Kerko: a
Sabri Cevani: Si e shoqërova Nënë Terezën në 5 korrik 1991
E diele, 18.07.2010, 05:18 PM
Nga Fatmira Nikolli
fatmira.nikolli@gazetashqiptare.com
Data 5 korrik, viti 1991. Nënë Tereza, bamirësja e madhe shqiptare viziton qytetin e Durrësit. Atë ditë të nxehtë vere, ajo do të shkonte në Katedralen Katolike të Durrësit "Shën Luçia", si dhe në Komitetin Ekzekutiv pluralist, për të përzgjedhur një banesë të përshtatshme ku do të ngrihej Misioni i Motrave të Nënë Terezës. Fati e deshi që në këtë rrugë të saj, ajo të takonte një njeri të thjeshtë, një qytetar durrsak, i cili do ta shoqëronte gjatë gjithë ditës. Botuesi i "Argeta LMG", në kuadër të botimeve për 100-vjetorin e Nënë Terezës, ka përfshirë në projektet e tij edhe rrëfimet e njerëzve që e takuan atë. Rrëfimet janë marrë nëpër libra të huaj apo shqiptarë, si edhe në mediat e ndryshme që kanë botuar pareshtur për të. Më interesanti prej tyre është pikërisht rrëfimi i këtij durrsaku, që quhet Sabri Cevani, rrëfim të cilin botuesi Mehmet Gë-zhilli ia ofron gazetës. Siç tregon ky i fundit, Sabri Cevani ishte i ndëshkuar gjatë viteve të diktaturës për mospërputhje me rregullat e kohës. Për të, dita në të cilën takoi dhe shoqëroi Nënë Terezën do të mbetet e paharruar. Veç kësaj, ai mban mend prej saj edhe një dhuratë të veçantë, medaljonin që vetë Nënë Tereza e mbante në qafë.
Takimi
Ishte data 5 korrik e vitit 1991, kur Cevanin teksa shëtiste me familjen e tij në rrugët e qytetit, e ndalon një furgon i bardhë, mjaft i vjetër e i lodhur. "Njëra derë e tij ishte e prishur mbase nga ndonjë përplasje. Prej tij zbriti një i huaj dhe e pyeti nëse njeh dikë që di gjuhën italiane. Sabriu i është përgjigjur se e dinte gjuhën dhe se ishte në dispozicion të tij", - thotë Gëzhilli. Më pas atë, italiani që i foli, që ishte një famulltar, e ftoi të shkonte tek makina dhe të takonte Nënë Terezën. "Durrsakut, në fillim nuk i besohej se ajo ishte aty, por kur e pa, pasi u përkul i puthi duart. Më pas, e ndihmoi bamirësen shqiptare që të gjente rrugën për te Katedralja katolike 'Shën Luçia', e cila sapo kishte filluar të restaurohej", - tregon Gëzhilli. Në takimin e bërë në kishën e Durrësit si edhe në lëvizjen e saj atë ditë në këtë qytet, Nënë Tereza shoqërohej nga famullitari italian, si dhe tri motra.
Kërkesa
Por pas vizitës në kishë, Nënë Tereza i tregoi Cevanit se donte të gjente një banesë për motrat e Urdhrit të saj, që do të ushtronin veprimtarinë në Durrës. Sipas rrëfimit të vetë Sabri Cevanit, ky i fundit i ka rekomanduar të takonte Mark Demën, një ish-prift, i burgosur politik. Megjithatë, Nënë Tereza ka kërkuar që të shkonte më parë në Komitetin Ekzekutiv Pluralist për të parë se ç'mund t'i jepnin. Sipas Cevanit, në Komitet nuk kishte asnjeri, madje as kryetari Fatmir Minguli dhe as zëvendëskryetari Agron Fishta. "Sekretari Bilbil Bardhi bisedoi me të në anglisht. Nënë Tereza i tha se kishte autorizim nga kryeministri i asaj kohe, Ylli Bufi, për t'i siguruar strehimin për motrat", - thotë në rrëfimin e vet Sabri Cevani. Pas kësaj, një ekip shoqëroi Nënë Terezën nëpër qytet dhe më pas ndoqi rrugën drejt Currilave. "Në këtë zonë i kishte pëlqyer një vilë, që për shumë kohë kishte shërbyer si rezidencë e sekretarëve rajonalë të Partisë së Punës. Kjo banesë iu dha asaj sipas kërkesës së paraqitur dhe për shumë vite u bë qendra e Misionit të Motrave të Nënë Terezës", - thotë Gëzhilli, duke cituar Cevanin.
Dhurata
Më tej, pas mbarimit të këtyre vizitave, Nënë Tereza i ka kërkuar Sabriut që ta çonte në shtëpinë e tij. Aty ajo ka pushuar pak, por nuk ka pranuar të ushqehet apo të pijë ndonjë gjë. Në ikje i ka dhënë një dhuratë të veçantë. "Në çastin kur po ikte, Nënë Tereza ka hequr nga qafa e saj medaljonin e vet me figurën e Shën Mërisë dhe i ka thënë se kjo ishte e saja, por po ia dhuronte atij", - tregon Gëzhilli. Ai e ka falenderuar dhe i është shprehur se "megjithëse ishte mysliman, do ta ruante në shtëpinë e tij dhuratën si gjënë më të çmuar". Teksa ajo po ikte, e ka bekuar dhe i ka puthur duart durrsakut dhe ky po ashtu.