E premte, 02.05.2025, 03:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Monika Mureshan: Romancë për një këngëtar apo Një Odisejadë e re

E hene, 31.08.2009, 03:25 PM


Romancë për një këngëtar apo Një Odisejadë e re

(Medalion estetik që e fisnikëron librin e Hysen Këqikut „Melodia e pritjes”, që pritet të dalë këto ditë në gjuhën rumune, në Bukuresht)

Nga Monika Mureshan (Bukuresht)

Ja dhe një libër tjetër, edhe një zë i ri Kosovës letrare dhe artistike!
Ja dhe një tjetër romantik mesianik, Hysen Këqiku në gjuhën e Emineskut. Në përshtypjen e parë duket si një trubadur që na troket në portën e muzgut, duke na prurë përrallat e disa vendeve dhe personazheve legjendare. E pranojmë në konakun e mikpritjes dhe kuptojmë se ky pelegrin nuk është një njeri i rëndomtë, ndërsa në shpinën e përrallave të tij të romancuara fshihet një Odisejadë e re, e vërtetë dhe tragjike, por totalisht me personazhe tjera dhe nga vende të tjera. Në të vërtetë, ai nuk bën tjetër veçse një riprodhim të ri për dëgjuesin.

Kështu kuptojmë se si në kopshtin e Hesperideve rritet ajo pemë që bën molla të arta, të mbrojtura me rigorozitet nga një dragua me njëmijë koka. Faktikisht nuk është kopshti i atyre qenjeve të famshme nga legjenda, por kjo lulishte gjendet në vendlindjen e gjallë të poetit, e cila, ja, shfrytëzon krahasime dhe alegori të ndryshme për të kënduar në gjuhën e „Eritesë së shenjtë” (Erythea duke qenë njëra nga nimfat), duke e joshur kështu kujdesin dhe vullnetin e mirë të dëgjuesit. Madje edhe rrugëtimi i tij nuk është i rastësishëm, por „rrugëtimi i shenjtërisë”, i realizuar me një qëllim të veçantë, i rrëfyer në „Buzëqeshja më tërhiqte”: „Unë mendoja/ se po t’i mëkoja plagët/ kur shtrija rrugët para vetes,/ Ecja/ me hapin lodharak/  të vargut”

          Impresioni na transformohej në bindje në bazë të lekturimit, sinkronik me vetë përrallën e pelegrinit: i rinjohim të gjitha elementet e disa etapave, jo vetëm parapregatitëse por edhe iniciuse të udhëtimit në një hapsirë temporale/kontinuitive, të një historie  legjendare dhe kombëtare, duke evokuar personazhe dhe lokalitete të lashtësisë shqiptare apo të kohës moderne, përmes një procedeu të panoramimit virtual: pasi që e ka shaluar kalin e Aga Ymerit, dhe hëna ia jep bekimin për „dëshirën e rikthimit”, pelegrini përshkon vendlindjen e tij me të cilën është ndërlidhur me fijet e padukshme të dashurisë.

Në një farë mënyre, autori duket të ketë vajtur larg, duke përshkuar vende të ndryshme të prekura nga evenimente të ndryshme, me fuqinë e mendimit, në një mënyrë vizionare. Dhe aq më shumë, autori ka ndjenën e revelacionit, të ndriçimit, që buron nga një vetëdije e zgjuar dhe lucide se duhet të dalë nga përkufizimet e traditës, se nuk mjafton të shkojë e të flasë, po qe se e dëshiron transformimin: „Ecja dhe ngecja në vend/ Duhen tejkaluar”. Për atë historia e kombit të tij është një leksion jete që gurgullon nga rezolucioni: „Nga kitara/ Me tela të këputur/ Dhe tremolo të frenuar/ Pres një moldi/ (...)/ Melodinë e pritjes”.

Lexuesi kupton se autori jo vetëm që riprodhon duke krijuar poematikisht atë proces të jashtëzakonshëm transformimesh të brendshme, krahasuar me revelacionin e përjetuar pas një pelegrinimi të shenjtë e të dobishëm, por kjo vetëdijëson edhe barrën që duhet marrë dhe për të cilën duhet luftuar në emër të ndjenjës më të çiltër – dashurisë së pakushtëzuar, për dheun dhe kombin e vet. Kështusoj, poemi Të dashuroj është i një intenziteti dhe koncentrimi stilistik të rëndësishëm, duke impresionuar përmes dramatizmit të brendshëm çdo lexues, dhe aq më shumë lexuesin rumun, që do ta krahasojë sigurisht me Këngëtimin e Rumanisë të Aleku Rusut, i inkuadruar nga Gjeorgje Këlinesku në spektrin e mesianikëve pozitivë, formulë e aplikuar edhe në rastin konkret: „Të kam dashur Dardani/ Të dua sot/ Kosovë/ Do të të dua edhe nesër”. Ky është zjarri që e djeg poetin, kudo që të shkojë.

E ka kapluar nata deri në piskun e saj, dhe, sa poeti pelegrin, po aq edhe lexuesi që i ka ofruar mikpritje në shtëpinë e zemrës së tij, duhet të prehen. I pari është i kënaqur pse e ka thënë gjithë atë që ka patur për ta thënë, dhe ka qenë i dëgjuar dhe kuptuar, ndërsa i fundit do ta rikujtojë edhe gjatë kohë përrallën e tij, si dhe fjalët e lamtumirimit pas këtij rrugëtimi të gjatë të shenjtërisë që i ka ndenjur pranë: „Dhe pas ecjes sime në shenjtëri/ Në vepra të më ngjallni/ Feniks”.


(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx