E premte, 26.04.2024, 04:23 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Ilir Meta dhe reformimi i së majtës

E hene, 06.07.2009, 06:06 PM


Ilir Meta dhe reformimi i së majtës

Nga Feti Zeneli

Ilir Meta është një ndër tre politikanët më të spikatur në Shqipërinë e viteve të tranzicionit, pas Sali Berishës dhe Fatos Nanos, që ka dhënë një kontribut të çmuar për konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në vendin tonë. Ai ka hyrë në politikën shqiptare si pjesë e grupit përfaqësues të “Lëvizjes Studentore”, që shkuan t’i kërkojnë pluralizëm politik Ramiz Alisë, në dhjetor të vitit ’90, por përfundoi më pas së bashku me Pandeli Majkon në krye të qeverisë së Partisë Socialiste, që ishte një trashëgimtare politike e ish-komunistëve, ndryshe nga pjesa tjetër e këtyre studentëve, të cilët u përfshin në Partinë Demokratike, e para parti opozitare në vendin tonë. Kështu që Meta filloi të evidentohej si idividualitet politik, vetëm kur u përfshi në përbërje të Partisë Socialiste dhe sidomos në vitin 1991 kur themeloi dhe u vendos në krye të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (i pari term evropian në politikën e së majtës shqiptare), duke u bërë dalëngadalë një ndër figurat më të rëndësishme të kësaj force politike. Në vitin 92 ai u zgjodh deputet i Skraparit për Partinë Socialiste. Pas arrestimit të Fatos Nanos dhe rritjes së frymës konservatore në Partinë Socialiste, Ilir Meta, iu bashkëngjit grupit që kërkonte moderimin e politikës së majtë shqiptare, duke artikuluar e orjentuar nevojën e bashkëpunimit prendimor të kësaj force politike. Në një prej emisioneve “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ai ka pohuar pikërisht këtë shqetësim, pasi në vitet e para të tranzicionit PS ishte tërësisht e izoluar nga faktori ndërkombëtar. Për këtë arsye, FRESH-i u bë pikënisja e kontakteve perëndimore për Partinë Socialiste, duke filluar me të majtën italiane dhe ato të vendeve skandinave. Në vitin ‘95-‘96 ai ishte një nga katër nënkryetarët e PS-së, por që u rreshtua kundër mbështetësve konservator të zotit Nano. Pas vitit ’97 u emërua fillimisht si sekretari i Jashtëm, një post identik me zëvendësministrin e Jashtëm, ndërsa kur Pandeli Majko u bë kryeministër pas 14 shtatorit ‘98, Ilir Meta mori postin e zëvendëskryeministrit dhe më vonë atë të kryeministrit. Në pranverë të vitit 2004 ai formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, një strukturë politike shumë solide, bazuar te veprimi dhe aksioni politik për reformimin e së majtës.

Por ajo që mund të themi me plotë bindje lidhet me faktin se, është ndër të paktët politikan të krahut të majtë që ka luftuar vazhdimisht për reformimin real të Partisë Socialiste, ku rasti më i fundit është ai distancimit nga projekti ogurzi i Ramës për ta zhytur vendin në një krizë të paparë politike, pas zgjedhjeve të 28 qershorit ‘09. Madje dhe krijimi i LSI-së është një iniciativë e tij për reformimin e PS-së, kur pa se pas 8 vitesh në pushtet, ajo ishte bërë edhe më problematike nga ç’kishte qënë në fillim të viteve ‘90. Rezultatet qeverisëse të cilat ai pati gjatë periudhës që drejtoi kabinetin e majtë në mandatin e parë qeverisës të socialistëve, sidomos lidhur me disa investime të caktuara në infrastrukturën rrugore, u përdorën si një argument i fortë në fushatën elektorale të vitit ’01. Ai arriti të përfundojë autostradën Tiranë-Durrës, një segment të rrugës Kavajë-Rrogozhinë, rrugën e Qafës së Llogorasë, rregulloi parkun “Rinia” në Tiranë dhe mbështeti dukshëm Edi Ramën në projektet e tij për punët publike në krye të bashkisë së Tiranës. Madje, nëse mund të flasim për disa arritje të vogëla qeverisëse në 8 vitet e mazhorancës socialiste, pas ngjarjeve të vitit ’97, ato lidhen vetëm me emrin e Metës si kryeministër. Por meritat më të mëdha të tij si politikan qëndrojnë në tentativat e herë pas hershme për reformimin e Partisë Socialiste dhe të së majtës në përgjithësi, gjë të cilën prej më shumë se 4-5 vitesh po e bënë nëpërmjet modelit dhe eksperiencës politike që ka krijuar në drejtimin e LSI-së. Ishte, veç të tjerash edhe garimi me vehte i LSI-së në zgjedhjet e ’05-ës, e cila bëri të mundur rrotacionin politik të pushtetit në duartë e demokratëve, sikundër mund të themi të njëjtën gjë edhe për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ’09, që do të bëjnë të mundur vazhdimësinë e ndryshimit dhe të reformave integruese nën qeverisjen e mazhorancës së djathtë. Në rast të kundërt, nëse nuk do të kishim vazhdimësinë e sistemit të korrupsionit majtist, pas zgjedhjeve të ’05-ës, do të kishim një periudhë të tërë të destabilizuar, e cila nuk do të kishte prodhuar kurrë këtë situatë të shkëlqyer për zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike, që është arritur qartazi nën qeverisjen e demokratëve. Natyrisht këto janë llogari të supozuara, por gjithësesi janë llogari me shifra konkrete, të cilat, më së shumti i preferojnë socialistët si argument për të treguar se, “e majta në Shqipëri është shumicë absolute”. Por këto fakte përdoren nga shumë socialistë edhe për të artikuluar mallkimin më të egër ndaj Metës, sidomos tani pas pranimit të ofertës së kryemnistrit Berisha për të bashkëqeverisur në 4 vitet e ardhëshme, që po i lë për 8 vjet rresht pa pushtet. Kësisoj, Meta urrehet prej tyre, për këtë fakt, po aq sa dhe Berisha. Nga ana tjetër, duhet theksuar se një lëvizje të tillë Meta nuk e bëri për interesat e demokratëve, po për interesat e të majtëve, në mënyrë që ata t’u bashkëngjiteshin proceseve integruese si qytetarë europian dhe jo si “militant afgan”. Po, le ta flasim më konkretisht:

Në prag të ngjarjeve të ’97-ës, të majtët ishin një pakicë e mjerueshme, e rrudhur si rezultat i reformave të ndryshme demokratike, të ndërmarra në periudhën ’92-’96. Madje ishin më pak në numër se sa në zgjedhjet e 22 marsit ’92. Zgjedhjet e përgjithëshme të 26 majit ’96 e treguan më së miri numërin e vogël që ata përfaqësonin, ndaj kur e panë që ishin “pakicë absulote”, përfaqësuesit e tyre politik larguan komisionerët socialistë afër përfundimit të procesit të votimit, për të krijuan alibinë e manipulimit të zgjedhjeve sikundër ndodhi realisht. Ngjarjet e ’97-ës u krijuan dhe u shfrytëzuan prej tyre për të shtuar numerikisht radhët e të majëtve, duke rekrutuar edhe shumë “të djathtë”. Ishin ata që kishin penetruar në radhët e demokratëve kohë pas kohe deri në fund të vitit ’96. E njëjta strategji u ndoq edhe gjatë periudhës tetëvjeçare të qeverisjes së majtë, dhe në prag të zgjedhjeve të ’05-ës të majtët ishin një shumicë e konsiderueshme, e cila, e edukuar me parimin enverist se, “vota është plumb për armikun”, nuk parashikonin asnjë firo. Dhe këtë “plumb” kundërshtarëve politik duhet t’ua japte çdo i majtë edhe sikur të ishte në gjëndje kome, ashtu siç ndodhte në kohën e Enverit. Ishte momenti i përjetësimit të pushtetit edhe në vitet e “socializmit të dytë” shqiptar. Unë nuk mendojë që këtë “sakrificë” enveristët fanatikë, sigurimsat e pashpirtë, ushtarakët militantë dhe ish-pushtetarët monist e bënin për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Parë në këtë këndvështrim, votimi me çdo kusht i PS-së prej tyre, ka mundësi të jetë shndërruar në një ndër “10 cilësitë” e sotme të anëtarësimit apo militantizimit në Partinë Socialiste, me qëllim që pushtetin, të cilin dje e garantonin me plumbin e pushkës, sot ta garantojnë me “plumbin” e votës. Në këtë mënyrë, marrja me çdo kusht e pushtetit bëhet çështje primare për të majtët, ndërkohë që atdheu ngelet çështje sekondare. Pak rëndësi ka, se ky lloj pushteti nuk ka asnjë lidhje me institucionin e qeverisjes së popullit sipas parimeve dhe standarteve perëndimore. Të majtët pushtetin e duan më shumë si një amanet apo trashëgim të paraardhësve të tyre politik, se sa si një instrument demokratik për progresin dhe mirëqënien e përgjithëshme të shqiptarëve. Kësisoj ata e shënjestrojnë pushtetin si një ambicje revolucionare dhe jo si një mundësi për të realizuar programet e duhura elektorale. Kjo është arsyeja kryesore që për 8 vjet rresht në pushtet të majtët shtuan vetëm korrupsionin dhe shifrën e anëtarësisë së tyre, pa vënë asnjë “tull” të vetme në themelet e zhvillimit dhe integrimit tonë ekonomiko-shoqëror. Nga ana tjetër, pushteti i pamerituar i bëri ata shpërdorues të paparë të demokracisë, vetëm për të përfituar, duke mos i dhënë asgjë asaj. Me një objektiv të tillë, mesa duket hyri edhe Edi Rama në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, teksa nuk dëgjuam asnjë premtim konkret përgjatë 30 ditëve të fushatës. Këtë qëllim e përforcon edhe fakti i përfshirjes në listën e kandidatëve për deputet të një numëri të konsiderueshëm biznesmenësh në fushën e ndërtimit, ndoshta me qëllim që të ndanin fondet publike midis tyre në rast të marrjes së pushtetit qëndror. Kjo është arsyeja që lideri socialist dhe përfaqësuesit e tjerë politik të së majtës e kanë të vështirë që edhe 7-8 ditë pas përfundimit të votimeve të mos e pranojnë humbjen në një proces zgjedhor me standarte europaine. Ai nuk e beson se si mund të humbas e të barazojë edhe në ato qarqe ku mund të ketë disa vota më shumë, pasi nuk është në gjëndje të kuptojë mekanizmin e reformave demokratike, i cili ka aftësinë të bëjë të pavlefshme jo vetëm çdo votë por edhe çdo qëndrim që nuk respekton prirjen progresive të shoqërisë. Shumica të tilla janë në kuptimin e plotë të fjalës, “sa për numër” dhe nuk mund të shndërrohen në faktor demokratik për të mirën e përgjithëshme. Në këtë aspekt një kontribut jo të vogël ka edhe Ilir Meta, i cili në kohën që e majta e bashkuar ishte një numër kërcënues për Demokracinë shqiptare tërhoqi pas vetes një pjesë jo të vogël të tyre, duke krijuar LSI-në - një forcë të re, por gjithësesi me anëtarësi të majtë. Ndërkohë unë nuk mund të them akoma që një “lsist”, për momentin, është më i moderuar se sa një socialist, edhe pse vetë Meta si politikan bën përjashtim nga të gjithë politikanët e tjerë të krahut të majtë. Sidoqoftë, profili i liderit ka shumë rëndësi, pasi sjellja e tij reflekton edhe tek anëtarësia e thjeshtë. Kjo është arsyeja që anëtarësia e LSI-së shfaq më tepër qytetari se sa anëtarësia socialiste, edhe kur cënohet padrejtësisht në integritetin e saj elektoral sikundër ishte edhe rasti i zgjedhjeve të 28 qershorit. Sikur ky “mëkat” të kishte ndodhur me PS-në sot do ta kishe çdo qytet e fshat të Shqipërisë të mbushur me protestues të irituar dhe të papërmbajtur në veprimet e tyre. Megjithatë e majta ramiste është kaq e indoktrinuar sa që nuk mund të përfitojë vetvetiu, qoftë edhe duke e ushtruar përditë veten sipas eksperiencës të së majtës “lsiste”. Hapi i parë që duhet hedhur në këtë drejtim është largimi i lidershipit aktual, i cili nuk mund të ndodh përsëri me vullnetin e lirë të anëtarësisë socialiste, pa u ngacmuar sa nga ambjenti përreth po aq dhe nga lideri në hije i saj. Nga ana tjetër kjo s’mund të realizohet as duke i bërë thirrje anëtarësisë socialiste që të bashkohet me partinë e Metës apo duke i kërkuar këtij të fundit që në mnjë moment të caktuar të bëhet udhëheqësi i të majtës së bashkuar, pasi në këtë mënyrë do të detyroheshim që për LSI-në të përsëritnim të dëshpëruar shprehjen: “Ku ishe? -Askund. Çfarë bëre? -Asgjë.” Për mendimin tim bashkimi mekanik i anëtarësisë së majtë, jo vetëm që nuk përmban asnjë element reformues, por, përkundrazi, e kthen atë tek agresiviteti numerik i paravitit ’05. Një bashkim i tillë numrash mund t’i shërbejë vetëm një pushteti që i ka kaluar koha, këtu e 5-6 vjetë përpara, ndërkohë që shqiptarët presin një pushtet i cili t’u paraprijë proceseve integruese. LSI është një investim i konsiderueshëm i politikës shqiptare, që i rezistoi me dinjitet sistemit aktual zgjedhor. Dhe kjo ndodhi, jo vetëm nga që lideri i saj kishte një program të caktuar qeverisës por edhe nga që ai nuk rendi pas “sasisë” së kthimit të së majtës në pushtet, po pas “cilësisë” qeverisëse të pushtetit që premton integrimin e shpejt të vendit në Bashkimin Europian. Sidoqoftë ky ishte vetëm një hap i hedhur në rrugën e duhur, i cili duhet pasuar nga hapa të tjerë mbështetës, në mënyrë që ata, të cilët deri më sot e kanë nëmur Ilir Metën, nesër ta urojnë për qëndrimin e tij të mençur, i cili përveç të tjerash, indirekt bën apel edhe për reformimin e shpejt të Partisë Socialiste. Sot ndodhemi në një fazë të tillë zhvillimi, ku votat “për numër” apo votat për “besnikëri partiake” nuk vlejnë dhe aq sa duhet për të “kotuar” reformat integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Në demokraci pushteti merret duke bërë fillimisht një program që ngjallë interesin e njerëzve, dhe jo duke mbledhur numra votash edhe nga të “vdekurit”. Ilir Meta, duke pranuar ofertën e kryeministrit Berisha për bashkëqeverisje në 4 vitet e ardhshme, dëshmoi edhe njëherë tjetër se është jo vetëm përfaqësuesi më i denjë i mentalitetit të së majtës europiane në Shqipëri, por edhe një ndër politikanët më të devotshëm për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora