E shtune, 27.04.2024, 08:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: "Le të jem unë Zamira..."

E enjte, 19.11.2009, 08:17 PM


Fragmente nga Tregimi: "Le të jem unë Zamira..."
 
Nga Pierre-Pandeli Simsia

.......................
Ishin ditët e para të shkollës. Nxënësit kishin hyrë në klasë. Donte edhe pak minuta të fillonte mësimi.
Zamira rrinte ulur në bankën e tretë, në rreshtin nga muri. Kishte hapur një libër dhe po e shfletonte. Papritur vjen dhe i ulet pranë një djalë simpatik, bjond e me trup të rregullt.
     - Ç'bën? - i thotë.
Zamira ngriti sytë; nuk foli dhe me një lëvizje të buzëve i la të kuptojë se nuk bënte gjë.
Djali bjond ishte ai, që e shihte shpesh dhe që ishte munduar disa herë t'i bënte shenja. Por, mosreagimi i saj, nuk i kishte dhënë mundësi djaloshit t'i fliste me shenjat mashkullore. Shikimet e tij, Zamirës i kishin rënë në sy që ditën e parë, kur kishin hyrë në klasë.
     - Nga jeni? - e pyeti djaloshi. - O, më fal! Nuk u prezantova; më quajnë Aurel, por shkurt më thërrasin Reli- dhe zgjati dorën për ta takuar.
     - Nga qyteti "X" - iu përgjigj, duke i zgjatur edhe ajo dorën.
     -  Jeni e ardhur në atë qytet? - tha Aureli, dhe e pa në sy i habitur.
     - Si e ardhur?
     - Domethënë... jeni vendase në atë qytet, apo...
     - Unë di, se edhe gjyshi im në atë shtëpi ku banoj unë sot ka banuar.
     - Jo, thash se... ndoshta babi yt... është ushtarak dhe e kanë transferuar atje.
     - Jo jo! Vendase jam në atë qytet... - tha dhe qeshi pak.
     - Është gjynah i madh te Zoti!
     - Pse?
     - Si pse? Gjithë kjo bukuri hyjnore, gjithë kjo vajzë... nuk di ç'të them; të jetojë në atë qytet?
Zamirës i pëlqeu ky kopliment. Buzëqeshi pak dhe, pa e lënë të mbarojë mendimin, e pyeti:
     - Po ti nga cili qytet je?
Aureli buzëqeshi, u mendua pak dhe tha: - Unë vij nga... qyteti bjond - dhe tha emrin e qytetit, - ku edhe qytetarët e tij, mendoj, se shumica janë bjondë. Një nga ata jam edhe unë, që kërkojnë shoqëri, miqësi me vajza si ju, simpatike, me flokë dhe sy të zinj.
Zamira nga ajo e papritur edhe pse u mundua, nuk e mbajti dot të qeshurën. Qeshën të dy.
     - Nuk janë shumë larg qytetet tanë - tha Aureli. - Dy orë me makinë. Mund të ulem unë këtu?
     - Këtu ulet një vajzë.
     - Mund ta ndëroj unë vendin me atë vajzën? Lejohet?
Zamira nuk foli; edhe asaj po i pëlqente që Aureli të ulej aty. Iu përgjigj përsëri me mbledhjen e buzëve.
     - Ky do jetë vendi im tani; do ta bisedoj vetë me atë shoqen  - tha ai. - Besoj se do më kuptojë...
Zamira ndjeu një afsh të ngrohtë t'i përshkonte trupin. Nuk i kishte ndodhur ndonjëherë të kishte kaq pranë një shok klase nga një qytet tjetër.
     - Ju, Zamira j'u quajnë? - e pyeti Aureli pa ia ndarë për asnjë çast shikimin.
     - Po! - tha ajo dhe buzëqeshi.
     - Zamira është emër i bukur, më pëlqen shumë. Rrallë ndodh tek njerëzit, që një emër i bukur t'i përshtatet edhe personit që e mban dhe që është po aq i bukur sa vetë emri i tij. Ti Zamira, i plotëson këto të dyja. Nuk e di... po ty emri im... si të duket?
     - Emri Aurel? Shumë i bukur është. Mua më duket se është emër i veçantë; edhe sikur njeriu që e mban atë emër të jetë në moshë të madhe, ky emër e tregon gjithnjë të ri!
     - Hmmm! Sa mirë unë, nuk do plakem kurrë. Do jem gjithmonë i ri!
Qeshën të dy.
.............................
Sapo u kthye nga Tirana, pasi kreu kursin për kuzhinere, Zamira u punësua menjëherë në restorantin e hotel turizmit të atij qyteti të vogël, ku ditët dukej sikur kishin të njëjtën ngjyrë dhe përsërisnin deri në hollësitë më të vogla njëra tjetrën. ... Jeta në qytetin e saj nuk po i pëlqente. Tirana e bukur dhe e zhurmshme i rrinte përpara syve, pothuajse çdo ditë dhe çdo kohë. "Këtu bëhet jetë mizerrje" - thoshte shpesh me vete. "Edhe drurët duken sikur janë të lodhur nga mërzitja dhe monotonia..." vazhdonte monologun e saj Zamira.
Pas lodhjes dhe mërzitjes së ditës, e vetmja gjë që e qetësonte, ishte çasti kur shkonte në shtrat për të fjetur. Mbyllte sytë dhe, menjëherë, shkonte me mendje, shpirt e zemër në Tiranën e bukur, duke jetuar në çdo rrugë dhe pjesë të saj.
Kështu e zinte gjumi, për t'u zgjuar sërish të nesërmen, atje ku rituali i përditshëm e monoton i jetës së saj do të vazhdonte me një ngulmim trallisës, ndërkohë, që ajo jetonte pjesën tjetër, fantazinë dhe përfytyrimin e lidhjes së mundshme me një djalë nga Tirana. Kjo ishte kryeëndra e saj. Kjo do të bënte që ajo ta sikteroste këtë palo vend, ku nuk ndodhte, thuajse asgjë dhe monotonia të gërryente nga brenda si mola. Kështu ajo ishte e ndarë në dy pjesë: pjesa që ajo vazhdonte të mbijetonte nëpërmjet ritualit të rëndomtë të vajtjeardhjeve punë-shtëpi, thjesht një ekzistencë natyrore dhe pjesa tjetër, trandeshentja, që lidhej me ëndrën e saj për Tiranën, e cila e pati magjepsur me shkëlqimin e saj llamburitës.
Ajo ishte në një moshë, kur vajzat janë në qendër të psiqikës dhe të shpirtit kërkues e aventuror të burrave
..................................
Nga Tirana kalonin tre herë në javë makina të mbuluara që shkonin në një fshat pranë, në bazat sekrete ushtarake.
Shoferët ndalonin dhe bënin një pushim të shkurtër në qytet... Shoferët frekuentonin të vetmin lokal serioz të qytetit, Hotel Turizmin... Ai që u dashurua shumë pas Zamirës, sapo e pa, kur ajo kaloi përmes restorantit, ishte shofer Lorenci. Edhe ai ishte djalë i pashëm. Flokët dhe sytë i kishte të zinj.
Në fillim Lorenci e pati të vështirë bisedën me të, sepse ajo u tregua serioze dhe e matur. Por, dalëngadalë u mësua me mënyrën e saj të rezervuar. Zamira u tregua e matur në çdo veprim dhe bisedë që bënte, jo si disa vajza, që, sapo shoferët tiranas u hodhën fjalët e para, menjëherë ranë në dashuri...
Njohja e Lorencit me Zamirën  shkoi drejt fejesës.
................................
Në stinën e bukur të verës, një fundjavë, Lorenci e mori Zamirën të rinte tre ditë në Tiranë ... Një natë para se ajo të nisej për në qytetin e saj, Lorenci mendoi të darkonin jashtë në një  restorant .
........  Nuk i bëhej të largohej nga Tirana, kur mendoi se të nesërmen do shkonte në qytetin e saj të vogël, ku bota rrotullohej rreth një bulevardi të amortizuar, dy kafeneve dhe thashethemet e radhës, e kapte mërzia. Dita e dasmës, kur do të ishte përgjithmonë në Tiranë, i dukej e largët, megjithëse donin edhe pak muaj të vinte ajo ditë, që mendonte, se do t'i jepte drejtimin e duhur jetës së saj.
... ..... Ata hynë në restorant. Tavolinat ishin plot dhe nuk gjeje vend për t'u ulur. Pritën sa u lirua një dhe, menjëherë u ulën në një tavolinë katër vendëshe, ku dritat e mëdha të lokalit ndriçonin vendin përreth tyre dhe sportelin nga ku kamarierët dilnin me pjata e kishin përballë.
Sapo zunë vend, Zamira nuk donte t'u besonte syve, kur një kamarier iu duk si::: "O Zot! Mos më thuaj se ai kamarieri atje është... Aureli! Të jetë ndonjë tjetër dhe t'i ngjajë kaq shumë? Ç'do këtu ky? Është punësuar?! O Zot i madh! Pse erdhëm sonte këtu? M'u thafshin këmbët mua sot! M'u thaftë goja, që s'i thashë Lorencit, të kishim shkuar diku, në një vend tjetër..
     - Ç'farë ke? - e pyeti Lorenci, kur pa që ajo ndryshoi menjëherë qendrimin dhe pamjen e saj. Ishte krejt e hutuar.. - Ndjehesh mirë? - dhe i kapi dorën.
     - Nuk kam gjë... por edhe sikur nuk po ndjehem mirë...
.................................
Aureli vazhdonte t'i shërbente klientëve të tjerë të ulur në tavolina të ndryshme.
     - Kamarier, - thirri Lorenci, kur ai kaloi pranë tyre.
Zamira me trupin të kthyer nga Lorenci, kishte mbështetur kokën mbi pëllëmbën e dorës dhe bërrylin mbi tavolinë.
     - Kamarier, - tha Lorenci, kur ai erdhi të marrë porosinë. - Si fillim na sill një limontaë për këtë vajzën, ndërsa mua më sill...
     "Qenka martuar në Tiranë kjo?" - tha Aureli me veten e tij, sapo u largua. Ndjeu mall, kur e pa. Shkoi tek sporteli dhe kur ktheu trupin i hodhi një shikim vjedhurazi. "Po ai djali kush do jetë, burri i saj, apo..."
Me pjatat në duar, shkoi tek tavolina e tyre. - Zamira, biftek viçi, që ju porositët, u mbarua; mund t'ua zëvendësoj me bërxolla dërri? - i tha ai Zamirës, pa e kuptuar edhe vetë, pse i foli në emër.
Zamira nuk foli. Lorenci pa kamarierin në sy, pastaj pa Zamirën...
Kamarieri iku dhe u kthye pas pak, me porosinë e Lorencit. Lorenci i shoqëronte me sy veprimet e tij. Herë shihte kamarierin e herë shihte Zamirën; ajo nuk fliste, vetëm rrinte me sytë ulur.
     - Njiheni ju të dy? - pyeti Lorenci Zamirën, kur kamarieri u largua.
     - Kush?
     - Kamarierin që na shërbeu, e njeh?
     - Jo! - tha ajo menjëherë.
     - Nuk e njeh fare?
     - Ajo mblodhi pak buzët.
     - Po ai të njeh ty?
     - Nuk e di!
     - Ai të foli me emër. Nga e di ai emrin tënd?
     - Edhe mua më bëri përshtypje, më duket se...
     - Se ç'farë?
     - Ndoshta ka qenë në shkollë me mua!
     - Në cilën shkollë?
     - Në kurs, këtu në Tiranë.
     - Ndoshta, apo keni qenë të dy në shkollë?
     - Nuk jam e sigurtë, por, m'u duk, si një djalë, që ka qenë me mua në kurs për guzhinier.
     - Nuk ka asgjë të keqe edhe nëse i flisje; aq më tepër, kur ai të dha të njohur. Ai të foli në emër ty.
Zamira nuk foli...
Unë përshembull kam shumë shoqe të ndryshme dhe nuk nguroj t'i përshëndes, pavarësisht, nëse ato shoqërohen nga bashkëshortët, vëllezërit apo të fejuarit e tyre, sikurse edhe ato nuk ngurojnë të më përshëndesin mua... Është tjetër gjë, nëse dikush nga xhelozia e penalizon partneren e tij, duke mos e lejuar të takojë askënd. Unë një gjë të tillë nuk e kam ndaluar tek ty, apo jo?
................
Kur treni u nis, nga dritarja e vagonit, Zamira e përshëndeti me dorë Lorencin. Edhe ai e përshëndeti, duke i bërë edhe shenjën e puthjes me dorë....
Hyri në një klub të vogël dhe porositi një dopjo konjak. Tymi i cigares që thithte, rrotullohej i mjegullt në hapësirën para fytyrës së tij. E thithi përsëri cigaren, duke vështruar tymin: "Rrotullohu tym, rrotullohu, se edhe mendja ime po rrotullohet, vërdallë po vjen tani. Ti s'ke faj, se tym je, po dhe unë, mos jam bërë më tym se ty tani, ë?"
Psherëtiu thellë. E ktheu për të fundit herë gotën e konjakut, që as vetë s'e mbante mend, se sa gota kishte pirë dhe u nis drejt restorantit, ku kishte darkuar një ditë më parë bashkë me Zamirën.
.................
     - Po ku je mor bir, ç'u bëre? - i tha e ëma, sapo Lorenci hapi derën e dhomës e hyri brenda. - Humbe gjithë ditën, na bëre merak. As për të ngrënë drekë nuk erdhe sot. Ku ishe, apo shkove andej...
     - Ku andej?
     - Po, menduam, se mos ike edhe ti me nusen...
     - Hë! Jo, mama! Humba vërtet sot, por bëra mirë që humba, se edhe duhet të humbja.
     - Duhet të humbje? S'po kuptoj ç'po flet.
     - Eh, mama... Sa gjëra nuk arini të kuptoni ju. - Lorenci tundi kokën. U çua. Lëvizi pak nëpër dhomë dhe u ul përsëri në kolltuk. E ëma po i shoqëronte me sy lëvizjet e tij.
..........
    - Uuhh! Më erdhi era e frymës tënde tani. Paske pirë shumë alkool sot!
     - Pse, po të dukem i pirë unë ty mama?
     - Nuk thash se je i pirë, por fryma të mban erë alkool.... Ç'farë pive, me kë ishe?
     - Hë! Me kë isha! Të gjitha i kam pirë mama, birrë, konjak, raki dhe, ta dish sa i fortë jam në pije, të gjitha i kam pirë pa meze.
     - Prandaj të mban goja erë alkool ty. Po me kë ishe, me kë pive?
     - Hë! Vetëm isha. Jo vetëm mama, joooo.Isha me atë - dhe tundi kokën. - Isha me ... ish burrin e të fejuarës sime; me ish dashnorin e Zamirës, mamaaaa!
E ëma e pa në sy habitshëm, por edhe qortueshëm. U çua nga ndenjësja ku ishte ulur dhe iu afrua. - Lorenc! Qetësohu njëherë, se s'di ç'po flet!
      - Unë di se ç'po flas mamaaaa, po ti nuk di se ç'ndodh. Eh mama, mama! Sa e drejtë je! Sikur të ishin të gjithë njerëzit, sidomos nuset e djemve si ti... eh, ku do ishim ne tani. Si është më mirë për ty mama, të kesh për nuse një vajzë të bukur nga rrethet, apo një vajzë të thjeshtë nga kryeqyteti? Për ty është më mirë një vajzë të mirë nga rrethet, se, nga kryeqyteti nuk e doje nusen ti... prandaj dhe unë ta solla.
     "Thonë, se njerëzit kur pijnë e nuk dinë se ç'flasin u del pija kur lahen, kur bëjnë dush" - mendoi e ëma. - Lorenc, futu njëherë në vaskë të lahesh, sa është akoma uji i nxehtë.
Lorenci qeshi pak dhe përsëri tundi kokën. - Mama, më tepër më vjen keq për ty, se sa për veten time dhe për Zamirën. Rri tani ulur këtu me mua e të bisedojmë. Dëgjoi me vëmendje këto që do të themë.
......................................
     - Domethënë, e vendose përfundimisht, që fejesa do prishet?
     - Jo e vendosa mama, por ç'do gjë mbaroi tani. Ia thashë të gjitha ato që kisha për t'i thënë.
.....................................
     - Dëgjo Lorenc! Mendohu edhe njëherë mirë, para se ta prishim përfundimisht këtë fejesë. Unë, që kur e pashë ditën e parë, më hyri menjëherë në zemër Zamira. Ajo ka edhe gojën e ëmbël; e dashur është. Ndoshta, flasin edhe nga inati njerëzit, ka plot njerëz të liq sot.
     - Mama! Njerëz të liq ka plot dhe mund të flasin me paragjykime, me shpifje, me trillime dhe, ndoshta edhe nuk u duhet besuar; por njerëzit që flasin me fakte, me fakte mama, edhe atyre nuk u duhet besuar? Nishani, që Zamira ka në rrëzë të kofshëve, në mes të shalëve... - foli i nervozuar Lorenci, - nishani mamaaaaaa, ç'farë është? Është një paragjykim, një trillim, shpifje nga një njeri i lig. Ç'farë fakti do më tepër ti mama, apo do të dish edhe se si Zamira...
     - Ih! - nxorri një klithmë e ëma dhe kafshoi buzën e poshtëme. Uli sytë përdhe dhe ndjeu rrahje të forta në zemër. Menjëherë përpara syve i doli Zamira e qeshur... "Nuk i kihet besë shumë edhe këtyre djallkave, vajzave sot" - tha me vete. U çua nga kolltuku dhe doli jashtë dhomës.
I ati po rrinte ulur në kolltukun pranë dritares. Deri atëhere nuk po fliste, vetëm dëgjonte. E shoqëroi të shoqen me sy kur doli jashtë. Nuk iu durua; u çua në këmbë dhe foli i nervozuar t; birit: - Mjaft më me këto fëlliqësira; nuk di ç'flet! Shumë e ke ç'thurrur gojën këto ditët e fundit. Nuk të lejoj!... Na vjen i dehur në shtëpi, na flet edhe për nishanrat... Të të vijë turp! Lëri budallallëqet dhe mendohu mirë. Këto që thua tani t'i kishe shoshitur më parë.
     - Kur më parë?
     - Atëhere, kur e dashuroje Zamirën. Mos ta kishe shpallur fejesën.
     - Nuk erdhi dikush tjetër atëhere të më thoshte edhe për nishanet dhe historitë e saj dashurore...
     - Mbahu te dikushi ti!
     - Po ku të mbahem, baba, te lotët e Zamirës?
     - Je i pjekur tani dhe duhet t'i kuptosh më mirë gjërat. Edhe nëse Zamira ka dashuruar një djalë dikur, ashtu siç po na thua ti tani, kur paska qenë nxënëse shkolle, nuk duhet të quhet gabim, as faj nuk duhet quajtur. Ajo është një fatkeqësi, që ju djemtë i mashtroni. E pafalshme për Zamirën do jetë, nëse ajo gabon tani dhe atëhere, kur të jetë nuse në këtë shtëpi.
     - Ajo s'ka për të ndodhur kurrë!
     - Kush s'ka për të ndodhur kurrë?
     - Që Zamira të jetë përsëri nuse në këtë shtëpi.
     - Ajo që mund t'i ketë ndodhur Zamirës, mund t'i ndodhë kujtdo vajze në moshën e saj të adoleshencës...
     - Po më vjen shumë keq baba, të paktën ti, s'duhet të gjykosh kështu në këtë mënyrë; të mbajnë edhe për inteligjent.
............................
     - Është faji im baba, se u mpleksa me një kurvë...
     - Të të vij turp! Turp i madh madje duhet të të vijë, po ta përsëris edhe njëherë, që më flet me këtë gjuhë tani...
     - Baba...
     - Ç'baba më thua? E harrove tët motër ti atëhere, seç hoqëm? Edhe ajo, në moshën e saj të shkollës ishte, në moshën e Zamirës. Ti ishe vetë ai, që shkove dhe u zure me atë... që jot motër e dashuroi kaq kohë dhe... sipas teje, po të kishte këto mendtë e tua tani dhëndri që kemi sot, do ta kishim në shtëpi akoma ne vajzën..
.............................
Zamira nuk e kishte menduar kurrë, që prishja e fejesës do t'i sillte shumë thashetheme dhe andralla në qytetin e saj ku banonte.
     - Antigoni...
     - Hajde...
     - Hë moj gra, këtu qenkeni mbledhur ju të gjitha tani?
     - Po ku je ti, ç'u bëre. Ne po të prisnim ty...
     - Lëre, lëre se ç'po vete! Morët gjë vesh ju?
     - Jo! Pse! Ç'ka ngjarë moj korbë?
     - Më duket, se e ka lënë ai atë...
     - Kush ka lënë moj, ç'farë ka lënë?
     - Çupën e Burbuqes, Zamirën, më duket se e ka lënë i fejuari.
     - Moj po... kështu kemi dëgjuar edhe ne, është e vërtetë?
     - Kështu thonë...
     - Patjetër, duhet të jetë e vërtetë...
     - Ëhë! Edhe unë s'ia kam parë në gisht unazën e fejesës Zamirës.
     - Në fakt, kanë kaluar dy të diela dhe s'e kemi parë dhëndrin tiranas të vijë...
     - E po... po e drodhe bishtin, kjo të gjen..
     - Jo moj, jo! Është çupë e mirë Zamira.
     - Eee, e mirë, e mirë, thua ti. Unë e kuptova që atëhere atë, sapo u kthye nga shkolla, nga Tirana, sa shumë kishte ndryshuar..
     - E shkreta Burbuqe, ç'e gjeti. I mbeti në derë çupa tani
     - E po, donte të martohej në Tiranë ajo...
     - Mua në fakt, në fillim, që kur e pashë, nuk më pëlqeu ai, Florenci...
     - Lorenci...
     - E ku di unë si e ka emrin ai, por të gjithë shoferët s'më pëlqejnë...
     - Shoferët janë dobiça, kurvarë...
     - Ç'deshi e zeza! I gëzoi bukurisë, Tiranës.
     - Le ta mbajë Tiranën mirë tani ajo...
     - Unë në fakt, e kisha kuptuar nja dy herë atë, dhëndrin. Ai këtej dilte për krahu me Zamirën, nga ana tjetër shikonte çupat e tjera, kur dilnin shëtitje...
     - Dëgjoni moj gra! Kot nuk të lë burri sot. Ai diçka duhet t'i ketë kuptuar asaj, ose...
     - Eh! E shkreta Burbuqe ç'e gjeti.
...........................................................
Jo vetëm diskutime, por, nganjëherë, ajo e ndjente veten, sikur po e poshtëronin. "Po, po! Ky është një poshtërim që po më bëhet mua."
     - Zamira, ka ardhur Sadiku. Nuk do dalësh ta takosh e ta qerasësh? - i tha e ëma, teksa Zamira po rrinte në dhomën e saj e po lexonte një libër.
     - E ç'të dal? Sikur është moshatar me mua ai.
     - Që të mos zgjatem Dhimitër, - filloi ndërkaq Sadiku - po ua them se ku është edhe qellimi i ardhjes sime sot tek ju.
     - Ti hajde sa herë të duash e kur të duash, i tha Burbuqja.
     - Prit njëherë moj grua, të dëgjojmë njëherë, pastaj foli, - ndërhyri Dhimitri.
Sadiku psherëtiu: - E bisedova edhe me gruan time dhe kemi menduar... Njeriu do ndihmuar. Kush miku, kush shoku, dikush duhet të bëhet i gjallë, të hedhë një gurë në lumë... Unë po e bisedoj njëherë me ju, po, bëhet, s'bëhet gjë, janë punët e Zotit ato.
Dhimitri dhe Burbuqja po e shihnin në sy vëmendshëm, prisnin se ç'farë do thoshte Sadiku.
     - Ju e dini, - vazhdoi Sadiku të flasë, - djalit të Arifit, Petritit, i vdiq gruaja para dy vjetëve. Djalë i mirë është, sa s'ka ku të vejë më, por fati i tij i zi; i iku gruaja nga një pakujdesi e mjekëve dhe i la pas dy fëmijë të vegjël jetimë.
Zamira nga dhoma e saj, u afrua pranë derës,e hapi pak, sa për të dëgjuar se ç'flitej matanë.
     - Me punë, me shtëpi është, vetëm një grua të mirë kërkon tani i gjori..
     - Sa vjeç është djali? - ndërhyri Burbuqja.
     - Jo, ka dy djem ai. I madhi, është, më duket... 8 vjeçë dhe ai tjetri, do jetë... pesë a pesë e gjysëm...
     - Jo jo, të pyeta për djalin, për Petritin - tha përsëri Burbuqja.
     - Të gënjej? Nuk e di mirë me saktësi, po... o 36 ose 38 vjeçë duhet të jetë; më shumë nuk është.
     "Zamira është 22 vjeçe" - mendoi Burbuqja.
Dhimitri nuk foli, vetëm po mendonte...
     - Neve në fakt, na dhimbset Zamira, nuk është çupë e keqe, paçka, se i ndodhi ajo...
Dhimitri përsëri po mendohej. Burbuqja mblodhi pak buzët, ndërsa po mendonte: "Është pak i madh në moshë me Zamirën..."
     - Nuk di ç'të them - tha Dhimitri - Për këto punë, duhen pyetur edhe të rinjtë sot...
     - Dëgjoni! Unë para se të vija këtu tek ju, fola edhe me djalin vetë, Petritin. E bisedova edhe me të atin, Arifin.
     - E ç'të tha Petriti?
     - Shumë mirë të ka shkuar mendja - tha. - Familje e mirë janë, njerëz të mirë...
     - Po për Zamirën, tha gjë?
     Jo, jo! Nuk tha gjë. Vajzë e mirë është - tha. - Nuk ka asnjë problem.
Zamira që e kishte dëgjuar të gjithë bisedën, mendoi njëherë të dilte nga dhoma e të hynte në dhomën tjetër, t'i zbraste të gjithë nervat e saja atij shkesi.
.....................................
Fjala "Lamtumirë" dhe zëri i Lorencit ditën e fundit kur ata u ndanë, Zamirës i rrinte si vëth, i varur në veshin e kujtesës. Megjithëse kishte kaluar njëfarë kohë, nuk e kishte të lehtë t'i shkëputej nga mendja. E donte, ndjente për të. Nganjëherë edhe i ndizeshin shpresat, sikur Lorenci një ditë do të vinte përsëri, do të harronte gjithë atë të kaluar disi të trishtë dhe ata të dy do të fillonin përsëri rindërtimin e jetës së tyre. E kishte marrë shumë malli. Ah, sikur vetëm njëherë ta shihte, qoftë dhe nga larg, vetëm ta shihte njëherë dhe nuk do të donte gjë tjetër nga kjo jetë! Por e gjitha kjo i dukej si një shpresë e pakthyeshme, një pamundësi.
- "Lorenci nuk ka faj. Faj ka ai, Aureli. Aureli që më donte dhe e doja! Apo kam unë faj? Edhe unë kam faj! Pse kam faj?! Sepse dashurova një djalë? Pse dashurova dhe një tjetër, vetëm e vetëm për të jetuar në kryeqytet? A mund të bëja tjetër gjë, në kushtet kur e drejta e njeriut për të qenë banore e kryeqytetit pengohet nga qindra ligje dhe psikoza shtetërore?! Ah, të drejtën për të jetuar në Tiranë nuk ma japin ligjet e shtetit ku jetojmë... Atëhere çfarë faji kam unë?! Pastaj unë e doja Lorencin, akoma e dua, madje dhe më shumë... Por...
Aureli u bë shkaktari i prishjes së fejesës sime...! Ky djalë i ri i vendit tim me ndjenjat e moshës dhe të rinisë së këtij vendi, me egoizmin dhe kryeneçësinë, si vetë moshatarët e tij, që rriten e jetojnë në këtë vend, që dashurojnë në këtë vend, që vrasin një dashuri dhe e groposin pa pikë delikatase në këtë vend, ku varrosen të gjitha gjërat e bukura.
E unë Zamira, një vajzë e këtij vendi, ish shoqja e tij, ish e dashura e tij, nuk paskam të drejtën të jetoj, të dashuroj, të ndërtoj jetën time, të ardhmen time, vetëm se paskam qenë e dashuruar më parë!? O Zot, ç'farë absurditeti! Ligji i Shoqërisë së këtij vendi ku unë u linda e u rrita, si pjesëtare e kësaj shoqërie të sëmurë, po më bën të ndihem dhe fajtore, thjeshtë për faktin se dashurova, qoftë dhe për hir të Tiranës! Po, po! Shoqëri e sëmurë! Një shoqëri, ku djemtë sundojnë mbi ne, vajzat e çarmatosura. Ne vajzat sot nuk kemi fuqinë, as forcën, as mjetin, të mbrohemi nga sulmet e djemve, sepse arma jonë e të qenit femër në këtë vend, nuk mundet dot të shkrepet mbi ata djemë, ish të dashurit,-ish të fejuarit tanë, sepse akoma nuk është arritur koncepti në vendin tim që një mashkull të ndjehet po aq i fyer para një vajze dhe, më tepër, kur është fjala për të dashurën apo të fejuarën e tij, sa ç'mund të ndjehet e fyer një vajzë para një mashkulli, kur kanë dashuruar më parë.
Cili djalë sot ndjehet i fyer para të dashurës, të fejuarës apo edhe bashkëshortes së tij për dashuritë e tija para martese?! Përkundrazi, ndjehet superior dhe mburravec.
Unë sot në shoqërinë që më rrethon ndjehem një vajzë e ulët, imorale, një grua e ndarë nga i fejuari i saj, pavarësisht se cilët janë kushtet dhe arsyet e kësaj ndarje, një vajzë që më ka mbuluar turpi, një vajzë që më përgojojnë kur kaloj në rrugë, ... një vajzë ... që jeton në një qytet të vogël, ku egoizmi dhe thashethemet janë biseda e parë e ditës. Unë jam një vajzë që ndihem keq dhe me veten time, për hir të një flirti rinie, një dashurie të mbetur në rrugë, një fejese të pakonsumuar, një ëndrre që u kthye në zhgjëndërr! Pse, kaq pak vleka dashuria dhe jeta, sa të mbetet vajza peng i një historie ose i disa historive që i kanë ndodhur në kërkim të lumturisë?
Le të jem unë Zamira, viktima e radhës e kësaj shoqërie të sëmurë e këtij sistemi, ku më mohohet e drejta e të dashuruarit, e të jetuarit, e të banuarit në kryeqytetin e atdheut tim...
Le të jem unë Zamira, viktimë e kësaj shoqërie, mbeturinë e ndërgjegjes së njerëzve të sëmurë... Po a meritoj këtë fat!? Sidoqoftë... Le të jem unë Zamira...!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora