Mendime
Mark Vuji: Vetëvlerësimi (I)
E diele, 24.10.2010, 07:58 PM
VETËVLERËSIMI
LEZHË 2010
VETËVLERËSIMI PSIKODIDAKTIK
(Pjesa e parë)
Vetëvlerësimi është mënyra se si njeriu, si qenie shoqërore gjykon mbi produktin e veprimtarisë së tij dhe për krijimin e marrëdhënieve me të tjerët, në sfera të ndryshme të mjedisit ku mëson, punon dhe përjeton suksese e dështime në të gjitha fazat e jetës së tij.
Sot, në mes mësuesve e prindërve dhe të gjithë atyre që punojnë pranë shkollës, gjithnjë e më shumë po diskutohet për vetëvlerësimin si strategji e praktikë pedagogjike, që i aftëson nxënësit për të përcaktuar progresin e zhvillimit të tyre, jo vetëm në drejtim të arritjeve akademike, por edhe etiko-morale. Siç shihet, këtu kemi të bëjmë me një risi në fushën e studimeve psikopedagogjike, ose me vetëvlerësimin psikodidaktik dhe socialpsikologjik, të cilët, në procesin mësimor dhe edukativ, janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, sepse mësimi është edukim e edukimi është mësim.
KUPTIMI LINGUISTIK
Në fjalorin e gjuhës shqipe, në faqen 2148, shkruhet: VETËVLERËSIMI = Vetëvlerësimi që i bën dikush vetë punës së vet, mendim i mirë që shfaq dikush për vete.
Ne do t’i shtonim edhe për të metat e dështimet e tija. Në këtë fjalor gjenden shumë zëra që lidhen me konceptin e vetëvlerësimit: vetedukimi, vetëbesimi, vetëdrejtimi, vetëflijimi, vetëkënaqësia, vetëkontrolli, vetëkritika, vetëlavdërimi, vetëlëvizja, vetëkuptimi, vetëgjykimi, vetëdënimi, vetëdashja, vetëdija etj.
OBJEKTI I VETËVLERËSIMIT
Që në fillim lind pyetja: -Cili është objekti i vetëvlerësimit? Në kuptimin më të përgjithshëm psikopedagogjik, vetëvlerësimi është mënyra se si njeriu si qenie shoqërore gjykon mbi produktin e punës që bën në sfera të ndryshme të prodhimeve dhe për krijimin e marrëdhënieve me të tjerët në mjedisin ku jeton, mëson e punon gjatë gjithë fazave të jetës së tij dhe përjeton suksese e dështime. Vetëvlerësimi lidhet ngushtë me cilësinë e konceptimit të vetvetes. Njeriu, gjatë gjithë jetës së tij, lufton për të formuar vetveten sipas kërkesave bashkëkohore. Fëmija këtë punë nuk mund ta bëjë vetëm, po nuk i erdhen në ndihmë familja, shkolla dhe i gjithë mjedisi ku jeton. Pra, objekti i vetëvlerësimit, është njohja dhe formimi i vetvetes.
FILOZOFIA POPULLORE PËR KONCEPTIN MBI VETVETEN
Edhe populli, ndër shekuj, ka krijuar filozofinë e vet për të konceptuar vetveten. Kjo duket qartë edhe në frazeologjinë që gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe. Disa prej tyre po i japim në vazhdim: “Është i zoti i vetes. E lau veten. E ndjen veten mirë ose keq. E ruan veten. S’u dhimbet vetja. Ç’i duket vetja. I dha zemër vetes. Mori veten në qafë. Vrau veten. Ia bëri të keqen vetes. Nuk e kontrollon dot veten. Mban veten me shpresë. Ta shohin veten si në pasqyrë. Kërkon shumë nga vetja. E pleqëroi me vete. E mbajti për vete. Gënjen veten. Grihet me veten. S’e deshi veten (të gjallë). E gjeti veten. Nuk është në vete. E lëshoi veten. E mblodhi veten. Erdhi në vete. U bë zot i vetes. I ka hyrë vetja në qejf. S’e ka në dorë veten. I tërheq krraba nga vetja. I vjen të hajë veten etj.
MENDIMI PEDAGOGJIK MBI VETËVLERËSIMIN
Vetëvlerësimi është shkalla më e lartë, që njihet deri më sot, e zhvillimit të proçesit të të nxënit aktiv, kritik e krijues, është momenti kur nxënësi përpiqet, me ndihmën e mësuesit, që të njohë arritjet e tija, sukseset e mangësitë si dhe për të zbuluar mundësitë që ka për të bërë hapa të tjerë përpara në vetëformimin e tij shkencor e etiko-moral.
Objekti i vetëvlerësimit pëë çdo individ është vetvetja, është bota e tij e brendshme, ku zhvillohet një luftë e fuqishme në mes të asaj që ai ka arritur dhe dëshirës që aspiron të jetë. Këtu ndizen beteja për zhvillim e vetëzhvillim. Në librin “Një udhëzim mbi disiplinën positive”, faqe 51, thuhet: “Koncepti mbi vetveten përmban një sërë perceptimesh, ndjenjash, imazhesh dhe gjykimesh, që individët kanë për veten e tyre, duke përfshirë imazhin që të tjerët mund të kenë për ta dhe imazhin e personit që ata duan të jenë.
Shavelson (1976) e përkufizon konceptin mbi vetveten dhe si përceptim që një individ ka për veten, i formuar përmes përvojave të tij me mjedisin dhe, ku një rol të madh luhet nga reagimi i mjedisit dhe i personave me rëndësi. Nga pikëpamja cognitive, koncepti i vetvetes shihet si një fenomen shumë dimensional, i cili përfshin pesë burime të ndryshme emocionale, personale, fizike, sociale dhe akademike. Vetja kryen rolin e lidhësit në mes të përvojave individuale dhe mjedisit rrethues, ndërkohë që ruan, mbron dhe zhvillon “UNIN”.
Siç shihet, objekti i vetëvlerësimit është kontrolli e vlerësimi i aktivitetit të vetvetes. Po citojmë përsëri nga i njëjti libër, faqe 53. “Me 1967, Kupersmith e përkufizon vetëvlerësimin si një vetëvlerësim të individit mbi një bazë të përhershme, që reflekton një qëndrim miratues ose refuzues dhe mat deri në ç’masë individi e mendon veten të aftë, të rëndësishëm dhe të vlefshëm. Vetëvlerësimi është një gjykim personal mbi vlerën, siç shprehet në qëndrimet që individi ka për veten”.
Vetëvlerësimi ka pra, si objekt për të miratuar ose jo, tërë veprimtarinë e vetvetes: aftësitë që ka për të formuar Unin në të gjitha drejtimet që i kërkohen, sipas kërkesave bashkëkohore. Vetëvlerësimi bën që individi ta ndjejë thellë nevojën për kontrollin e vetvetes në të gjitha dimensionet e tija, prandaj duhet të ketë mbështetje teknike dhe përkushtim maksimal, vetëbindje për të vepruar mbi vetveten me gjykime të rrepta.
VETËVLERËSIMI KËRKON MBËSHTETJE PROFESIONALE DHE SHPIRTËRORE
Duke diskutuar në departamentet e lëndëve për mundësitë e realizimit të vetëvlerësimit psikodidaktik e socialpsikologjik, në shkollën 12-vjeçare “Matia”, Lezhë, ku u bënë kërkime për vetëvlerësimin, lindi mendimi që ky novacion të ketë sukses, kërkohet që “ÇDO MËSUES TË JETË INSPEKTOR I VETVETES” dhe “ÇDO NXËNËS DUHET TË BËHET MËSUES I VETVETES”. Kjo përbën mbështetjen filozofike të vetëvlerësimit, që lidhet me aftësimin e çdo individit për të kontrolluar e vlerësuar rezultatin e punës që bën dhe të sjelljes që mban në raport me vetveten dhe të tjerët, si nevojë për të forcuar kapacitetin e tij intelektual, për ta korrigjuar e për ta çliruar atë nga pasaktësitë dhe për ta plotësuar me gjërat më të reja të produktit të mendjes njerëzore, ashtu si nxënësi, edhe mësuesi vetëvlerëson rezultatin e punës së tij. Cilido që t’i ikin këtij rregulli, dëmton punën e tjetrit. Mësuesi punën e nxënësve dhe nxënësit përpjekjet e mësuesit për të rritur cilësinë e mësimit. Vetëm mësuesi që është inspektor i vetvetes mund të formojë nxënës që të bëhen mësues të vetvetes, dmth, që mund të përballojnë me sukses vështirësitë me të cilat do të ndeshet në jetë.
TENSIONIMI I BRENDSHËM
Vetëvlerësimi është përpjekja e individit për të njohur vetveten. Ai duhet të vlerësojë realisht aftësitë, mundësitë që ka për të punuar në kushtet në të cilat jeton. Pra, kemi të bëjmë me formimin e një vizioni personal për vetveten ekzistuese dhe për atë që dëshirojmë të jemi. “Artikullimi i vizionit personal, thuhet në librin “Shkolla e të nxënit”, faqe 14, dhe vlerësimi i drejtë i realitetit, krijon një lloj tensioni të brendshëm, i cili, kur trajtohet siç duhet, mund të rrisë shanset për një zgjidhje më të mirë dhe për të arritur objektivat e dëshiruar. Fëmijët duhet të ndihmohen të eksplorojnë veten, dëshirat e tyre dhe të ndërgjegjësohen se ç’duhet të bëjnë që ata të njohin statusin e vetvetes që kanë dhe atë që dëshirojnë të kenë. Për të arritur cakun që dëshiron, duhet të ndryshojë realiteti.” Por kjo nuk është e lehtë. Shkolla ka për mision që t’u krijojë kushte nxënësve që të mund të realizojnë njohjen e zotërimin e vetvetes lirisht pra, nuk duhet të marrin pozicion direkt apo indirekt kundër asaj që individi, në rastin tone, fëmija, dëshiron të arrijë. Ajnshtajni thotë: “Unë nuk i mësoj kurrë nxënësit e mi, unë vetëm përpiqem t’u krijoj kushte që ata të mësojnë”.
Në librin “Shkollat e të nxënit”, f. 75, disa autorë thonë se nëse mund të mbani vizionin e qartë dhe të palëkundur edhe kur tensioni është i fortë dhe pra, kur realiteti nuk është favorizues, do të arrini që ta bëni realitetin që t’i afrohet vizionit tuaj.
Kjo do të thotë që individi, në asnjë rrethanë, nuk duhet të pushojë luftën për zhvillimin e vetvetes, por të shumëfishojë hap pas hapi përpjekjet për kapërcimin e vështirësive dhe për t’i bërë kushtet e jetës gjithnjë e më favorizuese për të realizuar objektivat e tij.
EVOLUCIONI I UN-it
Njohja e këtij fenomeni, kur kemi të bejmë me çështjen e edukimit, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ecuyer, evolucionin e UN-it, e ka dhënë në gjashtë etapa. Ne po citojmë katër të parat, që na interesojnë për problemin tonë, që gjenden në librin “Një udhëzues për disiplinën positive”, faqe 52. Aty thuhet:
“1. Nga 0-2 vjeç. LINDJA E UN-it si nevojë e përvojave fiziologjike, kognitive dhe sociale, që mbyllen me ndarjen e personit nga gjithçka tjetër. Gjatë këtij stadi, krijimi i imazhit mbi trupin, është komponenti më i rëndësishëm i zhvillimit të Un-it dhe baza për ndërgjegjësimin, sepse përceptimi i individualitetit lind nga përceptimi i secilit mbi trupin e vet.
2. Nga 2 deri në 5 vjeç. KONFIRMIMI I UN-it. Ky dimension arrihet nëpërmjet zhvillimit të gjuhës dhe si pasojë e ndërveprimit shoqëror.
3. Nga 5 deri në 12 vjeç. SHTRIRJA E UN-it - shkollimi sjell përvoja të reja tek fëmija, i cili, gjithashtu, merr role të reja dhe një status të ri. (Tani ai është një prej të shumtëve dhe jo i vetmi si në shtëpi), dhe u përshtatet interesave dhe pikëpamjeve të reja. Këto vite shkollore janë kritike për evolucionin e konceptit të përgjithshëm të vetvetes dhe, në veçanti, të konceptit akademik për vetveten. Shkolla dhe familja tani ndajnë në mes tyre konceptin për veten, ndonëse familjet ende luajnë një rol preferencial.
4. Nga 12 deri në 18 vjeç. DIFERRENCIMI I UN-it. Edhe një herë interesi për imazhin e trupit
Sa më i përsosur të jetë vetëvlerësimi i shkallës së formimit të Un-it, aq më me lehtësi nxënësi vë në lëvizje veten për të përballuar sfida të reja, për të plotësuar boshllëqet, për të realizuar ngjitje të pandërprera, që kanë shumë rëndësi për vetëzhvillimin.
FORCA E AFTËSISË REFLEKTIVE
Disa autorë nxjerrin në pah aftësinë reflektive të qënies njerëzore për të parë veten si objekt të mendimit të vet. Në fjalorin e sociologjisë, f. 484, përgatitur nga Gordon Marshall, thuhet: “Sipas Meadit, është vetja ajo që bën të mundshme shoqërinë specifikisht njerëzore”. (Shih. Mendja, vetvetja, shoqëria 1934). Në këtë vepër bëhet rregullisht dallimi midis dy fazave të proçesit të vetvetes: Faza “Unë”, që është spontane, e brendshme, subjektive dhe faza “Mua”, që përbën organizimin e qëndrimit të të tjerëve, lidhet me shoqërinë në përgjithësi, është më sociale dhe më e përcaktuar. “Mua”, shpeshherë quhet konceptimi sesi njerëzit e shohin veten me sytë e të tjerëve dhe është shumë më e mundshme për t’u studiuar”.
FORCA E KOMUNIKIMIT PËR EVOLIMIN
Vetvetja evulon nëpërmjet të komunikimit dhe simboleve, teksa fëmija bëhet më i aftë për t’u venë në rolin e të tjerëve. Trajtesa e Meadit e vë theksin tek kjo rritje nëpërmjet fazave të “lodrimit”, lojës dhe “të tjetrit” të përgjithësuar. Tjetri i përgjithësuar i referohet organizimit të qëndrimeve të komunitetit në terësi, gjë që u mundëson njerëzve të përfshijnë vlerat e gjithanshme të komunikimit në konceptin e tyre për vetveten.
KONCEPTI I ROSENBERGUT MBI VETVETEN
Rosenbergu dallon gjithashtu vetveten ekzistuese (imazhin tonë për ç’ka jemi), vetveten e dëshiruar (si do të dëshironim të ishim), dhe vetveten e paraqitur (mënyrën sesi e paraqesim veten në një situatë të dhënë). Së fundi, caqet e konceptimit të vetvetes kanë të bëjnë me të ashtuquajturat zgjerime të un-it ndaj të cilit aplikohet.
FSHEHTËSIA E VETVETES
Vetvetja është një kasafortë e vërtetë dhe mund të themi më e sigurta që mund të jetë. Individi, që nga mosha fëminore, përbluan me vete dhe ruan gjëra që mund të mos merren vesh kurrë nga të tjerët. Në vetvete përpunohen dhe mendime e pikëpamje të ndryshme dhe nxirren konkluzione, që, kur shpallen, herë-herë trondisin botën për mirë ose për keq. Prandaj familja dhe, në mënyrë të veçantë shkolla, duhet të punojnë me kujdes të madh për të ndikuar në formimin e botës së brendshme të nxënësve.Nxitja e jashtme, kur është e kualifikuar, shërben për të venë në lëvizje mendimet e tyre krijuese. Kjo luftë zhvillohet në thellësinë e Un-it, kur bëhet me cilësi të lartë, mund të realizojë rezultate surprizë.
TË NXËNIT KRIJUES NUK ËSHTË NJË STOLI DIDAKTIKE
Shkolla sot është në një fazë të tillë që, me çdo kusht e me çdo formë, duhet të heqë dorë nga të mësuarit mekanik, që e mpinë botën e brendshme të nxënësit dhe duhet t’i hapë rrugën të mësuarit aktiv, kritik e krijues, ku bën pjesë edhe vetëvlerësimi, që shënon një kulm të ri në proçesin e të nxënit krijues. Që shkolla të mos bëhet pengesë për zhvillimin e njerëzimit, ajo duhet të bëjë çmos që të rrisë forcat e reja krijuese me një shpirt sulmues, për të çuar gjithnjë e më lart arritjet në të gjitha nivelet dhe sidomos në ato që ndikojnë në përmasa të mëdha mbi zhvillimet botërore. Prandaj mund të themi se konsolodimi i plotë i të mësuarit aktiv, kritik e krijues, nuk është një stoli didaktike, por një imperativ i fuqishëm i kohës për zhvillimin e mendimit krijues në mbarë globin.
VETËVLERËSIMI KA SI OBJEKT NJOHJEN DHE ZHVILLIMIN E VETVETES
Objekti i vetëvlerësimit është gjurmimi i zhvillimit të vetvetes në të gjitha drejtimet. Ai është qëndrimi ndaj vetvetes, është mënyra sesi njeriu, si qënie shoqërore, gjykon mbi vlerat e produktit të veprimatrisë së tij në mjedisin ku jeton, mëson e prodhon gjatë të gjitha fazave të jetës, ku ndeshet me suksese e dështime, që ndikojnë fuqishëm mbi vetëformimin e tij me shpirtin kritik, krijues e aplikues.
Në librin: “Një udhëzim për disiplinën positive”, f. 53, thuhet: “Vetëvlerësimi mund të konsiderohet si dimension emocional i konceptit për vete. Ai tregon qëndrimet ndaj miratimeve dhe mosmiratimeve ndaj vetes dhe shprehet me ndjenjat e favorshme ose të disfavorshme për veten. Ai tregon shkallën deri kur një njeri sheh veten të aftë, të rëndësishëm e të vlefshëm dhe nëse kontribuon në ndërtimin e Un-it moral”.
Pa kuptuar konceptin mbi vetveten, nuk mund të hedhin dritë mbi konceptin mbi vetëvlerësimin. Ata janë një realitet i mësuar përmes përvojave dhe lidhjeve të shumta me mjedisin që i përkasin.
Për të orientuar fëmijët që të aplikojnë vetëvlerësimin, si një mjet i fuqishëm për të njohur vetveten, luajnë një rol parësor prindërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre.
FORCA E NDIKIMIT FAMILJAR
Prindërit duhet të zhvillojnë kulturën e inkurajimit, që fëmijët të shprehin lirisht vetveten dhe të gjykojnë pa ndrojtje për cilësinë e produktit të punës së tyre. Shumë autorë janë të mendimit se autoriteti i fortë prindëror i ndihmon fëmijët të shmangin ndjenjat e dështimit. Ata kanë dalë në përfundim se kontrolli dhe liria në masën e duhur, ndikojnë për mirë në zhvillimin e vetëvlerësimit, pavarësisë dhe të sigurisë në vetvete.
NDIKIMI I MËSUESIT
Roli i mësuesit, si person zyrtar dhe i specializuar, ka rëndësi të madhe për të aftësuar nxënësit për të realizuar aplikimin e vetëvlerësimit për njohjen e formimit të pandërprerë të vetvetes. Mendimi më i përgjithshëm pedagogjik pranon se mësuesi që aplikon kulturën e inkurajimit, ngjall tek nxënësit ndjenjën e dinjitetit personal dhe të angazhimit për një punë gjithnjë e më të suksesshme. Suksesi i bën fëmijët që të njohin potencialin intelektual dhe aftësitë për të realizuar aspiratat e tyre.
Disa kanë dalë në përfundim se, duke vlerësuar arritjet më të mira të fëmijëve nga mësuesit, prindërit dhe kujdestarët, ata motivohen dhe realizojnë vetëvlerësime me nivel intelektual gjithnjë e më të lartë.
PESHA E FJALËS TË BASHKËMOSHATARËVE
Kur nxënësit hyjnë në shkollë, është koha e krahasimeve sociale, tani vlerësimi reciprok në mes tyre, ndikon më shumë mbi psikologjinë e secilit, shpeshherë ai është më i fuqishëm sesa i të rriturve, përfshirë edhe prindërit e mësuesit, prandaj në këto momente kërkohet profesionalizëm shumë i lartë për të ndikuar tek fëmijët, që ata të nxjerrin përfundime të sakta për vlerat e tyre, me qëllim që të forcojmë anët pozitive të zhvillimit të Un-it. Nëpërmes të krahasimeve sociale të vlerave të njëri - tjetrit, ata aftësohen për t’u thelluar në njohjen e vetvetes, të kompetencës së tyre intelektuale, për të përballuar vështirësitë e vetëformimit shkencor dhe etiko-moral.
VEÇORITË E VETËVLERËSIMIT TEK FËMIJËT
Çdo individ, njohjen e vetvetes e fillon që në fëmijëri. Ai ndeshet me ngrohtësinë ose ftohtësinë e të tjerëve. Një fjalë e urtë thotë: “Fëmija, ku ka sytë, ka shpirtin”. Domethënë, ai pret vlerësimin e prindërve, mësuesve, të bashkëmoshatarëve etj. Dhe bazohet shumë tek përceptimet që kanë të rriturit për të. Kështu ai hedh hapat e para drejt vetëvlerësimit ose të njohjes së vetvetes. Fëmijët që kanë vetëvlerësim të lartë, janë më aktivë dhe të angazhuar për të mësuar, kurse ata me vetëvlerësim të ulët, vuajnë nga ndjenja e inferioritetit. Është e domosdoshme që të rriturit të jenë të vëmendshëm kur t’i lavdërojnë ose t’i qortojnë fëmijët. Ata duhet t’u venë më shumë në dukje anët pozitive sesa gjërat që u mungojnë, të cilat mund t’i plotësojnë më vonë, në një kohë më të përshtatshme.
VETKONCEPTIMI I VETVETES
Fëmijët përpiqen të formojnë imazhin e vetvetes. Ky është një moment tepër i rëndësishëm në jetën e individit pra, edhe tek fëmijët. Është mënyra sesi ata e shohin veten në raport me të tjerët. Disa autorë këtë e quajnë dhe vetëkonceptim të vetvetes. Imazhi ndryshon nga një individ tek tjetri. Secili ka individualitetin e vet: dikush ka prirje për artin, disa kanë talent për shkencat e natyrës etj. Pra, në këto raste, ne kemi të bëjmë me tipa të ndryshëm. Fëmijët duhet të ndihmohen sesi të formojnë një ide sa më të saktë për imazhin e tyre. Në librin që cituam më lart, f. 55, jepet një ushtrim sesi mund të formohet një imazh i plotë për vetveten. Po japim disa nga kërkesat e tija kryesore.
“? Ç’mendim keni për trupin tuaj?
? Sa ju bie në sy personaliteti juaj?
? Çfarë mendoni për tipin tuaj?
? Çfarë mendoni se të tjerët mendojnë për ju?
? Sa ju pëlqen vetja apo mendoni se të tjerët ju pëlqejnë ju?”
Po aty thuhet: “Nëse dikush ka opinion të ulët për veten, vetëvlerësimi fokusohet mbi atë sesi dikush e ndjen veten. Vetimazhi ka lidhje me atë sesi ju e shihni veten tuaj. Ekziston një vijë shumë e hollë ndarëse në mes të dyjave, por vetëvlerësimi rrjedh nga vetimazhi, nga vlerat që gjenden në elementet e imazhit.”
Mësuesit e kujdesshëm u japin fëmijëve shumë ushtrime të tilla me qëllim që të formojnë një vetimazh sa më të saktë.
NDIKIMI I VETËVLERËSIMIT PËR FORCIMIN E BESIMIT NË VETVETE
Është i njohur fakti se nxënësit me vetëvlerësim të lartë kanë më shumë besim në vetvete sesa ata me vetëvlerësim të ultë. Dihet se besimi në vetvete ndikon shumë në realizimin e arritjeve e të objektivave, në vendimmarrje si dhe për të marrë përsipër sfida të reja, për të qenë i hapur ndaj ndryshimeve, që i çojnë drejt përmirësimit të vetvetes etj. Mbështetje për forcimin e besimit në vetvete, është shpirti vetëveprues, lidhjet afektive me të tjerët dhe, në mënyrë të veçantë, arritjet kanë ndikim të madh për fuqizimin e besimit në vetvete. Të gjitha këto bëhen një bazë e mirë për formimin e vetëbesimit. Autorë të ndryshëm janë të mendimit se familja dhe shkolla duhet t’i aktivizojnë nxënësit në punë për të zgjidhur probleme, për të marrë vendime dhe për t’i zbatuar ato. Shpirti i tyre realizues bëhet mbështetje për të forcuar vetëvlerësimin dhe vetëbesimin. Kur vetëvlerësimi i arritjeve është pozitiv, ai bëhet bazë për forcimin e vetëbesimit.
Ka autorë që pranojnë se mbi cilësinë e vetëvlerësimit ndikon dhe diversiteti i kulturave, sepse në rajone të prapambetura ka koncepte patriarkale për vlerësimin e femrave, që bëhet pengesë për një vetëvlerësim bashkëkohor të drejtë.
NDIKIMI I DISIPLINËS POZITIVE
Edhe teknikat e disiplinës pozitive realizohen me sukses atëherë kur fëmijët arrijnë të krijojnë një model të brendshëm të njohjes së vetvetes, që konkretizon vetimazhin, që është pasojë e një vetëvlerësimi cilësor të botës së tij shpirtërore. Disa autorë janë të mendimit se vetëvlerësimi korrekt do t’i ndihmojnë ata të krijojnë raporte të mira afektive me të tjerët. Mësuesit dhe prindërit kanë sukses në krijimin e marrëdhënieve me fëmijët, kur aplikojnë disiplinën positive. Provat kanë treguar se krijimi i një atmosphere dashamirëse, i motivon ata për të realizuar kërkesat që kanë ndaj tyre familja, shkolla dhe shoqëria.
TEKNIKA EDUKATIVE INKURAJUESE
Për të realizuar vetëbesimin, vetimazhin dhe vetëvlerësimin me cilësi të lartë, ne duhet të praktikojmë teknikat edukative që na ofron kultura e inkurajimit, që ruajnë dhe forcojnë dinjitetin e fëmijëve, që venë në lëvizje botën e tyre të brendshme. Inkurajimi i nxit ata të realizojnë vetëvlerësimin pa ndrojtje. Në këtë luftë vetëformuese, shumë autorë të ndryshëm mendojnë se fëmijët duhet të ndihmohen që t’i përcaktojnë vetë objektivat e përparësitë e veprimtarisë së tyre dhe të mbështeten që t’i realizojnë ato, si një mjet që i vën në lëvizje për të realizuar objektiva të reja, me kërkesa gjithnjë e më të larta.
SECILI KA KULTURËN E TIJ TË TË NXËNIT
Nga studimi i sistemit të punës së nxënësve del se secili ka kulturën e tij të të nxënit, që me ndihmën e mësuesit dhe me anë të vetëvlerësimit përpiqet ta zhvillojë atë për të përballuar detyrimet e punës mësimore dhe edukative, që lidhen me realizimin e mësimdhënies me në qendër nxënësin. Nxënësi që di të vetëvlerësojë sistemin e të nxënit, që zbaton, mëson më me lehtësi dhe me rendiment më të lartë. Mësuesi e ka për detyrë, jo vetëm t’u kërkojë nxënësve që të mësojnë, por edhe t’i aftësojë ata si vetëformues dhe si vetëvlerësues të sistemit të tyre të të nxënit dhe kjo nuk është një punë e lehtë, bile mund të themi se është po aq e vështirë sesa t’u mësosh atyre çfarëdo lënde tjetër.
VETËVLERËSIMI BËN TË MUNDUR QË, BASHKË ME DIJET, NXËNËSIT TË MARRIN DHE KULTURËN E TË NXËNIT
Fëmijët, kur vinë në shkollë, bashkë me dijet, fillojnë të marrin dhe njohuritë e para për kulturën e punës në përgjithësi dhe për sistemin e të nxënit në veçanti. Që në fillim ata dëgjojnë mësuesin që disa i lavdron për punën që e bëjnë mirë dhe disa i qorton për të metat. Të gjithë dëgjojnë ç’thuhet për të tjerët dhe fillojnë, nëpërmjet krahasimit, të gjykojnë sesi i kanë realizuar vetë ato detyra. Çdo nxënës duhet të dijë se çfarë i kërkohet të bëjë për të përballuar vështirësitë për të përvetësuar dijet shkencore për çdo temë e kapitull dhe për çdo lëndë në terësi. Pa realizuar këtë kërkesë, vetëvlerësimi nuk mund të bëhet me sukses. Proçesi i aftësimit të nxënësve si vetëformues dhe vetëvlerësues të sistemit të tyre të të nxënit duhet të zhvillohet në përputhje me natyrën e lëndës dhe veçoritë moshore.
NXËNËSI DUHET TË AFTËSOHET QË TË MBAJË NËN KONTROLL SISTEMIN E PUNËS SË TIJ
Nxënësit, për të vetëvlerësuar sistemin e tyre të të nxënit, mbështeten në produktin që jep dhe, kur rezulton se ai është i pakënaqshëm, e rishikojmë dhe e çlirojmë nga praktika metodike joproduktive dhe, me ndihmën e mësuesit, i zëvëndësojnë me teknika të reja të të nxënit, që sigurojnë një rendiment gjithnjë e më të lartë. Megjithëse ky process, gjatë viteve të shkollës, zhvillohet nën kujdesin didaktik të mësuesit dhe mbas mbarimit të saj nga specialistët e prodhimit, aftësimi i individëve për të mbajtur nën kontroll sistemin e tyre të punës ka rëndësi të madhe. Vetëvlerësimi rigoroz e mban atë në efiçencë. Shkolla e reformuar duhet të punojë me përparësi për t’i përgatitur nxënësit si vetëformues e vetëvlerësues të kulturës së tyre të të nxënit aktiv, kritik e krijues, si një kërkesë parësore e mësimdhënies me në qendër nxënësin.
VETËVLERËSIMI I KULTURËS SË TË NXËNIT PËRBËN BAZËN E ZHVILLIMIT TË SAJ
Vetëvlerësimi, si një aspekt i ri i psikodidaktikës modern, kërkon që mësuesi, duke u dhënë nxënësve dije të reja, t’i aftësojë ata sesi të vetëvlerësojnë rrugën që kanë ndjekur për përvetësimin e tyre. Orientimi i ri madhor “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”, kërkon që mësuesit, bashkë me dijet e reja, t’u japin nxënësve udhëzime sesi t’i mësojnë ato dhe sesi të vetëvlerësojnë cilësinë e zbatimit të tyre, gjë që bën të mundur parandalimin e të mësuarit mekanik. Kjo duket qartë po të analizohen rezultatet e “Maturave Shtetërore”, tanimë disavjeçare. Nxënësit e mësuesve që e zhvillojnë mësimin me metoda tradicionale, nuk i përballojnë kërkesat e testeve të reja, që ndërthuren sipas kritereve të të mësuarit aktiv, kritik e krijues. Përpunimi i kulturës së të nxënit gjatë zhvillimit të proçesit mësimor, është jo vetëm i mundshëm, por edhe i nevojshëm. Mësuesi që shpjegon një temë të caktuar, duke lënë jashtë kujdesit të tij metodën që duhet të ndjekin nxënësit për vetëvlerësimin e përvetësimit të saj në mënyrë logjike, bëhet vetë shkaktar i përparimit të tyre të dobët. Është e domosdoshme që mësuesi të kërkojë dhe të gjejë forma për të përsosur metodën e stilin e nxënësve në studim. Ai duhet t’i mësojnë ata sesi të bëjnë në mënyrë sistematike vetëvlerësimin e kulturës së të nxënit, që përbën bazën e zhvillimit të saj.
Ç’PËRFITIM KANË NXËNËSIT NGA VETËVLERËSIMI PSIKODIDAKTIK
Përfitimet që kanë nxënësit nga aplikimi i vetëvlerësimit psikodidaktik janë të shumta, ne po përmendim disa më kryesore:
1. Nxënësit, duke u ndodhur përpara faktit se në fund të orës së mësimit ata do të bëjnë vetëvlerësimin e përvetësimit të dijeve të reja, detyrohen që gjatë të gjithë kohës të përqëndrohen me tërë vëmendjen e mundshme në fokusin e përpunimit të dijeve. Kur në këtë drejtim punohet me korrektësi, nuk dëgjohet më mësuesi duke bërë vërejtje
nxënësve: “Kujdes, dëgjoni, shikoni me vëmendje etj.”. Është vetë proçedimi metodik, që siguron përqëndrimin e tyre atje ku duhet. Këtu zë fill forcimi i ritmit të të nxënit.
2. Nxënësit, vetëm kur angazhohen për të vetëvlerësuar sesa kanë arritur për të kapur lidhjet në mes të pjesëve të një lënde e të lëndëve në mes të tyre dhe të gjitha së bashku, me proçeset teknike e teknologjike përkatëse të prodhimit, bëhen zotër të vërtetë të logjikës shkencore të dijeve që marrin në shkollë. Në të njëjtën kohë, ata marrin çelsin sesi do të veprojnë në jetë për vetëvlerësimin e përvetësimit të novacioneve shkencore që dalin çdo ditë në profilet nga më të ndryshmet, me një vrull përherë e më të fuqishëm.
3. Nxënësi, nëpërmjet të vetëvlerësimit, zbulon dhe shkallën e cilësisë së përvetësimit të aftësive për të përpunuar materialin mësimor në përputhje me natyrën e lëndës dhe me mundësitë që ka për të gjetur zgjidhje gjithnjë e më të plota për probleme të ndryshme dhe për të përballuar vështirësitë me të cilat mund të ndeshen.
4. Vetëvlerësimi bën të mundur që nxënësi të zbulojë edhe shkallën e zotërimit të formave dhe të shprehive të menduarit logjik, që zbaton për të përpunuar dukuri të ndryshme mbi bazën e shkaqeve që i kanë lindur dhe pasojat që rrjedhin prej tyre. Kjo është shumë e rëndësishme.
5. Vetëvlerësimi hedh dritë dhe mbi shkallën e aftësimit të nxënësve për të komunikuar me zë ose me shkrim të rezultatit të kërkimeve apo të vlerësimit të objekteve të ndryshme. Kjo mbyll ciklin: Kërkim + përpunim + komunikim, nëpër të cilin kalon përpunimi i materialit mësimor.
6. Vetëvlerësimi nxjerr në pah dhe aftësitë e nxënësve për të krijuar e përdorur në proçesin e të nxënit, brenda e jashtë orës së mësimit, mjete mësimore në përputhje me kërkesat e temës. Kjo hap përpara tyre një skenë të re dhe të madhe, ku zhvillohet lufta për të fituar dije. Edgar Dale I Universitetit të Oxfordit, thotë: “Pas dy javëve, njerëzit kujtojnë 10% të asaj që kanë lexuar, 20% të asaj që kanë dëgjuar, 30% të asaj që kanë parë e dëgjuar, 70% të asaj që kanë thënë dhe 90% të asaj që kanë thënë e kanë bërë”. Edhe Konfuci, shumë shekuj para erës së re, ka thënë: “Më thuaj, do ta harroj. Më trego, do ta mbaj mend. Më përfshi aktivisht dhe do ta kuptoj”.
7. Vetëvlerësimi rigoroz e ndihmon nxënësin që të parashikojë drejt notën që mund të marrë nga vlerësimi i mësuesit. Pas një kohe relativisht të gjatë, shpesh nota e mësuesit dhe parashikimi i nxënësve përputhen. Ka mjaft raste kur nota që parashikojnë ata të jetë edhe më poshtë se ai i mësuesve. Të gjitha këto flasin për pjekurinë e nxënësit që, siç thotë Anatoli Franc: “Edukimi nuk është sesa shumë mban mend apo sa shumë gjëra di. Edukimi është të jesh i aftë të bësh dallimin në mes të asaj që di dhe asaj që nuk e di”. Ky është thelbi i vetëvlerësimit. Ka raste kur nota e nxënësit është më e lartë se vlerësimi i mësuesit, gjë që tregon për mosthellim në vetëvlerësim ose për prapambetje të theksuar.
9. Vetëvlerësimi i jep mundësi nxënësit të kapin lëkundjet në ritmin e të nxënit në periudha të ndryshme të vitit shkollor, gjë që e orienton atë të marrë masa për normalizimin e tij. Ky është një ndër përfitimet më të mëdha që nxënësi ka nga vetëvlerësimi, sepse ritmi i të nxënit është përcaktues për formimin e tyre shkencor dhe etiko-moral.
Vetëvlerësimi ka dhe ndikime të tjera pozitive mbi sistemin e punës së nxënësit, të cilat i zbulon çdp ditë në punë e sipër.
Ç’PËRFITIME KA MËSUESI NGA VETËVLERËSIMI PSIKODIDAKTIK
Si çdo profesionist tjetër, edhe mësuesi e përdor vetëvlerësimin për të gjykuar mbi cilësinë e rezultateve të punës së tij.
1. Sot, që publikohen rezultatet e provimeve të maturës dhe të klasës së nëntë, mësuesit kanë mundësi të vetëvlerësojnë rezultatet e punës së tyre, duke bërë krahasimin me ato të kolegëve më të përparuar.
Një mësuese e shkollës 12 vjeçare jopublike “Matia”, që për dy vjet radhazi, nxënësit e saj fituan klasën të gjithë dhe me notë mesatare 9, thonte se, duke vetëvlerësuar këto rezultate, jam përpjekur për të gjetur forma të reja pune për t’i ruajtur, konsoliduar e ngritur më tej ato. Kjo mësuese elitare kërkon të gjejë rezerva të reja tek vetvetja për të siguruar një progres profesional akoma më të lartë. Këtu duket edhe forca e vetëvlerësimit kur shfrytëzohet me zgjuarsi nga mësuesi.
2. Disa mësues aplikojnë minitestet për të vetëvlerësuar efektin e proçedimit të tyre metodik në momentin kur përfundon përpunimin e lëndës së re. Është vetëvlerësimi i menjëhershëm që i detyron të ndalen pa dalë nga klasa tek ato gjëra që rezulton se nuk janë kapur mirë nga një masë e caktuar nxënësish.
3. Aplikimi i vetëvlerësimit e ndihmon mësuesin për të gjykuar edhe për përgjithësimin e përvojës së tij. Kjo e ndihmon atë për të ndjekur progresin e tij profesional.
Ç’PËRFITIM KA KLASA NGA APLIKIMI I VETËVLERËSIMIT
1. Aplikimi i vetëvlerësimit nga mësuesi për të parë efektin e metodës së punës së tij dhe nga nxënësit për të gjykuar për shkallën e cilësisë e të përvetësimit të dijeve, bëjnë të mundur që në klasë të krijohet një vizion më solid për të ardhmen e saj.
2. Në shkollën 12-vjeçare jopublike “Matia” Lezhë, për të forcuar psikologjinë e të nxënit të suksesshëm, çdo ditë, në fund të orëve të mësimit, mësuesi kujdestar diskuton pesë minuta rezultatet e ditës. Kjo përgatit nxënësit psikologjikisht për të vazhduar studimin pasdreke në shtëpi.
Komunikimi në mëngjes i emrave të nxënësve që kanë bërë përmirësime ose janë vlerësuar me notën dhjetë, ka shërbyer për përgatitjen psikologjike të nxënësve për të filluar me entusiazëm ditën e re të mësimit.
Kurse dërgimi i fletëpërgëzimeve çdo të hënë në familje, ka ndikuar për të forcuar psikologjinë për punë të suksesshme për javën që fillojnë. Kjo ka forcuar dhe pozitën e nxënësve në familje.
3. Klasa kthehet në një vend diskutimesh për saktësinë e vetëvlerësimeve dhe kjo është shumë e rëndësishme për formimin shkencor të nxënësve dhe për të shtuar përpjekjet për realizimin e vizionit.
4. Diskutimi rreth vetëvlerësimit të metodave që përdor mësuesi për të përpunuar dijet e reja dhe për ato që përdorin nxënësit për përvetsimin e tyre, krijon në klasë një mjedis ku lindin e përpunohen idetë e reja për rinovimin e sistemit të punës të të dy palëve.
VETËVLERËSIMI SOCIALPSIKOLOGJIK
Vetëvlerësimi socialpsikologjik është gjykimi i nxënësit mbi qëndrimin që mban ndaj vetvetes gjatë zbatimit të vlerave, normave dhe kufizimeve shoqërore në proçesin e krijimit të marrëdhënieve me të tjerët në familje, shkollë dhe shoqëri. Ai, pot ë shprehemi në mënyrë figurative, është rrufepritësi i shumë të këqijave, që mund t’i vijnë çdo individi, nga drejtime të ndryshme.
NJOHJA E VLERAVE, NORMAVE E KUFIZIMEVE SHOQËRORE DHE ZBATIMI I TYRE
Vetëvlerësimi socialpsikologjik nxjerr në shesh sesa nxënësi është në gjendje të kontrollojë dhe të zotërojë vetveten gjatë veprimtarive që zhvillon në jetën e tij të përditshme në familje, në shkollë dhe në shoqëri. Njohja e vlerave, normave dhe kufizimeve sociale nga nxënësit dhe aftësimi i tyre për të kontrolluar vetveten gjatë zbatimit të tyre, përbën objektin e vetëvlerësimit socialpsikologjik.
DUKURITË SOCIALE ZHVILLOHEN DISI MË NË FSHEHTËSI, SE SA ATO PSIKODIDAKTIKE
Zgjidhja e problemeve të vetëvlerësimit në sferën shoqërore, nuk është e lehtë as për mësuesin, as për nxënësin, sepse dukuritë sociale zhvillohen edhe më në fshehtësi, sesa ato psikodidaktike, siç janë pirja e duhanit dhe e alkolit, droga, erotizmi etj. Edhe vërejtjet reciproke janë më të rezervuara, sepse kanë të bëjnë me figurën e individit dhe reagimet mund të jenë të shpejta, ngadonjëherë krijojnë dhe shqetësime serioze. Vetëvlerësimi mësimor ka më shumë karakter teknik, kurse vetëvlerësimi socialpsikologjik merr formën e një qëndrimi aktiv, kritik e krijues që mban individi ndaj zgjidhjes të problemeve, me të cilat ndeshet në tërë veprimtarinë e tij jetësore.
DUHET TË TËRHIQEN DHE FORCA TJERA
Mësuesi, për të përgatitur vetëvlerësues të aftë dhe në sferën e kulturës sociale, duhet të tërheqë të gjitha forcat që interesohen për shkollën, sepse vetëm është vështirë ta realizojë këtë detyrë me sukses. Vetëvlerësimi gjithnjë është i vlefshëm, por në sferën sociale është më se i domosdoshëm, sepse e shpëton individin nga prishja e ekuilibrit social, që në jo pak raste ka çuar që edhe në shkolla që ndonjë nxënëstë humbë dhe jetën.
Ç’PËRFITON NXËNËSI NGA VETËVLERËSIMI SOCIALPSIKOLOGJIK
1. Vetëvlerësimi socialpsikologjik i aftëson nxënësit për të kontrolluar e zotëruar veten në situate konfliktuale të çfarëdo natyre qofshin ato.
2. Duke bërë vetëvlerësimin e zbatimit të vlerave, normave dhe kufizimeve shoqërore, nxënësi ndërgjegjësohet për nevojën e njohjes më në thellësi të rregullave shoqërore dhe të respektimit të tyre.
3. Nëpërmjet vetëvlerësimeve në sferën sociale, nxënësi formon e konsolidon imazhin e tij gjithnjë në rritje, që ekspozohet më shpejt në publik, sesa imazhi akademik.
4. Vetëvlerësimi socialpsikologjik e bën nxënësin më kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve për zbatimin e rregullave shoqërore, gjë që ka vlera të mëdha në formimin e tij si njeri e si qytetar I një vendi demokratik.
5. Vetëvlerësimi socialpsikologjik e mëson nxënësin që të gjykojë drejt për vlerat e tija si person, për punën që bën, për arritjet e reputacionin që ka siguruar, për potencialin intelektual, për pikat e forta të formimit të ti, për dobësitë, për statusin dhe raportet që ka me të tjerët, për forcën që ka për të vetvepruar për pozicionin që zë në familje, shkollë e shoqëri etj.
6. Me anë të vetëvlerësimeve të sakta socialpsikologjike, nxënësi fiton besimin në vetvete për të përballuar vështirësitë me të cilat ndeshet në marrëdhënie me të tjerët.
Ç’PËRFITIM KA MËSUESI?
1. Edhe mësuesi që di të vetëvlerësojë krijimin e marrëdhënieve të tija me nxënësit, shmang më me lehtësi konfliktet me ta.
2. Mësuesi, duke aplikuar vetëvlerësimin për qëndrimin e tij para nxënësve, dhe në shoqëri, ai ruan e forcon imazhin e tij si edukator.
Ç’PËRFITON KLASA NGA VETËVLERËSIMI SOCIALPSIKOLOGJIK
Vetëvlerësimi socialpsikologjik ndikon fort edhe mbi psikologjinë e klasës ose të grupit, për të formuar një vizion të përbashkët dhe për t’u angazhuar për realizimin e tij.
1. Vetëvlerësimi në këtë rast synon për të gjykuar për cilësinë e zbatimit të rregullave shoqërore në funksion të realizimit të objektivave të grupit ose të klasës për një sjellje të kulturuar.
2. Vetëvlerësimi kolektiv i gjendjes ndikon në kompaktësimin e grupit në luftë për të fituar imazhin si klasë e suksesshme për sjellje shembullore, për përparim të lartë, për korrektësi në zbatimin e detyrave dhe për ruajtjen e mirëmbajtjes së mjedisit brenda e jashtë shkollës.
3 .Kombinimi i vetëvlerësimit individual me atë kolektiv zbulon progresin që ka bërë klasa në drejtim të arritjeve në fushën sociale, që me kalimin e kohës kthehen në traditë të bukur për një kulturë të lartë qytetare.
Aftësimi për të bërë vetëvlerësime në sferën socialpsikologjike ka vlera të mëdha. Njeriu, deri ditën e fundit të jetës, e ka për detyrë për të vetëvlerësuar me sy kritik tërë veprimtarinë e tij.
REFLEKSIONE METODIKE PËR VETËVLERËSIMIN
Në vazhdim të këtij studimi, do të jepen disa shënime metodike sesi mund të organizohet vetëvlerësimi psikodidaktik e socialpsikologjik, që mund të ndihmojnë për të mbushur sadopak mungesën e një metodike të mirëfilltë, pa të cilën nuk mund të realizohet në lartësinë e duhur orientimi madhor: “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”. Për të realizuar këtë kërkesë sot, nuk mjafton më vetëm puna individuale që bën çdo mësues në mënyrën e tij për të ndihmuar nxënësit se si të vetëkontrollojnë dhe vetëvlerësojnë punën e tyre, prandaj kërkohet që të përgatitet dhe një metodikë e mirëfilltë për vetëvlerësimin si nevojë për modernizimin e punës mësimore dhe edukative. Në këto refleksione do të bëhet fjalë për teknikat e strategjitë pedagogjike, që i japin jetë vetëvlerësimit psikodidaktik dhe socialpsikologjik, që në praktikën mësimore ata lidhen ngushtë dhe plotësojnë njëri – tjetrin, sepse mësimi është edukim dhe edukimi është mësim. Këto problem që shtruam në këtë hyrje, do të trajtohen gjerësisht në kapitujt e këtij libri.
Autori.