E diele, 28.04.2024, 11:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Milosh Nikollë Kopiliqi - Heroi që sfidoi historinë

E diele, 12.07.2009, 09:00 PM


Kujtesa historike

Në 618 vjetorin e rënies së trimit të parë drenicar mesjetar Milosh Nikollë Kopiliqi

Nga Bedri TAHIRI

HEROI QË SFIDOI HISTORINË

Qershor 1389. Java e dytë. Vapë e madhe, përvëluese. Toka e çarë si pjepëri. Thatësi e paparë dhe e padëgjuar. Nuk e mbanin mend as më të moshuarit. Moti s'kishte rënë asnjë pikë shiu. Edhe dimri i shkuar ishte i pa borë. Miloshi ishte zgjuar herët. Pasi ua hodhi një sy pronave të shumta në Kopiliq të Drenicës, shkoi edhe poshtë, te mullinjtë. S'punonin të bekuarit, se nuk kishte ujë, kishin shteruar puset. Nuk qëndroi shumë aty dhe vrik u kthye në shtëpi. U ngjit lart në kullë. Me nga një gllënjke piu radhazi tri kafe pa sheqer. Kjo nuk i kishte ngjarë moti. Ishte shenjë trazimi e shqetësimi të thellë shpirtëror. Dje e kishte hidhëruar i vjehërri, car Llazari. Kishin biseduar për organizmin e një koalicioni antiturk. Të gjithë do të bëheshin bashkë: shqiptarët, serbët, boshnjakët, vllehtë, hungarezët, bullgarët etj, për t'ia ndalur turrin bishës aziatike, e cila si një masiv përmbytës po rrokullisej drejt tokave të tyre. Do të bëheshin rreth pesëdhjetë mijë veta karshi njëqindmijë trupave pushtuese turke. Mirëpo, tek ky e kishte shfaqur një mosbesim. Disi të gjithë i druheshin. Dyshonin në besnikërinë e tij. Mendonin se do t'i tradhtonte. Edhe pa i thënë, i kishte kuptuar fare mirë.

Zemërimi i princit

Dhe, e gjithë kjo pa asnjë arsye. Vetë Sulltan Murati I Miloshin e njihte për sundimtar të Dardanisë (Kosovës) dhe si kundërshtarin më të rrezikshëm. Para se të nisej këndej, atij i dërgoi letër, ku i kërkonte "haraçin e shtatë vjetëve" dhe "çelësat e shtatë kullave në Qyqavicë". Madje i kishte propozuar që të shkëputej nga Koalicioni i krishtër, me kusht që të siguronte pushtetin e plotë në Kosovë. "Për këto letra dinte edhe kronisti grek Joan Dukas. Madje, ky kishte konstatuar se Miloshi letrat e mbretit ia kishte treguar vazhdimisht car Lazarit, i cili e kishte këshilluar Miloshin t'i pranonte propozimet e Sulltanit. Por Miloshi ishte i vendosur për fillimin e luftës dhe për sakrificat supreme"(Prof. Dr. Qemal Haxhihasani; Beteja e Kosovës (1389), ASHSH, Tiranë, 2005, fq. 161).

-Do ta shini kush është Milosh Nikollë Kopiliqi!- u kishte thënë troç darkën e fundit princërore. Dhe, i nevrikosur në kulm, kishte dalë nga Kuvendi. Si me flatra dragoi kaptoi bjeshkën dhe u kthye në vendlindje, në Drenicë. Kishte ndarë mendje që të mos dukej më andejpari deri në fillimin e betejës. Nuk ia kishin besuar asnjë formacion ushtarak e asnjë krah të fushëbetejes. Luftëtarët e tij, drenicarët, do të radhiteshin përkrah atyre të Gjergj Balshajt të Dytë (sundimtar i Shkodrës), Dhimitër Jonimasë (sundimtar i Përdhanës që përfshinte rrethin e Lezhës dhe Rrëshenit) e të Theodor II Muzakës (sundimtar i Beratit dhe Myzeqesë). Ky i fundit njihet edhe me emrin Musa Arbanasi, gjegjësisht Musa Kesexhia. Ky trim shqiptar i doli përballë princit serb, Kraleviçe Markut, i cili, pas rënies së të atit, Vukashinit, në betejën e Maricës (1371), qe bërë mbret i Maqedonisë. Në fund, pas përpjekjesh të shumta arrin ta mund kundërshatarin, por tradhtohet prej tij dhe e pëson, mbetet në fushëbetejë. Emri i tij, me ngjyrime të tjera etnike, zuri vend në të gjitha shkrimet dhe këngët serbe. Ai është skalitur edhe në Përmendoren e Gazimestanit, të ngritur më 1953.

"Pjesëmarrjen e Musa Arbanasit (Todor II Muzakës) në Betejën e Kosovës nuk e dëshmon vetëm epika popullore serbe, por edhe kronikat mesjetare shqiptare. Nipi i tij, Gjon Muzaka, pos tjerash shkruan: "Teodor Muzaka, biri i dytë i shtëpisë sonë dhe zotërinj të tjerë të Shqipërisë, të lidhur midis tyre shkuan së bashku në betejë, por aty u thyen të krishterët dhe mbeti i vrarë i përmenduri Teodor, i cili kishte marrë me vete reparte të mëdha shqiptarësh" (Prof. Dr. Kristo Frashëri; Beteja e Kosovës (1389), ASHSH, Tiranë, 2005, fq. 148).

Marshimi kobtar

Se do të bëhej luftë e madhe merrej vesh nga përgatitjet e palës kundërshtare... ...Fiset endacake të oguzëve turanikë nga Azia Qendrore lëviznin në grupe sa andej sa këndej. Kërkonin dhe zaptonin vende të reja. Një grup i madh zuri vend në rethin e Anadollit. Ishte shekulli XI. Në mesin e tyre shquhej njëfarë Osman beu, i biri i Ertogrullit. Ai e themeloi edhe emiratin e vet. Me shpatë i zgjeronte kufijtë çdo ditë. Banoret e këtij emirate u quajtën turq-osmanë ose shkurt osmanlinj. Ata si fara e keqe shtoheshin shpejt. Si hithrat, mbinin kudo. Më 1326 e formuan edhe Dinastinë e tyre me qendër në Brusë. Kështu lindi shteti Osman, shtet feudalo-ushtarak e despotik, i cili pas luftërash e betejash të shumta do të zgjerohet në të dy kontinentet.
Në vitin 1355 ata i kaluan Dardanelet dhe iu vërsulen Ballkanit. Pushtetin e vendosen ne Andreopojë, që e pagëzuan Edrene. Marshimet e tyre nuk kishin të ndalur. S'kishte forcë që i pengonte. Shkatërronin, digjnin e përmbysnin çdo gjë. Nënshtronin popuj, krahina, principata e shtete. Shkombëtarizonin e asimilonin. Pa pengesa të mëdha arritën deri në Shkup. Dhe, pas tij radhën e kishte Dardania (Kosova).
Trojet dardane nga të "pafetë" do t'i çlironte vetë Padishahu, sulltan Murati I. Perëndia sikur e kishte ngarkuar me këtë mision të shenjtë. Përmes ëndrrës i arriti urdhëri hyjnor. Dhe, fill u bë gati. Tuboi njësitet nga territoret evropiane e aziatike të Perandorisë. I ftoi edhe të gjithë vasalët (në mesin e tyre edhe princerit serbë; Kraljeviçe Markun e Konstantin Dojakoviçin) dhe i grumbulloi gjeneralët më të shquar të kohës. Me vete i mori edhe dy djemtë: Pajazitin dhe Jakupin.
Edhe viti kishte qëlluar i mbarë. Kështu parashikonin edhe astrologët, edhe shpjeguesit e ëndrrave pranë Pallatit Mbretëror. Këto e gëzonin pa masë Lartmadhërinë, andaj frymëzohej? entuziazmohej?ngazëllehej.
Sa me kënaqësi po nisej drejt fushatës! Fare nuk mëdyshej për fitore. Edhe të tjerët mundohej t'i brumoste me idenë e sakrificës. "Shehitë do të shkonin të gjithë ata që kishin fat të binin në logun e mejdanit! Këtë ua përsëriti dhumë herë, derisa filloi zvarritja e tundimshme e lubisë përbindëshe...
Këto u mundonin trimin vazhdimisht dhe nuk i zihej vendi vend. E torturonin papra. Koka i ziente si zgjua bletësh. Nuk qetësohej dot. T'pfu pjellë e keqe!- mallkoi tërë inat. Nuk i dihej, e kishte me ata që po mësynin këtej apo me këta që ishte zënë dje?! Zbriti poshtë në bodrum. U vesh mirë e mirë, me përkrenare e me parzmore prej çeliku. E përgatiti edhe kalin e mejdanit, Sharanin. U përshëndet me nënëloken, duke e përqafuar fort e përmallshëm. Të shoqes, Vukosavës nga inati, nuk i bëri zë fare. I vetëm fillikat doli në Majën e Zeze, në Qyqavicë. Me kujdes e shikoi Rrafshin e Kosovës. Ç'të shihte, o Zot! Mizëri çmendësie!. çadrat si kërpudhat pas shiut. Larushi ngjyrash e madhësish. Lëvizje njerëzish si thneglat. Turmë amorfe. Paqartësi e plotë
Sakaq, si dallgë deti, ktheu kalin prapa. Sonte do të buajë në Kalanë e Gjytetit (Dubocit) e nesër do ta dërgojë fjalën në vend. Fjala fjalë e besa besë. çudi, as aty s'e zuri gjumi fare. Mendonte e mendonte. Si do të vepronte nesër? A do t'ia dilte mban? Si do të depërtonte deri te sulltani?...

Përleshja fatale

Mëngjesi i 15 qershorit 1389 gdhiu ngjyrë gri. Ditë e martë, ditë ters. Zëri i thekshem i myeizinëve çallëkuq çau heshtjen e agut freskues në Fushën e Mëllenjave. Pas tyre tamtamet e daulleve të mëdha dhe lutjet çoroditëse të dervishëve marroçë. Edhe dy ushtritë ballë për ballë. Në krye kalorësitë me flamujt e ngritur lart. Shqipja dykrenare shikonte vëngër gjysmëhënën e zbehur dyll. U dha edhe shenja për sulm. Pas kryqëzimit të heshtave dhe shigjetave në qiellin e përloshur, nisi përleshja. Luftohej fyt më fyt. Luftohej me thika, me hanxharë, me sëpata, me kmesa, me shpata. Kokat e prera notonin në rrëket e gjakut. Kuajt e tërbuar qëndronin vetëm në këmbët e prapme. Hingëllonin e turfullonin nga frika. Turqit po përparonin dukshëm. Murati në mes e djemtë përanësh. Ai, i kënaqur dhe i dehur nga sukseset, u tërhoq për të pushuar pakëz. Vajti në çadrën e tij ngjyrë qielli. U shtri mbi minderin e butë kadifeje. Dy vasha të bukura, si shtojzovalle, me gishtërinjtë e hollë e të bardhë dëborë, ia lëmonin mjekrën dhe e gudulisnin ngeshëm. Ai qeshte dhe gajasej me thellësinë e shpirtit. Sytë i vezullonin si të maces në terr, sepse nga beteja i vinin lajme të gëzuara...
Dhe, tamam kur po kotej e lajmëruan se një princ shqiptar po kërkonte të përshëndetej me të.
- Lëshojeni, - tha, por kini kujdes! çarmatoseni dhe e përcillni mirë! Nuk u besohet kaurrëve. Të çuditshëm janë ata. Për atdhe bëjnë çmos, edhe vetëflijohen.
I largoi vashat dhe e thirri Sadriazemin. Gjithmonë këshillohej më të, i besonte se kishte lexuar shumë. "Nëse shqiptari ta jap dorën- e mësonte ai, ti zgjatja këmbën, që t'i tregosh së është nën pushtetin tënd..."
Sakaq dera e çadrës u hap. Trimi, kokëlart dhe përplot krenari, ecte drejt tij. Përanash roje të shumta. Ç'më pandeh mua, mendonte me vete. Tradhtar! Dezertor! Puthakëmbës! Njeri të lig! Frikacak që kam ikur nga fushëbeteja dhe vij për t'ia uruar fitorën! Sigurisht po, ashtu mendon. Shiko si qeshet nën mustak. Jo, jo more plak matuf. Nuk e shes unë vendin tim. Nuk i korisë trojet dardane dhe varret e të parëve. Nuk po vij për urime jo, por për mort. Me thikën që e kam fshehur nën parzmore do të ta marrë shpirtin e zi si futa. Ç'kujtove ti, tashti ke hyrë në vendin e shqipeve. Keq i ke trazuar ato, ua ke prekur folenë. Ato nuk janë mësuar të ua zë diellin askush dhe me thonjë do të të shqyejnë e do t'i nxjerrin sytë
Dhe, afrohej e afrohej. E zgjati dorën ta përshëndesë. Ai nuk luajti nga vendi. Plot qesendi e zgjati këmbën për t'ia puthur, siç bënin zakonisht të gjithë të tjerët. Ky shpejt e nxori thikën dhe ia nguli thellë në zëmër. O Perëndi! Ai nuk lëvizi fare. I doli shpirti pa arritur mjekët. Rojat u mbërthyen vrasësin. E lidhën këmbë e duar. Shpejt e thirrën Pajazitin, të mbiquajtur ?Rrufeja". Katili, menjëherë urdhëroi ta ekzekutonin trimin, që t'ia lehtësonin shpirtin të porsa vrarit.
Papritmas i polli mendja e ligë. Duhej sigurar edhe froni mbretëror. E lajmëroj të vëllanë, Jakupin. Po të thërret babai,- i thanë. Me vrap erdhi i gjori. Dhe, posa hyri brenda e ngulfatën. Përdhunshëm ia morën shpirtin, pa zhurmë. Pajzaiti u çlirua. çdo gjë mbeti në duart e tij. Kufomën e babait, pa të brendshmet, e përcolli për në Brusë. Të tjerat i përpiu dheu i zi i qullur me gjak
Kadiut, që e përcillte kufomën, ia dha edhe një ferman, ku shkruante: "Me të zhvilluarit e betejës, e cila ndodhi në Fushë-Kosovë, babai im Sulltan Murati, jeta e të cilit ishte e lumtur, vdiq si martir ?plotësisht i shëndoshë u kthye nga mejdani, në çadër e vrau një me emër Milosh Nikollë Kopiliqi ?në vend që t'ia puthë këmbën nxori hanxharin e fshehtë dhe duke i shkaktuar plagë të rëndë, e lagu me ujë të ëmbël prej martiri, me shërbet. Miloshi, i cili tentoi të ikte, u zu nga rojet dhe u pre copë-copë. Unë s'isha aty, por më të dëgjuar arrita. Arriti edhe vëllai, Jakupi, por shkoi në amshim" Edhe kronisti turk Ashik Zade Pasha e shënoi këtë ngjarje në fletët e zverdhura e të zhubravosura, që mezi lexoheshin. Ai përfundonte: "Betejën e fituam. Kaurrët i thyem keq. Llazari u vra. Dhe kur po e gëzonim fitoren, nga Qyqavica zbriti një i pabesë, i quajtur Milosh Kopili dhe e theri Padishahun me hanxhar të helmuar".
Kronisti tjetër osman, Enveriu, këtë trim e quan "Princ" dhe "Ban". Humanisti raguzan, Feliks Petançi, i thotë "Princ ilir", ndërsa humanisti ynë, Marin Beçikemi, e pagëzon "Perandor i Mizisë".

Hakmarrja dhe shtrembërimi i historisë

Heroizmi i princit drenicar mori dhen. Trupin e tij, të bërë copë ?copë, ia bartën shokët deri në Rezallë. Aty e varrosen, pranë një bungu njomëzak. Përbindëshi i përtej Dardaneleve nuk u mjaftua me kaq. Ende donte gjak. Dogji dhe shkretoi mbarë vendin. Mllefin hakmarrës e shfreu mbi Drenicën e panënshtruar. Kopiliqin e zhbëri me gjithë ç'kishte. Me javë e muaj e mbajti të mbërthyer në rreth. Jeniçerët e lodhur veç me kunguj të zier mbanin shpirtin gjallë. Shumë prej tyre u bënë ushqim për korbat e uritur. Këtë e dëshmojnë toponimet Kodra e Kungujve dhe Lugu i Korbave, që edhe sot i gjejmë në këtë vendbanim. Të vëllain e princit, Hilë Kopiliqin, me gjithë familje i burgosin në kalanë e Vushtrrisë. E shtrënguan, e torturuan dhe e munduan derisa një ditë u bë Hysk...
"Sidoqoftë, Beteja e Fushë-Kosovës shënon fundin e pavarësisë së shtetit serb",- konstaton Prof. Dr. Luan Malltezi (Beteja e Kosovës, Tiranë, 2005, fq. 54). Serbët pranuan vasalitetin. Milica, gruaja e Llazarit, vajzën e vet trembëdhjetë vjeçare, Oliverën, ia dhuroi "haremit të Pajazitit". Historiografia serbe, në përgjithësi, e mohoj vazhdimisht përkatësinë kombëtare shqiptare të këtij trimi, por edhe gjithë pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. I vetmi serb që e përmend realisht është Kostantin Mihajoloviqi nga Ostrovica në librin "Kujtime jeniçerësh ose kronikë turke", i shkruar në gjuhën polake. Megjithatë faktet flasin krejt ndryshe.
Sipas Fahredin beut, i cili mbështetet në një letër të Pajazitit dërguar fill pas betejës kadiut të Brusës:"Shqiptarët mbushnin edhe radhët e shigjetarëve të koalicionit dhe qenë të parët që filluan betejën..."
Në anën tjetër, Gjergj Balsha i Dytë ishte njëri nga shtatë krerët kryesorë të Këshillit të Luftës. Bazuar në kronikat osmane ai hodhi poshtë mendimin e Llazarit që turqit të sulmohen natën për terr. "Gjergji i Dytë propozoi që ata të sulmoheshin ditën dhe ky mendim u miratua nga të gjithë"- shkruan Bitlisi.
"Në të vërtetë interesimi i serbëve për Miloshin u ngjallë vonë, në fund të shekullit 18, kur koha kishte errësuar tashmë përkatësinë etnike shqiptare të tij, atëherë i ndryshohet edhe emri Kopiliq- Kobiliq- Obiliq"- konstaton M. Hasluck.
Po ç'bëri epika jonë popullore, përcjellësja më besnike e të gjitha ngjarjeve historikë?
Si zakonisht edhe këtë ngjarje e përjetësoi në lahutë. Dhe, këngëtari i krishtër e paraqiti shumë realisht:

N'Fushë-Kosovë Murati i Parë,
Kambturqisht rrin fitimtar.
Prej Drenice del një djalë,
Fluturon me kalë të bardhë,
Mes për mes i bjen ushtrisë,
Shkon e i falet Naltmadhnisë:
-Tungjatjeta, Naltmadhni,
jam një arbër, vendali.
E jam ardhë ktu pa vonua,
Me t'puth dorën, me t'nderua.
Zgjatet mbreti, i jep kamben,
Ngrihet djali, i ban gjamen.
Mik pa thirrë ke ardhë, dai,
Prej Azie n'Dardani,
Me na marrë magjet e miellit,
Me na zanë hisen e diellit,
Gjithë ushtrinë e paç me shndet,
Kjo Arbni ka bijt e vet,
Ta ven kryet maje kapicës,
Jam Miloshi prej Drenicës...

Mirëpo, sundimi i gjatë turk ndikoi negativisht në evoluimin e këtyre këngëve. Ato, me kalimin e viteve, u zvetnuan, duke e humbur edhe karakterin historik. U mveshën me petkun legjendar dhe mitik. Invadimin turk, tash këngëtari mysliman, e pasqyroi si marshim të shenjtë për përhapjen e islamizmit. Dhe, duke mos i pëlqyer vrasësi i sulltanit të jetë shqiptar, bëri edhe ndërrimin e emrit. E quajti Millosh Obiliqi!!! Kështu sikur humbëm heroin tonë. Ua falem të tjerëve, që e mirëpritën. Dhe, u gëzuan. Krijuan kulte e mite të rreme.

Çmitizimi

Koha rodhi lumë. Dhëmbi i kohës pamëshirshëm gicte etnosin tonë. Historia jonë, mjerisht, heshti. Çdo heshtje është edhe pajtim. Studiues të historisë shqiptare nuk e kanë studiuar si duhet dhe sa duhet jetën dhe veprën e Milush Kopiliqit për shumë arsye. Në radhë të parë, historiografia jonë ka filluar të shkruhet pas historisë sllave, serbe, greke e bullgare. Si e tillë ajo ka trashëguar të dhënat nga këto burime, të cilat trimin më të njohur të mesjetës e trajtojnë me përkatësi serbe" (Ahmet Qeriqi, Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar?, Prishtinë, 2003). Por, kot. Faktet janë edhe më kokëforta. Ato flasin ndryshe. As nata pesëqindvjeçare e krra-krrasë, as djallëzitë e ujqërve të stepave, nuk ia dolën mban. Heroi ynë mesjetar sfidonte historinë njerkë. Ai frymonte kudo, në mendje, në zemra, në këngë. Smirëziut, Jovan Cvijiqit, sa nuk i ra pika, kur, pas aq shekujsh, kaloi këndejpari, nëpër Drenicë. Ndaloi edhe në Kopiliq...
O historian, kjo është Fusha e Sharanit... Ja edhe Livadhi i Miloshit...Ky është Bunari i Miloshit...Kjo Vneshta e Miloshit...Kjo tjetra Kisha e Miloshit... Ndal, shënoje edhe këtë: Themelet e Kullës së Miloshit...
O Zot, po çmendej fare i ziu. Mbretëria e tij, kot se koti, paskësh shkrirë para e florinj për trillime e falsifikime.
-Të mallkuar! Edhe dreqi është i vonë në këta shkrepa frikësues!- ulëriu me zë, duke ia dhënë vrapit me të katra


(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora