Kulturë
Cikël poetik nga Ziko Ll. Kapurani
E marte, 01.09.2009, 06:33 PM

Cikël poetik nga Ziko Ll. Kapurani
Poezi e gurtë
Ka sy të gurtë ku fshihet qielli
dhe shtëllungat e reve,
ka male të gurtë nga del dielli
aroma e çajit
dhe besa e burrit.
Ka rrugë të gurta
nga dalin cicërimat fëmijëve
dhe e takave të jetës.
Ka muzgje të gurtë,
nga lindin puthjet
dhe ftonjtë e hënëzave,
ka dhe vargje të gurtë
që i ngrenë
strehe të pastrehëve,
Vargje gurçilë, gurbardhë, gurshtufë.
Vargje që ngrenë shtëpi të gurta,
të ngrohta.
Ti nuk e beson?!
Kujdes!
Ky rast nuk është i përditshëm.
Gurit të emigrantit
Me ngjyrën e muzgut dhe të dridhjes,
mbi ty mbolla
fidanët e dritës dhe të shpresës.
Mbi ty mbolla bukën
dhe të nesërmen.
Mbi ty hodha kripën e djersës
dhe të zërit
të lëpijë kali im, dielli,
dhe blegërima e Hënës...
(Sepse hëna
më duket një dele e gurtë,
e humbur.)
Nuk të nxinte xhepi im i zbrazur,
as valixhia e zbrazur për ty,
as shqiponjat olimpike të ajrit,
as dhelfinët titanikë të oqeaneve.
Të lashë të trishtë
duke përtypur dhimbjet.
Nuk e dija,
se në vënd të zemrës
të kisha marrë ty.
Lojë me gurë
Ju le të gurtët,
sokakët e mi,
të mbuluar me barin e harlisur
nëpër rudha rrugësh!
Një nga një
hedh gurë pas
për mos u kthyer më.
I pabesë dhe i besës
kthehem tek ju, të braktisurit e mi!
Gurët që ju hodha
një nga një i mbledh,
për nga kthehem
t’i hedh.
Një lojë e lashtë në doganë,
një lojë moderne,
me gurë të murmë,
të zinj, të bardhë,
lojë me gurë emigrantë,
ku gjithmonë humbas unë.
Dialog
Mos më grindni gurin,
është kallo në pëllëmbën time,
është unaza e gishtit tim
prej ditës
të fejesës sime me natyrën.
Në ngjyrat e tij
ka ngrirjen e erërave,
lotin e diellit, flokët e borës
dhe oshëtimin e lumit.
Në çdo prekje mbi trupin e tij
një hingëllimë hidhet në erë,
kumbon një akord kitare.
Zëri i virgjërisë së tij
është heshtja.
Ai nuk merr frymë,...
ka frikë mos trembë
dhe zgjohet dhimbja ime.
Pashë
Pashë një gurëgdhëndës.
Edhe shikimi i tij
i mori trajtë dalte.
Pak e nga pak,
nga çak e çuk-et mbi gur,
u zbulua,
një gjoks i bukur gruaje.
Atje pashë si hapën sytë dy zogj,
dy bufë muarën jetë.
Pastaj,
pashë si prej guri
rodhi qumësht i bardhë
dhe cicërima e pranverës.
Dielli, udhëtari i lodhur i rrugës
Olimp - Ostrovicë,
uli shpinën
të njomë buzët.
Nëna
Mbi qilima të gurtë
ngjitet në katet e sipërme
të mëhallave të saj:
në pragun e Hënës,
në ballkonet e Arushës së Madhe,
në odat e Yllit Polar.
Nallanet e drunjta
trak e truk i trokasin
mbi sokakët e veshur me gurë,
me kallot e burrit të saj të largët.
Ngjitet gjer në portat e Galaktikës,
hyn nëpër koridore.
Me hapa të lehtë, me frymë
dhe me yjet
ndez një qiri.
Endet nëna ime,
trak e truk me nallane mbi gurë,
i gëzohen këmbët nëpër qiell,
rudhat, thinjët, lodhjet, pasthirmat.
Përkul mezin e çoç thotë
me lambadhën e ndezur
për të sajin,
për atë që prej vitesh tani
i qan hallet me një kryq të gurtë
sipër tij,
në Tokë dhe në Galaktikë..
Ç’burrë!
Gur gur
ngritëm kalanë.
Jetën tonë ia besuam gurit.
Dhe ai
u përlesh për ne,
u plagos, u gjakos,
u dogj,
u thërmua për ne...
Ç’burrë!
Nuk tradhëtoi kurrë...
Guri në dritare
Me një guriçkë
në dritaren tënde
hodha shpirtin tim.
Goditja ishte ngjyra e tejdukëshme
e zërit të tij dhe të zërit tim.
Një sy guri
ishte dhe hëna lajkatare
që të nxori në rrugë.
Të dy u nisëm në një rrugë të largët
të mbledhim yjet
si të ishin gurë të ronitur
nga avllia e përqafimeve tona.
Çast i gurtë
Do desha një çast
të isha i gurtë.
Të më shtronin kalldrëm
në një rrugicë të ngushtë.
Mbi mua
le të shkelte gjithë mëhalla,
me këpucët gjithë baltë,
me shuaj këpuce të ngrënë,
zbathur.
Do pres një çast të gurtë
mbi mua të shkelë ajo.
Nga poshtë
t’i shoh
bardhësinë e natës së saj
nga lind Dielli.
Përfundimisht
Kthimin e shpinës,
buzët e mpira,
zërin e këputur
dhe shpirtin e zbrazur
nga ndarja,
që nuk e nxuri letra
dhe penës
i ngriu boja,
në një ditë të gurtë,
një guri do t’ia tregoj,
një guri
të bardhë mbi kokën time.
E di,
ai nuk do ta shuajë kurrë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Sinan Sadiku: Harmonia e përbërësve estetik dhe semantik të poezisë
Poezi nga Blerim Rrecaj
Llemadeo: Letersia shqiptare mbetet akoma ne kthetrat e vetem disa autorve...
Redaksia: Kur lindin fëmijët
Vangjush Ziko: Poeti, mëkati dhe dashuria
Arsim Halili: Intervistë me dr. Faik Shkodra - ligjërues i lëndës Letërsi për fëmije me teori të letërsisë
Bilall Maliqi: Intervistë me skulptorin Hevzi Nuhiu
Rizah Sheqiri: Të dëshmojmë se e duam gjuhën shqipe, se i duam fëmijët tanë!...
Monika Mureshan: Romancë për një këngëtar apo Një Odisejadë e re
Yrjet Berisha: Ai ose askushi (Tregim)
Së shpejti në shitje libri më i ri i autorit Shkëlzen Gashi: Adem Demaçi
Edmond Shallvari?: Kontradiksion (Cikël poetik)
Kostaq Duka: Mama breshka
Nuhi Veselaj: Koinezimi i të folmeve në dialekte dhe standardizimi i gjuhës shqipe
Shefqet Dibrani: Teksti substancial dhe përmasat e trishtimit brënda poezisë
Demir Krasniqi: Origjinali i këngës së Demë Ahmetit
Flamur Maloku: Vija e heshtjes
Blerim Rrecaj: Një shëtitje për frymëzim
Niko Stylos: Gjuha e ilirëve – gjuhë e shqiptarëve
Ndue Ukaj: Kënga e dritës