E enjte, 08.05.2025, 02:40 PM (GMT+1)

Mendime

Mihal Gjergji: Të panjohurat e varrosura në rrënojat e ngrehinës historike

E shtune, 23.10.2010, 09:58 PM


Të panjohurat e varrosura në rrënojat e ngrehinës historike

 

Rreth punimit: “Profecitë e Zotit të Tomorit”

 

Nga Mihal GJERGJI

              

Pakëkush ka shkruar studime për malin e Tomorit, djepin e Perëndive Pellasge. Sami Frashëri ka afruar i pari argumenta për ekzistencën e rrënojave të një orakulli të vjetër në majën e këtij mali, ndërkohë që shënjtëria e këtij gjigandi shkëmbor të veshur me lisa e kullota të shumta, të mbushur me bletë, burime ujore të kristalta dhe kafshë të shumëllojshme, me gjurmë të dukshme të një qytetërimi të varrosur, është përmëndur edhe nga Mjeda, Konica, Fishta e Kuteli, është studiuar nga Eqerem Çabej, Spiro Konda, Aristidh Kola, Perikli Ikonomi, El- Xhelilu në studimin gjuhësor “Kuota Pellasge” etj, ndërkohë që autorë të huaj janë të shumtë dhe nga vende të ndryeshme të botës. Në parathënien për librin e Konicës, Fan Noli shkruan: “…Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij…Një emër që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez të famshëm, Romen Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet “për kodrat e bukura e të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur…”   Autorët e mësipërm, më shumë se me problemet historike, merren me ato gjuhësore, ndërsa Ilir Cenollari, pas një pune të gjatë e këmngulëse, pasi ka grumbulluar argumenta bindëse nga studiues vendas dhe të huaj, ka gjetur pikëpjekje të shumta (në kohë të ndryeshme) për probleme ende të pandriçura, të cilat vazhdojnë të jenë të mbuluara nga mjergulla shekullore.

Cila është e vërteta për shenjtërinë e këtij mali ? Cila është lidhja mes Tomorit, Zeusit dhe Dodonës? Si parathuhej fati për luftëtarët, prijësat dhe mbretërit që binin në gjunjë para lisit hyjnor me trup gjigant? Cilat janë pikëpjekjet burimore mes të vërtetave historike të shkruara, mitologjisë dhe kujtesës kolektive të trashëguar brez pas brezi? Cili popull ka banuar në zonën e Dodonës pellasge “që e rrahin dimra të rëndë e të egër” nën sundimin e Zeusit të plotëfuqishëm? Cili është mjedisi etnokulturor i kësaj treve ?...“Zoti i Tomorit kish lindur para Budës, Krishtit dhe Muhametit,...kish lindur me krijimin e vetë tokës, me ngjizjen e vetë malit”. Në çdo fund gushti, ky mal pret në gjirin e tij qindra e qindra vizitorë, mbase jo të gjithë besimtarë, por të gjithë me një kërshëri e padurim për të prekur vendin e shenjtë, për t’u ndier “Zot, Zeus, Perëndi, të paktën njëherë në vit, njëherë në jetë”. Ky pelegrinazh bëhet në nderim të shenjtorëve, siç është edhe shenjti bektashian Abaz Aliu, po kështu edhe kryeshenjtores së besimit kristian, Shën Marisë (shumë vonë, ndoshta në kohën  bizntine është ndërtuar edhe kisha në nderim të saj). Sipas studiuesit Novruz Shehu: ”Në vitin 1600, Haxhi Babai, solli nga Qerbelaja pjesë nga varri i Abaz Aliut, Flamurtarit të Qerbelasë dhe bën varrin në malin e Tomorrit, në çukanë e tij”.

Populli ynë, nëmos qoftë i vetmi, është ndër të rrallët në botë që, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare e mban si kurorë të artë mbi krye, një shëmbull i shkëlqyer i mirëkuptimit dhe tolerancës së trashëguar në shekuj. Historia e malit të Tomorit është e pandarë nga ajo e Dodonës, e cila është djepi i pellasgëve. Këtë të vërtetë e pohojnë dhe pranojnë Homeri, Hesiodi, Eskili, Hekateu, Bizantini, Pindari, Aristoteli, Herodoti, Plutaru, Straboni, Livi, Karapano e shumë personalitete që, për shkak të gjenisë së tyre vazhdojnë të jetojnë prej shekujsh. Këtë të vërtetë e pranon edhe mitologjia, edhe kujtesa e popujve, të cilët, edhe pse kanë lëvizur në drjetim të jugut, të detyruar nga mbipopullimi i zonës apo për shkak të luftrave, përsëri janë rikthyer në vendin e shenjtë, për të rimarrë bekimin, si fëmija në gjirin e nënës. “Tradita mitologjike dhe historike dëshmon se banorët e lashtë të këtij pellgu mbanin emrin arë, argë, arkadhë, dhe më pas pellasgë, likaonë, dorë, kadmejë, heraklidë, hyllejë dhe në antikitet ilirë”. Cilësimet “pellasgë”( në kohët homerike), “epirotë” dhe “ilirë” ( në antikitet), s’janë gjë tjetër veçse sinonime me rrënjë të përbashkët etnike dhe kombëtare.

Historia pranon ekzistencën e dy maleve me emrin Tomor, atë të Berat-Skraparit dhe i dyti është ai i Janinës. Kalaja antike në këmbë të Tomorit të Beratit dhe qyteti i Dodonës së Janinës kanë të njëjtën lashtësi, shekullin e IV p.e.s. Lëvizja e popullatës pellasge në drejtim të detit, ka krijuar një Dodonë të dytë, një ngrehinë të re shpirtërore, pa të cilën, banorët s’mund të njihnin të nesërmen e tyre, fatin, të cilin e parathonin vetëm “thomurët” - “të mirët” që rrinin pranë orakujve të Zeusit. Orgjina e fesë (besimit) dhe flijimet e shumta për nder të perëndive, i ka rrënjët te banorët pellasgë dhe shenjtorja epirote e Dodonës. Parashikimi i fatit realizohej me anë të predikimeve (të tomureve, grave, peliadheve, falltarëve) në faltore, me anë të fëshfërimës së gjetheve të lisit, me anë të jehonës së enës së bakrit me zinxhirë, me anë të buçimës së ujit ( pranë Dodonës ishte një krua i shenjtë “i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë dhe ky ishte kroi i Epirit, krua që shuan një pishtar dhe të shuarin e ndez”), me anë të fluturimit të pëllumbave të cilët rrinin në majë të lisit të shenjtë etj.

Mali i Tomorit i quajtur nga banorët ‘baba’ d.m.th zot, shenjt, ka qënë burim i përhershëm legjendash, të cilat kanë fituar përjetësinë, gojdhënash e përfytyrimesh të shumta e nga më të ndryeshmet. Sipas Strabonit, Tomori ka një tynel që shërben si rrugë komunikimi me Vezuvin e Italisë “këtu dëgjohet gjëmimi, atje shpërthen flaka e llava”. Sipas studiuesve, mali i Tomorit ndodhet në Toskëri, atje ku ka lindur edhe Zeusi. Malet e Vetëtimës (mbi Himarë, në afërsi të Llogorasë), mbajnë emrin e këtij kryezoti i cili, ndryshe cilësohet edhe “Zeus Dodonas”, “Zeus Pellasgë”, “Zeus Keraunos”, pra, Zeus Baba, ashtu sikurse quhet edhe mali i Tomorit. “Emrat e prindrërve  të Zeusit, Rhea dhe Krono, lidhen me emrin e Gjirit Jonian (“Rhea Kolpos” dhe “Kronos Hontos”)... Zeusi lindi në Arkadi dhe Kaonia është zemra e Pellasgjisë”. Banorët e Tomorit dhe rrethinave të tij, janë përshkruar edhe nga poetë, studiues e historianë të lashtësisë, nipër e stërnipër të pellasgëve. Fiset më të përmëndura janë Lapitët, që lidhen me  heroin mitologjik, Jasonin, mbret i Argos, me argonautët, me Heraklidët, me Tirrenjtë, me Kadmin, me Dardanin birin e Arkadisë, etj. Edhe miti i krijimit të Europës është i lidhur ngushtësishtë me Dodonën e Epirit në Arkadi (Toskëri). “Europa, nimfa arkade, është bashkëshortja e Zeusit”. Dodona është ndërtuar nga tirrenët, një nga fiset më të lashta të Pellasgëve. “Tradita mitologjike dhe ajo shkrimore identifikojnë tirrenët me kadmenjtë, me fenikasit e Epirit, me Hyllenjtë, me arkadët e hapësirës gjeografike të Epirit, e Shqipërisë së sotme”.

Pretendimet e disa historianëve prohelenë, si N.G.L.Hammond (1907-2001) apo ndonjë tjetër, se Dodona ka qënë tokë greke dhe e populluar prej banorëve të tyre të hershëm ( edhe pse pranojnë se kolonitë e para helene u ngritën këtu në shekullit e VIII p.e.r) duke vënë në plan të parë dëshirat dhe jo argumentat e pakundërshtueshme shkencore që afron edhe Ilir Cenollari krahas studiuesve të tjerë, marrin përgjigje të argumentuar: “Kur flitet për ‘hapësirë pellasge’ duhet mbajtur mirë parasysh kriteri gjeografik dhe kohor” ndryshe gabimi është i pashmangshëm. Hammondit, nën shkëlqimin e verdhushkave të grekut, Ballkani i duket i tëri i mbuluar nga flamuri helen, djepi i perëndive po këtu, ndërsa popujt e tjerë thuajse kanë lindur e zhvilluar rastësisht, pa asnjë të shkuar, natyrisht sipas tij edhe pa të ardhme. Pra mbetet që sipas tyre, boshti rreth së cilit rrotullohet bota, është Greqia. Lexoni me vëmëndje arsyetimet e Cenollarit.

Mitologjia ka një djep ku ka lindur dhe ai është djepi i pellazgjisë (s’jemi kundër mendimit se çdo popull i lashtë ka mitologjinë e tij), historia pellasge ka njohur kulme lulëzimi dhe këtë e dëshmojnë edhe historianët e shquar helenë të lashtësisë, bota ka njohur prijësa ushtarakë të pakrahësueshëm, mbretër, papë e perandorë që kanë lënë gjurmë në kujtesën e popujve, me krenari themi se shumica e tyre kanë qënë pellasgë, më vonë ilirë e duke filluar nga shekulli XV- shqiptarë. Gjaku ynë ka ushqyer popujt e botës dhe i ka fisnikëruar ata, ashtu siç kemi marrë edhe ne prej tyre.

Duke lexuar këtë studim cilësor të shoqëruar edhe me harta e grafikë, ku spjegohet vëndvendosja e fiseve pellasge, duke filluar nga Dardania deri në Epir, mëndja më vajti te çvarrimi i trupit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, nga gjeneralët dhe ushtarët turq dhe vendosja e tyre si hajmali në uniformat ushtarake, marrja me vete bashkë me katil-fermanin e kokës së Ali Pashë Tepelenës apo “rrebelve” të tjerë shqiptarë, çvarrime të vona të eshtrave të stërgjyshërve tanë në trevat jugore nga fqinjët tanë, helenët, duke i pretenduar si të ushtarve të tyre të vrarë, etj. Pra, edhe fqinjët tanë tokësor, edhe popuj të largët e përtej deteve, janë të bindur në shënjtërinë e Dodonës, të malit ku qëndron dhe trevave përreth. Kështu kërkojnë të marrin diçka prej saj, qoftë edhe forcërisht, për të patur më shumë fat, apo ndoshta edhe me mendimin për t’u shënjtëruar.

Në përfundim do të thoja se për shenjtërinë e malit të Tomorit, duhet shkruar më shumë, më konkretisht dhe më bindshëm. Ndoshta, në studimet vijuese të autorit do lexojmë ato që mbeten enigmatike: si bëhej konkretisht parashikimi i fatit me anë të predikimeve të grave, peliadheve, falltarëve në faltore, me anë të fëshfërimës së gjetheve të lisit, me anë të jehonës së enës së bakrit me zinxhirë, me anë të buçimës së ujit të kroit të shenjtë, me anë të fluturimit të pëllumbave të cilët rrinin në majë të lisit të shenjtë etj. Kjo është një temë jo e lehtë për t’u trajtuar, ndoshta kërkon edhe ndihmën e teologjisë e mitologjisë ballkanase, për të mos thënë që është objekt i këtyre shkencave.

Gjithashtu, do të shtoja se, nëse nga specialistët e fushës së historisë, ky libër s’do të quhej shkencor (edhe pse ka prurje të reja) sepse s’ka trajtuar tema të panjohura, do t’u kujtoja se asnjë punë s’mund të niset nga hiçi. Themelet e shkencave, veçanërisht të historisë, njohin si moshë të tyre shekujt dhe mijëvjeçarët, prandaj, askush s’mund të shikojë saktësisht në këtë humbëtirë kohore dhe të na zbulojë të vërtetat e fshehura poshtë gërmadhave. Në pamje të parë të duket se rrëmon mes leksioneve të Fakultetit të Historisë, por e vërteta është krejt ndryshe.

Në korespodencën time me një studiues gjuhësie, e gjykoj me vënd të pasqyroj komentin e tij në lidhje me librin të cilit i referohemi, pavarësisht se unë kam rezervat e mia për gjykimin e tij: “Të thuash se Greqia quhej Pellazgji, autori s’duhet të mendojë se ka thënë ndonjë gjë të madhe. Këtë e pranon edhe historiografia greke, por ata historiografë u shmangen thënieve të Herodotit…të thuash se Zeusi ka lindur në malin e Tomorit, në Toskëri, mandej ta pranosh këtë si të vërtetë dhe shkencore, atherë, na duhet që t’i përgatisim edhe pasaportën… Mitologjia thotë se Zeusi ka lindur në Kretë. Në fakt, asgjëkundi nuk ka lindur, sepse nuk ka ekzistuar. Mendoj se autori duhet t’i referohej ndonjë perëndie më të madhe se Zeusi, në kohët e lashta…Dua ta kujtoj autorin se, në konceptimin mitologjik, Apolloni i kish thënë Orestit disa thënie profetike, sepse mitologjia i jep aftësinë  “të lexojë” vullnetin e Zeusit, i cili s’merret me profeci…”

Megjithëse fjalën e parë duhet ta thotë arkeologjia, mandej gjuhësia dhe historia, edhe pse çështjet pellazgjike (të largëta në kohë) vazhdojnë të jetë objekt studimesh e polemikash, sygjerimet e mësipërme duhen marrë në konsideratë, edhe pse të ashpra, ndoshta për studimet vijuese të autorit. Natyrisht që, studimet realizohen mbi bazën e arritjeve të publikuara më parë, thellohen ato, ose përballen me kundërshtitë, duke sjellë argumenta të tjera të pranueshme. Ky libër, do t’i ushqejë kurreshtjen inteligjencës së interesuar për etnokulturën pellasge, lexuesve të gjerë dhe pse jo, besimtarëve që kërkojnë të mësojnë më shumë për Dodonën, Zeusin dhe Tomorin e shenjtë.

 

P.S: Nga libri “Ngjyrat e mendimit“ i studiuesit Mihal Gjergji



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx