E enjte, 03.10.2024, 03:25 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Petro Marko: Vëlla shqiptar, mos i bëj varrin vetes

E hene, 31.08.2009, 12:44 PM


Nga Arkivat e Ministrisë së Jashtme të Italisë, një raport i fshehtë për shkrimtarin Petro Marko, i përfshirë në lëvizjen antifashiste nga Grënobli në Vlorë.

Ndihma financiare e senatorit Kruja për Markon, raporti i mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri Françesko Jakomoni: Nuk u duhet zënë besë nacionalistëve ish-të mërguar

Në numrin e fundit të revistës "Hylli i Dritës", në pjesën "Arkivi i Hyllit" botohet "Dokumente të fashizmit rreth Mustafa Krujës". Janë dokumente nga Arkivi historik-diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, që i përkasin kohës së Luftës së Dytë Botnore.

Ato hedhin dritë prej këndvështrimit të fashizmit italian, mbi figurën e Mustafa Krujës, bie në sy mosbesimi i autoriteteve fashiste ndaj Krujës, si edhe aktivitetit i tij i fshehtë kundër fashizmit me dërgimin e Qazim Koculit në Vlorë për të organizuar një lëvizje anti-italiane, si në vitin 1920. Në këto dokumente duket edhe ndihma që Kruja i ka dhënë shkrimtarit Petro Marko.

Ndërsa vetë Petro Markoja shkruan në kujtimet e tij se edhe Ernest Koliqi e kishte ndihmuar në Romë, kur gjendej i arrestuar në burgun e Regina Coeli-it dhe priste të pushkatohej tek Fosse Ardeatine.

Koliqi, - shkruan Markoja - hyri dorzanë pranë autoriteteve italiane, duke i siguruar ato se Petro Markoja është nji shkrimtar shqiptar që s'ka të bëjë me komunizmin. Menjiherë Koliqi dërgoi pranë drejtorisë së burgut sekretarin e tij Lin Shestani, për të përmbaruar lirimin e Petros.

Mëkambësia e përgjithshme e N.T. Mbretit Perandor në Shqipni
Mëkambsi i Përgjithshëm

Tiranë, 19 qershor 1940/XVIII

Shkëlqesës Zenone Benini
Zavêndës Sekretar Shteti për Çâshtjet Shqiptare
Romë

I dashtun Benini,

Mâ parë se me të çue nji raport të hollësishëm zyrtar mbi çâshtjen e rândësishme e delikate qi do të parashtroj mâ poshtë, dëshiroj me të dhânë menjiherë ndonji lajm të shkurtën.

Bâhet fjalë për nji përpjekje organizimi kryengritës qi u zbulue muejin e shkuem në Vlonë, në krye të të cilit âsht nji i ri intelektual shqiptar i kthyem para pak javësh nga Franca.

Emni i tij âsht Petro Marko e njifej prej kohësh nga senatori Mustafa Kruja. Në Francë ishte nji komunist i flaktë, saqi mori pjesë edhe në luftën e Spanjës nga ana e të kuqvet dhe janë gjetë, ndërmjet shkresave të tij, fotografi në të cilat del si kryetar i nji rreshti të rinjsh komunista në nji qytet francez.

Petro Marko ishte financue nëpërmjet të birit të Mustafa Krujës qi studjon në Grenobël, me 400 franga franceze në muej, të dhânuna nga vetë Kruja.

I kthyem në Shqipní në fund të marsit, ai pati biseda të gjata me senatorin Kruja, i cili i a paraqiti edhe Melonit, tue e bindë qi t'i japë nji ndihmë prej 1000 frangash nga fondet rezervë të Mëkambësisë Markos vetë, tue sigurue se âsht nji njeri në rrugën e nji pendimi të shpejtë rreth gjêndjes aktuale në Shqipní.

Meloni e plotësoi dëshirën e Krujës, por në të njâjtën kohë lajmëroi karabinierët e Vlonës për me ndjekë lëvizjet e Markos meqi ai kthehej në vêndin e tij n'atë krahinë.

Nga fundi i muejit u dukën aty-këtu në Vlonë dhe përreth fletushka të shkrueme me dorë, nji kopje të të cilave po t'a bashkangjis.

Tue marrë parasysh karakterin kryengritës të kësaj gjâje, karabinierët zhvilluen nji veprimtari të dêndun hetuese dhe zbuluen autorin, pikërisht në personin e Petro Markos, tue arrestue edhe 8 studenta në moshë mbi 18 vjeç, qi Marko i kishte bâ për vete dhe qi ishin zotue të kopjojshin e të shpërndajshin fletushkat.

Marko dhe shokët e tij u paditën më 10 qershor në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, për veprën penale pasuese.

Nga pyetjet e bâme Markos, rezulton në thelb se senatori Kruja ishte nji mbrojtës i vërtetë i tij dhe i njifte ndjenjat dhe aspiratat e tij.

Avokati ushtarak, gjenerali Zingales, më pruni dje raportin e mshehtë mbi ecjen e procedurës, nga e cila del figura e dyshimtë e Krujës në të gjithë këtê çâshtje. Petro Marko në thelb pohon se nuk i ka mshehë kurrë ndjenjat e tij të vërteta mbi gjêndjen e sotme në Shqipní, pra nuk kuptohet se si Kruja ka garantue në nji farë mënyre praninë e tij në vênd deri n'atë pikë sa të shtyjë Mëkambësinë t'i japë nji ndihmë dhe t'i premtojë Petro Markos nji vênd delikat e të rândësishëm si ai i propagandës ndërmjet rinisë shqiptare jashtë apo të korrespondentit të "Tomorrit".

Kuptimplote, mbi të gjitha, âsht thanja me të cilën Kruja kishte dashtë me e bindë Petro Markon me pranue gjêndjen e sotme si "rastësi". Avokati ushtarak më ka kërkue autorizimin për të marrë në pyetje senatorin Kruja dhe Këshilltarin e Shtetit Qazim Koculi, autorizim qi patjetër e dhashë.

Para këtij episodi do t'a quejsha të dobishme pezullimin e nji hymjeje të mundshme të Krujës në Qeveri, së paku deri në fund të hetuesisë. Episodi aktual tregon edhe nji herë sesa na duhet mos me u besue nacionalistave ish-të mërguem. Ata e kanë pranue gjêndjen vetëm sepse ishte kundër Zogut, por do të kishin dashtë nji zgjidhje krejt tjetër të gjânave shqiptare!

Tashti, përballë përparimit tonë të vazhdueshëm e t'pandalshëm në të gjithë sektorët e jetës shqiptare ata ndjehen shumë në vështirësi dhe do të dojshin ndonji shmangie për me lehtësue shtërngesën. Duhet të shpejtojmë ndërkaq me metodë, saktësi e ngulm proçesin e evolucionit në institucionet e në frymën e tyne dhe të mos i vêmë mêndjen këtyre vonestarëve qi nuk kanë shumë peshë në vênd.

Gjithë përshëndetjet e mija mâ të përzêmërta
I yti
Franco Jacomoni


Raport i mshehtë

Petro Marko, i mërguem më 1937 në Paris, ishte në lidhje me elementa anglezë, gjermanë, amerikanë, skandinavë etj. I paraqitun nga nji redaktor i gazetës jugosllave "Politika" mbrriti me shkue në Spanjë si korrespondent i qeverisë së kuqe. Kthehet prej andej në Paris e prej aty në Grenobël.

Bânte pjesë në shoqatën kombëtare shqiptare, në të cilën ekzistojshin primje republikane e monarkiste. Petro Marko ishte pjesëmarrës në lëvizjen republikane, në të cilën ishte përfaqësues Qazim Koculi, Këshilltar i sotëm i Shtetit në Tiranë. Senatori Mustafa Kruja, përfaqësues i shoqatës kombëtare shqiptare, e njifte shumë mirë Petro Markon.

Rrëzimi i regjimit të Zogut përbânte fazën paraprake të lëvizjes; atëhere kur rasti u paraqit i përshtatëshëm pjesëmarrësit në lëvizjen republikane nuk kundërshtuen ata të lëvizjes monarkiste.

Mbas bashkimit të Kunorave, Petro Marko mbeti në Francë, në Grenobël, ku mund të vazhdonte të ruente lidhjet i biri i senatorit Mustafa Kruja. I nxitun me u kthye në Shqipní ai kundërshtonte edhe sepse i trêmbej përndjekjes, tue marrë parasysh veprimtarinë e tij të shkueme në Spanjën e kuqe.

U sigurue n'atë drejtim nga djali i Mustafa Krujës, i cili, simbas bindjes së Petro Markos, vepronte n'emën e simbas udhzimeve të t'jatit. I kthyem në Shqipní në mars 1940, me mjete të dhânuna nga i biri i Mustafa Krujës, u paraqit tek ky në Tiranë.

Këtu ai shfaqte haptas pakënaqësinë e tij për sistemin qeverisës të ngritun dhe i pohonte senatorit Kruja se ndërhymja italiane ishte e dâmshme dhe paragjykonte lirinë dhe pavarësinë shqiptare.

Ankohej për krijimin e gjindarmërisë me elementa italianë, praninë e shumë trupave italiane në tokën shqiptare, futjen në zyra dhe në administratën publike të elementave italianë etj.

Kruja mundohej t'a bindte se e gjithë kjo i detyrohej nji nevoje të rastit dhe këshillonte Petro Markon të mbante parasysh fjalimin e mbajtun në Tiranë, fjalim në të cilin kishte justifikue gjêndjen e kishte shpallë programin e ardhshëm.

Ai i tha Petro Markos, në mbyllje të bisedës se, me mbarimin e nevojave të rastit, tue u bâ ndërkaq shqiptarët t'aftë dhe në naltsinë e gjêndjes politike dhe administrative, do të mbeteshin të vetmit administratorë të gjâsë publike.

Petro Marko pati, me ndërhymjen e Krujës, nji ndihmë të parë prej 1000 fr. Shq. dhe premtimin e nji sistemimi qi u propozua prej vetë Markos: në sektorin e organizimit të të rinjve shqiptarë jashtë Shtetit, ose si korrespondent i gazetës "Tomorri" n'Itali, ose si zadhânës i zyrës së shtypit dhe propagandës.

Tue shkue për pushime pranë familjes, përpilon nji shpallje në Vlonë, e cila âsht n'aktet e proçesit. I arrestuem pohonte faktet dhe kundërshtonte disa pohime të z. Mustafa Kruja e të Qazim Koculit. Përsa i përket të parit, pohonte Petro Marko, nuk ishte e vërtetë ajo qi kishte thânë senatori Kruja në proçes-verbalin e 10 qershorit 1940, në kuptimin qi ai, Petro Marko, kishte tregue nji afrim me programin e tij politik dhe qi kishte deklarue se pranonte plotësisht gjêndjen aktuale.

Përsa i përket z. Qazim Koculi tha se ishte i pasaktë pohimi i tij në proçes-verbalin e 10 qershorit, simbas të cilit, në lëvizjen kombtare shqiptare në Francë nuk bânte pjesë Petro Marko. Deklaroi se z. Qazim e njifte shumë mirë, aq mâ tepër se të dy bâjshin pjesë në lëvizjen republikane, nji nga drejtuesit e së cilës ishte vetë Koculi.

Avokati Mbretnor Ushtarak

Trakt i përpiluem prej Petro Markos. Shën. i Hyllit të Dritës

VËLLA SHQIPTAR!

Po të dërguan në luftë, ti për kë do të luftosh? Pa tjetër për armiqtë e tu, do të vritesh e zhdukesh për të zgjatur jetën e për të shtuar forcën e armikut tënd më të madh, që është Italia fashiste.

Vëlla shqiptar, mos lufto për Italinë, sepse i bën varrin vetes, prandaj mos lufto për atë, mos u vrit, sepse Shqipëria ka nevojë të madhe për bijtë e saj. Nesër do të vijë dita e luftës sonë kundra çdo armiku të huaj që kërkon të na mbajë skllevër.

Vëlla shqiptar, duaje shqipen, duaje Shqipërinë sot më shumë se kurrë e lutu fshehurazi në çfarëdo feje të kesh; fol fshehurazi kudo që të kesh besim, fol o vëlla, sepse është detyrë e shenjtë e jotja të thuash se nuk do të luftosh për hesap t'Italisë, por që do të luftosh nesër, kur të vijë dita e jonë e bekuar, si më 1920.
Mba parasysh se sot ke me vete gjithë popujt e se nuk je i vetëm.
Dije se kjo luftë do të çlirojë çdo popull.

Dije se Shqipëria sot ka bijtë e saj që punojnë ditë e natë, brënda e jashtë, për çlirimin e Atdheut tonë.
Prandaj sot mendohu mirë e mos i vër vesh premtimeve e fjalëve, që kanë për qëllim të të mashtrojnë e të të bëjnë të luftosh për madhështinë e armikut tënd, që është Italia fashiste.

Poshtë lufta!
Rroftë Shqipëria e lirë!
Rroftë paqja me lirinë dhe punën në të gjithë botën!
Çdo shqiptar e ka për detyrë të bëjë shumë kopje të kësaj shpalljeje e t'a shpërndajë fshehurazi tek vëllezërit e tjerë shqiptarë.

Burimi: Archivio storico diplomatico. Inventario serie affari politici. Fondo Gabinetto Albania 1938 - 1945. Busta n. 214


(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora