Kulturë
Sinan Sadiku: Harmonia e përbërësve estetik dhe semantik të poezisë
E marte, 01.09.2009, 06:23 PM

Gani Sadiku, “Strehim i qenies”, botoi klubi letrar “Nositi”, Dardanë, 2007
Nga Sinan Sadiku
Librin poetik “Strehim i qenies” të autorit Gani Sadiku e karakterizon një gjuhë e mirëfilltë poetike, ku mendimi, ndjenja shprehen me figura të zgjedhura, figura këto sa spontane aq edhe të natyrshme, përmes të cilave arrihet një përsosmëri estetike, një harmoni midis përbërësve estetik dhe semantik të poezisë. Autori i librit në fjalë na del një poet me imagjinatë të pasur krijuese, një poet i cili e ka në dorë timonin e asaj imagjinate dhe e drejton me shkathtësi nëpër rrugët dhe rrugicat e shumta të artit poetik. Ai kalon pa vështirësi nga një poezi në tjetrën, nga një temë në tjetrën, nga një kohë në tjetrën duke i trajtuar disa nga çështjet më universale me të cilat preokupohet mendja njerëzore siç janë: fati i njeriut, dashuria, lindja, vdekja, ringjallja, e kaluara, e tashmja. Gjatë trajtimit të këtyre temave ai ka arrit t`i shmanget retorikës, didaktikës, deklarativizmit, parullave të ditës dhe për ato tema ka shkruar në mënyrë të veçantë duke i kushtuar kujdes, fjalës, vargut, ritmit... dhe poezisë si tërësi. Poezitë e përfshira në libër janë lirika të mirëfillta përmes të cilave shprehet bota subjektive e poetit, shprehen perceptimet, ndjenjat dhe mendimet e tij pa më të voglën përpjekje që ai të flet në emër të kolektivit të caktuar, të ideologjisë së caktuar e të tjera. Kjo e bënë atë poet të veçantë, origjinal dhe të pandikuar nga poetët e tjerë. Libri nuk është i ndarë në cikle. Gati gjysma e 60 poezive sa i ka libri, janë lirika erotike, pasojnë lirikat meditative, pastaj vijnë poezitë në të cilat vjen në shprehje njëlloj pakënaqësie ndaj disa të këqijave që kanë zënë vend dhe thuaja janë bërë dukuri në shoqërinë tonë, ka një poezi kushtuar motrës, një tjetër kushtuar mikut, një poezi kushtuar vendlindjes e të tjera.
Lirikat erotike

e di që ti je aty ku jeta dhe vdekja janë baras
aty ku dashuria dhe urrejtja mbillen në një saksi
shkruan autori në dy vargje të poezisë në fjalë, për të vazhduar
e di që ti je aty ku gjithçka duket e bukur
por ti do të jesh më e bukura nga bukuritë e papara
se ti je piktura e perëndisë
po kush s`e di
se ti linde bashkë me diellin
udhëtove bashkë me erën
dhe ike bashkë me vdekjen
Në poezinë “Bëhu arenë e këngëve të mia”, subjekti lirik e lutë të dashurën
bëhu arenë e këngëve të mia
bëhu protagoniste e ëndrrave që ende nuk i kam parë
hyr në pallatin e mbretërisë së dashurisë sime
dhe vazhdon
kënga ime do të jetë urë për t`i kaluar brigjet
shikimi im do të jetë ylber pas shiut
Poezia “Erdhe bashkë me shiun” karakterizohet nga një ndërtim i veçantë, në të cilën duket se edhe fjalët, edhe rimat, e edhe ritmi e luajnë vallen sublime të dashurisë.
e luta perëndinë të shkrepë vetëm edhe një vetëtimë
t`i shoh të gjitha bukuritë
ty dhe natyrën bashkë
që u shoqëruat me erën
e udhëtonit drejt meje
ti për shpëtim
shiu për rrëmbim
era për dëfrim
Vërtetë gjetje interesante që të mahnitin dhe të mbeten gjatë në shpirt, me rima dhe figura të mrekullueshme.
Në poezinë “Në thellësinë e syve tu”, shihet se subjekti poetik në thellësinë e syve të femrës që e do lexon një roman të bukur, e sheh dashurinë, sheh thyerjen e ngjyrave më të mira, sheh vetveten, për të vazhduar në dy vargjet e fundit
e ne u takuam
në thellësinë e syve tu
Pra në thellësinë e syve të femrës që e do i sheh shenjat se kërkesat po i miratohen. Përfundim ky fatlum i poezisë.
Lirikat meditative
Një grup të poezive të librit “Strehim i qenies” mund t`i quajmë lirika meditative. Mund të themi se është bukur i madh numri i poezive në të cilat autori përsiat për çështje e fenomene të ndryshme siç janë: lindja, vdekja, gjithësia, jeta, dashuria, urrejtja, fati i njeriut, e bukura, e shëmtuara e të tjera. Meditimet poetike në disa poezi janë më të theksuara ndërsa në të tjerat hasen më pak. Megjithatë të pakta janë poezitë në të cilat nuk ka gërshetim motivesh, ndërsa meditimet janë mjaft të pranishme si te poezitë erotike ashtu edhe te disa poezi të tjera.
Poezi të bukura mbi fatin dhe fatkeqësinë e njeriut janë poezitë: “Një mijë vjet më parë” dhe “Vaji i mbretëreshës”. Janë këto ndër poezitë më të bukura të librit të cilat na i zgjojnë kujtimet për të kaluarën tonë historike, për ëndrrat e parealizuara të njerëzve tanë të mëdhenj që nga Agroni, Teuta e këndej, për humbjet, pësimet dhe tragjeditë e tyre që njëkohësisht ishin edhe humbje dhe tragjedi tonat. Po ashtu këto poezi të zgjojnë asociacione dhe ta sjellin ndërmend mitin e ringjalljes, ringjalljen për ta realizuar projektin e lënë gjysmë ose fjalën e dhënë për të sendërtuar vepra madhështore në të mirë të lirisë dhe humanizmit.
“Një mijë vjet më parë” është njëra ndër poezitë më të bukura të librit e shkruar me frymëzim dhe imagjinatë. Poezia është shkruar në formë të bisedimit midis subjektit lirik dhe një njeriu, bisedë kjo jo me një njeri dosido, por me një mbret me të cilin subjekti lirik është shumë i afërt, të cilin e adhuron dhe ndaj të cilit ushqen respekt të veçantë, ngase ai duke qenë i angazhuar për të mirën e njerëzimit e kishte pësuar, kishte rënë hero. Ja disa vargje të kësaj poezie
1000 mijë vjet më parë ta pashë kurorën në krah
e pashë vezullimin e yjeve të lashtësisë
t`i pashë këpucët e përgjakura
për të vazhduar
ike e dritën e le për të tjerët
tani pushon në errësirë
1000 vjet më parë lozëm bashkë përtej dritës së diellit
edhe në errësirën absolute të pashë
e dita se je ti
të njoha
por ti erdhe nuk më zhgënjeve
1000 vjet më vonë
Pra flitet për ringjalljen kthimin ngadhënjyes. Këtu autori shëtit nëpër kohë, me një shkathtësi kalon prej një kohe në tjetrën, ndërsa heroi i tij i vrarë para një mijë vjetësh kthehet, ringjallet. E ngjashme për nga tematika është edhe poezia “Vaji i mbretëreshës”. Është fjala për vajin e një mbretëreshe që i përket së kaluarës. Autori vajin e saj e gjen në libra të historisë ose në libra të tjerë, ta zëmë në romane historike ose duke i lexuar librat e tillë e imagjinon dhe përjeton atë vaj, i cili e prek në shpirt dhe e lëndon deri në atë masë sa ai detyrohet t`i mbyllë veshët për të mos e dëgjuar. Këtu duket se ai nuk pajtohet me rrjedhat historike të cilat disa herë ishin shumë të padrejta dhe johumane, veçmas ndaj disa popujve, duke përfshirë edhe popullin tonë. Andaj ai e shalon imagjinatën dhe lëshohet në krahët e ëndrrave të mira, të cilat e ulin në pallatin e mbretëreshës, pastaj kalon nëpër spiralen e ofshamës së saj dhe bëhet mbret.
Në poezinë “Shtrëngata” lisi i shtrëngatave mund të jetë zoti i shtëpisë, gjegjësisht burri i vetëm i familjes, kryetari, mbreti ose dikush tjetër që iu ka dalë përballë stuhive dhe i ka ndal duke iu krijuar kushte për jetë të rehatshme anëtarëve të tjerë të familjes, bashkësisë... Pas rrëzimit të lisit të shtrëngatave vjen stuhia e cila i rrëmben shpresat e njerëzve, lenë pas vetes qiellin e kërrusur, lulet e thyera, dhe këngën e zogjve të ngulfatur në sqep.
atje ishte parajsa e varur me dyer të hapura
e lisi që priti shtrëngatat
u rrëzua në qetësi
Ç`t`i bësh, kjo botë është e tillë. Edhe lisit që na ka mbrojtur nga shtrëngatat, edhe një lisi aq të fuqishëm i vjen fundi dhe rrëzohet në qetësi, sikur të mos kishte qenë fare.
“S`më lënë të lindi” është një poezi për nga tematika e ngjashme me poezitë “Një mijë vjet më parë” dhe “Vaji i mbretëreshës”. Te këto poezi imagjinata krijuese thuaja luan me lindjen, vdekjen, ringjalljen. Është kjo një lojë tërheqëse e cila e ka edhe domethënien e vet.
e unë do të lëvizi në djepin e heshtur
do t`i ngre muret e ishujve të rënë në vullkan
dhe do ta shuaj dritën e diellit për të pabesët
Në fund të fundit kush nga ne nuk dëshiron t`i dalë përballë dhe ta ndalë të keqen?
Te poezia “Përbuzja” i gjejmë shprehjet: kala e varur mbi kokë, këngë, përbuzje, shpresa të varura në urën e thyer e të tjera. Duket se kur përbuzja vjen në pushtet, shpresat varen në urën e thyer. Dhe kur shpresat varen në urën e thyer, kuptohet, bien në lumë, i merr lumi. Është kjo njëra ndër poezitë më të bukura të librit, me përplot figura të fjalës, metafora dhe të tjera të cilat me aq mjeshtëri janë komponuar në poezi.
as heshtje
as këngë
por vetëm përbuzje
vetëm shpresa të varura
në urën e thyer
Pakënaqësia dhe pikëllimi
Poezitë “Varret në kullën e djegur”, “Një premtim”, “Eci i heshtur” dhe disa të tjera i këndojnë fatkeqësisë tonë: kullave të djegura, shenjave të varreve, rrugëve të humbura, rrëmujës, errësirës së pakuptimtë dhe etjes për ta dëgjuar një fjalë nga goja e dikujt që quhet njeri, sepse
një premtim për shpëtim erdhi 1001 herë
dhe kurrë s`u realizua
“Eci i heshtur” është një poezi që na i përkujton shkatërrimet që i solli lufta, por i prek edhe zhvillimet e pasluftës, kur ndodhën shumë gjëra të pakëndshme e edhe krime të rënda, autorët e të cilave mbetën të pandëshkuar dhe ende e vazhdojnë veprimtarinë kriminale, sepse
fajtori nuk dihet
por edhe po të dihet
është atje ku nuk mbërrihet
Një poezi të titulluar “Mikut tim” autori ia kushton mikut të vdekur, të cilin kot e kërkon, sepse ai ka ikur dhe është ngujuar në pafundësi “në parajsën pa hyrje dhe pa dalje”. Nga miku i ikur në parajsë ka mbet vetëm zëri i tij i ëmbël tek këndon, ka mbet kënga e incizuar në CD, kaseta, radio e cila këngë e bën të pavdekshëm dhe natyrisht miqve, dashamirëve dhe të afërmve të tij iu kanë mbet dhimbja dhe pikëllimi.
Poezinë “Heshtja në fshatin tim” poeti ia kushton vendlindjes. Në pjesën e parë të poezisë përshkruhen një nga një bukuritë e shumta natyrore të fshatit të tij. Është ky një peizazh i bukur që ta kënaq syrin e ta ushqen shpirtin. Por në pjesën e dytë gjejmë shtëpitë e heshtura pa zërat e dikurshëm, lëndinat pa bagëti, muret e rrënuara, oxhakun e pandezur, sepse vendlindja e tij Gjyrisheci e thuaja edhe Gallapi si tërësi janë braktisur, kanë mbet shkret.
e jeta në këtë vend iku bashkë me njerëzit
lumi mbeti vetëm me malet e larta
zogjtë vetëm me fluturat
shprehet autori.
Gjuha poetike
Në librin “Strehim i Qenies” kanë gjet përdorim një numër i madh dhe i llojllojshëm i figurave stilistike, të cilat janë përdor me masë, pa teprime. Autori është shërbyer me figurat e fjalës (tropet), me figurat e mendimit, me figurat e përsëritjes e më rrallë edhe me figurat e eufonisë. Me përjashtim të katër poezive të cilat janë shkruar me strofa katërvargëshe dhe me rimë, të tjerat janë shkruar me varg të lirë dhe nuk janë të ndara në strofa. Te poezitë të cilat janë shkruar me strofa katërvargëshe dhe me rimë, nuk mund të themi se poeti ka dhënë ndonjë veçanti apo risi në ndonjërin nga përbërësit e poezisë. Risitë dhe veçantitë, origjinaliteti, kanë ardhur në shprehje te poezitë e tjera të cilat na e zbulojnë një talent me imagjinatë krijuese, me energji krijuese, me kondicion krijues dhe me guxim krijues. Sa i përket rimës dhe figurave të eufonisë ato janë përdor (edhe pse rrallë) me shije të veçantë estetike te disa nga poezitë e pandara në strofa, te të cilat rima është e pranishme vetëm në disa vargje të poezisë, zakonisht në tri vargjet e fundit. Në këto raste rima është përdor si një mëlmesë e cila ia ka shtuar bukurinë dhe shijen poezisë duke e bërë një specialitet të këndshëm.
“Strehim i qenies” është një libër i mirë poetik, me vlera të njëmendta të artit letrar, njëri ndër librat më të mirë të botuar nga klubi letrar “Nositi”, në të cilin libër autori aq sa është kujdesur t`i shpreh ndjenjat, përjetimet, pikëpamjet, dëshirat dhe vizionet e veta gjithsesi interesante, është kujdesur edhe për atë që ato t`i shpreh me një gjuhë vërtetë poetike, duke u shërbyer me figura të llojllojshme stilistike, të cilat janë përdorur me shije, me masë dhe natyrshmëri, duke e sendërtuar vizionin e tij estetik dhe duke krijuar poezi të bukura. Poezitë: “Përbuzja”, “Vaji i mbretëreshës”, “Shtrëngata”, “Një mijë vjet më parë” “Një premtim”, “S`më lënë të lindi”, “Erdhe bashkë me shiun”, “Varret në kullën e djegur”, “Mbrëmje e trazuar”, “E di ku je” dhe disa të tjera, flasin për një krijues i cili e ka krijuar stilin e vet poetik dhe nëse vazhdon të shkruaj do të lërë gjurmë të ndritshme në poezinë shqipe.
Komentoni
Artikuj te tjere
Poezi nga Blerim Rrecaj
Llemadeo: Letersia shqiptare mbetet akoma ne kthetrat e vetem disa autorve...
Redaksia: Kur lindin fëmijët
Vangjush Ziko: Poeti, mëkati dhe dashuria
Arsim Halili: Intervistë me dr. Faik Shkodra - ligjërues i lëndës Letërsi për fëmije me teori të letërsisë
Bilall Maliqi: Intervistë me skulptorin Hevzi Nuhiu
Rizah Sheqiri: Të dëshmojmë se e duam gjuhën shqipe, se i duam fëmijët tanë!...
Monika Mureshan: Romancë për një këngëtar apo Një Odisejadë e re
Yrjet Berisha: Ai ose askushi (Tregim)
Së shpejti në shitje libri më i ri i autorit Shkëlzen Gashi: Adem Demaçi
Edmond Shallvari?: Kontradiksion (Cikël poetik)
Kostaq Duka: Mama breshka
Nuhi Veselaj: Koinezimi i të folmeve në dialekte dhe standardizimi i gjuhës shqipe
Shefqet Dibrani: Teksti substancial dhe përmasat e trishtimit brënda poezisë
Demir Krasniqi: Origjinali i këngës së Demë Ahmetit
Flamur Maloku: Vija e heshtjes
Blerim Rrecaj: Një shëtitje për frymëzim
Niko Stylos: Gjuha e ilirëve – gjuhë e shqiptarëve
Ndue Ukaj: Kënga e dritës
Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (XV)