E enjte, 08.05.2025, 04:24 PM (GMT+1)

Mendime

INEPRA: Nervoza vetë kundërthënëse e Driton Talit në Rrokum TV

E shtune, 23.10.2010, 09:58 PM


Nervoza vetë kundërthënëse e Driton Talit në Rrokum TV

 

Nga:

Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politika Ekonomike (INEPRA), divizioni i gazetarisë hulumtuese dhe ekonomikës së sektorit publik.

 

Analizë Nr. GH136, D83, F53, L82, java e tretë e tetorit 2010

 

Në një intervistë në Rrokum TV me titullin: "Kush po e merr kamaten e pareve tona?", ish-nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) tani i transformuar në deputet të pavarur në Kuvendin e Kosovës pas largimit nga AKR, Driton Tali, në mes tjerash, dukej shumë i shqetësuar rreth përmbajtjes së disa lajmeve të pasakta nga ekonomia në Kosovë, censurës mediale ndaj tij dhe mos korrektësia në citimin e saktë ose të duhur të deklaratave të tij, sidomos në gazetë. Padyshim se censura, mos informimi i duhur (për çfarëdo shkaqe qofshin),  jo korrektësia e disa mediava, dhe linçimi ose mos dhënia hapësirë disave (sidomos atyre që mendohet se i njohin temat ose ngjarjet nga ekonomia) nuk i kontribuojnë zhvillimit të tregut medial, e me këtë as zhvillimit shoqëror. Nuk duhet harruar se përpos politikës redaksionale, mediat më së shpeshti bëhen të respektuara ose objekt kritikash varësisht edhe nga llojet e temave që i trajtojnë, sqarimin e dukurive që ndodhin, të ftuarit kompetent apo të intervistuarit më pak kompetent që nuk mund (apo nuk duan) t’i përgjigjen pyetjeve në atë mënyrë që do të ishte më e dobishme për publikun ta kuptojë të vërtetën rreth temave ose dukurive të caktuara. 

 

Rrokum TV është televizion privat i cili ka thyer shumë pengesa censuruese ndaj disa temave jetike nga ekonomia, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, për të cilat publiku kosovarë nuk ka mundur të informohet si duhet nga tri televizionet tjera nacionale (RTK-në publike, dhe KTV e TV21 private). Ndoshta shkaku i censurës së kufizuar në këto tri televizione nacionale, është edhe përfshirja e tyre me grupe të interesit në biznes jo të ligjshëm, gjë që është konstatuar edhe nga Zyra e Revizorit të Përgjithshëm të Kosovës në raportin e tij që u botua në qershor 2010.

 

Derisa hulumtimi i mediave është temë në vete më e gjërë, në këtë artikull do të analizojmë intervistën e z. Tali në dy drejtime: i) debatit të tij rreth disa çështjeve ekonomike në Kosovë ku përfshihen afera, me theks të posaçëm në ato aktuale siç është arrestimi i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – Hashim Rexhepi; dhe ii) shqetësimet e tij për disa media që, sipas tij, kanë filluar ta bojkotojnë. 

 

Intervista e plotë e z. Tali mund të ndiqet në këtë adresë interneti:

 

http://www.rrokum.tv/?page=1,7,186&tpl=list_videos.php&filter=D*

 

Në këtë intervistë z. Tali fillimisht shpjegoj disa gjëra jo aq të njohura për publikun rreth jo transparencës së investimit të fondeve të Kosovës në shtetet e jashtme, dhe biznesin e Qeverisë së Kosovës me kompaninë Saatchi&Saatchi. Meqenëse këto janë ngjarje që kanë filluar më herët, dhe padyshim se kërkohet transparencë edhe sot e nesër, për shkak të qëllimit të kësaj analize që u cekë më lartë dhe aktualitetit, në vijim do të sjellim citate të tëra dhe origjinale nga intervista e z. Tali (ani pse ju mund t’i dëgjoni nga adresa e mësipërme e internetit), në përpjekje për t’i ofruar lexuesit dhe publikut sqarime aq sa mundemi rreth temave aktuale përkatëse nga ekonomia. Secilit citat në vijim i është shënuar koha me minuta dhe sekonda brenda kllapave kur ka filluar, si nga gazetari ashtu edhe nga i intervistuari. Komentet tona janë shënuar me ngjyrë të kaltër. Ato që janë theksuar me ngjyrë të kuqe të trashë nga intervista, i kemi cilësuar se janë kritike për informimin e opinionit, pra nuk komentohet gjithçka ose diçka që nuk çon peshë.

     

 

1. Enigma e arrestimit të guvernatorit të BQK-së

 

Gazetari (11:25): A mendon se pikërisht edhe kjo [jo transparenca e investimeve të fondeve të Kosovës jashtë] është pjesë e skenarit apo e ngjarjeve të fundit që lidhet me guvernatorin [arrestimin dhe suspendimin e tij]?

 

Driton Tali (11:33, ngrit të dy duart në shenjë të habisë): Unë nuk po paragjykoj. Unë nuk di kurgja. Thjeshtë mungon një informatë të cilën duhet ta di, dhe kam drejtë ta di.

 

Gazetari (11:42): Mirë, ju keni drejtë, opinioni duhet ta di..

 

Driton Tali (11:42, në të njëjtën kohë): Patjetër, se paratë tona janë...

 

Gazetari (11:45): Por Ministri i Financave....

 

Driton Tali (11:46): Nëse ju e keni përcjellë Ministrin e Financave,..

 

Gazetari (11:48): Po, po..

 

Driton Tali (11:48):.. ai [Ahmet Shala] me siklet u përgjigj, dhe u përgjigj, kjo përshtypja ime, se ai din diçka, di diçka që është bërë keq, përshtypja ime nga përgjigjja e tij, dhe munohej me hek fajin, sikur, sikur, thmitë kur t’bajn faj, kur, ende ti pa e pyet se çka bane, thotë: “Jo unë s’e kam ba”. Ke parasysh? Kshtu u përgjigj ai; n’at stilin, ta hudhi unë topin në fushën e tjetërkujt! “Unë nuk jam përgjegjës për..”, ti je ministër i ekonomisë dhe financave, o zotni! Banka Qendrore është e pavarur për aq sa është e pavarur, por nuk është e pavarur se ne kem një Qeveri e cila është, ëëë, e cila n’demokraci është zot, zot, i, i, i, ati veni, sepse qytetarët me votën e vetë ja japin autorizimin t’jetë zot, t’jetë shef, për ta menaxhu, menaxhuuu, për kohën e caktuar; n’rastin tonë është katër vjet. Dom’thanë nuk ashtë, ne nuk jemi bash t’pavarur, Qeveria nuk ashtë bash pa autorizime. Ku e ka pa ai atë, atë ë,ë,ë arsyetim aq banal?        

 

Komenti 1:

Këtu z. Tali thekson se Qeveria ka autorizime ndaj BQK-së, prandaj edhe duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e guvernatorit. Për më tepër, ai akuzon Ministrin e Ekonomisë dhe Financave se po përgjigjet me siklet dhe po jep arsyetime aq banale duke u përpjekur ta hedh topin në fushën e tjetërkujt rreth rastit të guvernatorit.  

 

 

1.2 Kush e urdhëroj arrestimin e guvernatorit?

 

Gazetari (12:55): Pikërisht po insistoj unë, do t’thotë, meqë është një konfuzitet në opinion [rreth arrestimit të guvernatorit], lidhet kjo me çështje tjera, dhe a ka pikërisht, ashtë, prapa ksaj qëndron edhe çështja e guvernatorit..

 

Driton Tali: (13:08): Po, po shiqo, unë, unë, unë nga koka ime, do t’duhej të ishte. Do t’duhej të ishte. Patjetër do t’duhej të ishte. Duhet të, të sqarohen ku janë, ku po shkojnë paratë e qytetarëve, paratë publike. Paraja publike nuk është informatë sekrete; është informatë publike. Tenderi publik, qoftë koncesioni i aeroportit.. shpesh dëgjoj: “ktu kaa, ë informa..apo rasti i, ë, i autostradës ku ipen ifromata se ktu ka sekrete, sekrete afariste”. Po çfarë sekrete afariste o zotni; je t’u folë për ni tender publik. S’ka sekrete afariste. Çdo gjë që është publike, e spektrit publik, s’ka aty personale, s’ka private, s’ka sekrete.

 

Gazetari (14:02): Po i kthehemi Parlamentit pikërisht rreth kësaj çështje, edhe, në ni kohë kur e ka udhëheqë kit seancë Xhavit Haliti, nënkryetar, tha se çështja e guvernatorit është një kërkesë nga institucione relevante ndërkombëtare. Kshtu ka thanë. Kshtu përafërsisht. Çka do t’thotë sipas jush kjo? Pse po heshtët, po nuk po ndërmirret, pse po zvarritet gjithë kjo çështje? Ka lidhje edhe me këtë dhe me çështje tjera. Faktori ndërkombëtar..

 

Driton Tali (14:29): Po shiqoo, ëë, jo, unë, po kthehemi te rasti i guvernatorit. Ëë, dom’thanë tash unë nuk e di a ashtë ai fajtor, ashtë fajto, i kam dyshimet e mia, gjithnjë i kam ngri, e tjera tjera, nuk po futëm n’atë. Vetë fakti [më zë më të lartë] që ai zotni ashtë prangos, Qeveria është dashtë me ra. Dom’thanë, ashtë dashtë me dhanë dorëheqje Ministria e Ekonomisë dhe Financave, rrjedhimisht edhe, edhe kryeministri për t’u fut n’zgjedhje t’reja. Kjo në shtetet normale kish me qenë krizë e Qeverisë, e jo ping-pong, jo unë po ai, jo ky; madje sot, d, dul nji, nji informatë, n’realitet sot jo, dje, se Fondi Monetar Ndërkombëtar...

 

Gazetari (15:12).. do t’bllokoj..

 

Driton Tali (15:14, duke gjestikuluar me nervozë): Pëëh... Budallallëku...ashtë, ashtë për t’ardh keq edhe kta gazetarë që merrem me kto broçkulla, që i marrin seriozisht. Shih ti!  Fondi Monetar Ndërkombëtar e lidhë një vend me një person i cili ashtë n’burg; apo ashtë i paraburgosun! E munojnë me ngritë temperaturë pa nevojë; ashtë absurde, ashtë qesharake, ashtë, ashtë, s’di pse ashtë dal kjo informatë palidhje?! Ashtë informatë aq palidhje, aq e pakript; po t’isha unë redaktor në cilëndo media që ka dalë, do t’kisha, do t’kisha, sinqerisht bisedë shumë serioze me gazetarin. I cili e ep kit informatë palidhje. Informatë që sss’ta kap rradaka; shih ti! Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN], e, penalizon ni ven për ni person; sepse ashtë paraburgos, dyshohet se ka krime, dom’thanë për ni kriminel të paragjykuar po them a? E pena...(bëhet edhe me nervoz): ne kapsh t’i kta, mu s’ka pse mos me kap kryt!

 

Komenti 2 (nga minuta 14:02 – 16:18):

14:02 (Pyetja e gazetarit)

Është e vërtetë se politika e brendshme kosovare në bazë të kërkesës së partisë në pushtet (PDK) ka dhënë lajmin se kërkesa për shkarkimin e guvernatorit (pas të cilit pasoj arrestimi i tij), ka ardhur nga FMN. Edhe pse ishte njoftim nga Kuvendi i Kosovës, nuk do të thotë se qëndron ajo që ka thënë Xhavit Haliti, dhe kjo nuk ka mundur të vërtetohet se vjen nga FMN. Dyshohet seriozisht se shkarkimin e guvernatorit e ka kërkuar PDK, dhe sipas disa spekulimeve në opinion, këtë e ka bërë me qëllim që ta shkel autonominë e BQK-së dhe ta vë atë nën thundrën e kësaj partie politike, ose ta përdorë guvernatorin për disa veprimtari “underground” (nëntokë) për qëllimet e partisë (vetë guvernatori është nga radhët e PDK-së). Guvernatori me gjasë ose nuk ka guxuar ta zbatoj, ose ka refuzuar kërkesën e PDK-së. Kjo dyshohet të jetë arsyeja e shantazhit të guvernatorit nga PDK, dhe akuzat se “ka ardhur kërkesa për shkarkimin e tij (ende pa u hetuar) nga FMN” nuk qëndrojnë. Nuk ekziston asnjë dëshmi se FMN-ja ia ka kërkuar Qeverisë një gjë të tillë. Për më tepër, tash mund të jetë presioni i FMN-së për ta kthyer guvernatorin aty ku ishte (nëse nuk gjendet fajtor), dhe t’i thotë PDK-së: “Ja, kjo ishte kërkesa ime, preke qetash n’guxofsh”.

 

Rasti i guvernatorit nuk është kërkesë e FMN-së por shantazh i PDK-së për të futur nën kontroll çdo gjë. Raste të tilla të shantazheve dhe krimit të organizuar nga partia në pushtet kundër institucioneve publike, ka sa të duash. Ndoshta më skandalozi rreth krimit dhe mafisë është ai të cilin e ka bërë publik pikërisht Rrokum TV për PTK-në, ku nuk duken kërkesa të FMN-së por emra të njohur nga MEF-i dhe të (pa)njohur ndërkombëtarë, dhe shumë spekulime me kompani fiktive për t’ia futur dreqnit në të katër anët PTK-së.  

 

14:29 (Përgjigja e Driton Talit)

Pse duhet të bie Qeveria shkaku i arrestimit të guvernatorit? Mos ndoshta sepse, siç u cek në Komentin 1, Qeveria paska autorizime ndaj BQK-së? Nëse kështu, atëherë Qeveria mundet lirisht ta emëroj guvernatorin tjetër aty, por nuk po mundet (aktualisht është një ushtrues detyre, por nga BQK, jo nga Qeveria). Kur Qeveria është ajo që ka shantazhuar dhe po e kërkon shkarkimin e guvernatorit, atëherë si është e mundur të jep Qeveria dorëheqje? Tjetra, dhe ndoshta më e rëndësishmja, raste pak a shumë  krahasuese:

-          Pse Qeveria amerikane nuk dha dorëheqje kur kryetari (dhe njëkohësisht edhe kryeministri) i saj Bill Klinton u paraqit në bankë të zezë dhe po gjykohej për aferën (e dyshuar) seksuale Luinski? Guvernatori i Kosovës ende nuk është paraqitur në bankë të zezë.

-          Pse nuk dha dorëheqje Qeveria amerikane pas dorëheqjes së kryetarit Riçard Nikson me rastin e aferës Watergate?

-          Pse nuk dha dorëheqje ose nuk u ndërrua (përndryshe nuk u bë as kiameti) ku u vra kryetari amerikan Xhon F. Kenedi “ton-tërrt”? 

 

 (15:14) (Përgjigja e Driton Talit)

Kur deklarimet, shkrimet, mendimet, e juaja, të mia apo të kujtdo qofshin, nuk përputhen në distanca kohore, madje edhe brenda një shkrimi dhe emisioni tregojnë mospërputhje (për shembull në fillim dhe në fund), deri-diku mund të pranohen, nëse nuk e rrëzojnë komplet njëra tjetrën.

 

Mirëpo, nëse i kuptoni deklaratat e njëpasnjëshme të z. Tali që u cekën më lartë, atëherë vëreni se këtu ka diçka në kundërshtim drastik ose qind për qind me njëra tjetrën ku shpjegohet një dukuri e ndërlidhur. Kjo është diçka kritike në deklarime kur pas një përgjigje ose mendimi, menjëherë vazhdoni me përgjigjen tjetër që e rrëzon pikërisht përgjigjen tuaj paraprake në tërësi.   

 

Kur z. Tali në përgjigjen e tij në 14:29 thotë: “Vetë fakti që ai zotni ashtë prangos, Qeveria është dashtë me ra” (edhe pse prangosjen e tij e bëri Qeveria, por kemi konsideratë ndaj mungesës së lajmit më të plotë), dhe vazhdon, madje duke mos e lënë gazetarin të bëjë pyetje, si vijon: “Shih ti!  Fondi Monetar Ndërkombëtar e lidhë një vend me një person i cili ashtë n’burg; apo ashtë i paraburgosun!.. Ashtë informatë aq palidhje, aq e pakript; po t’isha unë redaktor në cilëndo media që ka dalë, do t’kisha, do t’kisha, sinqerisht bisedë shumë serioze me gazetarin... shih ti! Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN], e, penalizon ni ven për ni person; sepse ashtë paraburgos, dyshohet se ka krime, dom’thanë për ni kriminel të paragjykuar po them a? E pena...(bëhet edhe me nervoz): ne kapsh t’i kta, mu s’ka pse mos me kap kryt!”

 

Çka nuk është në përputhje këtu? Shumë e qartë. Njëherë z. Tali thotë se shkaku i guvernatorit është dashur të bie Qeveria, dhe menjëherë nxiton duke e ndërprerë gazetarin me nervozë se qenka aq palidhje, aq e pakript të mendohet se FMN e penalizon një vend për një person (guvernatorin) se ky qenka në paraburgim. Z. Tali harroj kur tha se shkaku i atij personi është dashur të bie Qeveria komplet për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Harroj edhe se çka do t’i bënte atij/asaj gazetari/je që e ka plasuar këtë lajm. Është edhe paqartësia tjetër; a ndikon apo nuk ndikon paraburgimi (dhe shkarkimi e mëpastaj burgosja) i guvernatorit në marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës me FMN-në? Ç’është e vërteta, FMN-ja nuk bënë marrëveshje me guvernatorin, por me Qeverinë e një vendi, e cila sipas z. Tali duhet të binte shkaku i një personi. Këtë do ta sqarojmë pak më mirë më vonë.   

 

 

2. Si informuan gazetat rreth rastit të guvernatorit?

 

Gazetari (16:19): Kryetitull n’gazetë, besoj që e ki lexu: “Shkarkimi i tij pikërisht do t’i acaroj raportet apo do ta....

 

Komenti 3:

Nuk dihet saktësisht se cilës gazetë i referohet gazetari, ndonëse kjo ndoshta mund të kuptohet më vonë gjatë intervistës.

 

Driton Tali (16:25) Jo. Jo at’herë, at’herë mu, mu, mu s’um len tjetër sen me dyshu veç edhe n’Fondin Monetar ka do kriminelë tjerë që janë t’lidhun me do kriminelë tjerë, dhe munohen me majt njani-tjetrin. Nëse ashtë qashtu? Përndryshe ashtë e,e, informatë palidhje t’cilën s’bon as m’u marrë hiq, e jo ma me u, me u qit n’kryetitull në këtë formë; n’forma tjera po.

 

Gazetari (27:35) (vështirë merret vesh në fillim të pyetjes),…por opinioni nuk ka mujt me kapur?

 

Driton Tali (27:40): Po ta them të drejtën këtë intervistë kshtu siç po ja them juve troç, madje isha edhe kisha emocione pak edhe më ndryshe, e thash një gazete shumë t’madhe n’Kosovë, që është, po them, është t’pakten deri më tani, ëëë, parimore, është një zë ndryshe nga mediat, pra nuk është ajo media e blerë, apo e shitur ndaj pushtetit, megjithatë është një një zë i qytetarit, por as aty, as ajo gazetarja nuk m’citoj tash, t’them të drejtën osht, osht turpi, ështëë mëkati i asaj gazete mendoj, sepse është dashtë t’më citoj ashtu siç kam thënë, siç kam dhënë intervistë, e jo atje edhe deputetët e pavarur ishin të zëshëm kundër privatizimit të postës. Unë kam thënë, po e them edhe një herë se dikush duhet penalisht të përgjigjet...    

 

Komenti 4:

Nuk dihet se cilës gazetë i referohet as gazetari, e as i intervistuari. Ne mund t’i supozojmë tri: i) Kosova Sot; ii) Koha Ditore; ose iii) Zëri. Sipas të gjitha gjasave duhet të ketë qenë Zëri, por nuk jemi të sigurt meqenëse, ose nuk e kemi hasur një temë të tillë si kryetitull, ose nuk e kemi shikuar atë gazetë (apo edhe Kohën Ditore). Ne kemi hasur një temë me kryetitullin “BQK pa guvernator me pasoja afatgjatë”, të cilën e ka botuar ‘Kosova  Sot’ me datën 24 shtator 2010, dhe më gjerësisht në faqe 8-9. Aty nuk haset prononcimi i Driton Talit, prandaj e kuptojmë se nuk është fjala për këtë gazetë edhe pse kishte një kryetitull për rastin në fjalë. Përveç kësaj, z. Tali përmend gazetaren që nuk e ka cituar si duhet, ndërsa autor i lajmit në Kosova Sot ka qenë gazetar (mashkull). Sidoqoftë, edhe lajmi në Kosova Sot, meqenëse është i të njëjtës temë, meriton të komentohet pak për t’ia hequr befasinë e gazetarit të Rrokumit dhe nervozën e z. Tali, ose për t’ua shtuar më tepër!

 

“Vonesa e emërimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë, mund të dëmtojë bashkëpunimin me institucionet më të fuqishme financiare të botës Fondin Monetar dhe Bankën Botërore” , është ky nëntitulli ose përmbajtja e intervistave të gazetës.

 

Ja edhe prononcimet kyçe të tre ekspertëve të ekonomisë që i ka intervistuar gazeta, sipas radhës:

 

  • Eksperti i ekonomisë Artan Nimani tha për ‘Kosova sot’ se vonesat e emërimit në institucionet e rëndësishme të shtetit mund të kenë ndikime negative.“Shikuar nga aspekti profesional të gjitha vonesat  e pa arsyeshme në emërimin e njerëzve në vendet kyçe, kanë refleksione negative në zhvillimin e gjithëmbarshëm politiko-ekonomik. Sipas ekspertit Nimani, bllokimet apo vonesat e emërimeve në këtë kohë krize prodhojnë krizë të re e cila në një situatë tjetër mund të kushtojë jo vetëm sistemit financiar por edhe vetë ekonomisë së brishtë kosovare.
  • Sipas sekretarit të përgjithshëm të Odës Ekonomike të Kosovës z.Berat Rrukiqi, raportet aktuale me FMN-në nuk mund të jenë të shëndosha dhe kjo situatë duhet të tejkalohet. “Sigurisht se në mungesë të një partneri serioz dhe kredibil në raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore nuk mund të jenë të shëndosha, për shkak se ai që përfaqëson institucionin përfaqëson edhe besueshmërinë apo imazhin e institucionit. Ndërkaq sa i përket programeve dhe marrëveshjeve të FMN-së me Qeverinë ai thotë se këto nuk janë dëmtuar, por mund të ketë hezitime në vendime tjera më të rëndësishme në të ardhmen, sipas tij. 
  • Ndërkaq krejtësisht ndryshe mendon kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj. “Edhe sikur Kosova mos të këtë guvernator fare,  marrëdhëniet e saj me FMN-në nuk ndikohen.  Kjo për shkakun se FMN-ja nuk bënë marrëveshje me guvernatorët por me Qeverinë. Për më tepër, roli i guvernatorit të Kosovës për shkak të sistemit monetar specifik dhe të varur nga valuta e huaj, është shumë më i kufizuar se në shtetet tjera me valutë nacionale të veten ose të përbashkët dhe politika monetare e kreditore të veta, të cilat Kosova nuk i ka si instrumente makroekonomike që do të mundte t’i zbatojë.” 

 

Gazeta përmbyll temën kështu: “Zyrtarë të BQK-së dhe MEF-it për këtë temë nuk flasin për media, duke adresuar çështjen tek FMN, e cila po ashtu nuk jep shpjegime.”

 

Refuzimi i FMN-së për të dhënë sqarime rreth guvernatorit të BQK-së, është i rëndësishëm për informimin e publikut, sepse FMN nuk ka çka të deklaroj për diçka që ishte vepër e Qeverisë së Kosovës. Sikur të ishte vepër e tij, dhe po të kemi sadopak dëshmi, FMN-ja patjetër se do të jepte sqarime, por nuk ka. Sikur rasti i guvernatorit të prezantohej në raport me Qeverinë, MEF-in, Hashim Thaçin, Ahmet Shalën, Xhavit Halitin, atëherë ndoshta mund të flasim për “ndikime” të brendshme. Qeveritë dhe guvernatorët ndërrohen shpesh nëpër shtete të botës. FMN nuk ka kohë të merret aktivisht me këto ndërrime të brendshme që i bënë politika vendore, vetëm nëse vendorët insistojnë me zor që FMN ta luaj edhe këtë rol operativ politik, për çka nuk është i thirrur dhe nuk e ka në kompetencë.    

 

Edhe prononcimet e të intervistuarve duken të diversifikuara, dhe pavarësisht se si i kapin dhe kuptojnë lexuesit, është pasuri e mënyrës së raportimit. Nuk mund ta quajmë turp lajmin e gazetës dhe të marrim masa kundër gazetarit/es apo edhe kundër të intervistuarve. Kështu njërit ekspert (Artan Nimani) i duket se vonesa e emërimit të guvernatorit ka “pasoja negative në zhvillimin e gjithëmbarshëm politiko-ekonomik të Kosovës” (kerset kiameti ose ndodh apokalipsa e Kosovës!), tjetri (Berat Rukiqi) mendon se me këso raste raportet me FMN-në nuk mund të jenë të shëndosha por nuk janë dëmtuar raportet e FMN-së me Qeverinë e Kosovës, dhe i fundit (Isa Mulaj) që e sheh rastin e guvernatorit “si ke, si s’ke” në raportet Qeveri-FMN.

 

Nuk mund ta akuzojmë tash gazetarin, ose edhe gazetën, pse kanë dalë këto “informata aq palidhje, aq të pakripta.” Kjo është detyrë e lexuesve ta kuptojnë, dhe është gabim të kërcënohen gazetat për prononcimet e ekspertëve të pavarur rreth temave nga ekonomia. Lexuesi e kupton se nuk është deklarim i gazetës por i tjetërkujt në gazetë, dhe në bazë të kësaj krijon bindjen për ata që janë prononcuar, më shumë se për gazetën. Dhe mbi të gjitha, lexuesi mendon pak dhe vështron edhe realitetin se çka po ndodh rreth asaj që shkruhet dhe thuhet në gazeta, si për shembull: A po ndodh kiameti politik dhe ekonomik shkaku i arrestimit të guvernatorit apo nga shkaku i shumë e shumë krimeve tjera, a u dëmtuan raportet me FMN-në si ke si s’ke guvernatori, etj.?  

 

 

3. Roli i mediave në informimin dhe censurimin e disa problemeve ekonomike të Kosovës

 

Gazetari (47:20): Deputet Tali, si duket kohëve të fundit nuk jeni fort prezent edhe n’media, si duket dikush edhe po iu bojkoton, dikush po tenton që të mos jeni prezentë n’ballina siç keni qenë edhe më herët. Çka po ndodh n’këtë aspekt, keni edhe ju vërejtje?

 

Driton Tali (47:32): ëë, po t’iu them të drejtën, unë gjithnjëë kam pasëëë kufizime mediale, them kshtu, ëë n’televizionin shtetnor shumë rrallë, mos t’them hiq, m’japin hapësirë, sepse redaktort përgjegjs, kryeministri dhe zëvendskryemnistri nuk i lojnë puntort e vet në në televizionin shtetnor që t’um japin hapsirë, ëë, janë ni numër i kufizuar i medieve të cilat m’përcjellin, ktu duke pasëë n’theks t’posaçëm po them Rrokumin, por edhe disa media të shkruara tjera, po them, m’kanë dëshpru dje një nga kto mediat ee pavarura, me një medie e shkruar, gjithnjëë flas gazetë, e respektuar, ee e cila nuk u m’citon ashtu siç se çka them, po ia lë se mbase ka qenë lshim i gazet.. gazetares, se herave tjera edhe, edhe publikisht do t’i them atë, ose mos t’um marrin në, në intervistë, ë, gazetart, unë jam ky që jam, i deklaroj kto fjalë, nëse nuk guxojnë me ii emitu apo me i publiku, mos t’um marrin, le t’um kursejnë.

 

Komenti 5

Kufizimet mediale, censura, linçimi i personave të caktuar, sidomos për temat akute nga ekonomia mund të ndodhin në mediat e kontrolluara nga politika dhe grupet e interesit. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë asnjëherë se lakmia dhe smira për të qenë prezentë shpesh në ballina të gazetave (në cilësinë e ekspertit të ekonomisë, kuptohet) dhe TV, duhet të paraprihet dhe përcillet me kompetencë rreth temave. Jo pak analistë kanë qenë dhe janë vazhdimisht prezent në RTK dhe televizionet tjera nacionale, por e vetmja pyetje për redaksitë e këtyre televizioneve është: Pse i kemi gjithë këto enigma dhe iks raste të pasqaruara si duhet rreth ekonomisë së Kosovës, sidomos anëve të errëta të saj si, korrupsioni, krimi i organizuar, reketi, shantazhet qeveritare, etj., duke përfshirë këtu edhe rastin bukur fort të pasqaruar për guvernatorin?

 

Lexuesve dhe teleshikuesve të arsyeshëm nuk u intereson shumë a shfaqet shpesh Dritan Tali në media. Me tepër mund t’iu interesoj njohuria e tij ose ajo që deklaron. Prezenca e shpeshtë në media nuk të bënë ekspert të vërtetë, nëse nuk jeni i tillë. Mundet vetëm të krijoj bindjen te një pjesë e opinionit se jeni ekspert deri në masën kur po i njëjti opinion nuk ka alternativë tjetër (dhe kështu fatkeqësisht edhe ndodh te një pjesë e opinionit – sa më shpesh në media = ekspert) për t’u informuar tjetërkah si duhet dhe ta kuptoj problemin më në substancë. Në këtë rast kur shumica e publikut e vëren se problemet ekonomike në realitet janë aq të panumërta dhe nuk ka shpjegime të thella se kush po shkakton çka, atëherë publiku dyshon nëse prezenca e madhe e disa analistëve të njëjtë ose qëllimisht selektiv, mund të jetë edhe në funksion të kontrollit të mendjes ose shpërlarjes së trurit. RTK bukur fort e ka realizuar këtë mision, dhe z. Tali ka të drejtë në këtë pikë.

 

Ka shumë raste kur disa gazetave vazhdimisht u kemi dërguar artikuj nga ekonomia dhe kurrë nuk i kanë botuar. Disa tjera kanë qenë më liberale ose e kanë vërejtur rëndësinë e temës. Me këtë kemi konstatuar se shtypi ditor në Kosovë deri-diku është i fragmentuar edhe sipas analistëve, meqenëse disa botojnë artikujt e mi, e disa të tjera më së shumti të personave të caktuar. Edhe kjo nuk i kontribuon zhvillimit të mediave të lira kur orientimi më shumë përqendrohet në analistët “akraba” ose puthadorë të politikës, grupeve të interesit, dhe qejfeve të qarqeve të caktuara të huaja, qofshin ato edhe kriminale si me rastin e PTK-së, Aeroportit, KEK-ut, etj., e më pak në analistët e problemeve reale.  

 

Gazetari (48:58): Mos ndodh edhe ju po i injoroni, po i refuzoni gazetat?

 

Driton Tali (49:01): Poo, të them të drejtënëë, disa edhe i refuzoj, sepse me kohë i kam dhënë intervista, deklaratat e mia i kanë fshi, nuk, nuk i kanë publiku apo emitu, po flas për kto elektroniket dhe ato të shkruara, ëë edhe sigurisht se s’pe shoh t’arsyeshme pse unë me deklaru diçka kur ajo nuk bëhet publike.

 

Komenti 6:

Mediat nuk duhet refuzuar, i botuan apo nuk i botuan deklaratat. Edhe neve na ka ndodhur të jepim shumë deklarata rreth problemeve ekonomike të cilat nuk janë botuar fare; janë botuar të shumë të tjerëve. Nëse e vëren edhe nga intervistat në ‘Kosova Sot’ pikërisht rreth temës së guvernatorit, aty shihet prej titullit, nëntitullit, dhe deklarimeve nga dy të intervistuarit e parë se arrestimi i guvernatorit do të ketë pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me FMN-në, ndërsa në fund të pusit përmendet edhe deklarata e të intervistuarit të tretë e tipit “guvernatori në marrëdhëniet Qeveri – FMN si ke, si s’ke.” Edhe mënyra se si është shtjelluar tema nga gazeta dhe prezantuar intervistat, mund të lë përshtypjen se dikush ia paska futur kot në fund. Por ne nuk e akuzojmë gazetarin se s’e ka cituar ashtu siç paska thënë i intervistuari. Kur thelbi i deklarimit ishte “si ke, si s’ke” në raport FMN-Qeveri, tjetërkah gazetari le t’a citoj si të dojë të intervistuarin me kusht që çdo gjë të sillet aty. Ne për vete e dimë, dhe nëse na intereson më shumë, hulumtojmë më tej. Çështja është se edhe publiku duhet ta dijë se çka po ngjet me punët publike dhe me interes (ose pasoja) për shoqërinë, pavarësisht se nga kush vijnë ato informata. Në rast se gazetari thelbin e intervistës “si ke, si s’ke” do ta kishte transformuar në “apokalipsën e Kosovës” shkaku i arrestimit të guvernatorit, atëherë kjo do të ishte diçka për kritikë kundër gazetarit dhe gazetës nga ana jonë, sepse thelbi i sqarimit të problemit këtu ndryshon qind për qind.

 

Ka edhe raste kur artikujt e dërguar për botim, gazeta i transformon në lajm të vetin. E ky është rast për shqetësim që duhet denoncuar, e jo nervoza qysh guxon gazeta të botoj lajme “aq palidhje dhe aq të pakripta.” Nëse vërtetë disa lajme janë aq palidhje dhe të pakripta, ndaj tyre mund të shkruhen reagime dhe kritika, dhe kjo do t’i shërbente gazetës si mësim se duhet të përmirësohet, nëse do. 

 



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx