E marte, 07.05.2024, 02:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (III)

E diele, 01.08.2010, 07:26 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

                                                     *    *    *

 

Kur i tërë kryeqyteti ishte boshatisur  dhe birucat  iu ishin kthyer  pronarëve legjitimë dhe  treni humanitar kishte arritur i djersitur në Stankovec, në kryeqytet kishte mbetur e paprekur dhe e pakërcënuar vetëm Mëhalla e Xhehenemve , që kryeqytetasit e quajnë Xhehenemli Mahalla, në të cilën pas aksioneve humanitare,  gjeneral Gexha me brigadën e vet  hyrën, duke hasur në miqësinë dhe ngrohtësinë tradicionale të mëhallës . Për të shprehur mirëseardhje e respekt tradicional, si rëndom,   të parët e mëhallës , Lugati, Akun Bishti e Harun Bixhozxhia   ndërmorën inisiativë që luftëtarëve të lodhur nga lufta dhe gjeneral Gexhës t’u pritnin mizat përderisa flinin. Përveç miza, mushkonja dhe gala armiq tjerë, thoshte gjenerali, nuk kemi   në Mëhallën e Xhehenemve! Shiun , vetëtimat e breshërin nuk mund t’i ndalnin. As baltën nuk mund ta humbnin, por në shenjë hirësie  dhe respekti të devotshëm ndaj gjeneralit, e tërë Xhehenemli Mahalla  ishte rekrutuar në luftë kundër  mushkonjave e galave , të cilat si për inat me ngacmime bizare dhe krratje monotone bezdisnin gjeneralin dhe ushtrinë e tij, që bënte pallën e sefasë dhe sevdasë. Kënga çetnike, rakia, të shtënat në qiell, pjerdhët e britmat  krijonin  atmosferë  tragjikomike absurdi me efekte fobiste, që tmerronte  Mëhallën e Xhehenemve, e cila praninë e gjeneral Gexhës e çmonte si pesë minutat e  artë .

 Lufta me  mushkonjat, edhe pse ishte e ashpër, mizore dhe fare bizare, ishte e pabarabartë. Gjeneral Gexha pati urdhëruar Mëhallën e Xhehenemit që mushkonjave të vrara t’u përcaktohej edhe gjinia, ngase në statistikat e gjeneralit ishin skicuar  rubrika të veçanta edhe për gjininë e viktimave të luftës.  Për herë të parë Xhehenemli Mëhalla  si aleate e pushtuesve doli e turpëruar nga lufta . Humbja e luftës  me mizat e mushkonjat sa nuk  e çmendi, sidomos Akun Bishtin, ndërsa  gjeneral Gexha dhe ushtarët e tij zgërdhiheshin me përpëlitjet e xhehenemëve që përpiqeshin të shfarosnin mushkonjat dhe sidomos, kur i qiqërronin sytë nën bishtat e tyre për ta përcaktuar saktësisht gjininë e secilës mushkonj të vrarë! Akunët e gjorë, ndodhte që një orë të vraponin   pas një mushkonje, kurse  mushkonja e trembur dhe e kërcënuar  për  vdekje, në saje të krahëve që i kishte  falë Zoti, prapë ndodhte të shpëtonte pa rënë viktimë e  Xhehenemli Mëhallës!

Mbrëmjeve , xhehenemët para gjeneralit numëronin një nga një  mushkonjat dhe galat që kishin vrarë gjatë tërë ditës, ndërsa gjenerali duke u ngërveshur me qesendi thoshte se xhehenemët nuk  ishin  stërvitur sa duhet si luftëtarë për misionin përfundimtar të shfarosjes së mushkonjave ,dhe si të tillë, nuk mund të trajtohen  si aleatë të fuqishëm të gjeneralit. Xhehenemët brenda ditës mund të vrisnin deri në dhjetë mijë  mushkonja , kurse   mushkonjat, si për inat të xhehenemëve, shtoheshin në milona apo edhe miliarda. Pasi që gjenerali e pa të dështuar luftën e xhehenemëve  me mushkonjat, solli formalinë dhe brenda pak minutash të gjitha  i  vrau , duke i përfunduar vuajtjet mizore të Akunëve të kryqytetit! Atasheu ushtarak i gjeneralëve ndërkombëtarë të akrediuar në kryeqytet vrasjen e mushkonjave me formalinë  e cilësoi si skandal ekologjik dhe krim ndaj botës së insekteve …!

Rahila , gruaja e Akun Bishtit dhe Harun Bixhozxhisë, që njihej si zonja e parë e Xhehenemli Mëhallës dhe   pretendente për zonjën e parë të kryeqytetit,  ishte aq finoke sa edhe djallin ta fuste  në shishe e t’i vurte kapak ose ta lidhte me flokë si  Rahila e mitologjisë antike, Samsonin, herë pas here, ashiqare,  i shkelte syrin gjeneral Gexhës, të cilin e ndizte flakë. Ndoshta gjeneralin nuk e lejonte morali prej ushtaraku me grada  të larta që në prani të ushtarëve  t’i nënshtrohej shkeljes së syrit të një gruaje, e cila nuk ishte vështirë të shquhej si kurvë me përvojë. Reagimet e dobëta epshore të gjeneralit, Rahilën e shqetësonin  dhe sa nuk e çmendnin. Gati  kishte filluar ta urrente  gjeneralin dhe ta tradhtonte me  ndonjërin nga ushtarët e tij. Ishte hera e parë që shkelja e  syrit të Rahilës  nuk e nënshtronte një burrë. Rahila u ndie e fyer, e thyer, e përbuzur, e mundur…! Për herë të parë ndjeu se kishte filluar të plakej. Ndjeu se perfomimi i saj kurvëror nuk e joshte as edhe një gjeneral që kishte lënë gruan  në shtrat të ngrohtë, kur ishte nisur në luftë, sigurisht, duke pritur ndonjë hamshor të azdisur! Si histerike që ishte, Rahila  duke u dridhur u  nis drejt dhomës. U shikua në pasqyrë dhe pa vetën se fare nuk kishte ndryshuar. Nuk u besoi syve. Në fytyrë vuri kozmetikë, ndërsa  përreth syve grim. Pas  grimasës  u parfumos dhe iu duk vetja    e re dhe më e bukur. “Tash do të gjunjëzohet  gjeneral pizevengu! A nuk jam më e bukur dhe më djallëzore se  Zamfina e Golemit?! Cilit idiot , bre, mund t’ia thotë zemra  se Rahila ka nisë të rrëzbihet? Rahila që isha, akoma jam !”-  i foli vetes  Rahila , kurse  para se të kthehej te gjenerali, kush e di pse,   e nervozuar theu pasqyrën . Shikoi edhe njëherë vithet që përdrodhi, mblodhi forcë,  ironikisht buzëqeshi me ironi  kurve dhe ia mori shtruar bisedës me gjeneralin.Gjenerali në bisedë me kurvë Rahilën, ndërsa ajo i lante këmbët dhe herë pas herë i guduliste  lakun,u ankua se ushtarët e tij po vuanin  nga mungesa e  grave që kishin lënë në shtetin  prej nga kishin ardhur. Pastaj u ankua se gruaja e tij  rregullisht e tradhtonte kur ai shkonte në luftë dhe se gjestikulimet kurvërore të Rahilës  u  gjasonin  gjestikulimeve kurvërore të gruas së tij dhe se ndiente dhembje të veçantë kur merrte vesh se gruaja e tij bënte kurvëri me ndonjërin nga ushtarët ose eprorët  e tij… Rahilës së ndezur flakë as që i interesoi për ushtarët e gjeneralit, as për kurvën e gjeneralit që priste hamshorët, as për tradhtitë. “ Kryeqyteti duhet shpëtuar!”- mendoi Rahila 

-Djem të rinj janë zonja Rahilë!  Këta të gjorë kanë lënë nuset e reja në atdhe për ta mbrojtur këtë tokë të shenjtë ose të mallkuar për të cilën viktimizohemi që nga Car Lazari e Shën Sava  e deri më sot!  Këta mjeranë meritojnë ta kenë, së pakut gjatë natës, nga një trup femre afër, zonja Rahilë! Nuk ka rëndësi të jenë të ndershme apo kurva ! E rëndësishme  është t’u zbutet shpirti! Jam koshient se unë dhe ushtria ime bëjmë luftë kurvash, prandaj edhe vuajmë për dashuri kuvërore, që nuk bie ndesh  moralit të doktrinës ushtarake me të cilën përpiqemi të çlirojmë këtë tokë ! Unë e di se njerëzit dhe toka e këtij vendi më urrejnë…! E di se   hapi im i vjen i rëndë kësaj toke , por në emër të shenjtërisë së apostujve të mi do ta shkel pa i ndier dhembjet e saj! Pasi vërejti se Rahila nuk ia vari  as doktrinës së tij ushtarake , as apostujve të tij, as filozofisë së dhembjeve të tokës, gjenerali si i turpëruar, por me naze, iu kthye temës që preferonte Rahila.

-Pastaj…!? Edhe shpirti im ka pak  nevojë të zbutet, zonja Rahilë! Kështu si shpirt egërsire që jam, dreçi e di ku mund të ndalet krimi im! Vetëm kurvat dinë t’i zbusin  plagët e shpirtit tim! Por, mos u gënje se nuk e di se je kurvë...! Ndoshta edhe spiune e shumëfisht mund të jesh?! Nga  lufta të gjithë, përveç kurvave dhe spiunëve,  dalin humbës! Të thash se  kurvë është edhe gruaja ime e cila për çdo natë ndërron hamshorët e KGB-së, ndërsa unë luftoj dhe vras  njerëz të  pafat në emër të shenjtërimit apo djallëzisë që pjell me shekuj në kokat e njerëzve të shtetit tim! Edhe burrat tuaj e dinë se  je kurvë, ama ata, ndryshe nga unë, krijon karrierë me kurvërinë tënde...! Të lutem mëshirohu ndaj ushtarëve të mi... Rahilë! Pastaj, mëshira jote le  të zgjohet edhe për mua! Unë jam ushtarak i devotshëm që të mirën e të keqen e ndaj me ushtarë e mi...! Dhe ... nëse  nuk u mëshirohesh ndaj ushtarëve të mi, t’u sjellësh kurva, do të urdhëroj që i tërë batalioni të të shkordhejë, pastaj unë i fundit të lëpihem në trupin tënd si qentë e këtij qyteti që lëpijnë eshtrat, që u hudhin ushtarët e mi...! - tha në fund me një ton sa kërcënues po aq edhe  ultimativ gjeneral Gexha.

Rahila edhe një herë  me gishtërinj i xigiloi gjeneralit  lakun e këmbës  pasi që gjenerali ndërpreu lutjen e tij ultimative , që vinte  herë si urdhër , herë  si  kërcënim. Rahila qeshi me zë të lartë, duke u kënaqur me fjalinë e fundit të gjerneralit:

- Ha! Haaa! Haaaaaaa!...Mos u merakos bukuroshi im trimosh! Ti akoma nuk e di kush është Rahila! Unë nuk jam grua e një burri! Grua me dy kurora jam! Ih...! Ti nuk më njeh mua  as „artin“ e karrierës sime...! Uh! Sa shpirtërat i kam zbutur në karrierën time...!? Mua , më thonë se i kam përngjarë gjyshes time , Dalilës, ndjesë pastë, e cila gjithë brigadën e gjeneral Jankoviqit me vithet e veta e ka ndenjur për tokë në grykën e Lepencit...! Mbesë e Dalilës jam! Kam vithe, gjinj, bythë ... jo vetëm për brigadën tënde dhe për ty, por edhe për tërë ushtrinë e shtetit tënd! Ti nuk e di cilat janë konditat etike për të qenë nuse e Mëhallës së Xhehenemve, e sidomos, nuse e Harun Bixhozxhisë dhe  Akun Bisht Kanit! Unë konsideroj se  kurva është e denjë për respekt vetëm  një herë në jetë, kur burri i saj tradhton atdheun , kurse gruaja i ndëshkon tradhtinë me kurvëri. Tradhëtia  e burrit duhet të ndëshkohet me  kurvërinë e gruas, është maksimë e filozofisë së Akunve, të cilën  jo vetëm e respektoj, por e shpie në vend praktikisht. Kështu, burrat e mi  , Haruni dhe Akuni  si tradhtarë të rryer të popullit  , i kontribuojnë çështjes së kurvërisë time...!  Po të mos ishin të tillë burrat e mi legjitimë , unë nuk do të isha  Rahila që jam! Xhehenemli Mëhalla  sakrifikon çdo gjë për karrierë e lëre më moralin e një gruaje ...! Tekefundit, a mund të gjendet në historitë e agjenturave të intelegjencës botërore ndonjë spiun  që nuk ka  jetuar në mykun e kurvërisë së gruas së tij...!? Cili nga spiunët nuk e ka ngatërruar edhe gruan  në kurvëri , duke e përdorur si mjet zbulimi?! Kujto Eva Braunin, zot gjeneral!

 Derisa Rahila filozofonte  për kurvërinë dhe  moralin, gjeneral Gexha as që i kishte  vënë veshin dhe as që i kishin lënë  mbresa filozofemat e saj , që i dukeshin absurde. „ Edhe kurvë edhe filozofe!? Kurrë nuk kam parë  këso gruaje! Burrë me dy gra kam dëgjuar të ketë, por për gra të martuara me dy burra nuk kam dëgjuar kurrë!“- mendoi gjenerali, duke matur me sy çdo vijë të trupit të Rahilës tek dridhej e përdridhej si haremkë në pallatin e sulltanit. Fjalët me afsh dashurie ,  lëvizjet ritmike, shkeljet lazdrane të syrit dhe xigilimet e lakut të këmbëve , i ndezën gjakrat zjarrë, ndërsa gjeneral Gexha për të mos rezultuar si i dështuar, para se t’i  hidhet në përqafim Rahilës, nxori nga kutia një tabletë “Viagra” dhe e gëlltiti. Kundërmimi i djerësve të gjeneralit , që kishte muaj  të tërë  pa u larë, neveritën Rahilën, që përpiqej t’i shqitej nga kthetrat, ngase jargët nuk mund t’i duronte , duke u orvatur që tërë skenën ta minimizonte në një episod mahie, por aroma e parfumit dhe mishrave të lakuriqësuar  dhe tableta e gëlltitur  joshën  gjeneralin si era e gjakut bishën dhe sa  nuk e   afiksuan, pasi që i shqeu këmishën...! Ndërkaq, para derës, ushtarët e gjeneral Gexhës të rreshtuar  prisnin urdhërin e gjeneralit ta zbatonin me përpikmëri, derisa  gjenerali nuk mund të dilte dot nga shtrëngimet e kurvës më me përvojë të kryeqytetit të okupuar!

                

                                                                  *   *   *  

Kohën kur kishin ardhur Akunët, kryeqyteti nuk e  di saktësisht.As vetë Akunët nuk e dinë kur kanë ardhur, edhe pse  përkitazi me kohën e ardhjes së tyre Akunët spekulojnë në mënyra të ndryshme. Nuk dinë,  saktësisht, nga kanë ardhur, por historinë e tyre e lidhin me afrinë gjenetike të fiseve  të mongolëve , që sipas Akunëve të kryeqytetit, kishin  lidhje  me mbretërinë e qenë apo të pa qenë të një farë Akun Kanit të Mangjurisë, e cila qenka zhdukur pas një lëngate që kishin sjellë në mbretërinë e tyre fantazmat e shpirtërave , trupat e të cilëve kishin mbetur pa u varrosur  pas një lufte të ashpër midis fiseve  nomade që në kohën kur ishte ndërtuar Muri Kinez . Kujtimin krenar për dinastinë, Akunët e kryeqytetit e mbajnë duke  përtrirë emrin e mbretit të tyre, Akunit të parë ! Nuk mbahet mend që ndonjë brez i Akunve  mos ta ketë pasur një njeri me emrin Akun. Kështu, Akun pas Akuni, Akunët e kryqytetit kanë Akunin  monstrum  të quajtur Akun Bishti. Patronimin Bishti Akunët nuk e pranojnë të jetë i tyre, madje ky patronim nuk është më i vjetër se njëzet vjet. Kur flitet në kryqytet, në mungesë të Akunëve , kryeqytetasit e përmendin edhe patronimin  Bishti, ama në prani të ndonjë Akuni, bishti nuk guxon të përmendet se kërset belaja . I vëllai i Akunit, Haruni, njihet si bixhozxhiu më i njohur i kryeqytetit, të cilin kryeqytetasit herë me ironi e herë me respekt e quajnë Harun Bixhozxhia . Derisa Haruni nuk ishte shfaqur  si bixhozxhi, qyteti nuk ka ditur  ç’është bixhozi e as si bëhet bixhozi. Qyteti nuk kishte lojra bixhozi, nuk kishte as shtëpi publike, nuk kishte bordele ,nuk kishte as kazino, nuk kishte as bastore, nuk kishte as lojra lotarie, nuk kishte as Telebingo, nuk kishte as Star Bingo ...! Ndërkaq, Harun Bixhozxhia  krenohet se nga bixhozi primitiv  në kryeqytet ka ndërtuar bixhoz modern me të cilin kënaqen tifozët e bixhozit të kryeqytetit sikur kryeqyteti të ishte Las Vegasi i kazinove . Lidhur me zejen e vjetër të bixhozit dhe zejen më të vjetër të njerëzimit, kurvërinë, Harun Bixhozxhia  me pasion rrëfen  një anekdotë që lidhet me humbjen e dinastisë së mbretërisë së Akunëve : „Një mbret i  dinastisë së Akunëve e kishte  pasë humbur jo vetëm thesarin, por edhe mbretërinë në bixhoz e kurvëri dhe në shenjë dëshpërimi  të madh e kishte mallkuar pushtetin  dhe dinastinë e vet  . Pas humbjes së pushtetit, skllevërit e oborrit mbretëror ishin rebeluar dhe kishin vrarë mbretin bixhozxhi, kurse familja mbretërore e lemeritur ishte arratisur nga oborri mbretëror, duke ikur kah sytë këmbët.. Kush kishte ikur drejt Tibetit, kush drejt Himalajeve e kush në veripërendim, drejt  Karpateve.

Akunët që ishin arratisur në drejtim të Karpateve ishin në numër më të madh, dhe në fillim , iu kishin rezistuar fiseve cincare të mbretit  Cinc, por pasi që ishin mundur nga mbretëria e cincarëve ishin shndërruar në skllevër të  tyre. Cincarët ishin të njohur si arixhinj, të cilët me tupan shetisnin deri te Deti Egje duke argëtuar  fise të ndryshme me kërcimin e  arinjve. Arigjinj më të njohur se cincarët, atëbotë nuk ekzistonin. Arigjinjve , me lejen e mbretit Cinc, iu kishin bashkangjitur edhe pasardhësit e mbretërisë së Akunëve të arratisur, që në simbiozë me arigjinjtë e Karpateve kishin arritur në Siujdhesën e Ballkanit.

Me të arritur në Siujdhesën Ballkanike, Cincarët dhe Akunët, fillimisht, ndërtuan disa kasolle buzë lumenjve në lugina të gjera , pastaj sollën edhe cincarë tjerë me arinj dhe tupana . Më vonë filluan lufërat me vendësit. Vendësit i përzurën në veri dhe atje formuan dinastinë e re të cincarëve dhe si toteme mbajnë në stemën e tyre ariun , tupanin dhe rrotën. Akunëve u pëlqeu klima malore dhe toka pjellore, edhepse nuk kuptonin gjë nga punimi i tokës.  Pasi që ishin në numër më të vogël, iu përshtatën rregullave jetësore të vendasve, por edhe pse mësuan gjuhën dhe adetet e vendasve kurrë nuk u asimiluan. Në fillim ishin skllevër të bindur, por më vonë u  bënë aleatë të të gjithë armiqve që mësynin të pushtonin tokat e tyre. Si aleat i   pushtuesve  osmanë , një akun kishte arritur të bëhet edhe sadriazem. Një tjetër subash. Lidhjet me dinastinë e cincarëve kurrë nuk i kishin harruar, por i kishin vazhduar me miqësi të reja brez pas brezi. Madje , të parët e Akunëve  të kryeqytetit iu kishin bërë aleatë Vuk Brankoviqit për  ta ndaluar Skënderbeun dhe ushtrinë e tij për të mos i dalur në ndihmë Janosh Huniadit. Pasi që mbreti Huniad kishte pësuar nga ushtria turke,  si pasojë e mungesës së ndihmës së Kastriotit, Skënderbeu i zemruar kishte masakruar shumë Cincarë dhe kishte paraparë t’i shfaroste  me fis e me farë Akunët tradhtarë!”

Akunët mburren se janë jo vetëm banorët, por edhe  themeluesit e  kryeqytetit. Që kur paskëshin ardhur,  qyteti nuk ishte as fshat e lëre më qytet. ” Të parët tanë, rrëfen Harun  Bixhozxhia, fillimisht kishin prerë  ferrat, pastaj lisat e gjatë dhe kishin vrarë bishat që i sulmonin gjatë netëve . Luftërat me ujqërit e Ulpianës ishin  të ashpëra , të cilat si fitore i kremtojnë akoma Akunët e sotëm të kryeqytetit, duke ruajtur ritin e luftës me bisha si skllevërit e Spartakut. Sipas stilit dhe shijes së Cincarëve kishin  ngrehur  kasollat e para mbi hunj. Por, jeta e të parëve tanë ishte e vështirë,sepse bishat  nuk ishin shfarosur, por kishin ngrehur strofuj të rinj fare afër  kasolleve të Akunëve ...!

Me të parë vendasit ngrehinat e kasolleve të reja  afër Akunëve, kishin ngrehur edhe ata kasolle dhe ngadalë- ngadalë u themeluan lagjet e kryeqytetit...!”- rrëfente Harun Bixhozxhia  me pasion dhe krenari për historinë e Akunëve.

 Sipas Harun Bixhozxhisë, vendi ku Akunët kishin ngrehur kasollet  ishte  tokë me baltë të verdhë, që nuk shqitej dot nga këmbët, ndërsa uji i burimeve ishte i thartë! Një lëngatë që Cincarët dhe Akunët e quanin ”Prisht” kishte goditur  të gjitha mëhallët që të bashkuara pretendonin të bëheshin qytet , kurse qyteti kryeqytet . Lëngata gati i kishte nxjerrë farësh të gjithë njerëzit e kryeqytetit.

 Kur Mevla Çelebia e kishte vizituar vendbanimin e ri ishin formuar  disa nga  lagjet e sotme të kryeqytetit. Atëherë, qyteti që i përngjante tëbaneve të barinjve kishte edhe dy mbathtore kuajsh, një dyqan farkatarësh, madje edhe një han, në të cilin Mevla Çelebia dhe suita e tij kishin fjetur tre netë, kur Akunët u kishin vjedhur musafirëve tërë thesarin dhe mushkat. Baltën e mëhallës ku  Akunët kishin kasollet , Mevla Çelebia e kishte mallkuar të quhej  balta e xhehenemit, ndërsa më vonë, sipas  mallkimit të Mevla Çelebisë, vetë Akunët  kishin filluar ta quanin  herë Mëhalla e Xhehenemve e herë Xhehenemli Mëhalla.

Akunët në bashkëjetesë me Cincarët ,  sa nuk e kishin harruar gjuhën e vet , kurse  gjuhën e vet e kishin përzier me  gjuhën cince. Edhe krushqitë  i bënin me Cincarë, por martesat kryesisht i bënin  brenda hordës. Incestin  familjar, para se të vinin Akunët, vendasit nuk e kishin njohur, por Akunët e përhapën në të gjitha mëhallët e qytetit. Në çdo katër vjet e zgjedhnin të parin e hordës, i cili saktësonte se cili djalë i hordës me cilën vajzë të hordës do  të martohej. Çdo i dyti  fëmijë i Akunëve lindej ose me të meta fizike ose me të meta mentale. Fëmijë me gunga në shpinë si të deveve të Saharasë, me brirë si bizonit, me sy  si të çiklopit Polifem lindeshin në Mëhallën e Xhehenemit! Kasollet e tyre gumëzhinin si zgjua bletësh nga fëmijë  të gjymtë, shurdhërmemecë, të verbër e të çmendur. Lëngata pas lëngatash i kishin ndjekur Akunët deri sa nuk kishin ndërprerë incestin familjar. Gratë e vajzat nuk i pengonin të bënin kurvëri, madje  edhe sot mburrren kur ndonjë gruaje apo vajze të tyre i del nami si kurvë që i shkojnë prapa pizevengë të kryeqytetit si bushtrës qentë.

Në kohën e qeverisë së Nikolla Pashiqit, i pari i hordës së Akunve , me dekret ishte emruar kmet i qytetit, domethënë si njeri i cili qëndronte në krye të elitës politike të qytetit që e qeveriste. Por, ditët e lumturisë së qeverisjes së Akunve nuk kishin zgjatur shumë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri i kërkoi me pishë e me qiri t’i dërgonte në parajsën e Ausvicit apo të Mathauzenit, por Akunët kishin humbur pa gjurmë si shurra e pulës dhe u kthyen  në qytet tek pas mbarimit të luftës. Si të përndjekur nga Hitleri, sapo lufta  pati mbaruar, regjimi  i  kohës së administrimit ushtarak shumë nga Akunët  i pati radhitur agjentë në shërbimin e intelegjencës  së OZNA-së. Akunët me mish e shpirt e kryen misionin e tyre gjatë periudhës së administrimit ushtarak, sidomos në aksionet e  OZNA-s për pastrimin e terrenit nga bandat balliste ! Gjatë intervenimeve  ushtarake të OZNA-s patën pësuar shumë Akunë, ndërsa  pas vdekjes së tyre, UDB-a si dëmshpërblim  për sakrificën e etërve tinzarë, i   pati pranuar të bijt e tyre në radhët e veta  si agjentë me traditë dhe përvoja solide, tanimë  të dëshmuara në vepra .                                                                                    

 

 

 

 

                                                *    *     *

 

 

 

 

 Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në kryeqytet qenë përhapur thashëthëna se ishin  shfaqur shpirtëra në trajtë fantazmash që rrahnin, vrisnin dhe çdo ditë keqtrajtonin qytetarët, por askush nuk guxonte  të fliste hapur se regjimi i  Titos kishte ndaluar me ligj bestytnitë. Kështu tregimet për shpirtërat fantazmët u harruan shpejt në kryeqytet.  Pas shumë  vjetësh  tregimet për vampirët , së pari ishin dëgjuar në Mëhallën e Xhehenemve, kur i kishin rrahur  deri në vdekje Akunin e Harunin dhe ishin kërcënuar se nëse  nuk i ndërprejnë punët e spiunit   do t’i vrisnin! Lajmi  në trajtë kërcënimi kishte shkuar deri në instancat më të larta të qeverisë së kryeqytetit, e cila  në fillim  nuk i  mori   serioze rrëfimet e të keqtrajtuarve , duke i  kuptuar si trillime të luftës speciale, me qëllim të fusnin panik në kryeqytet, por kur lajmi mori dheun se edhe Akuni e Haruni, që ishin të afërtë me qeverinë,  kishin pësuar , qeveria  e hakërruar u detyrua të gjente personin përkatës që mund ta shpëtonte qytetin nga katrahura e vampirëve  , por pasi nuk mundi ta gjente  lugatin përkatës në kryeqytet,  u detyrua  të shpallë  konkurs  urgjent, madje  jo vetëm intern, por me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Lugati duhet të kishte mision special,  i cili profesionalisht do të merrej me zbulimin dhe likuidimin e shpirtërave fanatazmë, që kryqyteti i quante vampirë  që tanimë ishin shfaqur edhe në ambientet e qeverisë!  Megjithatë, fjalën vampir nuk guxonte njeri ta përmendte në publik. Për vampirët mund të flitej vetëm në konspiracion. Nëpër  zyra, kabinete,  salla , toalete , hole e bodrume të pallatit të qevrisë dëgjoheshin rrapullima e hapa që trandnin personelin zyrtar, por nuk  shihej gjë të lëvizte. Edhe fotografitë e Titos të varura nëpër mure të zyrave dridheshin dhe shpesh binin përtokë në një mijë cifla, por nuk dukej njeri, as hije as gjurmë njeriu!  Nëpunësit të lemeritur ndërprisnin punën dhe ia mbathnin nga puna , por askush nuk guxonte ta bënte publike punën e vampirëve të përfolur që kishin hyrë në ambientet e qeverisë. Dridhja  dhe rrëzimi i fotografive të varura të Titos në mure, pa i prekur njeri, futi panik në zemrat e nëpunësave të gjorë. Për ta zgjuar mëshirën e shpirtit të Titos, qeveria dhe partia  urdhëruan që shpirtin e tij ta shenjtëronin.  Popat e hoxhollarët betoheshin në Krisht, Allah e Muhamed se shpirti i Titos është i shenjtë dhe se nuk ia vlen që njeriu të frikësohet  as nga fografia as nga shpirti i tij! Të parit të partisë i pati rënë ndërmend se për ta zgjuar mëshirën e shpirtit të Titos , i gjithë kryeqyteti duhet ta mësojë përmendësh  betimin ndaj respektit dhe shenjtërimit të shpirtit  tij! “Shoku Tito ne të betohemi...!” ishte avazi i këngës rituale të kryeqytetit që përzihej me ezanin e hoxhollarëve në minaretë e xhamive dhe kumbonaret në pirgjet e  kishave! Njerëzit e lodhur me avazin e ritualit të betimit për Titon u mërzitën shpejt dhe tinëz e shanin Titon me gjithë shpirtin e tij , partinë e qeverinë!   Megjithatë, fjala shkoi deri  në veshët e të parit të  qeverisë, që ishte edhe i  pari i  partisë, i cili si njeri i ditur që ishte , atypëraty  konstatoi se qeveria dhe partia,  si të ndotura që ishin,  urgjentisht duheshin  dezinfektuar dhe deratizuar nga minjtë, merimangat e milingonat. Erdhën ekipet e specializuara , të cilat me helm vranë minjtë, merimangat e milingonat, por megjithatë rrapullima e hapave misteriozë nuk ndalej dot, madje përveç rrapullimës dhe dridhjeve të dyshemeve nëpër skuta filluan të dukeshin dhe sa hap e mbyll syt të zhdukeshin silueta njerëzish, që u futnin tmerrin nëpunësave. Hije njerëzish u shfaqën edhe në kabinetin e të parit të partisë dhe në kabinetin e të parit të qeverisë , kurse afera e përfoljes së hijeve të vampirëve  në qeveri u shpërnda në tërë kryeqytetin! Qeveria nën masa të rrepta sigurie mbajti seancë të jashtëzakonshme  dhe miratoi vendimin që me urgjencë të gjendet lugati përkatës që do t’i luftonte vampirët  dhe hijet e tyre , për të cilët, tanimë, flitej ashiqare,  sa nuk e kishin çmendur tërë aparatin shtetëror.

Pas një javë pritjeje  stafi përkatës profesinal shqyrtoi dokumentacionin e prezantuar dhe thirri në audiencë personin që përmbushte më së miri kushtet e konkursit dhe të nesërmen stafi i qeverisë i ngarkuar për përzgjedhjen e lugatit pranoi në audiencë pretendentin për të mësuar për imtësitë e elaborimit të projektit të tij për ndalimin e vdekjes me sy të hapur, mënjanimin e rrapullimës në pallatet e qeverisë dhe partisë dhe sidomos luftimin e siluetave që dukeshin e zhdukeshin . Pasi pinë nga një kafe në ambientet luksoze të qeverisë, kryetari i bordit drejtues , së pari hapi debatin për të dhënat biografike të pretendentit për lugat, pastaj pasuan edhe pyetjet konkrete  të anëtarëve të stafit për mënyrën si do t’i shërojë ethet , senilitetin dhe rrokatjn e qeverisë dhe  kryeqytetit.

       -Quhem Dragan. Këtë emër ma ka ngjitur murgeshë Svetllana e Manastirit të Deviçit, por emri im real është Zunoji i Ri. Nëna ime reale , Trashja , më ka pagëzuar kështu, ndoshta për t’u shpëtuar përgojimeve të Lisgurit, pasi që e  kishte përdhunuar nga babai im, çetnik Rasha, të cilin në shenj hakmarrjeje  për dhunimin e nënës time reale e pati vrarë , burri legjitim i nënës time, Zunoj Zena ,  ballist në mal, diverzant që vinte nga shteti shqiptar dhe, në fund, azilant në Nju Jork. Nënë Trashja u mundua gjithnjë të më vriste. U mundua të më vriste derisa më mbante në bark. U mundua të më vriste pasi më lindi. U mundua të më vriste edhe burri legjitim i nënës time reale , por nuk mundi. Diçka magjike më ka mbrojtur nga nëna ime dhe burri i kurorës së nënës time. Instikti i hakmarrjes kundër çetnik Rashës, që dhunoi nënë Trashen dhe , për pasojë mbeti shtatzënë, si krimb e brente në zemër.  Pasi nuk mundi të më vriste, nënë Trashja më mallkoi dhe më quajti lugat.  Mallkimi i nënë Trashes më ndjek tërë jetën. Kuptoni, shoku kryetar, gur e dru shkrinin lotët e saj që me dhunë më kishte sjellë në këtë të mallkuar jete... jetë lugati më! Ju ndoshta nuk  besoni, por unë ndiej çaste të tmerrshme shpirtërore kur kryej punën e lugatit, ama, nuk mund ta lë zanatin e mallkuar. Sa herë kam vdekur e si lugat jam ringjallur , kush nuk e di përveç meje.  Sa keq, bord  i nderuar, që nuk mundi të më vriste nënë Trashja! Sa njerëz do të shpëtonin pa përjetuar vuajtje nga dajaku im, nga  krimi im! Por, kështu e do shteti dhe pushteti, ndërsa unë jam  betuar se nuk do të veproj kundër shtetit e pushtetit.

Stafi i konkursit nuk kuptoi gjë nga shënimet biografike të pretendentit për lugat dhe nuk dinte a ishin mesele  apo fliste të vërtetën. Paqartësia  dhe absurdi ishin filozofia  e Lugatit për të krijuar mjegull!

-Dragan, ku je lindur?- pyeti kryetari i komisionit?

-Në Lisgur?- u përgjegj pretendenti

-Ku gjendet ky  Lisguri?

-Isha dy vjeç kur pop Jorda më shpuri në manastir , ndaj nuk di ku ndodhet . Ju thash se në manastir jam rritur me kërcënimet e popave të Deviçit që më quanin xhidi arnaut.  Kam lexuar diku se fëmijëve që rriten me kërcënime për çdo ditë u vdesin qelizat e trurit deri sa truri t’u zvogëohet sa i  peshkut ose i  karkalecit. Më patën shpallur edhe  të vdekur në zjarrin që i pati vënë manastirit murg Svetisllavi. Dritë me sy më kurrë nuk kam parë derisa më dërguan në Zemun, në institutin special për tredhje. Ndoshta mallkimi i nënë Trashës më ndjek tërë jetën! Më mallkonte e shkreta , jo si frut të barkut të vet, por sikur  të isha i biri i gjarpërit! Kur bëja ndonjë sherr më mallkonte:    ” O, të qoftë Zoti në Zemun tek bren miza hekur!” Atëbotë, nuk e dija as ç’është Zemuni as ku ndodhet, as ç’dreç zihet në të. Nuk e dija a është lodër apo përbindsh, por e kuptoja se ishte diçka i keq, sepse nëna hakërrohej, flokët i ngreheshin  përpjetë, rrudhat  i bënin rrëke në ballë kur përmendte Zemunin dhe pastaj zhgrehej në vaj. Një det lotësh e ka derdhur nëna ime e penduar që më ka lindur.  Mallkim pas mallkimi lëshonte mbi kokën time  dhe  mallkimet , sigurisht, që kanë shkuar në vesh të Zotit dhe përfundova në Zemun, ku mësova zanatin e tredhjes së njeriut!?...

-Çfarë statusi familjar ke  shoku Lugat?- pyeti kryetari i komisionit

-I pamartuar!- u përgjegj  Lugati

- A ke qenë  ndonjëherë i martuar?

-Nëntë gra i kam pasur, shoku kryetar.

-I ke tani?

-Të nëntat më kanë ikur, shoku kryetar- u përgjigj i ndruajtur Lugati.

-Ndoshta të kanë vdekur?!- dyshoi  kryetari i komisionit.

-Jo, shoku kryetar, asnjëra nuk më ka vdekur. Të gjitha më kanë ikur. Nuk mund të jetonin me një kluon  gjysmë njeri e gjysmë lugat! Prandaj , pa më thënë  as lamtumirë, njëra pas tjetrës iknin.

-Fat i hidhur!- tha njëri nga anëtrarët e komisionit.

-A ke fëmijë?-  pyeti kryetari i  komisionit

-Më kanë thënë se hudumët nuk lindin fëmijë. Në të gjitha kishat e njohura kam kërkuar ilaq, por për mua   nuk u gjend dot i mallkuari! Edhe në katedralën e Shën Pjetrit në Vatikan kam kërkuar ilaq! Edhe në Patriakanën e Stambollit edhe në Nazaret..., por ilaq për mua nuk u gjend, zoti kryetar! Të gjithë thonë se sojin tim e ka dënuar Zoti të zhduket.

-Tretmani juaj i tashëm seksual?!- pyeti anëtari i tretë i komisionit.

-Lezbik!- u përgjegj shkurt Lugati

-Nuk kuptoj ç’është lezbiku!-pyeti  kryetari i komisionit.

-Paj, unë si hudum që jam, nuk jam i zoti për gra, ndërsa kur flej me gra, grave ua lëpijë gjinjtë bythën, kërthizën, ...! Ky është maniri i lezbikut.

-A të vjen ndot?

-Në fillim më vinte ndot, por me kohë jam mësuar.

-A gjen mjaft kurva lezbike?- pyeti nga kurreshtja përsëri anëtari i tretë i komisionit.

-Sa të dua , shoku kryetar! Shteti ynë , ju sigurisht që e dini, se është shtet kurvash dhe lugetërish, ku edhe burrat janë kurva e lëre më gratë! Po , po, atje në Zemun të gjithë ishin lezbikë e homoseksualë që më paguanin majmërisht kur i lëpija dhe më lëpinin! Bile  më mirë paguhet puna e lezbikut se sa e ekspertit të tredhjes  !

-Më shumë kënaqesh në cilësinë e lezbikut apo të kastruesit t? pyeti nga  kërshëria nënkryetari i komisionit.

-Më shumë më zgjon emocione lëpirja se tredhja e njerëzve, ama, shoku kryetar puna e tredhjes është profesion imi! Sa njerëz i kam tredhur në Bosnjë ...Sanxhak... në burgun e Nishit, Gradishkë, Goli Otok...?!

-Cilit nacionalitet i takonin të tredhurit?- pyeti kryetari komisionit.

-Armiqët e shtetit nuk kanë komb, shoku kryetar, por kur i tredhja në burgje të gjithë ishin njerëz që thonin se kur të vdesin  do të vdesin me sy hapur për lirinë! Do të thotë se ishin armiq të përbetuar, ndërsa , për lirinë me sy hapur vdesin vetëm arnautët! Nuk ka komb tjetër në botë që është pa liri, shoku kryetar dhe që njerëzit vdesin me sy hapur!

 -  E mbarove institutin?- pasoi pyetja e kryetarit të komisionit.

-Dëshmon diploma! Me sukses të shkëlqyeshëm! –u përgjigj pretendenti për lugat të kryeqytetit.

-Cila është përvoja në punë dhe rezultatet e punës së gjertanishme?- pyeti kryetari i komisionit.

-Ju lutem shikoni referencat e shërbimit të intelegjencës së shtetit, por ju preferoj se duhet t’i mbani si material dhe dëshmi ”top sekret!”

Kryetari i komisionit i lexoi në heshtje vlerësimet e shërbimit të intelegjencës së shtetit dhe me lëvizje koke dhe gjestikulime  aprovoi se rezultatet e punës së pretendentit ishin brilante, sidomos, në artin e tredhjes së njerëzve, që ka kryer pa dhembje të mëdha!  Kryetari i komisionit i  kënaqur me intervistën e kandidatit i propozoi komisionit ta zgjedhte Lugatin si person përkatës për ndjekjen dhe  likuidimin e njerëzve që aspirojnë të vdesin me sy hapur dhe që mund të shfaqen si silueta në pallatin e partisë dhe shtetit!

Asnjëri nga anëtarët e komisionit për  përzgjedhjen e Lugatit që do të  parandalonte në kryeqytet vdekjen me sy të hapur dhe likuidimin e vampirëve  nuk pati as pyetje as vërejtje, ndaj  kandidatin e pranuan, duke i dhënë autorizime të pakufishme,  jo vetëm për tredhje të kryeqytetit, por edhe për likuidimin e shpirtërave që kanë vdekur me sy të hapur këtu e njëqind vjet më parë, të bindur thellë se kryeqyteti dhe qeveria do të shërohen nga lëngatat e pareshtura të etheve dhe senilitetit , që vinte si pasojë e syve të hapur të të vdekurve. Komisioni aprovoi edhe kërkesën e Lugatit që t’i lejohet lezbizmi nëse mund të gjendet ndonjë kurvë në qytet duke i premtuar  se po nuk gjeti vetë kurvën adekuate  lezbike, qeveria do të shpallë konkurs, në bazë të ligjit të veçantë,  për përzgjedhjen e kurvave , që qeveria kishte miratuar  në bazë të preambulës së kushtetutës?!

Në kryeqytet, lëngata e etheve vazhdoi  të manifestohej me zjarmi  dhe të bënte kërdi. Doktorët thonin se ishin të pafuqishëm në luftë me lëngatën, prandaj në qeverinë e kryeqytetit qe alarmuar si mase urgjente sjellja e Lugatit për ta shpëtuar kryeqytetin nga lëngatat që sillnin nga ajo botë shpirtat e njerëzve që vdisnin me sy  hapur që shndërroheshin në vampirë. Lëngatë pas lëngate godiste kryeqytetin e mjerë!

Kryelugati  dhe  lugetërit më të vegjël mbaheshin në konfidencë  dhe jo vetëm që nuk do të  guxonte t’i shohë njeri, por nuk guxonte njeri të mendojë se në qytet kishte arritur Lugati aq  i kërkuar! Lidhur me vdekjet misterioze të njerëzve me sy  hapur, shpirtërat e të cilëve  konvertoheshin në fantazma nuk ishin pajtuar as priftërinjtë e Vatikanit, as murgjit e Patriarkanës së Stambollit e as myderrizët e Mekës dhe Medinës! Të gjithë thonin se lugetërit dhe lëngatat e etheve për të cilat çohej pluhur në kryeqytet ishin pjellë e bestytnive, ndërsa qeverinë e patën quajtur qeveri budallenjsh supersticiozë!

Specialistët  e mjekësisë  nga Instituti i Neuropsikatrisë u përpoqën me  hipoteza e teza shkencore të shpjegonin shkencërisht fenomenin e mbetjes së syve hapur pas vdekjes së njeriut, por në kryeqytet nuk piu ujë, madje u hodhën  poshtë si spekulime, ngase argumentet shkencore të doktorëve për qeverinë supersticioze ishin tejet të varfëra dhe si të tilla të pabindshme edhe për kryeqytetin. Doktorët pas  shumë ekzaminimeve  hospitalore  të anëtarëve të qeverisë, duke egzaminuar kujtesën e të sëmurëve , sëmurjen e  diagnostifikuan  si  sindrom harrimi si  Sindromi  i Alzheimer-it.  Zyrat dhe kabinetet e qeverisë  qenë mbushur si zgjua bletësh  me psikologë, neurologë , falltorë e fallxhesha.

Psikologët duke studjuar kujtesën e qeveritarëve, përmes metodës së të vërejturat, kishin parë se të prekurit nga sëmundja e diagnostifikuar e humbnin  memorien për çdo ditë e më shumë. Qeveritarët kishin probleme të mëdha gjuhësore . Nuk kishte qeveritar , madje as kryetari i qeverisë dhe partisë, që mund ta shqiptonte ose ta shkruante drejt fjalën Kushtetutë. Psikologët dhe defektologët u përpoqën, që bile kryetarit,  t’ia mësonin këtë fjalë , por ishte e kotë. Një nga një i shqiptonin tingujt, por kryetari as nuk mund t’i lidhte tingujt as shkronjat në fjalë dhe prapë e shqiptonte Koshtitutë. Ngatërresën e tingujve dhe shkronjave  i quante  zablludë, ndërsa qeverinë Vlladë, qeverisjen Vlladavinë e tj.

Psikologu i kabinetit të kryetarit të qeverisë dhe partisë, doktor Zebek Zabuni që e kishiun sjellë në qeveri me mission të caktuar, që në ditën e parë të trajtimit mjekësor, kryetarit i pati dhënë  detyrë ta mësonte alfabetin e gjuhës shqipe. Pastaj të mësonte cilat janë zanoret e cilat bashkëtingëlloret.

-Ja , kështu shoku kryetar do mësosh sot tridhjetë e gjashtë germat e alfabetit tonë. Pastaj  do t’i mësosh shtatë zanoret dhe të mbeten njëzet e nëntë bashkëtingëlloret. Asistentja do të të ndihmojë!- tha doktor Zebeku Zabuni, një kokëtullac, të cilin kryeqyteti e mbante si doktorin më me renome në psikiatri!

-Ha, ha, ha!...- qeshi me  zë të lartë Dudie hanmi, asistentja e kryetarit të qeverisë dhe partisë. Mos u bën edhe ti i marrë shoku doktor.Kryetari harron emrin e vet , kurse  ti  e ngarkon me  gjithë këto detyra! Po ta dinte alfabetin dhe po të ishte në gjendje t’i numrojë ato farë zanoret e bashkëtingëlloret , që thua ti ,  nuk do të ishte kryetar! Ku ke pa ti, shoku doktor, kryetarit t’i jepen detyra kaq të rënda? Si duket e paske  ndërmend ta çmendësh  e jo ta shërosh të shkretin! Truri i kryetarit është i thjeshtë, tamam ,  si truri i peshkut. Sapo t’i heqësh grepin nga  verzat  dhe e lëshon  në ujë,  pas dhjetë sekondave harron dhe sërish ngjitet në grep. Edhe kryetari ynë gëlltitë karremin si peshku budalla, duke harruar se akoma e ka gojën e përgjakur

-Sindromi i Alzheimer kërkon  të ekzaminohet  nga fillimi , shoqja sekretrareshë. Po vërej mirë se kryetari është shndërruar në  Tabula rasa, prandaj duhet nisur nga fillimi shërimi i tij. Duhet shënuar diç në atë të shkretë trurin e tij  dhe dale mos do të pranojë sinjale të reja!

-O,  e ke të kotë, shoku doktor, që ky matuf që me të drejt  e quan  dërrasë, t’i mësojë tridhjetë e gjashtë germa!

-Kush mori e quajti  dërrasë kryetarin? Të lutem mos shpif! Unë nuk jam mësuar me shpifje ! Jam doktor. Doktor Zebeku jam! A kupton ? Me prestigjin tim nuk luhet!Të lutem kij konsideratë. Unë nuk e quajta dërrasë, por Tabula rasa!

-Eh, pra ç’është ajo Tabula rasa, shoku doktor .

- Letër e fshirë! Tru i fshirë! Do të thotë se kryetari është krejt i fshirë!- ngriti zërin doktor Zebeku.

- Ule zërin doktor! Këtu nuk je në spital me ato infermieret e gjora. Unë jam Dudia! Dudie  hanmi më thonë! Nëse nuk e ke ditur, tash mbaje në mend! Këtu hahehet fasulja kokërr- kokërr, doktor tullaci. Unë vetëm e shtyp këtë buton dhe brenda tre sekondave ia behin   këtu Akuni e Haruni ! As të flas nuk kam nevojë! Vetëm i luaj vetullat ose u shkel syrin dhe as gruaja jote nuk të njeh. Qeveri i thonë këtu doktor tullaci! Ani , po erdhën Ziban Ziu e Haram Harambashi, qysh janë mërzitur për zanatin qe pesëmbëdhjet vjet, që kur i diferencuan si rankoviçistë, besa nuk  do ta  njohësh në pasqyrë surratin tënd ! – u kërcënua sekretaresha , ndërsa vurte grim rreth syve dhe me pincetë shkulte qimet e vetullave.

Doktor Zebeku e pa veten të zënë ngusht si kurrë më parë. Parandjeu se një kob i zi i sillej  , i mbështillej dhe i kurdisej, por nuk dinte si të dilte nga situata, në të cilën u ngatërrua. Kur iu kujtua se ajo ditë ishte e martë sa nuk u çmend. Të gjitha fatkeqësitë në jetë i kishin ndodhur në të martat. Pastaj , iu kujtua se e marta ishte edhe dita e trembëdhjetë e muajit, se ishte edhe java e trembëdhjetë e vitit, uli kokën, vuri gishtin në tamth dhe fare në mënyrë të shkujdesur, me  laps grafik në letër të bardhë shgaraviste diç. Asnjë mendim , asnjë ide për shkarravitjen nuk e kishte . Dudie hanmi përpiqej t’i mësonte kryetarit alfabetin dhe herë pas herë pinte ndonjë hurp raki rrushi duke e përcjellur me  ndonjë hurp kafeje. Kryetari, më në fund, arriti të radhisë germat e alfabetit deri në germën D.    

Bravo  shoku kryetar ! Bravo! Për sot mjafton! Dale të shohim nesër a ke mundur t’i mbash mend të gjitha! Pastaj shikoi doktor Zebekun  tek  shkarraviste  me laps dhe i tha , pa të keq, se ishte suksesi më i madh në karrierën e saj, qëkur ishte sëmurë kryetari.

-Hë, si të duket shoku doktor?!-reagoi sekretaresha e entuziazmuar.

- Më duket se mjafton për sot! Sindromi Alzheimer nuk duron të ngarkohet shumë truri  i  të sëmurit. Rezultatet e ekzaminimit dhe reagimet e trurit të kryetarit sikur nuk flasin për Sindromin Alzheimer. As mosha e tij nuk nuk është adekuate    i sëmuri të vuajë nga ai  mallkuar sindromi. Diagnozë e gabuar, shoqja sekretareshë. Gabova unë, gaboi defektologu, gaboi neuropsikiatri! Të gjithë gabuam! Ky njeri dhe kjo qeveri nuk janë për mjek! Shkenca e mjekësisë akoma nuk ka arritur ta studjojë trurin që nuk pranon sinjale nga shqisat. Ka elemente të skizofrenisë edhe kryetari edhe të gjitha ministritë e partia, por as skizofreni nuk është! Një dreç biçim sëmundje është, por ju e dini, zonja sekretareshë se aparatura e ekzaminimit na mungon, prandaj…?!

- Çka prandaj ?- pyeti asistente  Dudia.

- Prandaj mungon edhe diagnostifikimi i plotë- tha doktori me një zë bindës për të përftuar nga rasti  dhe  kompetenca profesioniste.

- Pra, doktor si t’ia bëjmë me këtë matuf?- përsëri pyeti asistentja.

-Paj, nuk është kijamet se nuk i di germat. As Sinan Hasani nuk i  dinte të gjitha germat e alfabetit shqip, por shkroi romane që u shpërblyen me çmimet më të larta. Është me rëndësi që kryetari t’i mbajë mend datat kur i  konvokon  mbledhjet, ditët e javës dhe muajt. Edhe të dijë të llogarisë është me rëndësi për kryetarin! Punët  e rëndësishme i kryejnë partia dhe ministritë, shoqja asistente!-  përmbylli bisedën doktor Zebeku.

-Numrat , ditët e javës, datat , muajt e vitet i kanë harruar fare, shoku doktor, ata mjeranët e ministrive!  Është punë e kotë në qeveri të gjendet njeri që di të llogarisë. Dy dhe dy nuk dinë sa bëjnë këta derëzi.Tabelën e shumëzimit sikur mos ta kishin mësuar kurrë. I harrojnë udhët nëpër koridoret e pallatit.. Nisen për  në kabinet ,  hyjnë në toalet, nisen në toalet ,  hyjnë në kabinet dhe aty pshurrnin. Shpesh ndodh edhe të dhiejnë në kolltuqet e tepihët komodë të kabinetit të partisë dhe qeverisë. Telashet më të mëdha me ta  i kanë kamarierët e byfetit të qeverisë. Kërkojnë kafe dhe kur kamarieri u servir kafenë , thonë se kanë kërkuar raki rrushi. Kur u servirin  rakinë e rrushit thonë se kanë porositur bozë, ndërsa kur u servirnin bozën harrojnë të kishin porositur diç. Gjatë bisedës   janë  plotësisht konfuz. Paqartësia është e vetmja filozofi e tyre politike. Madje, kur nuk i kupton njeri , mburren se kanë krijuar kurs të vetin politik, të cilin është vështirë ta kuptojnë të tjerët jashtë qeverisë. As në veshje nuk qëndrojnë më mirë, shoku doktor. Gravatën e lidhin rret qafës, ndërsa e varin në kurriz. Këpucën e djathtë e mbathin në të majtën , ndërsa të majtën e mbathin në këmbën e djathtë.  Pastaj këtyre të gjorëve u shfaqën edhe halucinacione, probleme në urinim dhe jashtëqitje. Pshurrin në filxhana të kafesë e gotat me raki i mbushin me shurrë. Kur pinë shurrë të përzier me raki çuditërisht ndihen  më mirë, prandaj kamarierët, si dilinxhi që janë, u preferojnë këtë lloj beter pije. Kur dhiejnë në pjata enëlarësit e byfetit  sa nuk i  nxjerrin  zorrë e mushkëri duke vjellur, por nuk ua mban të reagojnë, sepse rendi shtëpiak ndalon rreptësisht  përzierjen e kamarierëve në punët e kabinetit qeveritar!- fliste  Dudie hanmi, derisa psikolog Zebeku mbaroi shkarravinën e tij , që i doli tamam si pikturat moderne që ekspozoheshin në Galerinë e Arteve të kryeqytetit.  Vizatimi i doktorit ishte një portret anakronik, një figurë përbindshi me një sy, me qime e kthetra  si të gorillës, me duar e kofshë si të asistentes Dudie.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora