Mendime
Gjon Bruçi: Kur lexon “VITIN ‘97” të Mero Bazes!
E diele, 24.10.2010, 01:08 PM
Kur lexon “VITIN ‘97” të Mero Bazes!
Nga Gjon BRUÇI
Kur lexon librin “VITI ‘97” të Mero Bazes, pjesë të të cilit po botohen në gazetën “SHEKULLI”, të lindin njëherësh dy ndjesi: Njëra në formën e urrejtjes për ata që në vitin 1997 e çuan Shqipërinë në buzë të varrit, dhe tjetra në formën e satirës e të sarkazmës për atë pjesë të inteligjencës (ku përfshihet edhe autori i librit në fjalë), të cilët, ndonëse deklaroheshin si gazetarë apo analistë të pavarur, u bënë mashë dhe madje edhe bashkëpunëtorë të “arkitektëve” të asaj njolle të zezë e cila do të mbetet në histori e tillë.
Le t’i marrim me radhë dy impresionet tona të mësipërme :
Ngjarjet e vitit famëzi të ‘97-tës nuk janë të largëta. Ato janë ende në memorien e pjesës dërmuese të shqiptarëve të cilët, sa herë e kujtojnë mes veti, apo sa herë ua kujtojnë të tjerët (të huajt), ulin kokën përdhe. Se vërtet shkaktarët dhe përgjegjësit e asaj katrahure e mënxyre të pashembullt janë disa, por turpi, nami dhe e keqja na mbetën të gjithëve në derë. Për më tepër, këtë turp, këtë nam e këtë të keqe, jo vetëm nuk e kemi zhbërë ende edhe sot, por falë të njëjtëve liderë-arkitektë të atij viti, që kemi akoma mbi zverk, çdo muaj e çdo ditë po “prodhojmë” nëntëdhjetë e shtata të reja të cilat, po të bashkohen (ndonjë ditë ato me siguri do të bashkohen), na japin një ‘97-të shumë më të madhe e më të zezë se ajo e para trembëdhjetë viteve.
Për nëntëdhjetë e shtatën janë lëçitur me dhjetra e mijëra fjalë e zhgarravitur po aq letër formati. Dhe ndonëse nuk është arritur fundi (asnjë gjykim e dënim i shkaktarëve), “tablloja” e përgjithshme e saj tashmë është e njohur, jo vetëm për ata që e përjetuan me tmerr e me dhimbje, por edhe për 10-13 vjeçarët, që “historinë” në fjalë ua a tregojnë gjyshet, apo e lexojnë në librat e shkollës. Por libri i Mero Bazes, përveçse na rifreskon kujtesën e pluhurosur për ngjarjet e ‘97-tës, na shpalos para syve edhe disa të vërteta të pas skenës e pas kuintave të asaj tragjikomedie, që ish Presidenti i atëhershëm e Kryeministri i sotëm, sëbashku me mbështetësit, veqilët dhe servilët e tij luajti mbi kurrizin e drobitur të popullit e të vendit. Kur ne qytetarët e thjeshtë mësojmë prej librit të Bazes, se kush hynte e kush dilte në zyrën e Presidentit të asaj periudhe; kur njihemi me lidhjet e tij të fshehta me lloj, lloj personalitetesh pa personalitet; kur marrim vesh për bashkëpunime e marrëveshje me individë e struktura të dyshimta; kur njihemi me manovrat e metodat makiaveliste të tij për kapërcimin e situatave kritike, që ai vetë i krijonte; kur konstatojmë veprimet mafioze për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit të shkatërruar e të përmbysur e gjer tek “kthimi i timonit” për nga orienti, duke vënë në ankand jo vetëm Shqipërinë, por edhe gjenezën e popullit të saj: Pra, kur mësojmë prej librit të Bazes gjithë këto hatara, që gjer dje ne qytetarët e thjeshtë nuk i dinim me hollësi, kuptojmë se rreziku paskësh qenë shumë më i madh nga sa dukej në ato momente të vështira për të gjithë ne qytetarët shqiptarë, të mashtruar nga “demokracia” e shtrembëruar dhe e deformuar. Duke lexuar librin e Mero Bazes për vitin ’97-të, epilogu i të cilit kishte nisur qysh në vitin 1992, kur “arkitekt-doktori” pati hipur mbi Rosinantin e demokracisë borgjeze për të përfunduar në Sanço Panço, na bie ndërmend thënia e sinqertë e të ndjerit Safet Zhylali se “Dosja e zezë e nëntëdhjetë e shtatës nuk do të hapet”.
Në fakt, një fletë e asaj dosje na e hapi Mero Baze me librin e tij të këtyre ditëve. Por kush do ta na i hapë fletët e tjera të domosdoshme për të nxjerrë para gjykimit të qytetarëve gjithë “Dosjen” e zezë e cila, po u la ta mbulojë plotësisht pluhuri i harresës (siç mundohen të arrijnë “arkitektët” e saj), me siguri ‘97 –ta do të na përsëritet, duke na “krijuar” një dosje akoma më të madhe e më të zezë se e para.
Natyrshëm lind pyetja: A ka të tjerë si gazetari Baze, që kanë qenë afër e pas kuintave të asaj shfaqje “të hatashme”, në ndihmë apo në asistencë të regjisorëve të saj? Me siguri që ka, por siç duket presin “momentin e përshtatshëm” për të publikuar të dhënat ( por edhe bëmat) e tyre. Si puna e Bazes, i cili, nëse këto të dhëna do t’i kishte bërë publike në kohë, do të kishte dhënë një ndihmesë më të madhe për shoqërinë. Këtu vijmë tek ai impresioni i dytë, që na lind kur lexojmë librin “Viti ‘97” të Bazes, impression që siç thamë në krye, ka trajtën e ironisë e të sarkazmës për intelektualët – mashë të autorëve të atyre ngjarjeve pa precedent në historinë e vendit tonë.
Me një ligjëratë të drejtpërdrejtë gazetari Mero Baze na tregon se, ndonëse paguhej për detyrën e gazetarit, njëherësh realizonte edhe punën e korrierit, të ndërmjetësit, të përfaqësuesit e gjer të këshilltarit të personaliteteve shtetërore të shkallës sipërore. Është pikërisht gazetari i pavarur Baze, që në vend të lajmit të saktë (detyra numër një e gazetarit), i jepte “Zërit të Amerikës” lajmin e gënjeshtërt për “arratisjen” nëpër Adriatik të miliona dollarëve të fajdeve, manovër kjo e Presidentit të kohës për të përmbysur Piramidat e “famshme”, të cilat i pati inkurajuar e mbështetur me tam- tame të mëdha.
Ishte po gazetari i pavarur Baze, i cili linte mënjanë detyrën e tij kryesore për të formuluar sloganin e fushatës elektorale të Saliut, në zgjedhjet e turpshme të 1996-tës. Për të mos u zgjatur me inkursionet në Turqi sëbashku me kolegun e tij, Rakipin, për t’u takuar me mikun misterioz të Presidentit e gjer tek puna e moderatorit të situatës midis Presidentit e Tritan Shehut gjatë negociatave për qeverinë e pajtimit kombëtar etj. etj. Siç shihet nga ky libër i besueshëm, në drejtim të shtetit tonë në atë periudhë ishin gazetarët e gazetave, që profesionin bazë kishin lajmin e jo drejtimin e shtetit.
Dhe të gjitha këto prapaskena gazetari Baze na i tregon tani pas trembëdhjetë viteve, d.m.th. pas pilafit. Populli ynë vërtet ka shprehjen: “Më mirë vonë se kurrë”, por shkodranët thonë “Më mirë kurrë se vonë”. Në mesatare të këtyre dy shprehjeve kemi të drejtë të pyesim: Përse kaq vonë? Dhe pyetjen nuk e kemi vetëm për gazetarin Mero Baze, por për gjithë gazetarët, analistët dhe intelektualët, që jo vetëm shkelin moralin e “të pavarurit”, por dhe nuk reagojnë në kohë për prapësitë e poshtërsitë që i shohin e madje edhe i mbrojnë me ngulm ato. Në mënyrë të veçantë pyetjen retorike e kemi për disa gazetarë e analistë aktualë, që megjithëse deklarohen me të madhe si “të pavarur” e objektivë, evidentohen hapur e në mënyrë të paskrupullt në mbështetje të asaj që nuk mbështetet, sepse nuk kanë asnjë argument të besueshëm. Intelektualë janë, apo quhen të tillë edhe politikanët. Këtyre u lejohet t’a përdredhin gjuhën dhe fjalën sipas muzikës së partisë së tyre. Edhe diplomatët kanë në profesion “akrobacinë” e gjuhës e të ligjëratës. Por jo intelektualët që kanë marrë përsipër detyrën e analistit e aq më pak atë të gazetarit. Por ç’ndodh në ditët tona: Si gazetat (e pavarura), si analistët dhe gazetarët e lirë janë ndarë në dy fronte politike: Të djathë dhe të majtë, tamam si në sallën e Parlamentit tonë zhurmëmadh e punë aspak. Madje edhe në studio televizive kur organizohen debate, ndarja është si me thikë, si dy skuadra të regbisë, ballë për ballë dhe të gatshëm për t’iu hedhur kundërshtarit, pavarësisht nga tema, e vërteta, argumenti. Moderatorët e këtyre Studiove i njohin mirë të ftuarit, ndaj dhe i vendosin nëpër “skuadra” e pozicione sipas skemës së njohur “I djathë”, “I majtë”. Dhe ajo që t’a shton vrerin dhe keqardhjen për këta intelektualë, është ndërrimi i kahjeve kur ndërron “havaja”. Sapo politikanët bëjnë “rrotacionin” e pushtetit, edhe këta intelektualë-analistë-gazetarë bëjnë rrotacionin e karrigeve e të pozicioneve nëpër studio televizive të debateve. Ky është mjerimi i intelektualëve. Dhe mjerimi i tyre është dhe mjerimi i shoqërisë.
Intelektualët janë elita e shoqërisë. Si të tillë ata dëgjohen me vëmendje nga qytetarët e thjeshtë, nga populli. Fjala e tyre ngre shumë peshë në gjykimin e çështjeve të ndërlikuara, por edhe shërben si indicie për qëndrime e veprime masive. Nga ky pozicion, qëndrimi e prononcimi i intelektualit (jo atij partiak), për çështje të ndryshme, edhe ato politike, merr rëndësi të veçantë. Kur ky qëndrim e ky prononcim është në hullinë e duhur, i sjell shërbime të çmuara shoqërisë. E kundërta, kur intelektuali bëhet mashë e rrufjanëve politikë, bëhet mashë e pushtetarëve të korruptuar, dëmi që i bëhet shoqërisë dhe vendit, dy e trefishohet.
Një pjesë e intelektualëve tanë të sotëm, për fat të keq janë bërë kaq bajat në shërbim të pushtetit e në dëm të demokracisë, sa qytetarët në pamundësi tjetër, i mëshirojnë, por edhe i ironizojnë. Dhe ndër gjithë intelektualët, që evidentohen në media, gazetarët dhe analistët janë më të “dalluarit” për të realizuar akrobacinë e qëndrimeve pragmatiste. Zoti i faltë!