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë reformave të tyre politike dhe ekonomike, si dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.

III. Afer apo larg Integrimit ?

 

Shpejtësia e integrimeve në BE varet nga shpejtësia e realizimit të reformave. Edhe Kosova, siç theksuam përmes STM (Stabilisation and Association Tracking Mechanism), merr pjesë në Procesin e Stabilizim-Asocimit në shkëmbim të përkushtimeve për reforma politike, ekonomike, tregtare ose reforma në fushën e të drejtave të njeriut. Si shpërblim, asaj i ofrohet lëvizje e lirë në disa ose në të gjitha tregjet e BE-së (të mirat industriale, prodhimet bujqësore, etj.) dhe ndihmë financiare ose asistencë teknike.  Mbi këto objektiva Kosova duhet të punojë  për të bërë përparime në rrugën e vështirë të integrimit në BE. Ndimesë kyqe ofron për këtë objektiv, instrumenti i para-anëtarësimit, i cili ofron asistencë të racionalizuar vendeve aspirante për t’u integruar në BE për periudhën 2007-2013 mbi bazë të mësimeve nga instrumentet e mëparshme të ndihmave të jashtme dhe instrumenteve të para-anëtarësimit (PHARE, ISPA, SAPARD, Instrumenti i Para-Anëtarësimit për Turqinë, Instrumenti i Para-Anëtarësimit për Ballkanin, CARDS). Qëllimi i IPA-s është të zhvillojë efikasitetin dhe koherencën e asistencës me mjete të një kornize të vetme. Ekzistojnë pesë komponente nën të cilat bien projektet në kuadër të IPA, ku Kosova ashtu si vendet e Ballkanit Perendimor përfiton çdo vit nga kjo asistence financiare për: 1) Asistencë Tranzicioni dhe Ndërtim Institucionesh; 2) Bashkëpunim Rajonal dhe Ndër-kufitar; 3) Zhvillim Regjional; 4) Zhvillim të Resurseve Njerëzore; 5) Zhvillim Rural.

 

Për fund.

 

E ardhmja e Kosovës nuk mund të shihet jashte Bashkimit Europian, ky organizëm që përthith rajonin është një “shpëtim” për vendet e  trazuara të Ballkanit Perendimor. Stabiliteti i Kosovës dhe i rajonit nuk mund të vijë jashtë klubit të vendeve europiane, Kjo do te thotë se në bazë të së tashmes dhe të ardhmes së Kosovës qëndrojnë proceset integruese euro-atlatike të saj, të cilat ngërthejnë të gjitha aspektet reformuese dhe zhvillimore. Padyshim përpara Kosovës qëndrojnë sfida të panumërta por jo të pamundura në proçesin qartazi të projektuar në drejtim të integrimit të gjithanshem drejt NATO-s dhe BE-së, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perendimor.

 

*Jurist, MA në “Studime Europiane dhe Diplomaci”.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx