E marte, 08.10.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Rizgjimi i mjeshtrit

E marte, 18.12.2007, 09:01 PM


Dalina Buzi - Panorama

Dalina Buzi
Sa herë që doja të kritikoja ndonjë element démodé në festivalet (le t’i quajmë private) si “Top Fest”, “Kënga Magjike” etj., i referohesha me krahasimin “stil alla-TVSH”. Por duke parë Festivalin e 46-të të Këngës në Radio-Televizion kryesisht natën e tij finale, kuptova se më në fund (lutem jo vetëm për këtë vit) ky krahasim nuk kishte më vlerë Ose e kundërta, ky krahasim zyrtarisht ndryshoi tërësisht kuptimin dhe tashmë duhet të quhet si pikësynimi i domosdoshëm i simotrave të festivalit të fundvitit. Në fakt, këto të fundit duhet të mbajnë shënime nga “Vëllai i madh”, përpara se të nxitojnë e të organizojnë më show çudibërës ose ndryshe cirqe-MTV-je me ngjyra e termina, pa katër elementët themelorë që ky festival i solli: 1. Të kënduarit live; 2. Prezantim të lirshëm; 3. Një skenar të rrjedhshëm larg mediokritetit dhe ujërave; 4. Transparencë në votime.
Kemi gjithë këto vite që shohim festivale, dashurohemi e mallëngjehemi me këngë, intervistojmë, ngremë e ulim këngëtarë, pa e ditur nëse ata vërtetë këndojnë live aq mirë sa në cd-të që luhen prapa perdeve, apo janë ashtu “With a little help from my friend” - kompjuter. Festivali i fundvitit tregoi ose ri-tregoi se kush është këngëtar. Për tri net rresht, në skenën e Pallatit të Kongreseve u ngjitën ata që e meritojnë këtë emër, këngëtarët që i bëjnë të papunët e bukur, të cilët duan të ushqehen nga një videoklip, të rimendojnë edhe njëherë (nëse e njohin konceptin e të menduarit dhe ndërgjegjes) ëndrrën e tyre pragmatiste. Dhe për mua, organizimi i një evenimenti muzikor tërësisht live, ishte në radhë të parë respekt ndaj një publiku që vitet e fundit ishte bërë pa dashje aktor (madje votues) në konkursin “Kush e dredh mjekrën më bukur, e shtrëngon më fort gurmazin pa nxjerr asnjë pikë zëri”. Sa profesionale ishin këngët, këtë nuk mund ta gjykoj dot, por jam e sigurt se në prezantim dëgjova emra të njohur kompozitorësh si Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Sokol Marsi, Armend Rexhepagiç etj., që me eksperiencën e tyre dhe shkollimin muzikor, nuk do të bënin kurrsesi gafa e të shkruanin këngë pa refren apo të vidhnin ritme  të grupit “Las Originales” nga Guatemala dhe akoma më keq, të përdornin baza të gatshme kompjuterësh të shitura lirë në Dubai.
Të kënduarit live ishte elementi më thelbësor i këtij festivali, por pa prezantimin e lirshëm dhe pa komplekse të këngëtares së njohur Elsa Lila, do të kishim thjesht një festival gati-ushtarak në renditje dhe prezantim si edicionet e tjera live të bëra gjatë viteve. Për mua ky ishte një ElsaFest, edhe pse në krah të saj, kantautori Pirro Çako ishte shoqëruesi më i përshtatshëm. Unë nuk e di se kujt i vajti në mendje të ftojë këngëtaren e njohur me banim në Itali të merrte përsipër një rol që deri tani nuk e kishte bërë kurrë. Kushdo të ketë menduar emrin e saj për prezantim, duhet ta njihte mirë, sepse nga larg, Elsa Lila gjithmonë na ka dhënë përshtypjen e një femre të përmbajtur e me një ndrojtje gati fëmijnore. Jam e sigurt se edhe vetë ata që e ftuan, duhet të jenë befasuar nga prezantimi i saj. Elsa Lila ishte Bingo! Falë jetesës së saj në Itali dhe ndoshta falë mundësisë për të parë nga afër prezantuesit italianë në Sanremo (ku ajo ka konkurruar dy herë) apo në spektakle të tjerë, ajo ishte tërësisht e zhveshur nga komplekset që karakterizojnë shumë nga prezantueset e tjera shqiptare. Elsa tregoi se nuk është as bukuria prej miss-i, as aftësia për të mbajtur mend përmendësh të gjithë emrat e pjesëmarrësve në festival, as shpejtësia prej “Formula Uno” e të folurit të radio-star-ëve tanë, dhe as super-xhentilesa, super-lativa e çdo gjë super-e shprehur e super-prezantuesve tanë, ajo që vërtetë e bën një prezantues/e të mirë. Thjesht duhet të jesh vetvetja, e lirshme, spontane, me sens humori dhe e aftë të dëgjosh. Anëtarja e jurisë, Rudina Magjistari, tha se më në fund femrat arritën të eklipsojnë meshkujt në prezantimet-duet, por kjo nuk do të ndodhte kurrë nëse ky çift do të vuante nga protagonizmi i tepërt apo arroganca (në vrap e sipër për të kapur sa më shumë minutazh close-up) i një partneri ndaj tjetrit. Deri tani, një mashkulli prezantues i ka mjaftuar (qëllimisht) në krah, një femër me zbardhje profesionale dhëmbësh, 6 seanca solari dhe një fustan të stilistes së famshme shqiptare X. Kantautori Pirro Çako u tregua një zotëri i vërtetë, edhe atëherë kur Elsa Lila i rrëmbente fjalën. Të dy e dinin mjaft mirë se ky prezantim do të ishte një zanat i përkohshëm, të dy ishin aq të përgjegjshëm sa të përgatiteshin seriozisht për një detyrë që nuk e kishin ndërmarrë më parë, dhe jo të vinin siç ka ndodhur rëndom në këto evenimente, vetëm me famën e tyre në xhep. Dhe të dy kaluan me sukses testin më të vështirë të çdo prezantuesi; improvizimin, sidomos gjatë pritjes së rezultateve përfundimtare, duke krijuar edhe situata humori.
Shumë pak, si Pirro ashtu edhe Elsa, ua hodhën sytë letrave të skaletës, por suksesi i prezantimit të tyre mbështetej edhe në një skenar të rrjedhshëm të Genc Pulahës dhe një regji të Pali Kukes, të cilët së bashku (pa iu hequr meritën dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit organizues) ideuan një spektakël, duke mos harruar asnjëherë se në qendër kishin dy këngëtarë dhe artistë të njohur e jo thjesht lexues rreshtash. Prezantimi i këngëtarëve nga këngëtarë të tjerë të njohur, duetet Lila-Çako, versioni frëngjisht i Margjelos, kolazhet, batutat, intervistat me konkurrentët dhe historitë e rrëfyera nga prezantuesit, i jepnin festivalit mjaft ritëm. Fatmirësisht në skenarin e këtij festivali u shmangën përshkrimet poetiko-filozofike-të lodhshëm-për-veshët të situatave apo individëve si edhe u kufizua, gati u shpërfill, superlativizmi i tej-përdorur nga prezantuesit tanë që shpesh marrin edhe rolin e “kritikut sahanlëpirës” (kujto këtu: e mrekullueshme, është një nder i madh, dua të falënderoj po shumë ama, brilante etj.) duke ndarë në mënyrë të barabartë lavdërime “hyjnore” ndaj çdo individi, pavarësisht eksperiencës apo aftësisë së tyre.
Teksa po shihja festivalin, pranoj se u befasova që po më pëlqente, pasi sinqerisht dikur as nuk merrja mundimin ta shihja nga fillimi deri në fund. Madje gati-gati pranova edhe pjesëmarrjen e “Rednecks”-ave suedezë, të cilët dreqi e di se ku i kishin gjetur - si element “për të prishur syrin e keq”. Jam e sigurt se edhe vetë ky grup që pati vetëm dy hite të suksesshme në fillim të viteve ‘90-të (ju kujton gjë kërcimi me duar të lidhura dhe rrotullime si valle ruse?), e kishte harruar që këndonte, derisa një ditë dikujt prej organizatorëve të festivalit, i lëvizën akrepat e orës së tij personale nga “Mr. Vain” tek “Cotton Eye Joe” dhe vendosi të telefononte menaxherin e faqes së tyre zyrtare në Myspace.com.
Por përsëri prisja që do të prishej në fund, aty ku prishet gjithmonë, te votimet. Por asgjë nuk ndodhi me votimet, madje ishin aq transparente, sa unë pranova të merrja përgjegjësinë e plotë për ta përmendur në këtë shkrim. Jo për gjë, por të gjithë jemi dëshmitarë të sa e sa padrejtësive që bëhet me përcaktimet paraprake të fituesve. Dhe më e rëndësishmja, të gjithë ishim dëshmitarë të letrës së këngëtarit Blero, i cili akuzonte organizatorët e festivalit se i kishin kërkuar lekë për vendin e parë dhe se fituesit ishin shitur. Madje, Blero përcaktonte në vendin e parë Mira Konçin me Redon Makashin (me muzikë të Shpëtim Saraçit, mik dhe bashkëpunëtor i Pali Kukes në spektaklin “Ethet”). Blero përmendi edhe Greta Koçin, fituese të mundshme, një këngëtare që ngriti shumë dyshime mbi fitoren e saj të befasishme në “Top Fest 4”. Pa ofenduar asnjë nga emrat e sipërpërmendur, të tunduar nga skepticizmi ynë i ushqyer nga vetë këto evenimente, besuam në këtë skenar. Madje, mund të ketë qenë i tillë, deri në momentin kur fituese u shpall Olta Boka, një 16-vjeçare, dikur fituese e “Gjeniut të Vogël”. (Kujdes! Jo e Ethe-ve), votuar nga anëtarë jurie, të cilët i deklaruan me zë të lartë vendimet e tyre. Dhe kompozitor: Përsëri Adrian Hila! Aaa, nëse do të ndiqnim logjikën e formuar nga letra (me një gramatikë të frikshme) të Bleros, Hilës do t’i duhej të paguante shuma stratosferike për të marrë pjesë sërish në “Eurosong”. Por ja që kënga ishte e bukur, dhe unë si dëgjuese e thjeshtë, jo me veshin e Agim Krajkës apo të David Tukiqit, por me veshin tim të stërvitur nga magnetofoni, atë zgjodha mbi të tjerët. Olta nuk kishte nga pas as grupe baleti, as instrumentistë me violina të bardha. Vetëm një këngë të bukur dhe zërin e saj. Madje, arrita të mësoj se kur Olta dëgjoi se ishte fituese, asaj iu desh të nxitonte për të veshur rrobat e skenës, pasi tashmë e kishte “fjetur mendjen” se nuk do të fitonte. Të paktën lotët e saj e tregonin këtë gjë.
E meritonte Olta të shkonte në Festivalin Evropian? Ndoshta po, sepse ka zë mjaft të mirë dhe një këngë të bukur, ndoshta jo, sepse banorëve të kontinentit të vjetër ajo do i duket shumë e vogël në atë skenë gjigande dhe kënga shumë e qetë përballë performancave-teatrale-karnavaleske të vendeve të tjera. Në fakt, pjesëmarrja e saj në Eurosong, mua nuk më intereson aspak, përballë faktit se për herë të parë pas kaq vitesh pashë një festival që nuk solli detyrimisht “diçka ndryshe-trendy”, por riktheu bazat nga ku duhet të nisë e të ndërtohet çdo konkurs i tillë kënge.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora