E shtune, 27.04.2024, 11:11 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Bulku dhe “burracakët” e Ramës

E premte, 03.07.2009, 08:28 PM


Rajmonda Bulku
Rajmonda Bulku
Bulku dhe “burracakët” e Ramës


Nga Feti Zeneli

Rajmonda Bulku është një emër i mirënjohur i skenës dhe kinematografisë sonë. Ndërkohë ajo është edhe një simbol i bukurisë dhe virtyteve më të mira të femrës shqiptare, e cila rrezaton vetëm dritë e delikatesë në çdo fjalë që thotë. Por në mbrëmjen e vonë të së mërkurës znj. Bulku është përballur me dhunën shtazarake të banditëve majtistë në qytetin e Fierit, ku kishte shkuar për të dhënë mesazhe qetësie dhe tolerance, pikërisht në emër të këtyre vlerave dhe virtyteve njerëzore, teksa kishte parë në ekranet e televizioneve turmat e irrituara të militantëve socialistë që kishin rrethuar qendrat e numërimit të votave si në 97-n. Dhe situata mund të agravonte më tej, për shkak se përfaqësuesit politikë dhe kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste po bënin thirrje të frikshme për të ngritur “në këmbë gjithë Shqipërinë” dhe për të mbrojtur “votën me gjak”. Falë maturisë që kishin treguar më parë edhe kandidatët për deputet të PD-së në këtë qark nën drejtimin e z. Olldashi, për të frenuar konfrontimin, duke u bërë thirrje përkrahësve të tyre që të mos dilnin për të manifestuar, u arrit që të shmangej një ngjarje tipike si ato të ’97-s apo një dramë e vërtetë, nëse flasim me gjuhën e artit. Këtij qëllimi i shërbente edhe shkuarja në Fier e znj.Bulku, pavarësisht se militaro-militantët e majtë të grumbulluar rreth qendrës së numërimit të votave e morën atë si një “aktore” imagjinare në këtë “dramë” reale. Në këtë mënyrë, cënimi i standardit të zgjedhjeve nëpërmjet “kryengritjes” më të re të Fierit nga ish-komunistët, kalon në plan të dytë dhe në plan të parë del cënimi i virtyteve tona njerëzore, nëpërmjet dhunimit fizik të një prej femrave simbol për këto vlera. Historikisht, nuk ka ndodhur kurrë tek ne që burri të ngrejë dorë ndaj gruas “së huaj” në publik, me përjashtim të periudhës së komunizmit kur burrat besnikë të partisë arrinin deri edhe “t’u derdhnin plumin në gojë” grave jobesnike të partisë. Ndaj, veprimi “burracak” i burrave socialistë të Fierit ndaj aktores Rajmonda Bulku buron pikërisht nga ky formim ideologjik i tyre, i cili është trashëguar pa asnjë ndryshim nga e kaluar komuniste tek pinjollët e punistëve të djeshëm.

Për 50 vjet me radhë, komunizmi shqiptar i zëvendësoi traditat e mira dhe virtytet e çmuara të njerëzve tanë me “dhjetë cilësitë” e anëtarit të Partisë së Punës. Ndoshta vetëm për këtë metamorfozë të çuditshme mund të vlejë vargu i shkrimtarit komunist Shefqet Musaraj, “u ngritën këmbët dhe po i bien kokës”. Kësisoj, vlerat dhe virtytet tona kombëtare u zëvendësuan me “moralin komunist”, ku “njeriu i ri” jepte edhe “jetën për partinë”. Fisnikëria u zëvendësua me servilizmin politik dhe “familjet e mëdha” me “njerëzit e vegjël”. Por grupimi shoqëror që e pësoi më shumë nga “ç’rrënjosja e traditave dhe zakoneve prapanike” ishin femrat. Në këtë mënyrë ato u shpërfytyruan edhe fizikisht, pasi u bënë “të barabarta” me burrat, jo vetëm në jetën civile, por edhe atë ushtarake. U bënë njëlloj si burrat; traktoriste, tornitore, aviatore, oficere, minatore, etj. Fryma komuniste e barazisë dhe kolektivizmit i “burrëroi” femrat edhe nga pikëpamja sociale. Kësisoj cilësitë e veçanta të femrës si nënë dhe krijesë delikate, në njëfarë kuptimi, duhet të konsideroheshin si “shfaqje të huaja”. Ndaj për atë kohë ishte normale që përballja e burrit me gruan të konsiderohej si një “duel i barbartë”, përderisa të “barabarta” ishin punët që kryenin, pse jo edhe “muskujt” e tyre. Sot demokracia i ka dhënë statusin politiko-shoqëror që i takon femrës, duke i rikthyer jo vetëm dinjitetin por edhe rolin e saj historik që i takon në një shoqëri të emancipuar. Megjithatë ish komunistët e grumbulluar në Partinë Socialiste dhe në disa partiza të tjera të majta e duan demokracinë vetëm për mundësinë që ajo u krijon atyre lidhur me riciklimin në pushtet, duke u bazuar tek solidariteti komunist i kohës së Enverit. Po edhe këtë mundësi ata duan që të jetë gjithnjë në favor të tyre, pavarësisht detyrave apo objektivave që shtron koha përpara nesh. Pra e shikojnë vetëm si një të drejtë të pashoqëruar me detyra, dhe atëherë kur ligji s’i favorizon. Mbi bazën e një qëndrimi dhe konceptimi të tillë u krijua edhe ngjarja e shëmtuar e së mërkurës në mbrëmje. KQZ-ja mori një vendim ligjor, ndërsa përfaqësuesit e politikës majtiste të Edvin Ramës iu përgjigjën me thirrje antiligjore për protesta, duke arritur deri atje, që jo vetëm të mos përmbaheshin, por edhe të ushtronin dhunë ndaj aktores sonë të mirënjohur, znj.Rajmonda Bulku. Unë nuk arrij ta kuptojë se ç’rrezikshmëri paraqiste prania dhe fjala qetësuese e znj.Bulku në këtë rast? Absolutisht asgjë! Por raca komuniste, përveçse e trajton akoma femrën si “të barabartë me burrin”, nuk e njeh akoma rolin e faktorëve të ndryshëm për mbarëvajtjen e demokracisë. Ata ende s’po arrijnë të kuptojnë se, në demokraci nuk mund të vazhdohet të dëgjohet akoma vetëm “fjala e partisë”, por edhe ajo e çdo individi, aq më tepër e individëve me vlera publike si znj. Rajmonda Bulku. Me sa duket “ora” e pluralizmit të tyre ka mbetur akoma tek “standardet” e zgjedhjeve të 31 marsit ’91, ku “levat” e Partisë së Punës i shndërruan në “subjekte të pavarura elektorale”. Natyrisht tani nuk mund të veprohet kaq hapur, por kandidimi në krye të listës së deputeteve socialistë për qarkun e Tiranës e një drejtuese të një OJF-je tregon se shumica e tyre sikurse edhe shumica e medias së shkruar dhe asaj vizive vazhdojnë akoma të jenë “leva të Partisë Socialiste”. Përveç të tjerash Rajmonda shkoi atje edhe ngaqë pa midis “huliganëve” të Fierit edhe kandidaten për deputete të PS-së në këtë qark “shoqen” Ermelinda Meksi, duke shpresuar më kot në mirëkuptimin e saj, por si shumë shoqe të tjera të “familjes socialiste”, edhe ajo ishte e “burrëruar”. Ndaj mënyra se si e materializojnë ata këtë “trimëri” gojore, ngjan me “burracakërinë” njerëzore. Dhe këtë bindje ta krijojnë, veç të tjerash, thirrjet “partizançe” të tyre për ta mbrojtur “votën me gjak” edhe në kohë paqeje. Thonë kështu ngaqë ende nuk e dinë se “ç’erë ka gjaku” i votës në një shtet ligjor dhe demokraci të konsoliduar, ndërkohë që edhe “burrërinë” e tyre “legjendare” e tregojnë duke u fshehur herë pas pushkës e herë pas turmës, megjithëse përpara kanë ndonjë grua opo individ të paaramatosur. Le të kujtojmë ngjarjet e ’97-s, ku “burrat” majtistë të ish-Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar u “trimëroheshin” hallexhinjve që qarkullonin rrugëve ose policëve të paarmatosur, duke i gjuajtur me armë a me gurë. Sillni nëpërmend kronikat televizive të kohës dhe do të shihni “burrat” socialistë të armatosur gjer në dhëmbë duke torturuar apo masakruar në grup ndonjë zyrtar, hallexhi apo emigrant; gjithësecili në hallin e vet. Megjithatë “huliganizmi” fierak ndaj Rajmonda Bulkut në mbrëmjen e vonë të së mërkurrës është burracakëria më e pështirë e socialistëve të Ramës.

…Të nesërmen e asaj ngjarje, shumë miq e shokë të mi të shqetësuar për ç’ka kishin parë në ekranët e televizioneve më thoshin se, u prishën për gjëra fare të voglë standardet e zgjedhjeve, ashtu si “gjella për një qep”. Po për mua, standardet e zgjedhjeve nuk mund të renditen përpara stadardeve të sjelljeve tona njerëzore apo dhe atyre politiko-shoqërore. Standardet e zgjedhjeve, të dashur miq, nuk mund të arrihen pa realizuar më parë standartet e emancipimit të shoqërisë, sidomos të grupimeve të mëdha politiko-shoqërore të saj. Është fatkeqësi që sot, pas gati 20 vitesh pluralizëm të konstatojmë me keqardhje se Partia Socialiste, një nga forcat kryesore politike në Shqipëri, nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket mentalitetit punist të trashëguar nga e kaluara, me qëllim që t’u bashkohet në mënyrë të natyrshme proceseve demokratike. Rasti më i fundit që e dëshmon këtë bajraktarizëm politik ishte ngjarja e Fierit. Dhe kur shikon që Partia Socialiste nuk ka ndryshuar aspak përsa i përket qëndrimit politik për votën e lirë, atëherë standardi i parë i zgjedhjeve të lira është lënia ende në opozitë e kësaj force politike, përsa kohë të kuptojë se “burracakëria” komuniste është një njollë e së kaluarës dhe jo një cilësi e të sotmes. Nga ana tjetër nuk është “burrëri” që të hysh në betejën zgjedhore me “kubore” të fshehur në brekë dhe ta nxjerrësh atë në fund si cub, pasi “koburen” tjetër e ke dorëzuar te roja e sigurisë.

Pritej që në këto zgjedhje, për shkak të kryerjes me sukses të një sërë reformash integruese, por edhe për shkak të ndryshimit të lidershipit socialist të mos kishim shfaqje të tilla të “burrërisë” komuniste në zgjedhjet e 28 qershorit ’09, gjë e cila fatkeqsisht nuk ndodhi. Të shpresojmë se reformat dhe transformimet, të cilat do të ndodhin nën qeverisjen e të djathtëve në 4 vitet e ardhshme, do t’i “zhburrërojnë” apo dekomunistizojnë disi socialistët e Ramës në zgjedhjet lokale të vitit ’11 dhe ato të përgjithshme në vitin ’13, ndoshta deri në atë masë saqë të mos e masin më forcën e tyre “burrërore” duke ngritur dorë ndaj femrave dhe aq më tepër ndaj zonjave të vërteta të standardit Bulku.


(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora