E diele, 04.05.2025, 09:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Dashuritë e para të qytetit tim

E shtune, 21.11.2009, 10:16 PM


DASHURITË E PARA TË QYTETIT TIM

Nga Vangjush Ziko

Mbi tavolinë kam tre libra me vjersha: "Shkëndijat"(1927) të Kristo Floqit, "Dëshira e zemrës" të Spiridon Ilos dhe "Kënga popullore shqiptare"(1932) botuar nga Linda George.
Tematika e tyre është e larmishme: patriotike,lirika të natyrës,satirike dhe lirika erotike.Spiridon Ilo,në prathënien e botimit të vet,shkruan:"Në këtë libër janë gjithë këngët që kemi kënduar në pllakat e kompanyve,më të mirat,si në "Columbia" dhe në "Victor" dhe kështu,pra,me botimin e kësaj libre të këtyre këngëve të përmbledhura mbush një dëshirë të Atdhetarëve". Kurse Kristo Floqi,duke iu drejtuar "këndonjësve",shkruan:"Shumë prej këtyre këngëve u bënë popullore e këndohen sot në qytetet dhe katundet e Shqipërisë".

Në krijimet e këtyre vëllimeve të bije në sy një gjë shumë e veçantë.
Shumica e teksteve të këngëve të botuara në vëllimet e mësipërme janë vjersha patriotike.Në to këndohet dashuria dhe malli për mëmën,për Shqipërinë.Në to nuk zihet fare në gojë vajza,e dashura,sikur të mos kish pasur ekzistuar fare ndjenja e dashurisë intime në ato kohë!
Ç'është kjo?Druajtje,harresë,turp.mospërfillje?A mos ndjenja e dashurisë e pengonte dhe e zbehte ndjenjën patriotike?Motoja e këtyre këngëve është: "se s'ka më t'ëmbël në këtë jetë/kur vdes shqiptari për Shqipëri".
Ku e kishte burimin kjo tabu?
Këta luftëtarë që vdisnin të lumtur për lirinë e mëmëdheut,nuk dashuronin,nuk ishin të martuar?
Kë mbronin këta me gjakun e tyre,një dhe' të shkretë,pa njerëz të dashur të zemrës,pa vatër familjare,pa afeksione shpirtërore intime?
 E pamundur!
Shqipëria ishte për ta dhe familja,dhe gruaja,dhe e dashura e zemrës së tyre.Mentaliteti,shkalla e emancipimit shpirtëror i bënte ata ta përmblidhnin dashurinë intime në dashurinë e përbashkët,që kishte vetëm fytyrën e Shqipërisë,të mëmës.
Por,në këto vëllime,siç e thashë dhe më lart,kemi dhe vjersha të tjera,tekste këngësh që i këndojnë vetëm dashurisë intime,erotike.Pra,kemi një ndarje të prerë tematike,vjersha patriotike dhe vjersha erotike.Kjo ishte një tabu.Mëdheut dhe dashurisë u këndoheshin veças.Është,gjithashtu,e padiskutueshme,që vjershat patriotike të këtyre këngëve janë më të vjetra se ato erotike.
Në "Këngë lufte"(anonime) shkruhet:"Se për lirinë të mëmëdheut tim/Edhe të gushës shkrim e këndim,Për kto të dyja po luftonj/Gjersa të dyja do t'i fitonj!/Këto të dyja po mos fitonj,/Mua ç' më lypset më që të rronj!"

E qartë.
Të drejtat dhe liritë e njeriut kanë përshkallëzimin e tyre historik.Njeriu në fillim ka dëshiruar pavarësinë e tij sa më të madhe nga natyra,pastaj nga skllavëria shoqërore,më vonë nga robëria e huaj.Nhekullin tonë bëhet luftë për të drejtat dhe liritë e individit në fushën intime,shpirtërore.
Heroi lirik i këtyre këngëve patriotike nuk njeh asgjë tjetër veç lirisë,mëmëdheut dhe nënës.Kurse e dashura e zemrës,bota intime shpirtërore sfumohet tërësisht.
Që të bashkoje mëmëdhenë dhe vajzën e dashur në një këngë,duhej guxim dhe moral qytetar i ri.
Këtë e bëjnë të parët kantautorët korçarë në këto këngë që në fillim të shekullit të kaluar edhe më parë..
E bën Thoma Avrami në kënga "Dëshirë e mëmëdheut".
"Dua lulet e fushës/në mëngjes kur janë me vesë/Duart e bardha të çupësë/që vete me vrap t' i presë.../Po nga të gjitha ato më parë/Dua më shumë Shqipërinë..."
Tabuja prishet,zhbëhet.Erotika bashkohet me patriotizmin.

Kjo ishte një risi shpirtërore dhe artistike.
Në folklorin qytetar korçar fillonte kështu një revolucion shpirtëror,në të shpalosej hapur dimensioni human erotik.Kjo lidhej me përmasat e reja që kishte fituar jeta qytetare korçare,me shkallën e emancipimit të saj.Dashuria nuk ishte më një "mollë e ndaluar".
Dashuria do gëzuar,këndon poeti Loni Llogori në këngën "Çelu,çelu",ajo nuk do lënë të shkojë kot.Dashuria në këtë këngë shpallet si kredo e jetës "pa ty,ah!s' mund ta dëgjoj bilbilë",ajo është vesa e jetës,siç është vesa për luletë;shpirti i dashuruar i heroit lirik e shpall dashurinë botërisht.
Në këngën anonime "Trëndafil i bukur shumë" shpaloset një mesazh tjetër filozofik"pa dashuri bota është errësirë".Spiridon Ilo në vjershën "E bukur era" na shpall se jeta në botë është veç një lidhje e ëmbël dashurie.Kurse në këngën tjetër të po këtij autori ("Lutje të dashurisë") kemi një klithmë shpirtërore.Autori i këndon një dashurie që ngjall përgjërim,që shkakton plagë të zemrës,që është e gatshme për të sakrifikuar dhe jetën,sepse jeta nuk ka kuptim pa vashën e dashuruar.
Dhimitër N. Mole në këngën e tij "Lule e bukur porsi dielli" shpalos botëkuptimin e vet që qëndron në themel të moralit të rinisë të kohës së tij.Ai shpall se bukuria mbi dhe' është një krijesë e Perëndisë,se asgjë në botë,as bukuria, nuk ka lindur verbërisht dhe pa një pikësynim,bukuria e fisnikëron njerinë.Duke vlerësuar bukurinë e krijuar nga Zoti,njeriu bëhet më i urtë,më i ditur.
Ky moral sjell me vete dhe etikën e sjelljes së njeriut ndaj bukurisë dhe ndjenjës së dashurisë.
Këtij botëkuptimi i bashkëngjitet dhe kredoja tjetër se dashuria u bindet ligjeve të jetës,të botës që e rrethon ,çel lulëzon,vyshket,lind dhe vdes,pra "gëzo dashurinë!"("Tango e trëndafilave").
Mihal Grameno në "Vesa" dhe "Muaji i mjaltit" shpreh hapur përgjërimin e heroit lirik për dashurinë,pasionin e vet për dashurinë,kujtimet nostalgjike të ditëve të dashurisë,të përqafimeve,të puthjeve dhe përbetimeve reciproke për dashurinë e për jetën.
Mallin e ndarjes,kujtimin e ditëve të bukura të dashurisë,shpresa për t"u takuar përsëri,një dashuri gjer në buzë të varrit këndon Spiridon Iloja në këngën "Sa bukur rronim" ("gjersa të vinjë ora e mirë/që të të shoh/pa le të vdes" ).
Kole Rodhja i këndon takimit të përzemërt real të dashurisë.Djali pret vajzën në një mbrëmje me hënë,në një idil të qetë, "u afrova pranë teje/dhe me dorë të trazonj.../Shtiu syçkat,më shikonte/nënëqesha me gëzim"( "Nënë hien e hënës").
Edhe kur dashuria nuk gjen përgjigje,nuk ngjall aspak zemërim,përkundrazi,ngjall butësi njerëzore,që nuk e egërson mospërfillja e vajzës.( Taqi Mborja "Hënës").
Llambi Bimbli i këndon dashurisë çapkëne të "kusarit" të dashurisë,që nuk pyet edhe në se e kapin dhe e dënojnë,sepse ai do të vdesë i lumturuar nga dashuria ("Sytë e tu").
Loni Llogori në "Dashuria është djallush",na këndon në shqip një himn të dashurisë që pushton zemrat e të rinjve kur "vajyat e bukura,faqepaputhura/andej këtej kërkojnë djemtë".
Notat humoristike në kënga anonime "Të mori ky Pali", flasin për emancipimin e ndjenjës së dashurisë,aq më tepër,kur në gojën e vajzës vihen vargjet "jam,s'jam e mirë/dhe në jam e mirë/sheqer për bandillë".
Loni Llogori në "Drenovarja" shpalos një dialog dashurie mes djalit dhe vajzës,dialog intim i sinqertë,shprehje e hapur dhe pa drojtje e dashurisë drejpërdrejt nga djali ndaj vajzës.Por dashuria ka dhe shkallët e saj të moralit e të etikës së kohës."Në më do me nder si trim/Tek im atë aj të vesh/Më kërko dhe të më kesh...". Dashuria përfundon me martesën në marrëveshje me prindërit,martesa lumturohet me gazin që sjellin fëmija.Një "roman" në vargje i një dashurie të kohës së vet!
Në këngë të ndryshme ("Kremi leshkat","O moj korçare e bukur","Perëndeshë e bukurisë,"O moj ti me sytë e zinj") jepet në mënyrë lirike dhe piktoreske bukuria e vajzës korçare të emancipuar,që i pëlqen t' i këndojnë serenata,që del e stolisur bulevardit duke ndezur botën me bukurinë dhe nazet e saj...

Këto ishin dashuritë e para të qytetit tim,të kënduara në këngë dhe të botuara në tre librat që përmenda në fillim të këtij shkrimi.Ato janë dashuritë e një epoke më shumë se një shekull më parë,dashuritë e atyre brezave,që guxuan të parët t' i këndojnë botërisht dashurisë.
Brezave të rinj të shekullit tonë ato u duken të vjetëruara,romantike dhe,shpesh,platonike.
Sido që të jetë,ato mbeten dashuritë e para të publikuara të qytetit tim.Ato janë të veshura me magjinë e tyre të pavdekshme.Vetë fakti që këto këngë për këto dashuri këndohen dhe pëlqehen edhe sot,jo vetëm në qytetin e Korçës,tregon se ato janë ngritur në nivelin e një dëshmie autentike artistike dhe hedonistike të padiskutueshme,që dëshmon për shkallën e emancipimit të një komuniteti të tërë,ato janë bërë pjesë e kulturës,moralit,etikës,traditës kolektive korçare.Ato të bëjnë për vete me thjeshtësinë,sinqeritetin dhe pastërtinë e ndjenjës,me humanizmin e tyre,me guximin e shpalosjes së universit më intim të individit shoqëror.

Dhe me të vërtetë!
Në atë kohë kur në Korçë këndoheshin këto këngë erotike në rrugë,në dasma e gostira,Haki Stërmilli shkruante romanin mbi jetën tragjike të vajzës shqiptare me emrin Dija,së cilës s'i kishte mbetur asnjë rrugëdalje dhe shpresë,veç të klithte,duke rënkuar,"Sikur të isha djalë!" Kurse Migjeni shkruante novelën omonime "Të çelen akrapiat".
Vajza korçare këndonte,"jam,s' jam e mirë/dhe në jam e mirë/sheqer për bandillë".
Këto këngë mbeten një manifest shpirtëror i një rinie të emancipuar brenda moralit dhe etikës më të përparuar të kohës së vet.
Është e vërtetë se jo të gjitha këto vjersha apo këngë janë origjinale.Një pjesë e tyre janë përkthime ose përshtatje.Por kjo nuk e cënon aspak vlerën e tyre historiko-shoqërore dhe estetike.
Këta krijuesa ditën të qëmtojnë dhe të marrin dhe të përshtatin në gjuhën shqipe, nga krijimtaria e vendeve që i rrethojnë,më të përparuarën e më të bukurën.Këtë e bënë jo për snobizëm.Kjo ishte një kërkesë e tyre shpirtërore dhe e rrethit shoqëror ku ata jetonin.Kjo ishte një imperativë e kohës.Këtë ushqim shpirtëror e kërkonte brezi i tyre.
Këto krijime u bënë një armë efikase për të luftuar mentalitetin e vjetëruar e për të kultivuar një mendësi të re për jetën dhe për dashurinë,një moral dhe një etikë të re,të përparuar. Këto krijime e merituan popullaritetin dhe adhurimin jo vetëm të brezit të tyre.
Këta krijuesa mbeten kantautorët e parë të dashurive të qytetit tim,të Korçës së serenatave.Dhe,jo vetëm të Korçës.


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx