E shtune, 27.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Mendime për gjuhën standarde shqipe të një akademiku

E premte, 20.11.2009, 10:23 PM


MENDIMET PËR GJUHËN STANDARDE SHQIPE TË NJË AKADEMIKU

"(Rexhep ISMAILI: Na duhet një shqipe standarde për tri shtete)"*

Nga Ejup Ceraja

I nderuar akademik Rexhep Ismaili, mendoj se gjuha standarde, e cilitdo popull qoftë ajo, nuk hartohet për shtetin, po për kombin që e flet atë gjuhë... Në rastin konkret të kërkosh tri gjuhë standarde për kombin shqiptar..., them se nuk është e nevojshme. Madje, qofsha i gabuar në këtë, sikur akademiku ynë hera-herës del se kërkon jo tri gjuhë standarde, po gjashtë a shtatë të tilla, gjë që  është e pa justifikueshme... Pra, siç mund të nënkuptohet dhe të interpretohet, akademiku ynë i nderuar kërkon një gjuhë standarde për Shtetin shqiptar në Shqipëri, një gjuhë standarde për Shtetin e Kosovës, një gjuhë standarde për shqiptarët, që jetojnë në trojet e veta etnike në Maqedoni, një gjuhë standarde për popullin shqiptar, që jeton në Mal të Zi, një gjuhë standarde për popullin shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës dhe një gjuhë standarde për diasporën shqiptare, duke i përfshirë edhe arbëreshët e Italisë, por duke e lënë anësh, ndoshta, edhe krejt pa qëllim ose harresa ka ndërhyrë në mes, gjuhën çame të shqiptarëve të Çamërisë...

I nderuari akademik, mendoj, se gaboni kur kërkoni që Gjuha standarde shqipe të formohet edhe nga “të folmet”, por edhe nga “varietetet e saj”. Pse mund të thuhet kështu?... Mund të thuhet kështu sepse standardi i secilës gjuhë kombëtare, duke përfshirë brenda kësaj kornize edhe gjuhën tonë, formohet nga dialektet e përbashkëta të secilës gjuhë...  Edhe gjuha standarde shqipe është formuar nga (dy) dialektet e saj, duke përfshirë brendapërbrenda të gjitha të folmet e mundshme të atyre dialekteve, që mund të ngritën në normë të gjuhës standarde gjithëkombëtare.

Mendoj se akademiku ynë nuk është thelluar sa duhet në  thelbin e gjuhës Standarde shqipe, nëse na lejohet të shprehemi kështu, kur pohon se: “Duhet të kemi një shqipe që të gjithëve duhet t’u bjerë si këmisha e trupit, të mos jetë as e ngushtë, as e gjerë...” Po si mund të zbatohet një kërkesë e këtillë në gjuhë?... Edhe po të jenë dialektet, tok me të gjitha prurjet e tyre gjuhësore..., që e kanë aftësinë e të ngriturit në normë të gjuhës standarde, ashtu si pëlhura për qepjen e këmishës, nuk  mund të formohet një gjuhë e tillë standarde që t’u bie tamam të gjithëve pa dallim ashtu si këmisha e trupit që të mos jetë as e ngushtë, as e gjerë...? Zotëri akademik Ju kërkoni një “gjuhë standarde të përshtatshme...”, në njërën anë dhe “kërkesa të reja ndaj shqipes”, në anën tjetër, po leni mangët sqarimet a shpjegimet e nevojshme për kërkesa të këtilla (e kam fjalën për aty ku i kam marrë shënimet)...

Them se gjuha e sotme standarde mbarëkombëtare mund e duhet pa reshtur të pasurohet me prurje të reja nga fusha e lëmi të ndryshme me interes shoqëror nga të dy dialektet, të cilat i kanë të gjitha elementet e nevojshme për ta pasuruar dhe për t’u bërë pjesë e pandashme e gjuhës standarde mbarëkombëtare, si p. sh.: “Nëse në gjuhën standarde mbarëkombëtare thuhet, fjala vjen, u rrëzua, këtë thënie mund ta begatojmë me një shprehje frazeologjike të dialektit gegë mori në thue... etj. Por, siç shihet nga ky shembull, gjithnjë brenda kornizës tashmë të përvetësuar nga shtresat e shumta të të gjithë atyre që e kanë për detyrë  këtë”.**

Më tutje ju zotëri akademik pohoni se: “Maqedonia është një shtet i tretë ku kërkohet që shqipja të ketë një tjetër funksion.” Nuk është e qartë se ç’keni dashur të thoni me këtë zotëri akademik?... Pse gjuha shqipe në Maqedoni duhet të ketë një tjetër funksion?... Funksioni i gjuhës, mendoj, është i njëjtë kudo që ajo të përdoret...

Po çfarë nevojash të tjera duhet të kenë për gjuhën shqipe shqiptarët që jetojnë në: “pjesën e Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, arbëreshët dhe shqiptarët e diasporës që  të kenë nevoja të tjera për gjuhën shqipe”?... Pse kjo ndarje e panevojshme?... Shqiptarët (veçanërisht ata që e kanë gjuhën shqipe pjesë të profesionit të tyre jetësor) kudo që të jenë e të veprojnë, s’kanë nevojë për shumë standarde të gjuhës shqipe, por vetëm për një standard të ngritur në normë gjithëkombëtare.

Ju zotëri akademik, për habinë e ne të gjithëve, pohoni: “standardi i sotëm i shqipes nuk mund t’u imponohet shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, në Maqedoni apo në trevat e tjera shqiptare”. Ndoshta, nga kjo, len për t’u nënkuptuar, se edhe ju zotëri akademik i bashkoheni vargoit të atyre që  po kërkojnë një komb të ri kosovar e tok me te edhe një gjuhë standarde për at komb...

Them se nuk keni të drejtë kur pohoni: “standardi i sotëm i shqipes nuk mund t’u imponohet shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, në Maqedoni apo në trevat e tjera shqiptare”.

Pse po e them këtë?...

Po e them këtë për arsye se:

1. Ky standard i sotëm i gjuhës shqipe, mendoj, nuk është i imponuar as atëherë, as nuk imponohet sot. Po ky është rezultat i një marrëveshje gjithëkombëtare shqiptare. Dhe,

2. Duke u nisur nga Konsulta, që u mbajt në Prishtinë (nëse nuk më ka lëshuar kujtesa Konsultë e mbajtur në vitin 1968) dhe nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972, ku morën pjesë gjuhëtarë eminent për atë kohë: nga Kosova Akademik Idriz Ajeti, Akademik Rexhep Qosja, Prof. Latif Mulaku, Prof. Isa Bajçinca, Mr. Ahmet Kelmendi, Prof. Besim Bokshi; nga Maqedonia Prof. Petro Janura dhe Prof. Remzi Nesimi si edhe nga trevat tjera shqiptare... Pra, Drejtshkrimi i Gjuhës së Sotme Shqipe, pa marrë parasysh kohën kur u miratua dhe epërsinë e dialektit jugor – Toskë ndaj dialektit verior – Gegë, mendoj, se nuk ishte një imponim i drejtpërdrejtë, por një marrëveshje e të gjithë atyre, që për kohën ishin kompetent për një Drejtshkrim të tillë të Gjuhës Letrare Shqipe, që më vonë u titullua: Gjuha Standarde Mbarëkombëtare Shqipe ose shkurtimisht Shqipja Standarde, ose Standardizimi i gjuhës shqipe. Këtë konstatim timin e mbështesë, kryesisht, në konsultën e vitit 1968 të cekur më lart... Edhe pse, në mënyrë intime, atëherë kam menduar se, ndoshta, më mirë do të kishte qenë që për bazë të Gjuhës Letrare Shqipe mbarëkombëtare të ishte marrë elbasanishtja, që është, të themi shprehimisht, urë lidhëse e dy krye dialekteve të gjuhës sonë... Këndej pareshtur del si nevojë e përhershme që ta begatojmë gjuhën tonë Standarde me fjalë, shprehje e fraza të dialektit Gegë, që mund të përfshihen brenda Standardit të gjuhës sonë, po assesi, them, të mos tentohet në dy a më shumë standarde të gjuhës shqipe...    

Përfundim

“Në të dy tezat e fundit, mendimet “kërkesat e reja ndaj shqipes” dhe “prurjet nga të gjitha këto varietete” dhe ajo në një tezë tjetër se: “Ne nuk mund të jemi të verbër ndaj këtyre nevojave” janë mjaft dekurajuese dhe të papritura jo vetëm pse prej këtyre tezave nuk del diçka pozitive, por pse shqiptohen prej atij që më së paku është pritur”.***

Pra, i nderuari akademik Dr. Rexhep Ismaili, mendoj, se është obligim edhe i Juaj, si kompetent që jeni, ta mbroni atë që u arrit me mundin shumëshekullor të sa e sa brezave, duke përfshirë edhe përvojën jetësore 37-vjeçare të kësaj gjuhe, përkatësisht të këtij Standardi të përbashkët gjuhësor të mbarë trevave shqiptare dhe edhe të diasporës, gjithnjë duke e pasuruar me prurje të reja nga këto dy dialekte me fjalë a fraza, që e kanë mundësinë shprehëse të ngritjes në normë standarde të gjuhës sonë...  

______________

*) Përshtatje sipas tekstit të Mahmud HYSËS: “PËRSE SHMANGIE NGA SHQIPJA LETRARE”, GJUHA SHQIPE, nr. 1 – 2009, Prishtinë – 2009, faqe 11- konkretisht nga nëntitulli i këtij studimi faqe 16.

**) Fragment nga eseja SHQIPJA STANDARDE...

***) Mahmud  HYSA: Po aty, faqe 19.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora