Kulturë
Nuhi Veselaj: Koinezimi i të folmeve në dialekte dhe standardizimi i gjuhës shqipe
E diele, 30.08.2009, 04:01 PM
Koinezimi i të folmeve në dialekte
dhe standardizimi i gjuhës shqipe
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Në këtë kumtesë që në fillim po theksojmë se mbrumja dhe lëkundja e shqipes së përbashkët (sistandarde) nuk është varur asnjëherë
nga të folmet e veçanta, po nga raportet ndërdialektore. Është e vërtetë se, edhe
pse shqipja globale, që në antikë, paraqitet
e koinezuar në dy dialekte, gege në veri e toske në jug, ajo asnjëherë
nuk i ka këputur plotësisht raportet ndërkomunikuese. Kjo nuk dëshmohet vetëm
me zonën kalimtare në jug të Shkumbinit, por edhe me fakte të tjera. Mjafton të
përmendim toskizmat te F. Bardhi dhe
gegizmat te N. Frakulla.
Siç dihet, këtë gjendje
jo edhe aq alarmante, ngase këto dy dialekte, në sistem, më shumë kishin gjëra
të përbashkëta se aso dalluese, e trashëguan edhe rilindësit tanë, të cilët
tashti këto ndërndikime i shpeshtuan në mënyrë të vetëdijshme me synim të
krijimit të një gjuhe të përbashkët shkrimi.
Sidoqoftë, kur
është fjala lidhur me përcaktimin e bazës së gjuhës së shkruar letrare të
përbashkët në raportin ndërdialektor, deri në ditët tona, dallohen katër qasje a ndërmarrje praktike të
vetëdijshme institucionale:
E para, një qasje e
tillë përafruese ndërdialektore është praktikuar në Shoqërinë e shkronjave shqip të Stambollit (më 1879), gjuhë kjo, e cila
del e zbatuar në kanonizmën e saj, ku, edhe pse për nga numri i të pranishmëve mbizotëronin
toskërishtfolësit, me në krye Sami Frashërin (raporti ishte 23 me 4), gjuha e
atij akti nuk del në toskërishte, por del mbi bazën e gjuhës së përzier, d.m.th. në gjuhë të përbashkuar ndërdialektore. Mjafton të përmendim faktin se në katër
faqet sa ka teksti, veç tjerash, dalin në përdorim afro 20 trajta të paskajores
me + pjesore. Po këtë metodë-pune: gjuhën
e përzier, herë fjalë-trajta gege herë aso toske, me ndonjë përjashtim, e
praktikuan, pothuajse të gjithë shkruesit e botuesit e gazetave e të revistave
që botoheshin shqip anembanë. Dhe askush nuk kritikohej atëbotë për gjuhën, por
ankesat bëheshin rreth alfabetit jo të njëzuar të gjuhës shqipe.
E dyta, pa u
shkëputur nga “gjuha e përzier” ndërkohë,
edhe lidhur me përcaktimin e përparësisë dialektore të bazës si gjuhë letrare të
përbashkët u dhanë propozime të ndryshme, ndër to doli edhe ligjëroja e Elbasanit. Sidoqoftë, kjo
ligjërojë, ku nënkuptohej gjuha e Shqipnisë së Mesme (gege), pati më shumë
propozues, madje në Kongresin e Manastirit (1908), pothuajse ishte propozim i
vetëm i paraqitur për këtë destinim. Por aty një kërkesë e tillë nuk u
zyrtarizua. Megjithatë, pa kaluar një vit në Kongresin e Elbasanit (1909), ku
ishin të pranishëm edhe jo pak delegatë toskë, ndër të cilët edhe Mit-hat.
Frashëri, i cili ishte nënkryetar kongresi, u miratua njëzëri një rekomandim i
tillë. Siç dihet, kjo ligjërojë,
natyrisht gjithnjë e më e përpunuar mbi bazë të gegërishtes, por pa i përjashtuar
vlerat e toskërishtes, u institucionalizua në Komisinë Letrare të Shkodrës 1917,
u përforcua në Kongresin e Lushnjës 1920, madje edhe u autorizua me akt
qeveritar më 1923, dekret ky që nuk del i shfuqizuar as pas LDB-së.
E treta, ç’është e
drejta, pas LDB-së në Shqipëri, toskërishtja dilte gjithnjë e më e favorizuar, andaj
shkallë-shkallë ajo kaloi si bazë mbizotëruese, duke i zënë vendin simotrës së saj gegërishtes, e cila
ligjërisht kishte zotëruar mbi 60 vjet.. Ky zëvendësim baze ndodhi, në të
vërtetë, pak më herët (1968), por pas Kongresit
të Drejtshkrimit 1972, përkatësisht pas botimit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe në vitin 1973, ky ndryshim mori
formën e prerë me vendim qeverie më 1974,
ngase tashti zbatimi i normës së re mbi bazë të toskërishtes u bë i
detyrueshëm. Në të vërtetë, vetëm për këtë periudhë që zgjati afro 20 vjet (1974-1990),
mund të thuhet se shqipfolësit në kuptimin e plotë të fjalës kishin një gjuhë të përbashkët standarde, sepse për
mosrespektimin e saj pasonin sanksionet.
E katërta, në të
vërtetë, siç u cek, edhe ky zbatim ligjor
nuk qe aq jetëgjatë, sepse pas ngjarjeve të viteve ’90, kur në Shqipëri u
ndërrua sistemi shoqëror-politik dhe në Kosovë gjithashtu pushoi euforia, atëherë
në këtë kohë demokratizimi pushuan sanksionet
dhe njëherazi dolën sheshit kundërshtime ndaj asaj norme, paksa të fryra, me
vend e pa vend. Megjithatë, nga vërejtjet e ekspozuara u panë edhe disa çështje
të anashkaluara ose të zgjidhura jo mirë, pikërisht në raportin gegërishte /
shqipe e sotme letrare (toskërishte), të cilat domosdo kërkonin ritrajtim, andaj
si rrjedhojë u formua Këshilli i
përbashkët ndërakademik (Tiranë-Prishtinë) për shqyrtimin e këtyre problemeve.
Sidoqoftë, ne, duke
vëzhguar këto rrjedha, varësisht nga pozicionimi që zënë me shkrimet e tyre, diskutuesit
e sotëm mund t’i ndajmë në këto katër grupe:
Së pari,
përmendim grupin e gjuhëtarëve mbrojtës
fanatikë të normës në fuqi.
Së dyti, respektuesit
e normës, por që arsyetojnë verifikimin e qëndrueshmërisë së saj, madje pajtohen
edhe për ndonjë korrigjim rasti, por presin marrëveshje institucionale për këtë
punë.
Së treti, dallohet
një grup gjuhëtarësh, të cilët, krahas respektimit të normës në fuqi, jo vetëm
kërkojnë rishikim norme, por, në gjuhën e tyre autoriale, praktikojnë disa përplotësime.
Është fjala për përdorimin e paskajores
me+pjesore bashkë me disa idioma e ekzotizma, të cilat sipas interpretimit
të tyre mbi bazë të së drejtës universale as që i shtrohen normëzimit, sepse
konceptet e tilla me mjetet e letrarishtes së sotme nuk mund të mbulohen
kënaqshëm ose fare. Sidoqoftë, vetëkuptohet se edhe këto përplotësime kërkohet
me u futë në standard.
Së katërti, bie në
sy grupi i kritikuesve energjikë të normës së sotme, të cilët, duke mos kursyer
as kërkesën për përmbysjen e bazës së saj, sepse, sipas tyre, kjo ishte
imponuar alla partizançe, kërkojnë rehabilitimin
e plotë të ish-normës letrare mbi bazë të gegërishtes dhe së këtejmi në
shkrimet e tyre kanë fillue me e përdorë gegnishten, por pa e mohuar edhe toskërishten,
në anën tjetër.
Sidoqoftë, që të katër
këto grupe diskutuesish, kanë argumente mbështetëse që s’mund të mohohen. Sigurisht
Këshilli Ndërakademik përkatës Tiranë/Prishtinë, i formuar për këtë qëllim, duhet
t’i ketë parasysh dhe t’i vlerësojë ato argumente. Mirëpo, meqë ne nuk dimë se
deri ku ka arritur në harmonizimin e qëndrimeve Këshilli në fjalë, në mënyrë që
puna të jetë sa më transparente për opinionin dhe me qëllim që edhe studiues e
dashamirës të tjerë të mund të kontribuojnë në këtë proces, propozojmë që sa më parë:
1.
Të publikohet teksti i korrigjuar i
Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973), siç është paralajmëruar, para 5 vjetësh,
nga kompetentët e Institutit të gjuhësisë të Tiranës.
2. Të legalizohet teksti i propozimeve
konkrete për diskutim i komisionit të AShA të Kosovës.
3. Të
publikohet projekt-propozimi i normës, nëse ekziston, nga gegërishtshkruesit.
4. Të vlerësohen
vështrimet kritike të botuara ose të ofruara rreth përmbajtjes së tekstit të
Drejtshkrimit të gjuhës shqipe 1973 dhe shtyllave të tjera themelore të
standardit nga individë të caktuar, të cilët nuk janë të përfshirë në komisionet
përkatëse të Këshillit Ndërakademik.
Si përfundim, për mendimin tonë, nëse
secili standardolog, anëtar i Këshillit ndërakademik, e teston profesionalizmin
e vet, përkatësisht, nëse vështrohen gjërat me objektivitetin e duhur sipas
interpretimeve të gjuhësisë bashkëkohore, duke i ikur gjuhës së drunjëzuar, atëherë
mund të themi se fatlumnisht ndodhemi para gjetjes së mesit të artë ose para një shtojcë-marrëveshjeje të re historike pragmatike
drejt standardizimit të vërtetë të
gjuhës shqipe.