E enjte, 01.05.2025, 05:44 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mexhid Yvejsi: Shejh Shaban Damnori

E merkure, 15.07.2009, 07:01 PM


Shejh Shaban Damnori (1868-1934)

Nga Mexhid Yvejsi

        Shaban Efendi Domnori ishte hoxhë, mësues, studiues, predikues, shejh, sufi, haxhi, themeluesi i tarikatit Tixhani, në Shqipni…

          Lindi në vitin 1868 në Shkodër, ku i kreu mësimet fillestare në Mejtepin e lagjës “Ajasëm”. Vazhdoi mësimet në shkollën “Ruzhdie” dhe pastaj në Medrese.
          Shaban Damnori, qysh si fëmi, ishte djal’ i zgjuar, shumë i vëmendshëm për të mësuar, aq sa hoxha një ditë i kishte thënë babës së tij:
         ”Zoti ta ruejt këtë fëmi! Ky ka me përparue, ky ma merr fjalën nga goja, kur Ku’anin jam tue shpjegue”!
         Posa e kreu Medresenë e caktuen të shërbej imam në xhami, ku shërbeu me përkushtim, me devotshmëri. Ishte i përkushtuar në lexim, studim, në lutje, meditim…
        Nuk e përfillte mirëqenjen materiale, nuk e joshnin begatitë tokësore, në zemër kishte një dëshirë të zjarrtë për t’u ngritur në lartësitë e botës shpirtërore…    
         Hasan Tahsini, miku dhe pasuesi i tij, shkruen:
            "Kjo dëshirë e zjarrtë i dha zemër e vullnet me u nisë për një rrugë të gjatë, por të bekueme, për të kryer detyrën e naltë të HAXHIT e për të vizitue vendet e shenjta islame, tokën e shenjtë të Qabes, ku ka lemë dhe asht rritë dhe ku ka krye misionin profetik i dashtuni i Zotit, Hazreti Muhammedi Alejhiselam, prej të cilit vjen çdo dritë e Zotit të Amshuem, shkoi me vizitue e me i parashtrue bindjen e nderimin e vet të Madhit Resul të Allahut, Hazreti Muhammedit Alejhiselam, të Cilit i detyrohet qënja jonë".
               Gjatë vizitës së katërt në Haxh, Shaban Efendi Damnori, kur ka shkue në Medinen e Ndritëshme, ku pushon më i dashtuni njeri, Muhammedit (a.s.), ka takue dijetarin sufi, Sejjid Abdul Kadir Minhanxhiun, Shejh i Tarikatit Tixhani, prej të cilit u frymëzue, tek i cili u dorëzue, u betue, prej të cilit Shejh u gradue…
                Në vitin 1920, në lagjën ”Ndocej” në Shkodër, Shejh Shaban Damnori, me ndihmën e besnikëve të tij, e themeloi Teqenë e Tarikatit Tixhani, në të cilën e zhvilloi veprimtarinë shpirtërore sipas Kur’anit, Fjalës Hyjnore…
               Teqeja e Tarikatit Tixhani në Shkodër, në udhëheqjen e Shejh Shaban Damnorit, ka pas shumë dashamirë, ndjekës, pasues, ndër të cilët vlenë të përmenden me nderim: Myderriz Haxhi Muhamed Bekteshi, Myderriz Shejh Qazim Hoxha, Shejh Xhemal Alibali, Shefqet Muka, Hasan Tahsini etj.
            Në  kulmin e veprimtarisë, Shejh Shaban Damnorit i erdhi ftesa prej Perëndisë: Ditën e diell, me 28 tetor 1934 ndrroi jetë, në moshën 66 vjeçare. Në faljen e xhenazës, në përcjelljen në fundit, morrën pjesë mijëra qytetarë e katundarë, shejhlerë e hoxhallarë, jo vetëm nga qyteti i Shkodrës e rrethet e tij, por deri ku i thonë Shqipëri…!
              Shërbimet fetare tek varri i tij i kreu Haxhi Vehbi Dibra, kryetar’i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili në fjalën e përmortshme, për Shejh Shaban Damnorin, ndër të tjera, tha:
             "Ishte mbushur plot me shije shpirtërore e me njohuri hyjnore…".
               Fjala e plotë e kryetarit, Haxhi Vehbi Dibra, u botue në revistën “Zani i Naltë” që botohej në Tiranë, siç u botue, një numër më vonë, edhe një poezi frymëzuese, dëshmuese, kushtuar Shejh Shabanit – Tixhanisë, shkrue nga z. Ferid Vokopola.  Poezia iu dhurohet:
Gjurmonjësve të udhës së Tixhanisë
nji dhuratë miqësore.
"Prënditni i Shejh Shaban Tixhanisë"
Fryni era plot thëllime
Edhe lulet na i shoi
Shejh - Shaban' i Tixhanive
Në Rexhep na perëndoi.

S'mund të themi perëndoi,
Aji Yll i Perëndisë,
Kurse shpirt' i tija shkoi,
Drejt për drejt në Paradisë,

Kurse prapa si zevendës
Na ka lèn' nji Shejh të ditur,
N'ka ndryshuar form' e lëndës,
Rron "Aji" si shpirt i ndritur...

S'mund të shuhet Drit' e Zotit,
Mbretëron Fuqi e Ti;
Në ndryshon jeta e Motit,
Ngjallet tjetra përsëri.

Nga vdekja ka lindun jeta,
Pra të gjallët nuk jesin;
Çdo gjë kthen tek e Vërteta:
Besimtarët nuk vdesin...
Vërtetë, besimtarërt nuk vdesin – për derisa shpirtin  e vet nuk e shesin…



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx