E premte, 26.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ibrahim D. Hoxha: I përndritshmi Dijetar Hasan Tahsini

E marte, 21.07.2009, 06:25 PM


I PËRNDRITSHMI DIJETAR HASAN-TAHSIN EFENDIU

Nga Ibrahim D. Hoxha

 
Njëqind e njëzet e tetë vjet më parë, në fletoren osmane “Vàkit” (Koha) dt.. 8 shaban 1298 Hixhrì(6.7.1881), me dhimbje të thellë njerëzore dhe shkencore, shkruhej: “Drejtori i Universitetit, i famshmi profesor, Tahsin Efendiu, kësaj here kaloi në jetën e pambarim. I ndjeri kishte përvetësuar shumë shkenca dhe dije...”.
Po kush ishte Tahsin Efendiu? Le të shfletojmë burimet dhe të shohim ç’thuhet në to nga bashkëkohësit dhe pasuesit e vet shqiptarë dhe të huaj. Në fletoren “Xheride-i Havadis” të 14 xhemadi-ul- àhër 1273 H.(10.X.1857) thuhej: Ka dalë dekret mbretëror që urdhëron të dërgohen në Paris Lartësitë e Tyre, Tahsin Efendiu dhe Selim Efendiu, dy prej myderrizëve të nderuar.
Ibrahim D. Hoxha, historian
Gjatë 12 vjetësh qëndrimi e studimesh të pandërprera, pranoi dhe përvetësoi parimin filozofik të natyralistëve gjermanë: Në natyrë asgjë nuk krijohet e asgjë nuk zhduket, po shndërrohet nga një formë lëndore në tjetrën.
Meqë s’ishte gjetur ende njeriu i përshtatshëm për drejtimin e universitetit që ishte parashikuar të çelej, u ftua Tahsini, që pastaj në Stamboll u quajt Hamulele-i kafa(Koka e plotë) apo Byjyk kafa(Koka e madhe). Pas disa muaj pune zgjodhi mësimdhënësit dhe studentët e përshtatshëm. Mehdi Frashëri shkruan se, Shemsuddin-Sami Frashëri i pati thënë:
Ditën e çeljes së universitetit hoxhë Tahsini, me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie talebesh(studentësh) dhe me një gojtari të pashëmbullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideor-shkencor e ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Po, mjerisht, veprimtaria shkencore e universitetit osman ndeshi në gardhin asokohe të pakalueshëm të padijes dhe mbrapshtisë politike që zotëronte në Stamboll. Në Takvim-i Vekaì të dt. 17 ramazan 1287 H.(11.12.1870) thuhej: U pa e nevojshme që i përndritshmi Tahsin Efendi të largohej nga rektorati i universitetit. Po Tahsini ishte dhe mbeti «Tahsin». Në një medrese të hershme persiane, të cilën –siç thotë SH-S. Frashëri, e shndërroi në një pasqyrë e vogël të rruzullimit- ngriti dhe drejtoi Dâr-ul Funùn dhe Xhemijet-i Ilmije-i Arnavudijê, përkatësisht: çerdhja (qendra) e diturive dhe Shoqëria e të diturve shqiptare. Jan Vretua shkruan se Tahsini atje ringriti shoqërinë për abecenë dhe shkrimin shqip. Po atje ai shkroi një varg veprash shkencore mbi gjithësinë, psikologjinë, biologjinë, pedagogjinë etj.
Prof. i filozofisë, Riza Tufiku thotë se Tahsini  është i pari që pranoi e përhapi mendimet e reja filozofike. Ai pranonte se në botë edhe fuqitë bimore, organike në zanafillë, kanë si burim diellin dhe të tërë përbërësit organikë, duke filluar nga fija më e thjeshtë e një gjethi e deri tek qelizat që formojnë trurin e njeriut; me një fjalë, gjithë përbërësit organikë janë depo e një energjie potenciale që ka grumbulluar në vetvete dritën e diellit, të thuash në të njëjtin vëllim.
Shemsuddin-Sami Frashëri thotë “Tahsin Efendiu në lëmin e fizikës, matematikës, astronomisë, kimisë e kozmografisë ishte aq i ditur e i regjur, saqë kur fliste për çdo çështje që u përkiste këtyre lëndëve, asnjëherë nuk kishte nevojë të shihte librin. Ishte shumë i aftë për të shkoqur në mënyrë të përsosur ato që dinte. Çdo gjë që fliste, gjithmonë e lidhte me praktikën...përpiqej me mish e me shpirt për të përhapur diturinë dhe për të dëbuar errësirën. Qe gjithmonë i gatshëm për t’i treguar kujtdo që kërkonte të dinte të fshehtat e shkencës dhe mundohej me çdo mënyrë që t’ia bënte të kuptueshme sa më mirë. Kur e pyeste kush për një çështje shkencore, gëzohej shumë dhe mundohej me orë të tëra për t’ia shkoqitur; jeta e këtij njeriu s’është gjë tjetër, veç një mësim që vijoi pesëdhjet vjet...Ndër ne gjënden dijetarë në lëmnitë e dijeve antike dhe në ato të reja, po janë shumë të pakët ata që i zotërojnë të dyja sëbashku. Hoxhë Tahsini qëndroi në krye të këtyre dijetarëve të rrallë. Në këtë drejtim në qindvjeçarin në vazhdim ai ishte i pakrahasueshëm...Ishte më i larti ndër të lartët...I ndjeri hoxhë Tahsin ishte një nga ata njerëz të mëdhenj që qindvjeçarët dhe kohët i nxjerrin rrallë e me vështirësi të madhe. Titulli “Savànt” në vendin tonë(sulltanatin osman, shtet në tre kontinente- I.D.H.) i takon vetëm atij e askujt tjetër.  
Duke bërë fjalë për ballafaqimin e Tahsinit me filozofin gjerman, Paul Gronfel, shkruan: Gjermani e çonte filozofinë në shkallën e sofizmës dhe ngulmonte se koha është një trup i lehtë, i butë si drita dhe si të nxehtit. Këtë mendim hoxhë Tahsini s’ia pranoi dhe, duke u mbështetur në norma fizike, kimike, astronomike e kozmografike dhe duke shpikur një filozofi në bazë të këtyre normave, i dha të kuptojë se ç’është koha, përsosmëria dhe përhershmëria e saj...E shoshiti çështjen në mënyrë aq bindëse, saqë gjermani po zvogëlohej kundrejt tij. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të fliste aq bukur frëngjisht; në sytë e tij shkëlqente një dritë, në zërin e tij një tingullim dhe në gjuhën e tij rrëshqisnin lehtësisht fjalët. Kundërshtari i tij, gjermani, u ngrit e i shtrëngoi dorën; dukej sikur i kishin rënë armët nga duart. Jonuz Tafili, në njërin nga përkthimet e veta të botuar në fletoren “Drita”,  vëren: Në Bejogllù kishte qendrën elita intelektuale e Stambollit, e përbërë nga dijetarë të degëve të ndryshme të dijës: fizikantë, biokimistë, matematicienë, historianë, letrarë, drejtësiushtrues etj. Boshtin e tërë kësaj elite të shquar e përbënte Tahsini; ai ishte një yll që për pesëdhjetë vjet rresht ndriçoi xixëllueshëm rreth vetes.
Riza Tufiku shkruan: I ndjeri hoxhë Tahsin ishte mësuesi i shumë njerëzve të mëdhenj, ndër ta edhe i vjershëtarit gjenial, Abdul-hak Hamidi...Pati veti të tilla që e shtynin t’u bënte mirë të tjerëve; ndërgjegjja e tij ishte çerdhe dhëmbshurie!.
Ismail-Haki efendi Bereqet-Zade, shkruan: Kënaqësitë e kësaj bote ai ia kishte flijuar filozofisë, dashurisë për dituri. Mëndja e tij u qe kushtuar çështjeve të larta shkencore. Ai ishte kredhur në kërkimin e fshehtësisë së krijimit. Ishte një filozof që njihte të vërtetën, kishte zëmër të ndjeshme e të dlirë; sjellja dhe qëndrimi i tij ishin plot hijeshi, fjalët të ngrohta e të matura. Nganjëherë zhytej aq thellë në mendime, sa nuk mund të përshkruhet; por edhe në këto raste ai kishte një ëmbëlsi e dukej edhe më madhështor. Unë kam përfituar shumë nga profesori i dëgjuar shqiptar, Tahsin Efendiu.
Shemsuddin-Sami Frashëri shkruan: Donte dy gjëra: të vërtetën dhe njerëzinë. Kohën, jetën dhe mëndjen i përdori vetëm e vetëm për këto dy të dashura!...Kishte zotësi të madhe në teologji, kodet juridike, tefsîr(shtjellim i kuranit) dhe në traditën e shenjtë profetike...Ideja e bashkimit islam së pari lindi në mendjen e tij dhe, si një ëndërr e ëmbël ia përkëdhelte idetë e veta. Ishte shumë i zoti në letërsinë arabe, osmane e persiane. Shkruante vjersha e mbishkrime datore me shumë kuptim. Shumë i zoti ishte edhe në prozë me stil të lartë. Diplomati në zë, vjershëtari dhe dramaturgu i shquar turk, Abdul-hak Hamidi në vargjet e veta shkruan edhe:..Aq gjuhë ky njeri i dinte ujë,/ kuvendzbukurues, dritë ndër vetije,/ një astronom e shkencëtar me bujë,/ thesar kulture, minë njohurie,/ më mirë thuaj: një botë e tërë diturie./ Ishte filozof, vjershëtar e letrar me vlerë;/ e pyesje, të përgjigjej menjëherë...(Shqipëruar prej Ferid Vokopolës).
Ja disa nga vargjet kushtuar nga Naim Frashëri: O ti mbret, o shumë i larti kryetar!/ Nga e dlirta fryma jote unë marr/ të Edenit erën, hirin paraisor,/ O Hasan-Tahsin, o trëndafil qiellor!
Shemsuddin-Sami Frashëri shkruan: Dashuria ndaj atdheut e ndaj kombit në shpirtin e tij ishte tepër e fortë...Mundohej me çdo mënyrë që të gjente udhën për t’i shërbyer Shqipërisë. Mënçuria e tij tejet e gjerë dukej sikur do të përpinte tërë dituritë për t’ia kushtuar tërësisht vetëm atdheut, interesin e të cilit e mendonte aq, saqë ishte gati në çdo kohë për të flijuar edhe jetën. Kur kujtonte Shqipërinë dhe krahasonte shkallën kulturore të saj me atë të Evropës, nga brenga e hidhërimi që ndiente, hapte krahët dhe me lëvizjet e tyre dukej sikur do të pëlciste prej këtij hidhërimi...Shpirtpastërtinë dhe kthjelltësinë e trurit të vet, i shtyrë nga dashuria shumë e madhe dhe e fuqishme që kishte për atdheun dhe për popullin, detyrohej t’i shkrinte në dobi të tyre. Mençuria e tij e gjerë dukej sikur do të përpinte gjithë dituritë për t’ia kushtuar tërësisht atdheut. Fundi, këtë ideal e mori me vete në varr. Kurse Mehdi Frashëri shkruan: Nga pikëpamja e shqiptarizmës, hoxhë Tahsini mund të quhet si mjeshtri i Sami Beut, Ismail Qemalit, Vaso Pashait, Daniel Oparakut etj. që morën pjesë në fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare më 1879 në Stamboll.
Prof. Sherif Mardomi thotë: Ky studiues, ndryshe nga shumë të tjerë që e fshehin apo e kalojnë në heshtje, shqiptarësinë e tij e ka vënë në dukje.
Shemsuddin-Sami Frashëri shkruan: Jetëshkrimi i i hoxhë Tahsinit është i shkurtër dhe i thjeshtë; një bindje e plotë e parimit: Kërkojeni diturinë që nga djepi e gjer në varr! Mësimin që e kishte filluar duke thënë “a”, e mbaroi me daljen e frymës. Atë e shlodhte vetëm mësimi; libri nuk i binte nga dora. Shtrati ku flinte, vëndi ku rrinte, ishin të mbushur me libra; këndimin e linte përkohësisht vetëm për të mësuar të tjerët. Nga bashkëfjalimi nuk tërhiqej, po fjalët e tij ishin një mësim dhe një punim shkencor.
Shoqata Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan-Tahsini”, e krijuar në tetor 1992, e përbërë nga profesorë me emër në lëmin e astronomisë, fizikës, gjuhësisë, historisë, kimisë, letërsisë pedagogjisë, psikologjisë e teologjisë për të ka bërë gjithçka ishte e mundur të bëhej prej saj. Po, për të nderuar dhe vlerësuar në shkallën e duhur emrin dhe veprën e këtij dijetari dhe atdhetari pararojë, pleqësia e shoqatës u është drejtuar disa herë secilit drejtues epror të shtetit dhe vartësve të tyre përkatës. U është kërkuar: 1. Universiteti i Tiranës të quhet me emrin e tij. 2. Të dekretohet çmimi: Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu për shkencat e natyrës, astronomi e filozofi. 3. Të bëhen kërkime të mëtejshme në arkivat e Stambollit për zbulimin tërësor të veprave të pjella prej mëndjes dhe të dala prej dorës së tij. 4. Të shqipërohen dhe botohen tërë veprat e tij të gjetura. 5. Para ndërtesës kryesore të universitetit apo të akademisë të ngrihet truporja e hoxhë Hasan-Tahsin efendiut.
Gjatë 16 vjetëve hoxhë Hasan-Tahsin efendiu ka patur përvjetorë të plotë lindjeje dhe vdekjeje, siç ka edhe sivjet 195-vjetorin e lindjes. Mjerisht as për to e as për kërkesat e sapopërmendura askush nga ata që e kanë për detyrë kombëtare dhe shtetërore s’e vuri ujët në zjarr. Tahsini i Madh, Tahsini aq i lëvduar dhe aq i nderuar nga ata që kanë mendje në kokë, për pushtetarët përgjegjës vazhdon të jetë si i paqenë, i papërfillshëm. Gjithçka ishte e mundur të bëhej për të, u bë vetëm nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Turke, “Hasan Tahsini”.






Qitab Âlemin (“Libri i Gjithësisë”)

i hoxhë Hasan-Tahsin efendiut, i përkthyer prej osmanishtes nga Haki Sharofi.

Largësitë e pacakshme janë fletët e librit të gjithësisë (hapësirës),
qindvjeçarët e panumërueshëm janë rreshtat e ndodhive të kohës,
avlëmendi i pasqyrës së përpiktë është botuar (shkruar) në natyrë,
çdo qënie që ndodhet në gjithësi,
është fjala e plotkuptimshme e mishëruar (trupëzuar) në botë.
Kjo pikturë e bukur është pasqyra e botëve,
në qerthullin e shumëngjyrshëm
janë përshkruar qerthujt e qiellit për ata që vëzhgojnë...
Qiejt shkaktojnë habi ndaj mendjes së atyre që dinë të mendojnë.
Ç’mjeshtëri të çuditshme e të lartë tregon rruzullimi,
subjekti i kësaj diturie është pjesa më e mirë e arsimit
mëndja e të mënçurit rritet me dritën e kësaj filozofie;
ja një pasqyrë që tregon gjithësinë (rruzullimin).
që nga yjtë e faqes së saj del drita e kuptimit bindës:
burimi është i ndritshëm, syri sheh të drejtat.
Çdo pikë e mjegullinës është si një xhevahir i çmuar.
Për të hipur në kulmin e lartë të qiellit,
ndarjet formojnë shkallë dhe vijat litarë të fortë;
për të kuptuar rrethanat e gjithësisë shkurtaz,
pamja e kësaj figure është më e dobishme nga lëçitja e njëmijë librave.
Rreth diellit vijnë rrotull satelitë
dhe çdo yll qëndror lëshon zjarr e dritë;
dielli me gjithë satelitët në “Kashtën e Kùmtrit” formon një pikë
edhe trupi i dheut në botën e diellit është një drùdhe.
Me syrin përtejshikues astronomët
caktuan nja pesëqint mjegullina përtej “Kashtës së Kùmtrit”.
Çdo mjegullinë ka me miliona diej,
çdo diell noton në qiell me satelitët e tij.
Forma e përgjithshme e botëve është një lëmsh i madh pa anë e pa fund,
qendra e saj ndodhet kudo.
Pa u mendo, sa i madh është ky lëmsh,
kur çdo drùdhe formon një rruzull (lëmsh) të artë?!
Po më e habitshme nga thellësia dhe gjerësia e yjeve
është bota që tregon mikroskopi në një pikë uji;
në jetën e shkurtër të kësaj bote minutat janë vite
dhe në jetën e gjatë të yjeve vitet janë minuta.
Ç’u tha këtu sipër, është provuar me arithmetikë e gjeometri!.

Ibrahim D. Hoxha, historiam e folklorist, kryetar i shoqërisë shqiptaro-turke                 “Hasan Tahsini”.
Tiranë, më dt. 1.7.2009


Terxh’i- Bend

Shpeza e shpirtit tim kërkon të ndahet nga banesa e paqenëshme,
kafazi është i vjetër e ky trup për të më nuk mjafton.
Priret kah qënia e vetmisë, kërkon jetën e amshuar,
më së fundi largohet nga petku i vjetëruar i trupit.
Mbasi dëshira e fundit është të bashkhet me Zotin,
kërkon të lartësohet në Botën Hyjnore, ku e ka kthesën.
Mëngjes e mbrëmje po më ngushtohet hallka e jetës,
shërimi më i shpejtë është: Shpejto të pendohesh para se të vdesësh!
Sikur ecën frymëmarrja, ashtu edhe koha e saj po ngushtohet,
nuk e nxën më shtëpia, se shpirti po më fryhet,
prej borës së pleqërisë flokët e mjekra po më zbardhen.
Në çdo çast kërkon afat, me exhelin po bën pazarllëk,
ka vendosur t’i dorëzohet Azrailit,
me ngutësi po i hypën trenit për t’u bashkuar me shpirtrat udhtarë.
Mëngjes e mbrëmje po më ngushtohet hallka e jetës,
shërimi më i shpejtë është: Shpejto të pendohesh para se të vdesësh!
E fshehta e ardhjes në botë, po të jetë fitimi i njohurisë,
shërbimi më i përsosur, po të jetë të kujtosh dhe të mendosh Krijuaesi,
Për t’u kthyer, duhet ta shpejtosh tepër këtë udhtim,
gjatësia e kohës a krahasohet me jetën e njeriut?
Shpejtësia e qëndrimit në botë është si një çast,
koha më e shkurtër e saj të ishte sa jeta e Nùhit.
Mëngjes e mbrëmje po më ngushtohet hallka e jetës,
shërimi më i shpejtë është: pendohu para se të vdesësh!
Pa i parë lulet e stinës së rinisë,
pa i vjelë pemët e kopshtit të jetës,
pa kuptuar as një të mijtën e fshehtësive (të panjohurave) të krijimit,
njeriu a nuk erdhi në botë për të plotësuar idealet e tij?
A e ka përgatitur të nesërmen për ditën e ringjalljes?
Shpirti a nuk e llogarit jetën e shkurtër të njeriut?
Mëngjes e mbrëmje po më ngushtohet hallka e jetës,
Shërimi më i shpejtë është: shpejto të pendohesh para se të vdesësh!
Nga një anë vuan me hidhërimin e ndarjes,
krejt organet e trupit i dridhen përpjestimërisht,
e kërkon përjetësinë me mënyra të ngadalshme,
mundohet burrërisht të mërgojë armikun dhe sëmundjen,
deri sa të çfaroset, e mbron mbron kështjellën e trupit me zell,
në fund të jetës e lë llogaoren me dëshpërim.
     

NGRITJA E SHOQATËS KULTURORE SHQIPTARO-TURKE “Hasan Tahsini” DHE VEPRIMTARIA E SAJ 15 VJEÇARE

Pesëmbëdhjet vjet më parë, pikërisht më 20 tetor 1992 një grup intelektualësh të çdo lëmnie dijeje mundën të ngrenin Shoqatën Kulturore Shqiptaro-Turke, e cila pati nderin e veçantë të quhej me emrin e të përndritshmit hoxhë Hasan-Tahsin efendiut, yllit polar të dijes dhe të atdhetarisë jo vetëm për kohën e vet që po se po, por edhe për shumë e shumë vite më pas, madje deri-diku edhe ditët në vijim. Nismëtarët zanafillës profesorët: Mahir Domi, Bedri Dedja, Zija Xholi, Dritan Spahiu, Nuri Abdiu, Bujar Hoxha, Sotir Temua, Temo Mandili, Rinush Idrizi, dr. Ramiz Zeka, dr. Muzafer Janina, dr. Fuat Frashëri, inxh. Demir Alizoti, inxh. Zef Musani, Enver Kushi, Laurant Bici, unë dhe disa të tjerë. Pleqësia e zgjedhur që në mbledhjen e parë e cila paksa e ndryshuar vazhdon edhe sot, e përbërë prej meje, n/kryetar, prof. Dritan Spahiun, sekretar fillimisht inxh. Demir Alizotin, që pastaj u mënjanua pse u sëmur rëndë e që u zëvendësua nga z. Enver Kushi dhe me anëtarë prof. Zija Xholin, prof. Sotir Temon, prof. Nuri Abdiun dhe dr. Ramiz Zekën, them se për kushtet me të cilat u përball, bëri aq sa mund të bënte. Veçanërisht dr.  Ramiz Zeka, prof. Dritan Spahiu e Sotir Temua si edhe z. Enver Kushi kanë dhënë një ndihmë mjaft të çmueshme. Shoqata mundi të lëshonte degë në Elbasan, në Fier, në Konispol, në Tropojë, në Vlorë si edhe në Gostivar të Maqedonisë dhe në Prizren e Gillan të Kosovës. Gjatë 15 viteve shoqata ka bashkëpunuar ngushtësisht sidomos me Institutin e Mendimit dhe të qytetërimit Islamik, me Shoqatat “Çamëria”, “Labëria”, “Ismail Qemali”, “Fan Noli”, “Lëvizja Demokratike e Bashkimit të Shqiptarëve” etj. Kur vetëm dhe kur në bashkëpunim me këto organizma –e ndonjëherë edhe me Fakultetin e Shkencave Sociale ka organizuar një varg konferencash dhe sesione shkencore kushtuar disa ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare si: Mbrojtja e jugut shqiptar nga pushtimi prej ushtrisë greke gjatë Luftës Ballkanike, Luftimet e batalionit “Çamëria” dhe të njësive e njësiteve luftarake çame gjatë gushtit e shtatorit 1943 kundër njësive mësyese këmbësore, detare dhe ajrore gjermane në brezin kufitar shtetëror jugor: Anëdet-Konispol-Vërvë-Janjar etj. Konferenca e simpoziume për katër 10-vjetorë lindjeje dhe vdekjeje të dijetarit tonë të ndritur, hoxhë Hasan-Tahsin efendiut dhe për disa burra veçanërisht të dalluar shqiptarë si Komandantin e lavdishëm të çetave kryengritëse të para Pavarësisë dhe të mbrojtjes së shtetit shqiptar, Muharrem Rushitin, komandantin e dëgjuar të çetave kryengritëse në Çamërinë e robëruar prej grekërve, Daut Hoxhën, për gjeneralin e famshëm shqiptaro-turk., Hasan-Riza pashanë, mbrojtësin e lavdishëm të Shkodrës dhe të krejt veriut shqiptar nga pushtuesit malëzias. Në ato konferenca janë mbajtur kumtesa edhe për burra të shquar të tjerë, si Mehmet Haqif Errsoi, vjershëtar i shquar kosovar, për Abdyl-Hakim Doganin nga Gostivari, për vjershëtarin dhe këngëtarin e famshëm turk të q.v. 12-13, Junuz Emrenë etj. Ndërkohë shoqata përmblodhi dhe më 1998 i botoi në një vëllim të përbashkët 10 nga kumtesat e mbajtura në konferencat dhe simpoziumet e lartpërmendura, 18 shkrime prej të 104 dijetarëve, historianëve, shkrimtarëve e vjershëtarëve të huaj e shqiptarë, si  Shemsuddin-Sami Frashëri, filozof Riza Tufik, Dervish Hima, Mehdi Frashëri, politikani dhe dramaturgu i famshëm turk, Ab-dulhak Hamidi etj. si edhe 4 vjersha kushtuar dijetarit tonë dhe dy nga të vet dijetarit si edhe 9 gojëdhëna çamërish. Po, zëri i Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan Tahsini” është dëgjuar edhe në konferenca ndërevropiane, madje edhe nga presidenti Bush. Me kërkesën e pleqësisë së Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke presidenti i Republikës ka nderuar  me urdhërin “Naim Frashëri” kl.I 23 mësues që dhanë mësim në gjuhën shqipe në Çamërinë e robëruar, si edhe historianin e atdhetarin e shquar nga Zhulati me shtetësi turke, Nexhip Pehlivan Pula(Allpani).  
Duke mbajtur pa ndërprerje në qendër të vëmendjes vlerësimin dhe nderimin e dijetarit tonë të shkallës kombëtare dhe ndërkombëtare, të ndjerit hoxhë Hasan-Tahsin Efendiut, shoqata, për gjithçka s’ishte në dorën dhe mundësitë e saj, qysh ditët e para të themelimit e deri në ditët në vijim u është drejtuar tërë krerëve të shtetit dhe të qeverive si edhe krejt ministrave të arsimit e shkencës e ministrave të kulturës, rinisë dhe sporteve. Kërkesat tona –sipas përkatësisë- kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë për këdo që na e vë veshin ne dhe Tahsinit të Madh:
1. Univeristeti i Tiranës të quhet “Universiteti hoxhë Hasan-Tahsin efendiu”.
2. Në sheshin para ndërtesës kryesore universitare të ngrihet truporja e hoxhë Hasan-Tahsin efendiut dhe sheshi të quhet po me emrin e tij.
3. Të dekretohet çmimi “Hoxhë Hasa-Tahsin efendiu”, veçanërisht për shkencat e natyrës dhe ato të përpikta.
4. Të ngrihet një komision qeveritar me pjesëmarrjen edhe të Shoqatës Kulturore-Shqiptaro-Turke “Hasan Tahsini” për kërkime të mëtejshme të veprave të Tahsinit në bibliotekat turke, sidomos në atë qendrore të Stambollit.
5. Të përkthehen tërë veprat e të ndjerit hoxhë Hasan-Tahsin efendiut dhe të botohen shqip.
6. Të krijohet një grup intelektualësh lëmnish të ndryshme për të hulumtuar në degët ku ka gërmuar e lëvruar dijetari ynë.
Mjerisht për asnjë prej kërkesave tona s’ka dashur ta vrasë mendjen askush prej pushtetarëve që u takon më shumë se kujtdo të merret me to.

Për Pleqësinë e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan Tahsini”
                    
                              K r y e t a r i
                
Ibrahim D. Hoxha, historian e folklorist.


DIJETAR SHKËLQENJËS BURRËRË  SHNDRITËS SHQIPTARE

Përkujtohet në Athinë në 195-vjetorin e lindjes.

(Fotografia e Hoxhë H. Tahsinit)

Atdhé e dijedàshësi Arqile Gjata, shkruan:
“Burrat e mëdhenj janë si malet e lartë; për të shquar mirë madhështinë e tyre, duhet t’u largohesh nga rrëza e tyre...”.(Prof. Nexhip P. Allpani)

Megjithëse larg atdheut, intelektualët, krijuesit, njerëzit e artit në Athinë lëvrojnë, studiojnë dhe sjellin në kjujtesën e shqiptarëve figura madhore të artit, shkencës, dijes e atdhetarizmit. Një hulumtim, përqasje, vlerësim dhe njohje më të gjerë të madhështisë së hoxhë Hasan Tahsinit(1812-1881) e kurorëzoi me shumë sukses shoqata artistike LITER-ART në Athinë, në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Athinë dhe me shoqatën kulturore “hoxhë Hasan Tahsini”në Shqipëri. Kjo festë publicistike, që i kaloi caqet dhe përmasat e një aktiviteti përkujtimor, u zhvillua në ambientet e Kolegjit Amerikan në Athinë. Në këtë tubim shkencor e letrar ra në sy kthjelltësia, kultura dhe aftësia e organizuesve, të cilët këtë figurë kaq të madhe të Rilindjes Kombëtare, na e sollën të gjallë, të prekshme dhe shumë befasuese për auditorin shqiptar nga intelektualët e njohur në emigracion.
Tubimin shkencor e çeli z. Miho Gjini(Mjeshtër i Madh i Punës), drejtuesi i Shoqatës LITER-ART, i cili ftoi poetin e kritikun Alush Avduli, që, si mendues dhe organizator i këtij aktiviteti, të flasë për jetën dhe veprën e Hasan Tahsinit. Z. A. Avduli, pasi falënderoi të pranishmit, tha se “ky aktivitet përkujtimor për rilindasin e madh Hasan Tahsini, është i pari i këtij lloji dhe në të ardhmen do të vijojnë edhe për figura të tjera madhore të kombit tonë”.
                    *        *
Hoxhë Hasan Tahsini lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 1812. Ai ishte dhe është një kolos i shkencës dhe i dijes, për arsyen se qëndroi mbi kohën, shkëlqeu në mendimin filozofik, ishte një dijetar europian, i shërbeu me mënçuri, përkushtim dhe civilizim shoqërisë së kohës dhe i rezistoi ambientit anadollak, duke triumfuar me dijet e tij shkencore në fushën e astronomisë, fizikës, sociologjisë dhe shkencave të tjera. Ja disa nga veprat e H. Tahsinit: Psikologjia, Bazat e Astronomisë, Pasqyra e Rruzullit të Gjithësisë, Bota e Qiellit, Tabela e Astronomisë, Sekretet e Zjarrit dhe të Ujit, Edukimi i Fëmijëve, Jeta dhe Historia e Popujve, Udhëtimet e Guliverit(përkthime) dhe Dituri mbi Shpirtin.
Z. A. Avduli në emër të grupit organizues shprehu falënderimet më të ngrohta për gjithë ata zotërinj, që me bujari mbështetën këtë aktivitet me vlerë pë gjithë emigrantët këtu në Athinë.
Tashmë po bëhet traditë dhe kulturë që biznesmenë e të tjerë të kontribuojnë në dobi të artit, kulturës e traditave në emigracion. P. sh., z. Lorenc Koka është bërë një figurë e dashur dhe shumë e respektuar në Athinë me sponsorizimet e tij modeste.
Më pas shkrimtari dhe eseisti Piro Loli trajtoi me elegancë, kulturë dhe zotësi figurën shumëplanëshe dhe me dije të thellë enciklopedike të H. Tahsinit. Ky mendimtar ishte nga të parët pishtarë të pozitivizmit e laicizmit. I edukuar, i mirëpërgatitur në shkollën franceze, ku kreu studimet universitare u njoh me të gjithë pozitivistët e asaj kohe. H. Tahsini ishte mësuesi i plejadës së gjerë të rilindësve tanë. Ai bashkëpunoi vazhdimisht me vëllezërit Frashëri, K. Kristofiridhin, V. Pashën,  J. Vreton, Koto Hoxhin e Ismail Qemalin. Si një intelektual i formuar, shkencëtar e mendimtar, ai u përzgjodh të organizonte e të drejtonte të parin universitet në Turqi(Stamboll). Rektori Hasan Tahsini është vlerësuar nga shumë dijetarë, shkencëtarë, shkrimtarë, filozofë etj. Ai është njohur dhe njihet edhe sot në Francë, Angli, Gjermani, Siri e Egjipt. Profesori i shkëlqyer i pozitivizmit H. Tahsini, parapëlqehej shumë nga V. Hygoi, Claude Bernard(1813-1885) dhe shumë bashkëkohës të tjerë të tij.
Doktori i shkencave historike, Behlul Korkuti, me korrektesën e fakteve dhe dokumenteve shtjelloi mendimin se Hasan Tahsini është ideologu pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare. Nga pikëpamja morale ai ishte pozitivist, humanist, progresist, revolucionar dhe intelektual laik e demokrat që nuk i mohonte fetë. Ai mbështetej në doktrinën morale të sociologjisë të mendimtarëve francezë si Claude Bernard. H. Tahsini zotëronte mjaft cilësi inteligjente dhe morale, që rrallë i gjen tek shumë të tjerë. Në këtë mbrëmje shkencore kushtuar H. Tahsinit, fizikanti Vasil Logo, veçoi disa fakte që e përcaktojnë dhe e vlerësojnë atë si një shkencëtar të mirëfilltë, si astronom me një laborator të pasur me mjete shkencore: teleskop e mekanizma të ndërtuara nga vetë ai. Profesor H. Tahsini është marrë me shumë tema matematike, astronomike, fizike. Eksperimentoi disa ligje të fizikës moderne e të tjera. Me të drejtë shumë studiues e dijetarë e vlerësojnë si një shkencëtar. Studiuesi rus. M. Smirnov Hasan Tahsinin e quan “Lomonosovin e Orientit”(Turqisë). Me shumë interes u dëgjua fjala e poetit Stefan Martiko mbi krijimtarinë poetike të rilindasit H. Tahsini. Megjithëse ka një vëllim poetik, në bibliotekat e ndryshme të Evropës, duhen krijuar mundësi për t’u gjurmuar dhe njohur më shumë pjelloria poetike, që ende sot është e panjohur për lexuesin.
Çdo njeri ndjen kënaqësi kur dëgjon se nga trungu gjenealogjik i shkencëtarit Hasan Tahsini edhe sot jetojnë degë të shëndosha të atij fisi. Ilirian Çukaj, sekretari i parë i Ambasadës Shqiptare në Athinë përshëndeti në emër të Ambasadorit, z. V. Minarolli të pranishmit dhe në veçanti të gjithë ata që mundësuan realizimin me sukses të kësaj mbrëmjeje me shumë mbresa për të gjithë ne, që e përjetuam me kërshëri atë tubim shkencor e letrar. Por edhe vet Iliri, si pasardhës i mendimtarit të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, ndjeu gëzim e krenari...
Ngjyrime joshëse dhanë për publikun interpretimet e poezive të poetit Hasan Tahsini nga aktori i talentuar Lefter Simoni dhe prozatori Miri Dhrami.
Çlodhëse dhe shumë miqësore ishin çastet në natyrë, ku të gjithë uruam me nga një gotë verë a lëng frutash: “Të tilla takime me vlera të zhvillohen përngahera!”

Botuar në fletoren GAZETA WeeK-End nr. 429, Athinë, e prëmte dt. 29.06.2007-e ënjte, 05.07.2007).
 
Kopjuar me përpikëri në mënyrën e renditur në fletoren e lartpërmendur dhe paraqitur më 26.X.2007 nga Ibrahim D. Hoxha, kryetar i Shoqatës Kulturore “Hasan Tahsini” me qendër në Tiranë. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora