Kulturë
Shefqet Dibrani: Metafizika filozofike e poezisë moderne
E premte, 20.11.2009, 08:01 PM
Poezia e Rainer Schulte
METAFIZIKA
FILOZOFIKE E POEZISË MODERNE
Rainer Schulte, “ORA E PAQES”,
poezi, botoi Shtëpia Botuese
“Marinaj Publishing”, Dallas. Frankfurt. Tiranë 2005, faqe 104. Përktheu Gjekë
Marinaj.
ISBN 0-9728521-3-1
Shkruan Shefqet DIBRANI
Poezia e Rainer
Schulte-s, (Rajnër Shollta), është poezi tipike e mendimit të thellë,
përkatësisht poezi e logjikës. Nëse thuhet se gjuha gjermane është “gjuhë e
logjikës!”, atëherë mund të shprehemi se poezia e Schulte-s ka logjikën si
synim parësor. Po ashtu dihet se atdheu i këtij poeti, Gjermania është trualli
që ka rritur filozofë e shkrimtarë të mëdhenj, kurse ndikimi i filozofisë dhe i
letërsisë gjermane historikisht është i pranueshëm, sepse shumë filozofë e
shkrimtar të njohur gjerman ndihmuan në formimin e filozofisë dhe letërsisë
perëndimore, dhe pa dyshim edhe te poeti Rajner Schulte.
Prandaj mund të konsiderojmë se në vazhdën e konkurrencës filozofike nuk kanë
mbetur mbrapa edhe zhvillime e tjera kulturore, veçmas konceptet letrare,
ku shkrimtarë të tërë kanë bërë nam dhe kanë lënë famë në këtë fushë, duke e
pasuruar literaturën gjermane me vepra që kanë pasë ndikim të pashmangshëm edhe
në rrjedhat e letërsisë Evropiane dhe më gjerë. Në kuadër të kësaj gurre të
pasur, (edhe pse jo ndoshta i këtyre përmasave?!), në planin letrar e
shohim tërë krijimtarinë letrare e poetike të Rainer Schulte-s, (gjermanit
të amerikanizuar sipas gjuhës së re moderne), i cili që prej shumë vitesh
jeton në Dallas të Texasit.
Ai është
redaktor i njohur, profesor universitar dhe drejtues i Institutit Goethe pranë
Universitetit të Teksasit në Dallas (UTD). Janë këto disa nga vlerësimet që na
shtyjnë për të besuar se koncepti i poezisë që ai krijon, sikur ka marrë
konotacione të poezisë me një logjikë filozofike, ku poeti me sukses ka
provokuar mendjen e lexuesit duke e detyruar atë të mendoj për mesazhin, idenë
dhe porosinë filozofike që përcjell poezia si tërësi tematike e motivore.
Si duket forma
e lënies pezull të një koncepti a mendimi poetik, sikur ka për qëllim të nxit
lexuesin për ide të reja, që atë ta kthen në një mendimtar, ose së paku Schulte
ka për qëllim që të edukoj lexuesin si një vëmendje e arsyeshme, që mendimi i
tij të jetë sa më racional dhe më i kompletuar drejt zbërthimeve të nocioneve
teorike në njërën anë, kurse në anën tjetër më duket sikur ai, qëllimisht e ka
lënë të hapur mundësinë e interpretimit të dyfishtë në poezinë e tij.
Poezia e
Schulte-s (sa do që ai jeton në Amerikë), ka një ngjashmëri me poezinë e
sotme gjermane, dhe ky vend sikur ia ka bërë shtratin e shplodhjes dhe kthimin
në origjinën kah është nisur, prandaj poezia e këtij autori për shumë arsye
është krejt afër të asaj që i thuhet sot: “poezi moderne gjermane”.
Ky eveniment
Schulte-n e bënë një personalitet të shquar të poezisë dhe letërsisë në
përgjithësi, sepse ai sikur ka marrë të gjitha vlerat ekuivalente që i ka gjuha
dhe kultura gjermane, dhe ato vlera i ka sendërtuar si arritje në vendin
e ri ku ai po kalon pjesën më produktive në fushën e artit, muzikës e
letërsisë, duke u bërë një emër i njohur në letërsinë amerikane. Ai, tashti me
krahë hapur e ka pranuar edhe misionin e ndërmjetësuesit, përkatësisht
përfaqësuesit kulturor, në mes dy botëve të mëdha letrare, filozofike, muzikore
e kulturore.
Poezia e Rainer
Schulte-s e përfshirë në përmbledhjen poetike “Ora e paqes”, vjen në gjuhën
shqipe nën përkthimin e kujdesshëm të Gjekë Marinajt i cili sikurse Schulte
mëton të luaj rolin e ndërmjetësuesit kulturor në mes dy popujve e dy
kulturave. Marinaj ka kryer një mision në dobi të kulturës shqipe kur ka
përkthyer me kaq kujdes këtë poet të njohur jo vetëm në hapësirën amerikane,
por edhe në atdheun e tij, në Gjermani dhe me gjerë.
Simbolika e
poezisë së Schulte-s jo rrallë duket e thjesht, ashtu sikurse edhe vargu i tij
poetik. Por kjo simbolikë, kaq e tejdukshme dhe ky varg kaq depërtues e bëjnë
këtë tip poezie më të pranishëm, me shije kualitative dhe me një mesazh mbase
të qartë.
Si duket
Schulte më shumë i ka kushtuar rëndësi metaforës, megjithatë kjo formë poetike
e ka një estetikë specifike dhe ka një sintaksë gjuhësore të pasur e cila (sigurisht
është meritë edhe e përkthyesit), vjen në gjuhën shqipe me një interpretim
tejet logjik dhe me nocione të kuptueshme letrare.
Sigurisht
eksperienca e madhe që ka Schulte në fushën e përkthimeve, shkollimet e shumta
akademike, përvoja profesionale, qoftë si redaktor i revistave me ndikim, a si
pedagog universitar i kanë shërbyer atij të nxjerr një varg të kursyer, por që
jep mesazhe e porosi filozofike mjaftë të mëdha, siç i ndeshim në vargjet e
poezisë që po citojmë:
LOJË ME FJALËT
Si fëmijë
luaja me
guralecë në rrugë.
Tani
luaj me fjalë
në fletë
të cilat
përfundojnë duke luajtur me mua.
Faqe 11.
Vetë krijimi i
raporteve me rrethin jetësor ekzistencial dhe lidhjet e këtyre raporteve qoftë
me ndikime filozofike a të jetës në atdheun e tij, kanë bërë që metafizika e
tekstit të poezisë së Schulte-s t’i shërbej përvojës gjithënjerëzore, dhe që ka
si tendencë të zbuloj thelbin e konceptit të tij nga thellësia e mundshme
e dijeve dhe kulturës filozofike që ai si poet e kultivon. Pastaj lidhjet
e tij për shoqërinë dhe emancipimin shoqëror sikur janë një preokupim i
vazhdueshëm i këtij autori i cili edhe për kundër begative që ia mundëson
Amerika, (pa ia mohuar vlerat edhe atdheut të tij), ai vazhdimisht shqetësohet
kur bota ka kriza, e shoqëria njerëzore përballet me skamjen dhe varfërinë. Si
poet që është, vazhdimisht “vret vetën/ që të ringjall poezinë”, dhe nga
kjo klithmë e turbullt “Ankthet e tija (mia) shtyjnë/ faqet e
pagjuma/ të orëve të pasosura/ në thellësinë e natës”, (faqe 15).
Tipi i poezisë
së shkurtër është një prirje e këtij autori i cili falë talentit dhe kulturës
së gjerë poetike, poezinë e bënë të panevojshme që të shkruhet më gjatë siç e
kemi rastin ta zëmë te poezia “NË LIBRA”:
NË LIBRA
Në libra
ne kërkojmë
jetën
që nuk e kemi
jetuar.
Faqe 17.
Ky mendim kaq
filozofik, dhe ky mesazh kaq impresiv që e përcjell poezinë janë tipare poetike
që e ndeshim edhe në poezinë e sotme moderne gjermane e evropiane, ku mëtohet
të arrihen dhe të thuhen gjithë ato që kanë për t’u thënë, me vetëm pak fjalë.
Por jo gjithmonë ky lloj poezie do ta ketë efikasitetin e vet ashtu siç e
ndeshim te poezia e Schulte-s që cituam më parë.
Në disa nga
poezitë e R. Schulte-s gjejmë edhe një lloj ironizimi që ai u bënë fenomeneve a
individëve, dhe ato mund të dalin edhe si lloj citatesh që kanë mesazh e
kuptime të mëvetësishme: “Durimi thyhet nga procedura/ jo nga substanca”,
“Mos thuaj se koka juaj/ është fryrë nga ide të mëdha”, “Natën/ pena ime merr
një sy gjumë/ në faqet e bardha”, “Shenjat në qiell bëhen më pak të kthjellëta”,
etj.
Por gjithsesi
elementi psiko-filozofik është më i dukshëm, dhe këtë e gjejmë te vargjet e
fundit të poezisë “Jetë nate”, e cila më shumë se çdo gjë tjetër,
plotëson kuptimin e nocionin për të cilin po flasim:
Meshtarët
tepër të dobët
të lakuriqësohen
fshihen mbas
mëkateve
të fetarëve.
Ata nuk kanë
njohur kurrë uri
në gjakun e tyre
dhe nuk kanë
dëshirë
ta kthejnë ujin
në verë.
Faqe 57.
Janë raportet e
poetit me shoqërinë, që e kanë bërë atë si një vrojtues të suksesshëm të fenomeneve,
dhe si poet gjithherë është në përpjekje t’i ndryshoj ose sadopak të ndikoj në
këto ndryshime:
LODHJE
Jam lodhur
nga njerëzit e
lodhur.
Ata ecin më
ngadalë
se dielli në
mesditë.
Faqe 67.
Pikërisht mbi
këto parime sa fisnike po aq humane ai mëton të shtoj dinamizmin e jetës mbi të
cilat ndërtohet poezia e këtij autori. Një bllok tjetër i temave dhe ideve në
poezinë e Schulte-s ka për bazë humanizmin kulturor dhe njerëzor. Poezia “Të
vrasësh në emër të fesë”, është një dimension i këtij koncepti, duke e
bërë autorin ndër zërat më përparimtar që ka humanizmi i sotëm letrar në njërën
anë, dhe në anën tjetër shfaqet protesta më njerëzore dhe intelektuale që e
bënë një poet, ndikimet e të cilit kanë prekur brigjet e dhembjes jo vetëm të
dy kontinenteve por të globit si tërësi.
TË VRASËSH NË
EMËR TË FESË
Në emër të
fesë,
ata torturojnë
tokën
dhe shuajnë
këngët
e gjinkallave.
Në emër të fesë
ata kthejnë
lumenjtë
në gjak.
Në emër të fesë
ata kryqëzojnë
fjalët
të përligjin
gjenocidin e madh.
Në emër të fesë
ata dërgojnë
qilima bombash
në xhamia dhe
muzeume.
Në emër të fesë
ata vazhdojnë
të vrasin
pa fund.
Faqe 89.
Në këtë shënim kritik,
nuk është e gjitha ajo që mund të thuhet për poezinë e këtij libri e aq më pak
për gamën e madhe të tij krijuese. Megjithatë këto mbresa sipërfaqësore le të
mbeten vetëm si një lexim i kujdesshëm, dhe një interpretim racional i poezisë
së tij, me shpresë se saktësia e vërtetë e këtyre interpretimeve mbetet vet
poezia që është përmbledhur te vëllimi poetik “Ora e paqes”, i bindur se
krijimi i Schulte-s është një poezi komplekse e shkruar me ndjenja dhe pasion
të veçantë, duke e bërë atë emër të dalluar në kuadrin e poezisë së sotme
gjermano-amerikane.
Kanë (Cannens),Francë, korrik
2009.
Shefqet DIBRANI
SHËNIME PËR AUTORIN:
Rainer Schulte është poet, përkthyes, dramaturg, eseist dhe kritik i
letërsisë bashkëkohore ndërkombëtare. Ai ka të botuar një varg librash me
poezi, pastaj libra e studime mbi artin dhe artin e përkthimit, studime
kritike, si dhe për mënyrën e përkthimit dhe të interpretimit.
Gradën
shkencore të docentit Ph.D. në Letërsinë Krahasuese e ka marrë në Universitetin
e Michigan USA. Më parë Schulte ka studiuar për filozofi në Universitetin
Gutenberg ne Mainz, ka kryer studimet për master në piano në Akademinë e
Muzikës në Darmstadt. Hulumtimet e tij përfshijnë studimet në fushën e
gjuhësisë që i ka bërë në atdheun e tij Gjermani, pastaj edhe në Francë, Itali,
Spanjë, dhe Meksikë. Shulte ka përkthyer vepra të poetëve dhe shkrimtarëve
bashkëkohor nga gjermanishtja, frëngjishtja dhe spanjishtja.
Ai ka redaktuar
disa antologji të letërsisë bashkëkohore ndërkombëtare dhe ka shkruar studime
të shumta mbi artin dhe teoritë e përkthimit letrar. Është drejtor i Qendrës
për Studime dhe Përkthim, redaktor i revistës “Translation Review”, që e
ka themeluar në vitin 1978. Po ashtu Schulte është edhe bashkëthemelues i
“American Translators Association Literary”, (ALTA).
Rainer Schulte
është profesor i Arteve dhe shkencave Humane në Universitetin e Teksasit
në Dallas (UTD), dhe ushtron edhe një varg detyrash akademike si
profesori i përkthimit letrar, letërsisë botërore, studimeve ndërdisiplinore
dhe i komunikimit ndërkulturor.
Për më tepër,
Rainer Schulte konsiderohet si njëri ndër ekspertët më të mirë në fushën e
përkthimit artistik letrar.
R. Schulte
jeton në Dallas të Amerikës.