Kerko: a
Kolec Topalli: Duke shfletuar “Dosjen e diktaturës”
E merkure, 31.03.2010, 09:01 PM
Duke shfletuar “Dosjen e diktaturës”
Nga Kolec Topalli
Çdo libër që botohet, nis udhën e jetës së tij sipas vlerave që ka. Libri “Dosja ... e diktaturës” e ka siguruar prej kohësh jetëgjatësinë e tij, për hir të përmbajtjes dhe së vërtetës që paraqet. Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë, pa përjashtim moshe a formimi politik. Ai është i nevojshëm në radhë të parë për të njohur krimet e diktaturës. Prandaj atë duhet ta lexojnë ata që kanë vuajtur, viktimat e atij sistemi, për të marrë sodisfaksionin minimal të njohjes së vuajtjeve dhe sakrificave; duhet ta lexojnë të rinjtë që patën fatin të mos e jetojnë atë kohë të mbrapshtë, për të njohur se çdo të thotë diktaturë e çdo të thotë demokraci; por atë duhet ta lexojnë edhe xhelatët që ushtruan terror e tortura mbi të pafajshmit, për t’i bërë të pendohen sado pak për krimet e tyre; duhet ta lexojnë edhe të huajt, për të kuptuar se çka qenë komunizmi shqiptar.
Kam pasur raste të lexoj disa libra të kësaj natyre, për krimet e diktaturës në vendet ish-komuniste. Për Rumaninë kam lexuar “Tortured for Christ” të autorit Richard Ëurmbrand; për Rusinë kam lexuar “Noi vivi”, “Doktor Zhivagon”, jetën e diktatorëve, ditarë e memuare. Por ajo që ka ndodhur në Shqipëri kapërcen çdo kufi. Libri që po paraqitet sot, është një pjesë e asaj tragjedie që u luajt në kurriz të këtij populli për një gjysmë shekulli.
E kush mund t’i prekte këto plagë më mirë se një mjek nga profesioni, një intelektual i formuar në një mjedis që i ka ndierë thellë plagët e diktaturës, siç ka qenë qyteti i Shkodrës, i përgjakur më shumë se çdo qytet tjetër, sepse pati më shumë intelektualë, si rrjedhim, më shumë kundërshtarë të regjimit, më shumë antikomunistë, më shumë frymë perëndimore?
Ata që u torturuan, që u burgosën e u internuan, nuk kishin bërë asgjë kundër regjimit. Por ata kishin një avantazh ndaj diktaturës: ata mendonin ndryshe, prandaj ishin të rrezikshëm për shtetin diktatorial, prandaj u vranë, u dënuan, u burgosën, u internuan. Sa të vrarë nga dora e zezë janë ende pa varr. Sa zemra nënash janë tharë përgjithnjë. Sa sy kanë mbetur ende të përlotur. Sa fëmijë kanë mbetur jetimë. Sa gra janë veshur përgjithnjë me të zeza.
Ata që i bënë këto krime mund të thonë: “Ashtu kanë qenë ligjet e asaj kohe”. Kjo është deri diku e vërtetë, por nuk është gjithçka, sepse ndërmjet atyre që mbronin ato ligje të mbrapshta ka pasur të atillë që i kryenin me ëndje torturat, vrasjet, krimet, pa u trembur aspak për ligjet e asaj kohe, se për të persekutuarit nga regjimi nuk kishte ligje. Cili ligj thoshte që të pritej këmba me sharrë, siç u veprua me Dom Lazër Shantojën? Cili ligj thoshte që të shpohej kufoma me sfurk për ta rrokullisur në një gropë të zezë, siç u veprua me Aleksandër Sirdanin? Cili ligj thoshte që të thyenin arra në kokën e të vrarit, siç u veprua në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës? Akte të tilla të periudhës së barbarisë, të denja për kohën e Xhenxhis Khanit a Timur Lengut, dëshmojnë se diktatura për krimet e saj të shëmtuara zgjidhte njerëzit më të pashpirt, njerëzit pa personalitet, më injorantët, ata që manipuloheshin lehtë nga sloganet e luftës së klasave.
Ky libër na mëson se diktaturat nuk mund të mbahen ndryshe, veçse me terror, me vrasje, me burgje e tortura. Ky libër na mëson të njohim të kaluarën ashtu siç ishte, jo nëpërmjet burive shurdhuese të propagandës komuniste, por nëpërmjet fakteve të pamohueshme, nëpërmjet arkivave e dosjeve, nëpërmjet të vërtetave të pakundërshtueshme. Ky libër na mëson se çdo diktaturë, sado e gjatë qoftë, ka një fund. Ky libër na mëson të mos e harrojmë të kaluarën, nëse duam që ajo të mos përsëritet.
Të hapësh dosjen e diktaturës është një punë sa e domosdoshme, aq edhe fisnike. Ajo është shenjë respekti ndaj vuajtjeve të atyre që nuk u pajtuan me diktaturën, është shenjë se njeriu është gjithnjë në kërkim të lirisë për vete dhe për të tjerët. Le të jetë ky libër një homazh për të gjithë ata që s’arritën ta shohin dritën e demokracisë, për të gjithë ata që vdiqën burgjeve, kampeve të shfarosjes ose në qelitë e sigurimit.
Ky libër është i mbushur vetëm me të vërteta. Aty ka gjak e lot, dhembje pa kufi, plumba, litarë e pranga; burgje, kampe e qeli; ka njerëz të pafajshëm të martirizuar, ka trupa pa jetë që sillen rrugëve për t’i futur tmerrin banorëve, ka kufoma që rrinë mbi dhé, ka të vrarë pa varre, ka kafka pa trup e trupa pa kokë, gjymtyrë të prera e të shpërndara, gjithçka që ishte frut i diktaturës. Mbi këto kufoma pa varre lulëzonte diktatura, ajo që na izoloi për 50 vjet nga perëndimi dhe nga bota e qytetëruar.
Ky është libri prej të cilit i madh e i vogël do të mësojnë të vërtetën e jetës nën diktaturë; shkrimtari e poeti mund të nxjerrë subjektet e dramave, tregimeve, romaneve, se vetë jeta nën komunizëm qe një tragjedi e gjallë, ku u martirizua një popull i tërë.
Dhe e gjitha kjo s’është veçse një pjesë e vuajtjeve. Pjesët e tjera, që presin ditën për të dalë në dritë, ndodhen nën dhé ose janë zhdukur përgjithmonë.
Ky është një libër që hyn në histori, një libër që bën histori. Çdo faqe e tij është një pellg gjaku i martirëve të kombit. Njëri ra nën breshërinë e plumbave me thirrjen “Rroftë Shqipëria”, një tjetër ra duke kujtuar nënën, gruan, fëmijët, duke u lënë amanetet e fundit, që askush s’i dëgjonte, dhe si përgjigje merrnin plumbin e fundit në kokë. Ja përse trupat e tyre nuk u tretën atje ku i groposën në varret e përbashkëta. Dhe e vetmja gjë që kërkojnë eshtrat e tyre të patretura, është një varr, një varr për t’i kujtuar, një varr për një tufë lule, një varr ku të prehen, siç prehet i qetë ai që krijoi makinën vrastare, ai që shpikte ligjet shfarosëse, ai që sendërtonte gjyqet kriminale, ai që e shndërroi vendin në një kamp të madh vuajtjesh pa fund.
Historia duhet rishkruar. Ajo duhet të bazohet vetëm tek e vërteta, që ende s’ka dalë në dritë, por rri e burgosur, e mbërthyer në tela me gjemba në dosjet e sigurimit të shtetit. Pa dalë e vërteta e viteve të diktaturës ashtu siç ishte, ky vend nuk do të ketë prehje e qetësi, se fantazmat e së kaluarës, që përgjakën njerëzit e pafajshëm, enden përsëri në horizontet e demokracisë së brishtë; se ato që kriminalizuan një popull të tërë, nuk duan të gjenden varret e të masakruarve dhe të vrarëve nga komunizmi. Ka shumë që duan të harrohet historia, që ajo të mbetet e deformuar në kornizat e historiografisë komuniste. Ja përse libra të tillë janë të domosdoshëm. Ja përse ata do të hyjnë në histori, kur ajo të shkruhet nga historianë të paanshëm, të paindoktrinuar, të papolitizuar.
Kjo është dosja e madhe e komunizmit, dosja e madhe e shpërndarë në mijëra të tilla, që qëndrojnë të mbyllura për të mos prishur qetësinë e atyre që nënshkruan vdekjet, për të mos shqetësuar ata që urdhëruan burgosjet, vrasjet, internimet. Shoqëria jonë, demokracia e re ka nevojë të domosdoshme për dekomunistizimin e saj, ka nevojë për transparencën e plotë të së kaluarës, ka nevojë të njohë kriminelët, që ata të mos kenë kurajon të kërkojnë të jenë në krye të këtij populli, por të kërkojnë falje për krimet që kanë bërë. Dhe në mos e bëfshin këtë, së paku emri i tyre të mbulohet me turp në dosjen e madhe të diktaturës.
Të hapen dosjet, është dëshira e fundit e atyre që ranë nën breshërinë e plumbave të xhelatëve, është zëri i atyre që dergjen në gropat e përbashkëta, është amaneti i atyre që mbetën pa ndjenja prej torturave në qelitë e sigurimit, në baltat e Maliqit, të Tërbufit e Bedenit, në kampet shfarosëse të Tepelenës e të Porto-Palermos.
Të hapen dosjet, që së paku tash, pas 20 vjetësh, fjalën demokraci të mos na e mësojnë ata që nënshkruan dënimet me vdekje, dhe të drejtat e njeriut të mos i mbrojnë xhelatët e djeshëm, që torturuan e masakruan të pafajshmit.
Të hapen dosjet, që tash mbas 20 vjetësh fjalën liri të mos na e diktojnë ata që ngritën trekëmbëshat e litarët, dhe ekonominë e tregut të mos na tregojnë ata që i lanë tregtarët me vite me bukë e ujë, që t’i rrëmbenin pasuritë.
Të hapen dosjet, që sot pas 20 vjetësh Evropën dhe Perëndimin të mos na e tregojnë ata që deri dje asaj i sollën shpinën dhe deshën të na çojnë në stepat siberiane e në shkretëtirat e Mongolisë.
Libri është ribotim i plotësuar. I plotësuar me më shumë të vrarë nga diktatura, me më shumë të burgosur e të internuar, me më shumë pellgje gjaku të pafajshëm. Dhe sa herë të ribotohet, do të shtohen fletët e tij, do të shtohen dosjet, do të shtohet dhimbja, e bashkë me to do të rritet edhe pezmi e trishtimi i lexuesit.