E enjte, 01.05.2025, 05:38 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Hafiz Ali Kraja

E premte, 03.07.2009, 08:45 PM


HAFIZ ALI KRAJA (1900-1974)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Hafiz Ali Kraja është teologu, hoxha, shkodran, i cili mbajti fjalim pranë varrit të priftit françeskan, poetit kombëtar, At Gjergj Fishta (1871-1940)…

Hafiz Ali Kraja është një figurë e madhe intelektuale, fetare, kulturore, atdhetare…. Lindi në vitin 1900, në Shkodër, ku i kreu mësimet fillestare.
       Po në Shkodër e vazhdoi shkollimin në Medrese, ku edhe diplomoi pranë dijetarit të njohur, Myderrizit, Hafiz Ismail Hakiut.
      Me përkrahjen e Myderrizit, Hafiz Ismail Hakiut, u regjistrue në Universitetin e famshëm “El-Az-har”, në Kajro, Egjipt, të cilin e kreu me kohë, në vitin 1924, ku diplomoi në dy drejtime: në Drejtësi dhe Teologji, me rezultate të shkëlqyeshme...
       Hafiz Ali Kraja, pas diplomimit  në Drejtësi dhe Teologji, u kthye me gëzim, menjëherë, në Shkodër, në vendlindje, për t’i shërbye qytetit të tij dhe Nanës Shqipni.
       Myftinia e Shkodrës e caktoi teologun e ri, Hafiz Ali Krajën, të shërbej imam, hoxhë, në Xhaminë e Plumbit.
Ndërsa më vonë e caktuen në Xhaminë e Vjetër, në Parrucë të Shkodrës, si edhe nëpër xhami të ndryshme në katundet e rrethit të Shkodrës…
       Kudo që e caktuen, kudo që e dërguen, Hafiz Aliu me gëzim shkoi, çdo vendim të ri e miratoi, ndërsa populli, qytetarë e katundarë e pranuen me gëzim të paparë…!
       Hafiz Ali Kraja, me sjelljet e tij, oratorinë, diturinë, kulturën, pjekurinë, devotshmërinë, atdhedashurinë, e përvetësoi, kudo që shkoi, edhe rininë…!
       Në kujtesën e popullit, ka mbetë i paharruar fjalimi i Hafiz Ali Krajës, hoxhës shkodran, pranë varrit të priftit katolik-françeskan, At Gjergj Fishta, në ditën e varrimit të tij, me 31 Dhjetor 1940, në prag të Vitit të Ri…!
       Lexues i nderuem!  Qe disa fjali, nga fjalimi i tij, i hoxhës shkodran, mbi varrin e priftit françeskan:

        “Poet kombëtar, Pater Gjergj!

       Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet...        
       Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politke tanden do ta gjykojnë në bazë të "Lahutës së Malcisë", kryevepra jote monumentale.
       Ta jesh i bindun, o Poet i Madh se Shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…    
       Me ty, Patër Gjergj, Kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme".
       Hafiz Ali Kraja është marrë edhe me krijimtari, ka shkrue, ka botue shkrime në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë, nga viti 1923 deri në vitin 1939, në revistën “Kultura Islame” e përmuajshme, fetare, letrare, ditunore, artistike, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, Tiranë, (1939-1944)…
       Në vitin 1934, Hafiz Ali Kraja botoi studimin e tij, me vlerë për çdo antologji, me titull:
            ”A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar?”
       Në këtë libër, të cilin e botoi “Ora e Shkodrës”, Hafiz Aliu ka shkrue edhe një Parathënie të shkurtë, të cilën e përfundon me këto fjalë, më këtë lutje:
      ”Këtë parathanie të shkurtër po e mbylli tue iu lutë të Madhit Perëndi me e ruajtë popullin shqiptar prej ateizmit që është një humnerë e rrezikëshme për komb e atdhe".
       Hafiz Aliu, popullin, rininë shqiptare, në veçanti, me kohë e kishte paralajmërue, për humnerën e rrezikëshme të ateizmit, të komunizmit, për komb e atdhe, prandej, komunistët e pa fe, në vitin 1945, e prangosin, e burgosin…
       Në burgjet e regjimit komunist të Enverit, të tmerrit, qëndroi burrënisht 20 vjet…Hafiz Aliu, nëpër burgje 20 vjet, edhe të burgosurve të tjerë politikë u jepte gajret…!
       Një prift katolik, që ishte një nga të dënuarit politikë, Patër Konrad Gjolaj, në librin e tij "Çinarët" për hoxhën, Hafiz Ali Krajen, në mes të tjerash, është shprehur kështu:  
       "Hafiz Ali Kraja ishte një njeri i madh për kohën, ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me thanë ma i dijtuni…”
       Ky njeri i madh, ky hoxhë i kulturuem, atdhetar, dijetar, shkrimtar, Hafiz Ali Kraja, mbas burgu 20 vjeçar, ndrroi jetë shumë shpejt, në vitin 1974, në moshën 74 vjeçare, por mbeti, sot e kësaj dite, krenari e botës shqiptare…!


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx