E marte, 30.04.2024, 01:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Maia Morgestern, rrëfehet Maria, nëna e Krishtit

E marte, 01.09.2009, 06:52 PM


Nga Fatmira Nikolli

Ajo është një rumune me origjinë hebre. Është mbesa e një prej viktimave të Aushvicit famëkeq. Por historia e familjes së saj nuk ndalon vetëm në shekullin 20. Maia është edhe Maria e virgjër, ndaj Morgenstern është edhe në shekullin e parë, edhe në të 20-in, edhe në të 21-in. Kush do ta imagjinonte se nëna e Krishtit do të ishte një rumune? Kështu, ajo është nëna më e famshme në botë, por edhe më e përgojuara. Maia Morgenstern është aktorja që interpretoi rolin e Marisë në filmin “Passion of Christ”, me regji të Mel Gibson. Në pamje të parë është një grua që të imponon respekt. Në qafë mban Yllin e Davidit. Jo vetëm rrënjët e kësaj gruaje janë në popullin e Izraelit. Atje është edhe zemra e mendja, sepse Maia e ndjen veten të tillë. Për të, nëse nuk ndihesh, nuk je. Afrohet e qeshur dhe e dashur, e ndërkaq, në sy ka një shkëlqim origjinal. Vjen me hapa të lehtë. Biseda do të vijojë e lirshme. Herë-herë të krijon përshtypjen se ke vite që e njeh. Jo më kot thonë që pamja të gënjen. Është hera e parë që vjen në Durrës e megjithatë, ka lexuar dhe di shumë rreth tij. I pëlqejnë vendet e lashta, dhe amfiteatri antik i Durrësit nuk bën përjashtim. Ajo na rrëfen jetën e saj, dhe gjërat më të shtrenjta që ka. E fillon tregimin e saj që nga festivali i filmit që u mbajt në qytetin bregdetar, për të vijuar më tej tek bota e kinemasë, vështirësitë e “kamerës” lindore, duke ndaluar tek kryeroli i saj si nëna Jezusit të Nazaretit, tek tre fëmijët e “tjerë” të saj, origjina hebre dhe “mallkimi” që i ndoqi këta të fundit në shekullin e 20-të, domethënia e mbiemrit të vet e deri tek miqësia me aktorët shqiptarë. Ajo na ndihmon ta zbulojmë, duke zbuluar misteret, sqaruar dyshimet dhe rrëfyer vetveten.

Erdhët në Durrës për Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit. Si ndiheni dhe ç’do të thotë kjo ftesë për ju?

Është hera e parë që vij në Durrës. Më pëlqen ky qytet, është kaq prekës e kaq impresionues. Mbi të gjitha më pëlqen shumë Amfiteatri Antik. Di që amfiteatri i përket shekullit të dytë të erës së re dhe që është amfiteatri më i madh në rajon. Vlera e tij ra kur Perandoria romake i ndaloi dyluftimet mes njerëzve me njëri-tjetrin, si dhe me kafshët. Më pëlqejnë gjërat antike, gjërat e mira dhe jo të mira që vijnë nga lashtësia. Jam impresionuar edhe nga njerëzit që merren me organizimin e këtij festivali. Mbi të gjitha më bëri përshtypje insistimi që ata patën për të më marrë mua këtu. Edhe Rumania pati një film në konkurrim. Është një festival ambicioz dhe më vjen shumë mirë kur i shoh njerëzit të përpiqen kaq shumë për të bërë diçka kaq të bukur. Më vjen mirë kur përpiqen kaq shumë, që të kenë një jetë kulturore të pasur. Ata kanë bashkuar në këtë festival gjëra mjaft të bukura, filma të mirë, shumë njerëz të artit e kinemasë dhe kjo është për t’u admiruar. Nga bisedat që kam bërë, kam kuptuar se sa e vështirë është ta bësh këtë punë. Është e vështirë të marrësh dhe të sjellësh këtu gjithë këta producentë e kineastë. Në vendin tonë shumë evenimente të këtij lloji bëhen me shumë pak para.

A ndodh kjo në Rumani?

Po, ndodh edhe atje. Mendoj se po, sepse unë nuk e di me saktësi se sa para mund të marrin për të realizuar projekte të kësaj përmase. Unë mund të them se do të ishte shumë mirë nëse do të kishte akoma më shumë festivale të këtij lloji. Sigurisht, ne nuk mund të pretendojmë të arrijmë apo të jemi në nivelin e festivaleve të tilla si “Kana” apo “Venecia”, sepse të arrish nivele të tilla është akoma ëndërr, por është mirë që përveç atyre, të ketë edhe këto “zjarre” të vogla të shpërndara në vende të ndryshme. Është e rëndësishme që vende si Rumania dhe Shqipëria të sjellin kultura të tjera në vendet e tyre, e po ashtu, t’iu shfaqin të huajve kulturën tonë. Është e rëndësishme që ata të tjerët ta dinë që ne ekzistojmë, se ne bëjmë filma dhe festivale, se ne prodhojmë art. Ne jemi vërtet ishuj të vegjël që kemi përpara kulla të larta, por ne duhet t’iu kërkojmë të tjerëve të vijnë tek ne, dhe të shkojmë edhe ne nëpër festivale.

Është e vështirë që aktorë nga vende si Shqipëria apo Rumania të shkojnë në Hollivud. Megjithatë, ju ia keni dalë...

Le të themi që unë nuk kam ikur në Hollivud, por thjesht kam interpretuar në një film hollivudian. Unë jam zgjedhur nga Mel Gibson, një regjisor filmi që është edhe aktor, të luaj një rol në një film hollivudian. Kam qenë me fat, sepse drejtori i kastës ishte i interesuar që të njihte dhe të dinte se çfarë ndodh në kinematë dhe teatrot e vendeve të vogla, të vendeve të Evropës Lindore. Ai njeri ishte i interesuar t’i njihte të gjithë deri në detaje. Shihte filma jo vetëm në vende ku kinemaja ishte traditë, por edhe në vende me kinema “ta panjohur”. Nuk shkonte vetëm në festivalet e mëdhenj e të klasit të parë të filmave, por edhe në festivale të vogla. Interesohej dhe gërmonte gjithnjë e më thellë. Kështu, ai më takoi mua, e pëlqeu punën time interpretuese dhe pasi takova Gibson, më zgjodhën. Nuk bëra kinoprovë, thjesht panë punët e mia.

Jo vetëm në Perëndim ka talente, por edhe në Lindje...

Kështu më thanë edhe mua. Ka pasur raste që më kanë thënë, ajo është e talentuar edhe pse është nga Rumania. Unë e dija opinionin e tyre dhe qeshja.

Një ndër rolet që ju bëri ju të njohur në botë, ishte ai Marisë, nënës së Krishtit tek “Pasioni i Krishtit”. Ç’do të thotë të jeni Maria?

Ka qenë një rol shumë i rëndësishëm. Ne kemi punuar shumë për atë film. Nuk e kam menduar shumë, që unë po luaj një rol që ka të bëjë me një besim fetar, domethënë jo nga pikëpamja fetare, por nga një pikëpamje e thellë, e përgjithshme e një qenieje njerëzore. Në këtë mënyrë kam menduar më shumë, ç’do të thotë të jesh nënë në përgjithësi, pa menduar le të themi në gjuhë figurative ngjyrën e syve apo të lëkurës, apo besimin fetar. Unë isha një nënë që po humbja tim bir. Pak rëndësi kishte për mua si aktore nëse im bir ishte Krishti apo dikush tjetër. E rëndësishme ishte që ai qe im bir, dhe unë po e humbja. Këtë kam menduar gjithë kohës, dhe them se ia kam dalë mbanë shumë mirë.

Cila qe gjëja më e vështirë për ty në atë film? Çfarë të lodhi më shumë gjatë xhirimeve apo përpara tyre?

Kam interpretuar në gjuhën aramaike, që është një gjuhë jo shumë e ndryshme me gjuhën e hebrenjve, por në fakt nuk janë edhe shumë të ngjashme. Problemi ishte se unë nuk flisja hebraisht, dhe më është dashur ta mësoj aramaiken, e pastaj në një gjuhë “të panjohur” kam shprehur emocionet dhe dhimbjen time si nënë. Duke qenë se shumica e aktorëve nuk e fliste këtë gjuhë, dhe të gjithë e mësuan për rolin, e filluam në pikën zero. Ne u takuam aty dhe mësuam gjuhën aramaike. Pra ishim në të njëjtën pikë fillestare.

Ju jeni nëna e tre fëmijëve. Na flisni pak për familjen tuaj.

Jam nëna e një djali dhe dy vajzave. Fëmija më i madh është djali. Tudor Aroon është fëmija im i parë dhe ka filluar të studiojë për aktor, dhe po punon shumë në këtë fushë. Kam një vajzë 10-vjeçare që quhet Eva Lea Kabiria, ndërsa vajza e vogël është vetëm gjashtë vjeç. Kur po xhironim skenat e filmit “Pasioni i Krishtit”, unë isha shtatzënë. Fëmijët janë të gjithë në shkollë dhe mësojnë shumë. Ndërsa im shoq është neurokirurg.

Pse fëmijëve iu ke vënë këta emra?

Shumë vetë më kanë pyetur përse vajzës ia kam vënë emrin Eva Lea Kabiria, dhe nëse emri vjen nga “Netët e Kabirias”, por jo në fakt. Prindërit e mi kanë qenë matematicienë që të dy. Ata kanë pasur një kolege, një zonjë të mrekullueshme që ishte matematiciene e shkëlqyer, e cila qe një grua e zgjuar dhe inteligjente. Mua më pëlqente shumë emri dhe vendosa t’ia vija vajzës sime nëse do të kisha një të tillë, që kur nuk isha martuar. Për sa i përket pjesës Eva Lea të emrit, këtë e vendosa sepse ishte emri i gjyshes sime. Në fakt, Kabiria, nga fjala Kabir, në gjuhën aramaike dhe në atë arabe, është një atribut i hyjnores dhe i bukurisë.

Ju jeni hebre, megjithatë jetoni në Rumani. A i ruani traditat e hebrenjve?
Kemi parasysh se edhe emrat e fëmijëve janë hebre...

Ne kemi shumë tradita, dhe unë jam një grua hebre, e rritur në Rumani dhe jam qytetare rumune. Jam e rritur me kulturën rumune dhe jam krenare të them se punoj në Teatrin Kombëtar të këtij vendi. Mund të them edhe se jam krenare që të jem pjesë e kulturës rumune, por unë i mbaj dhe i ruaj traditat e mia për aq sa kam mundësi. Nuk kam frikë dhe as turp. Siç ju e dini, jeta për hebrenjtë nuk ka qenë e lehtë. Të jesh hebre nuk ka qenë e thjeshtë, as në fillim, as në mes dhe as në fund të shekullit të 20. As komunizmi nuk ka qenë i dashur me ne. Është një mbrojtje e mirë të jesh vetvetja. Është mbrojtje të jesh vetvetja, të jesh e ndershme dhe besnike ndaj vendit tënd dhe në të njëjtën kohë të jesh ajo që je. Duhet t’i mbash traditat nëse ke dëshirë dhe nëse e ndjen që duhet ta bësh. Ka shumë njerëz që janë hebrenj, por ose nuk iu pëlqen kjo, ose nuk duan t’ia dinë. Nëse nuk do të jesh, nëse nuk ndihesh si i tillë, nuk je. Nëse fshihesh, nuk je. Të jesh hebre, nuk është sëmundje sekrete.

Të qenit hebre ju bën ju të mbani në qafë Yllin e Davidit?

Po, kjo është arsyeja pse e mbaj me vete Yllin e Davidit.

Mbiemri juaj është Morgenstern. Kam lexuar në disa media të huaja se këtë mbiemër ua ka “vënë” Mel Gibson kur ju interpretuat Marian, duke qenë se domethënia e tij është lindja e diellit. Cila është e vërteta e mbiemrit tuaj?

Morning Star - Morgernstern, ylli i mëngjesit. Ky është mbiemri im, e këtë kam pasur gjithmonë. E kam trashëguar nga familja, nga prindërit e mi. Nuk e di se si e ka prejardhjen ky emër, apo përse është i tillë, por ky ka qenë mbiemri që kanë pasur edhe gjyshërit e mi. Unë nuk jam shumë e lidhur me kulturën hebre, që të di domethënien ekzakte dhe arsyen pse është ky mbiemër. Unë kam bërë këtë film dhe me mua kanë interpretuar edhe aktorë të tjerë nga vende të ndryshme. Nuk ka të bëjë mbiemri me rolin tim tek filmi i Mel Gibson. Kam pasur kolegë aktorë që interpretuan aty e që ishin me origjinë nga Afrika e Veriut, nga Maroku dhe Algjeria. Privilegji i vetëm i këtyre të fundit ishte se e njihnin disi gjuhën aramaike. Kjo, sepse gjuhët e tyre kombëtare ishin mjaft të ngjashme me aramaiken. Nuk e mora këtë rol për shkak të besimit fetar. Këtë rol e mora për shkak të dramaticitetit që unë përcjell si aktore, për shkak të lojës sime si pjesë e artit të aktrimit.

Jeni vlerësuar me shumë çmime në karrierën tuaj...

Po, kam marrë disa prej tyre. Janë vlerësime që më bëjnë të ndihem mirë. Vetëm kaq. Por këto janë kohë të shkuara. Ju njiheni mirë me Margarita Xhepën, aktoren shqiptare, dhe keni një respekt të madh e të ndërsjellë për njëra-tjetrën. Si lindi miqësia juaj? E dua shumë dhe e respektoj si aktore. Kemi punuar së bashku për një projekt teatror ballkanik, me titullin “Besa”. Ky qe një projekt i iniciuar nga një regjisor mjaft i mirë grek. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme me Margaritën dhe ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë bashkëpunimi me të. Kemi punuar shumë për të zbuluar kulturat e njëra-tjetrës, e vendeve tona respektive, në mënyrë që ne të interpretonim më mirë rolet tona. (Gazeta Shqiptare online)



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora